top of page

Zekerija Idrizi: Dy qasje e vështrime “ndryshe”



  

NË MORFOLOGJINË E POETIKËS POSTMODERNISTE TË KRIJUESIT BRILANT BILALL MALIQI

 

 

(Dy qasje e vështrime “ndryshe” poezive mistiko-filozofike te libri “GRUSHTIM KOHËSH” i poetit dhe shkrimtarit Bilall Maliqi)

 

Thellë në brendi, në përmbajtje të narrativës poetike të Bilall Maliqit, te libri “Grushtim kohësh” shpërfaqen dy botë sublime: “Presheva historike” dhe “kauza kombëtare” e Kosovës Lindore, si pjesë përbërëse e Dardanisë dhe Shqipërisë Natyrale. Mandej, dendur në shumë poezi, këto dy botë shpërfaqen në pamje kontrastive e antagoniste - si diskurse, doktrina e botëvështrime në diskrepancë të thellë e diametralisht të kundërta mes tyre.

Këto botë diversive autori Maliqi i prezanton denjësisht me një gjuhë të sofistikuar mistiko-filozofike, psiko-sociale, sociologjike e historike. Kjo gjuhë është e mbarështruar me nivel në pikëpamje artistike dhe semantike, si dhe me një estetizëm të theksuar letrar plot simbole e metafora mjaft domethënëse.

Madje-madje, do thosha, z. Bilall Maliqi ka shkaktuar një “revolucion letrar” në letërsinë shqiptare me filozofinë e tij poetike sa simboliste aq edhe postmoderniste, me ç’rast ndjek me zell paradigmat metodologjikë të letërsisë simboliste të poetëve të shquar francezë: Sharl Bodler, Teofil Gotje, Pol Valer, Andre Gide dhe Zhan Morea, të cilët ishin edhe teoreticienë të estetikës simboliste, duke ndjekur kështu parimet dhe idetë e filozofit dhe eseistit gjerman Artur Shopenhauer (Schopenhauer) si dhe konceptet e kompozitorit gjerman Rihard Vagner mbi artin.

Z. Maliqi e shfaq bukur në librin e tij teorinë e sinestezisë, analogjisë universale, të ngërthyer në shumë poezi, në të cilat kërkon të zgjidhë enigmën e “pyllit të simboleve”, të zbulojë analogjitë e thella nëpërmjet të cilave mund të shprehet më së miri thelbi i njerëzve dhe i vragëve të thella në shoqëri e shtet.

Gjuha narrative poetike, ndërsa, e Bilallit shpreh një senzualitet shqetësues dhe pikëllim të thellë kundruall të gjitha të zezave e të ligave që kaq dendur e kanë mbërthyer shoqërinë dhe parinë e shtetit sot, në këtë shekull, sikundër e shfaq ai më së mirë te poezia: “Kjo kohë nga të zezat u grushtua/Dhe pikoi lot të zi/Kohë e mbështjell me mort/Në të pamën e saj/Sillen e pështillen Stinët e hirta”.

E këto “stinë të hirta e të vrara - të mbështjella me mort” autori i fokuson te vendlindja e tij, në Preshevë, duke vargëzuar: “Kështu e kujtoj Preshevën/Tek bart në shpatulla/Peshën e rëndë të historisë”. Po, pikërisht Preshevën ku, siç vargëzon autori: “Në atë vend/U mbollën vdekjet/Dhe mbinin heshtjet”.

Po kështu dhe te dy poezitë tjera me vargjet plot mllef e pezëm: “Farë e keqe me gjemba/Mbush (kudo)gjerësinë/ E Luginës së heshtur…”, si dhe te poezia “DËSHTIMI” me vargje plot dëshpërim:

“U ndal e kaluara në pikë të dështimit/ E sotmja mori krah të dëshpërimit/ U shkri e zeza n’flamur të pikëllimit/ Koha u lag nga lotët e vajtimit…”

Në këto peizazhe ogurzeza, të hirta e plot mortje e pesimizëm kontribuojnë “protagonistët e së keqes”, të cilët autori në disa poezi i prezanton karikaturalisht në karakterologjinë e tyre morbide si: “grykës të pangopur”, “miq me djallin (me petka engjëjsh) që thithin gjak njeriu”, “hije të shkërmoqura”, “tekanjozë të dështuar”, “gjarpërinj përbindësh” dhe “babëzitës” e “satanë të mallkuar” të ciët, siç vargëzon bukur Maliqi: ““Ka grykës(e) që kafshon,/Përpin e thith gjak/ Nëpër etninë e shkarravitur”, dhe vargjet: “Teket i rritën e i rritën/I m’veshën me petkun e mërisë/ Tekanjozët e dështuar”…

Sojin e sorollopin e të këtillëve, që s’kanë pikë ndërgjegjeje, autori e mallkon me gjëmë e ofshamë: 

“Në pritë

Janë ca sy(sh)prishur

Mbushur me urrejtje

Sytë u pikojnë gjak

Ata veç kërkojnë

Sa shumë kërkojnë

E asgjë nuk japin

Janë miq me djallin

Me maskë engjëlli Thithin gjak

Heu...

