Zekerija Idrizi: Vështrim për vëllimin me poezi “Buzëqeshi jetës”
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 1
- 9 min read

VIZIONI PROGRESIST DHE ETIKA PRIMORDIALE NË NJË VEPËR POETIKE Zekerija Idrizi - shkrimtar, kritik letrar Vështrim për vëllimin me poezi “Buzëqeshi jetës” të poetes kuksiane Raimonda Braha -
A b s t r a k t -
Në parim, të gjithë mendimtarët e krijuesit letrarë në përsiatje e shkrimtari udhëhiqen nga parimi racionalist i filozofit francez Rene Dekart (René Descartes -1596-1650) “Cogito ergo sum” / “Ich bin, ich existiere”: “Mendoj, pra jam” - parim ky të cilin ai e ka shtjelluar hollësisht te vepra e tij “Discours de la Méthode / Bericht über die Methode” (Diskursi mbi metodën), e cila fundekrye, në bosht, është e përshkuar nga racionalizmi, skepticizmi, respektivisht, nga dyshimi i thellë mbi githa fenomenet e ekzistencës së njeriut dhe të universit. Së këndejmi dhe unë, si të gjithë që nga periudha e Renesancës dhe Rilindjes sonë Kombëtare, ashtu edhe pedagogeja e poetja Raimonda Braha, e zbatojmë në jetë, në të menduar e të shkruar “mendimin kritik - skepticizmin” plot logjikë.
Ne nisemi nga ky parim në çdo meditim e gjurmim letraro-filozofik për arsye se metoda racionaliste e skepticiste është themeli i gjitha gjitha rezultateve në disiplinat letrare, shkencore dhe filozofike. Pikërisht mbi këtë parim e metodologji meditative Raimonda e ka themeluar dhe ngritur mjeshtërisht kështjellën e saj poetiko-letrare, tashmë e kulmuar në veprën e saj me titull “BUZËQESHI JETËS”. Ta them tani në parantezë, në kuptim të një digresioni: Rene Dekart, mes të tjerash ka pohuar dhe vizionin: ““Ma jepni idenë e rrugën, unë do t’ju ndërtoj universin!”. Idenë dhe frymëzimet për të ndërtuar “Universin” e saj mendimor poetik, poetja Raimonda i ka marrë nga trashëgimia e begatë kulturore dhe nga peizazhet piktoreske të vëndlindjes dhe Atdheut të saj - SHQIPËRISË MËMË… Dhe, në sfond, madje qartazi edhe në horizont, autorja këlthet deri në kupë të qiellit, duke shpërfaqur botërisht botëvështrimin e saj, respektivisht, “atë mistiken e të bukurës imagjinatë” (varg nga një poezi tjetër e saj) te poezia me titull “Ekzistoj”: “Më vjen të ulërij më të madhe/ Sa të shkojë zëri gjer ke retë/ Zogjtë të tremben në degë/ E gjethet të bien si në vjeshtë/ Më vjen të qaj e të ulërij/ me të madhe dua të thërras/ Zëri im le të kumbojë, gjer në Olimp/ UNË JAM,,,EKZISTOJ…”../ Unē jam gjallë e: Zëri im do të ndezi mirëja jetë/ Edhe të shurdhët do ta dëgjojnë/ Zogjtë në degë do më kuptojnë/ Retë do qajnë me lot për mua/ Por unë përgjërimin nuk e dua/ Me të madhe do bërtas: Unë jam këtu/ Ekzistoj (mendoj dhe shkruaj)…”
Poetja e talentuar, Raimonda Braha, me librin e saj të parë poetik me titull “Buzëqeshi jetës” na shfaqet në horizontin e letrave shqipe si një banore tepër e veçantë që e ka zhvilluar dhe po e zhvillon akoma ‘habitatin’ e saj krijues brenda një sistemi cilësor e mirëfillor dhe jashtë “kodeve/kanoneve” të përçudnuar të një pseudo-letërsie si llum, që përdhos e shkërmoq vlerat thelbësore të saj (poezia e saj “Tempulli i jetës” e dëshmon këtë: “Bota ime në një tempull të vogël/ Ku është qetësia e shpirtit tim/ Ku elixiri i saj është kristal/ Do të doja të ishte e tillë dhe jashtë saj …). Diskursi ligjërimor poetik shndritë brenda veprës për arsye se Raimonda është një poete e talentuar dhe e veçantë në botën e poetikës shqiptare. Ajo ndër dekada, që në moshë të njomë rinore ka filluar të lëvrojë artin poetik dhe, deri më sot, ka krijuar një fond