Sa të tmerrshëm janë

He i shpërlaftë mortja”

Madje-madje, autori po në thumb të kritikës i vë edhe individët sehirxhinj e teatristë të së ligës, të cilët qëndrojnë pasivë e duarkryq në sfond të teatrove absurde, duke i duartrokitur herë-herë të ligës, tragjikes e dramaticitetit në shoqëri: “Hijet hutohen e gajkosen/ Gjembave të kufijve helmues” dhe “Po...fajtorët u gjetën/ Ata godasin në atë cak/ Ku çelen arkat/ Më pastaj hijet urtake/ Përgjumshëm i duartrokasin hajnisë…”

Akoma më rëndë, me një gjuhë të ashpër kritike autori Maliqi i vë “ata - krerët e parisë”, te të cilët, atje lartë në piramidën e shtetit e të guvernës qeveritare, gëlon tradhtia, te vargjet vijuese:

“Përbirohen të zezat nga vrimat/ E portës së madhe të Parisë/ Pastaj fjalët ngjiten në një varg/ Për t’u varur në varëse të tradhtisë”

Orkestruesit dhe farkatarët e “kobzezës zhvatje” nga “paria pushtetare” - konstaton autori duke vargëzuar:

“Po ikin nga Paria/ Që orë e çast ndërron maska/ Me surrate dhembjeje/ Po ikin nga ngulfatësitë/ E zhvatësit e shpresave/ se premtimet ngjyrë i kanë në pjatat e zbrazura/ Ata shkojnë përditë atje ku vjedhja/ Lexohet si një fjalë e marrë…”

           Dhe të tëra këto storje e dukuri trishtuese e plot dhimbje e drithërimë autori i paraqet në pamjet më pezhorative, me shumë pasoja për shoqërinë, deri në dekadencë, mortje e theqafje totale, te poezia me titull “FUNDI I PIKËS SË ERRËT” teksa vargëzon me pikëllim e deprimim:

“Një ditë kur të fryhet largimi Vetmia trishtohet/Zogjtë i harrojnë cicërimat/ Dielli lind mbrapsht/E hëna errësohet/S’do të ketë më as lule/ Gjelbërimi thahet/ Edhe këngët harrohen/ S’do ta njohim njëri- tjetrin/ Stinët ngatërrohen/Kutitë do të jenë të zbrazura/ Atëherë mortja shëtitën/ Nëpër shpirtra pleqsh të lodhur/Autoambulancat me alarme e trishtojnë heshtjen/ Ky është fundi i pikës së errët Kur mallkimi me urimin/ Do t’i ndërrojnë vendet/ Lindjet shpejt harrohen/ E vdekjet me thirrje ezanësh përditë do të shtohen...”

Por, ama, edhe përskaj gjitha këtyre tablove të trishta e mortndjellëse, autori i vë në spikamë edhe korifenjtë e pishtarët mendjendritur të ndryshimit, progresit dhe revolucionit të gjithëmbarshëm shoqëror, veçanërisht te poezia me titull “OFSHAMË E VARUR”:

“Brenda heshtjes/ Shpërtheu një ulërimë/E qartur hijes së maskuar/ Koha ia grisi maskën/Një SATANIT të m a l l k u a r…”

E autori Maliqi i thërret mendjendriturit që të reagojnë zëshëm kundër të ligave dhe preventivisht t’i parandalojnë ato, duke vargëzuar në formë kushtrimtare: “Është koha t’i shqelmojmë të zezat”. Përndryshe, neglizhenca, indiferentizmi e indolenca pasive e protagonistëve të dijes e të së mirës përballë të keqes, regresit e “mortjes” apokaliptike e “trondit dhe zhbln të mirën”. Në këtë drejtim autori na e tërheq vërektjen te poezia “Pritëm”, në vargjet:

“Pritëm të abortojë e keqja/ Në motin e bram/Abort s’pati/Lindi në gjerësinë tonë/Si një foshnje e shëndoshë/S’pati as prerje cezariane/Peshoi rëndë/Në tokën e (stër)rënduar/Pastaj...e mira u trondit/Dhe ia mbathi/Matanë Bjeshkëve të Nëmura/ Më ngeli e keqja/ Në ballë të stinëve të vrara”.