të begatë vargjesh/poezishë. Ajo ka kohë që publikon poezitë e saj në rrjetet sociale, nëpër gazeta e portale dhe ka shkaktuar një jehonë pozitive te auditori lexues dhe te kritika letrare. Së këndejmi dhe ajo ka vendosur tashmë që opusin e saj krijues ta përbotësojë jo vetëm në këtë libër të sajin të parë, që unë pata fatin ta kem në dorë e ta lexoj me vëmendje, por ka në plan të botojë dhe libra të tjerë në të ardhmen, madje edhe në prozë. Ajo që më mrekulloi që në fillim të leximit të faqeve të para të librit janë poezitë e saj: “Grua”, “Pasthirmë shpirti”, “Meraku i nënës”, “Nënëlokja” dhe “Grua, Ti je vetja”, në të cilat autorja ngre në piedestal institucionin e gruas, të nënave e gjysheve në familje dhe në shoqëri. Që shpirti i saj qëndron në unison të plotë me muzën dhe frymëzimet e saj artistiko-poetike, Raimonda e përdëshmon këtë më së miri te poezia e saj me titull “Shpirti i poetit”. Vargje këto që përshkruajnë dhe rolin qëndror e final të Poezisë si mbretëreshë të arteve. Ajo vargnon me plot urtësi: “Eh në gjithësinë e sublimes!/ Në pakufijtë e tejskajshëm/ Ku bota hedh valle të ndryshme/ Qëndron shpirti i poetit ./ Tek petalja e trëndafilit ,/ që t ‘lumturon me aromë e shndrit jetë/ simbol i dashurisë../ te ai petal a trendafil që thahet ,vyshket/ e të shoqeron në Lamtumira …/ Shpirti i poetit qan dhe qesh/ Lind te burimi i ujevarave ,/ ku shtojzëvallet hedhin valle. / Por dhe te uragani, që përmbys botën me tufan/ e asgjë derman s’i bën/ Tek lindin rrezet e diellit/ E botën ngrohin/ Rreze dashurie përcjellin/ Si buzëqeshja e një fëmije të sapolindur./ Sublimja nuk ka skaj/ e përtej saj qëndron shpirti i poetit/ Plot mister i pashtershëm/ që dhe pas vdekjes jeton”. Poetika e Rimondës është e projektuar mbi një sistem autonom e autentik letrar. Ajo nuk ndjekë rrymimet e formimit letrar të kohës, por përpiqet të sjell një autorësi origjinale shkrimi që bazohet në promovimin e një leksiku pak a shumë atipik poetik, me një përkufizim të avancuar kulturologjik mbi resemantizimin e botës mitike dhe shkrirjen e saj në një areal të pasur simbolikash poetike krejtësisht novatore, si për kohën kur ajo i ka krijuar, ashtu edhe për të sotmen.
Jam thellësisht i bindur që ky areal simbolikash do të lë gjurmë të pashlyeshme në analet e poezisë shqiptare. Fuqia magjike e fjalës së kësaj autoreje, i jep hirit të metaforës përtëritjen që ka zjarri i fjetur brenda deklishetizimit të fjalëformimit kontrastiv poetik. Për të fjala më shumë se prodhim leksikor e gramatikor, është vetë pjesa organike e qenësisë, dhe mbi këtë postulat estetik Raimonda e projekton një dimension të veçantë receptiv, i cili herë-herë del si bashkëpjesëmarrës në eksplorimin e kujtesës arkeologjike e paleologjike ndaj historisë dhe aktualitetit, si në atdheun tonë, ashtu edhe në mërgatë (ku është edhe vet autorja si migrante në Gjermani). Në këtë rrafsh, te poezia “Meditoj në gjuhën time” vargnon: “Një psherëtimë më del nga shpirti/ Frymoj në mërgim/ as qielli as yjet s’më kuptojnē/ Gjuhën time nuk e dinë …/ Të bërtas me të madhe dua./ O Zot a më dëgjon/ Të lutem, në gjuhën time …/ A më kupton?/ Nata e errët më la pa fjalë/ Me veten Shqip meditoj/ i flas gotës së verës ma shuaj atë vegim../ Ëndërroj në gjuhën time/ E me këtë Gjuhë mbushem me frymë/ jetoj dhe ndihem gjallë”. Madje, poetika e saj, shikuar semantikisht dhe gjuhësisht (terminologjikisht) na shfaqet si një fushë magnetike ku ndeshen alkimia e fjalës me horizontin e koduar kontemplativ të gjuhës dhe simbolikës së saj.
Pra, e tërë materia librore e vëllimit “Buzëqeshi jetës”, të gjitha poezitë brenda tij karakterizohen me një gjuhë të zgjedhur, me gjetje të suksesshme shprehjesh, me përkushtim të theksuar të autores në gdhendjen sa më të mirë të vargut, në realizimin ritmik-muzikal të jashtëm e të brendshëm, gjithherë të përshkuar dhe me mendime e meditime të thella, çfarë e bën poezinë të përjetohet natyrshëm dhe thellë, në shumë aspekte. Mund të thuhet lirisht se poezitë e saj janë lirika meditative, por edhe lirika përshkruese plot estetikë dritëmagjike. Këtu, sa herë është fjala te lirikat meditative e përshkruese, autorja falë imagjinatës së bujshme që ka, vargjet i thur me shumë elegancë, me finesë artistiko-estetike, si, fjala bie, te pozitë “Shpesh të them të dua”, “Të dua”, “Mos ma rrëmbeni natën”, “Mirëmëngjes”, “Jeta”, “Natë e trazuar” etj. Sa bukur autorja na e prezanton mendimin e saj artistiko-estetik mbi jetën te poezia perlë “Kohërencë” teksa vargnon: “Isha e re,/ njëzet vjet i kisha marrë jetës/ Kur e shihja botën plot ngjyra ylberi./ E me sytë e ëndrrës gjithçka ishte magjike/ Gjërat mendoja se realizohen me shkopin magjik të Zanës,/ njerezit i shihja si krijesa engjëllore me shpirt human/ E sot që i mora dhe njëzet vite të tjera/ nuk e shoh jetën me të njëjtat vlera …/ Tani botën e shikoj ndryshe/ Me sytë e mendjes/ Ngjyrat e ylberit janë metamorfazë dëshire/ se jeta ja vesh vetë ngjyrat natyrës” Së këndejmi dhe gjuha e saj poetike nuk shprehet asnjëherë e zhveshur nga elementet imanentë ideoartistikë, pa emocion, pa figurë apo metaforë.
Të ndërtuara kështu siç janë brenda këtij vëllimi-me përkushtim, pasion e vokacion letrar, të gjitha vargjet na shpëfaqen me muzikën e vet të jashtme e të brendshme, e fuqizojnë dinamikën e ligjërimit, e thellojnë ndjeshmërinë dhe zgjojnë përjetime nga më të bukurat emocionale e shpirtërore te auditori artdashës. Pra, poezitë e saj shquhen si për nga thellësia kuptimore, ashtu edhe për nga ritmi e muzikaliteti i tyre. Për këtë arsye poezitë e Raimondës janë tërheqëse dhe mjaft interesante për lexuesit e të gjitha moshave. Madje-madje, narrativa e saj poetike shfaq dhe shumë ide dhe një vizionin progresist për mbarë shoqërinë shqiptare në atdhe dhe në mërgatën tonë, e shpërndarë në të katër anët e globit. Thënë akoma më qartë, kompozicionin artistik në këtë vëllim libror poetja e ka realizuar dhe konceptuar në një format stabël, brenda të cilit qëndrojnë bukur dhe në rendin e tyre të gjithë faktorët stilistiko-artistikë, që e kanë ngritur kështjellën e saj të gjithëmbarshme poetike. Pas një leximi të kujdesshëm të të gjitha poezive, kam vënë re qartazi që autorja përgjatë krijimit të tyre ka heshtur e medituar thellë dhe në këto pozicione ka dëgjuar zëra hyjnorë të ëmbël dhe sakaq ka shpërthyer në emocion e energji. Këta zëra mandej ajo i ka shndërruar në tinguj simfonikë, në dritë qirinjsh të ndezur që ndriçojnë rrezeartë mendjet dhe shpirtërat e lexuesve - e admiruesve të artit poetik, veçantë të atyre që kanë një shpirt thellësisht artistik dhe mistiko-metafizik …
Jam i sigurtë që gjuha fine estetiko-letrare dhe gërshetimi i simboleve e gama e ngjyrërave të vëllimit poetik “Buzëqeshi jetës” do të lënë te lexuesi një gjurmë sensore të papërsëritshme, siç janë gjurmët e gishtave. Po dendur në këtë libër kam lexuar dhe shumë poezi me përmbajtje të fuqishme etike e edukativo-njerëzore, në të cilat ajo vë në spikamë domosdonë që njerëzit të vishen me vellot e perëndishme/ëngjëllore dhe të flakin tej veset e veprimet e liga e të shëmtuara djallëzore. Këtë mesazh kaq fuqishëm e shfaq te poezitë: “Bota në kaos”, “Mos e vrisni jetën!”, “E vërteta triumfon”, “Shtirja nuk të zbukuron”, “Deri kur?”, “Shpirt i lirë”, “Larg urrejtjes”, “Mirësi”, “Heshtja”, “Shpresa ngjall pranverën në shpirt”, “Mashtruesi”, “Hipokriti”, “Tradhëtari” etj. Poetes inteligjente Raimonda Braha mjaft lehtë mund t’i “përngjitet” peizazhit poetik të aureolës, në të cilën autorja jeton nga disa pikëshikime, të cilat i kam theksuar, por, në të njëjtën kohë, është edhe një zë disi i veçantë në botën e poezisë, sepse ajo i gërsheton brenda saj metaforën me imagjinatën, si një lojë skene në të cilën dekori është një element fort i rëndësishëm.
Lexuesit, madje edhe studiuesit e kritikët tanë të letërsisë, gjykoj unë, do të kenë mundësinë t’i identifikojnë prurjet, jo vetëm tiparet që tashmë e karakterizojnë dhe e përveçojnë autoren Raimonda në radhën e poezisë së zgjedhur shqipe, por dhe risitë, të rendit stitlistikor, të lëndës poetike si vlerë e rigjeneruar artistike e çdo krijimi të saj të ri. Po ritheksoj tani që kjo vepër është një kronologji poetike e rezistencës së fuqishme për liri, pavarësi dhe shtet-ndërtim iliro-dardano-arbëror, një kronologji e lirikave meditative e emocionale plot dashuri ideale, madje-madje është dhe një ditar poetik i rikuptimësimit të jetës, njeriut, qenies, marrëdhënieve familjare, ndërnjerëzore e ndërshqiptare kudo në atdhe dhe në mërgatën tonë, planetarisht. Me një fjale, te poetika e kësaj poeteje, veçanërisht admiruesi i vlerave letrare, e lexon antologjinë unike të thënies në shumësinë e artit shkrimor e dorëshkrimor të saj, si një krijuese zëarbërore e zëhyjnore.
Ajo këtë na e dëshmon veçanërisht te poezitë me ndjenjat më sublime atdhetare, si: “Shqipëri lulekuqe”, “Atdheu sjell pranverë në shpirtin tim”, “Toka, ku unë linda”, “Krenare për ty Atdhe”, “Meditoj në gjuhën time”, “Përkujtim për “Dëshmorët e Atdheut”, “Mall për vendlindjen” etj., por akoma më veçantë këtë ndjenjë e shfaq te vargjet lapidarë: “GJUHË: Ti linde me ekzistencën/ E para në ballkan më e vjetër se krishti/ kur zoti krijoi njeriun/ Shqip i foli/ Gjuhën më të bukur në botë solli …” Mbas përkushtimit të thellë, pasionant, autorja ka akoma kohë, energji, ftymëzim dhe diapazon të pasur dituror për t’ju dhënë frymë dhe më tej vargjeve poetike, duke i përndezë e flakëruar ato me zjarrin e shpirtit krijues, e shpirtit të madh human dhe me muzën plot frymëzim që, në thelb, i ka ajo, si tipare imanente të qenies së saj, të ‘logosit’ të saj krijues. Komplet vepra e saj poetiko-letrare është një thesar i artë për të gjithë lexuesit dhe studiuesit!! Por, gjithashtu, edhe për të gjithë krijuesit, të vjetër e të rinj. Si shqiptarë ne, që të gjithë, duhet të krenohemi për këtë figurë të spikatur letrare, arsimore e intelektuale.
Prandaj dhe e respektoj dhe çmoj shumë personalisht KËSHTJELLËN estetiko-letrare të poetes brilante Raimonda Braha - kështjellë kjo të cilën ajo e ka ndërtuar me shumë dashuri dhe me punë intensive. Përfundimisht, konsideroj unë me të drejtë, se vepra e saj monumentale, pra si ajo letrare, arsimore, patriotike e jetësore, do të mbetet busull orientuese në histori për breza me radhë si një arsenal e pasuri e madhe për letërsinë bashkëkohore shqipe - kurse Vepra e saj “Buzëqeshi jetës”, mbetet një autopoetikë figurale, përtej saj shtrihet antropoetika si një kod i përhershëm, që e ndjek si hije kudo në jetë dhe në letra autoren Raimonda …
Zekerija Idrizi Berlin, korrik 2025
Comments