Pikërisht në këtë rrafsh, poeti Maliqi ka një amanet sa sublim aq edhe të shenjtë për ne:

“Mos qëndro duarkryq/ Kur shpresa përditë grushtohet!”.

Por, ca poezi në brendi të librit të shkrimtarit Bilall Maliqi janë edhe plot dritmagji, shpresë e optimizlm, për arsye si ai, së oari, beson e mbështetet në forcat vetanake dhe, së dyti, beson në kurajon, forcën, punln dhe sakrificat e mendjendriturve e të itjtarëve të ndryshimeve pozotive në shoqëri e shtet. Edhe përkundër “reve të zeza” që kanë pllakosur Preshevën e Arbërinë mbarë, autori rrëfen për mosmposhtjen e këtij qyteti dardano-shqiptar ballë së ligës. Këtë më së miri ai e shpreh te poezia me titull “Ngeli në këmbë” (Kalasë së Preshevës):

“Në atë pushimore

Qëndron Pip një ngrehinë

Nga Roga e Topit

Gjuhej pa ndalur

Me shtytje të gjyleve

Ajo (prapë) ngeli në këmbë

Kurrë nuk u shemb

As nga të egrat furtuna

Mot pas moti

Nga ajo lartësi

Pikojnë kohët si shiu

Për t’na freskuar

Kujtesën e lodhur

JO

Jo fjalës që vret dhembjen

E gjakos plagën e rreshkur

Jo këngës që nxit vajtimin

E rrjedhin lotët (si) ujëvarë

Jo shikimit të shtrembët

E zgjimit të inatit të fjetur

Jo mendimit të përçudshëm

E hapjes së portës së xhelozisë


ATDHEU


Atdheu s’është lojë shahu Të luash si të duash

Të falësh ndonjë copë

Si figurë

Në arenë katrorësh

Nuk shkokëlohet

Si fasule

As nuk ndahet si buka

Është hartë e përgjakur

Atdheu asnjëherë

Nuk vritet

E ka shenjtërinë

Në korniza peizazhesh

Shpërfaqë bukurinë

 

E përmbyll librin autori Maliqi me mesazhin e shenjtë:

““Edhe nëse vdes/ Dashuri/ Do të jetë fjala ime e fundit”.

 

VLERAT MISTIKE TE POEZITË MONOLOGUESE TË BILALL MALIQIT

 

Këtyre ditëve jam shoqëruar në lexim të ca poezive sa sublime e mistike po aq edhe teozofike, të përshkuara me metafora e figuracion mjaft domethënës nga muza mahnitëse kreatoriale e poetit të spikatur Bilall M. Maliqi.

Që në poezinë e parë lexova karakterin e qëndrueshëm njerëzor të poetit teksa vargëzon për vlerat individuale etiko-morale:

 

“Gurin e qëndresës

Shpesh e bëra nënkresë

Nëpër stinë e mote

E forcova unin tim

Ngado mbolla dashuri

Urrejtjen e futa në dry

Shtigjet e mbyllura

I bëra të kalueshme korsi”

 

Në vazhdim poeti Maliqi din ta shndërrojë në “lotë të gëzimit lotin e dhembjes, e pikëllimit t’ia heqë perden e zeznajës së trishtë”, duke ndjekur kështu porositë sublime të muzës vargëzuese, të cilat ia hapin shtigjet e lumturisë, gëzimit dhe të harmonisë. Le ta lexojmë:

 

“Lotin e dhembjes

Shpesh e shndërrova

Në lotë të gëzimit

Pikëllimit ia hoqa

Perden e zezë

Le të ngjyhet me bardhësi

Me porosi të muzave

E shkriva veten

Edhe në vargje

Të lexohen nëpër kohë

T'i lexojë edhe Ajo

Që nganjëherë

E lidhte nyje gëzimin

Me dhembjen

Përqafimin me hidhërimin

Ëndrrën e lazdruar

Me zgjëndrrën idhnake

Hej- nëpër kohë

Mallëngjimin e ruaja në gji

Si mburojë të zemrës sime”

 

Qëndresë, vigjilencë, gufim e erupcion forcash nga thellësitë e shpirtit të poetit, duke sfiduar ligësinë, amullinë, plogështinë dhe shpirtin e zvetënuar, në poezinë e tij plot optimizëm:

 

“Nën tingujt e durimit

Këngën (për liri)se ndala

Nëpër nota të qëndresës

Zëri im valoi

Nga brendia e shpirtit

Një forcë kushtrimi gufoi

Edhe stinëve

Ia hapa dyert

Për t’i parë peizazhet

E ngrohta e të ftohta

Varur në murin e moteve”

Poeti Maliqi nuk pajtohet kurrsesi me plangprishësit që përçajnë, gërvishin plagët e as me mbështetësit e e zeznajës së kulluar që pikon vetëm tmerr e dhembje:

 

“S'pajtohem me prishësin

Që (ngado) përçan

E ndan hijet e hutuara

Shprish dhembjet

E gërvish plagët

E rreshkura të kohës

Nuk pajtohem

As me mbështetësit

E zisë së kulluar

Që nëpër sitën e motit

Pikojnë veç dhembje”

 

Ai nuk u frikësohet hijenave, dreqërve e maskarenjëve që sjellin tmerr e lemeri, por trimërohet deri në majë mali e lartësi qielli, duke mbrojtur dashurinë njerëzore:

 

“Përnjëherë të dola përpara

Si mbrojtësi i fatit

Apo i shpresës së cunguar

Në ditën e trembëdhjetë

Ku ëndrrat shfaqen mbrapsht

E frika trimërohet

Unë kur jam në tënden anë

Nuk i frikësohem

Asnjë hije që sjell tmerr

As kësaj dite të çrregullt

Por trimërohem

Deri në majë mali

Si një mbrojtës i dashurisë”

 

Poezi perlë e rrallë, e veshur me metaforat mjaft domethënëse:”Porta e Pishtakut”, “Engjëjt kasnecë”, “Mëngjesi i kuqërremtë” dhe “Ëndrra e së premtes”, të cilat autorin e shpiejnë “tek shtëpia e Perëndisë, për t’i zbrazur lutjet e gufuara në shpirt”.

Poezi thellësisht mistike që shpëfaqë në kulm dashurinë hyjnore është poezia me titull

 

 “Te Pishtaku”:

“Ëndrra e së Premtes

Më futi brenda

Portës së Pishtakut

Ç’ëndërrim i bukur

I mveshur

Me laramani ngjyrash

Se ç’më dëftuan

Gëzueshëm

Engjëjt kasnecë

Për këtë bukuri

Tek ngjeshet në sy

Më pas

Mëngjesi i kuqërremtë

Më shpiu

Tek shtëpia e Perëndisë

Për t’i zbrazur lutjet

E gufuara në shpirt”

 

Poezi kuptimësish të thella, sa filozofike, aq edhe teozofike. M’ka mrekulluar me këtë margaritar letrar, që në pak fjalë shfaq një estetizëm magjik te poezia “Në mes dy botëve”, ku vargëzon për “berzahun” - botën e përtejvarreve:

“Në mes kësaj bote

Dhe tjetrës

Një peng(esë)

Apo Berzah

Këtu përfundon

Së shkruari

Ditari e natari

Leximi nis nga engjëjt

E dy krihëve

Pastaj në peshoren e saktë

Maten të mirat

E të këqiat

Për gjykim e pastrim

Të përbotshëm

*Berzah, pengesa në mes kësaj bote

Dhe botës tjetër”

 

Në poezinë e radhës ai favorizon drejtësinë dhe mirësinë e fjalëmirëve, duke ia hapur atyre portat e duke ua mbyllur ato fjalëkëqinjëve. Një poezi kjo me vlera mjaft sublime etiko-morale:

“Jam (ai) që veprat e mira

E të këqia

I mas në peshoren e drejtësisë

Fjalëmirëve ua hapi udhët

Fjalëkëqinjve ua mbylli

Me gjemba portat e veprimit

Mos ti lë të futen

Brenda tëholluesit

Të etnikumit të hapur

Si mëkatarë të shpeshtuar”

Në poezinë thellësisht mistike me titull

 

“LETËR AZRAILIT” poeti Maliqi i përgjërohet engjëllit të vdekjes që t’mos ia marrë shpirtin në kohë të pakohë, ose në kohën e degëzimit të fateve apo “në çastet kur n’lëpizë i palos veprat e (pa)mbaruara”:

“Mos eja në këtë vapë përcëlluese

Si kasnec mortor

As si hije në dritë të hënës

Se atë ditë dielli s'nxen

E natën hëna proteston

E shuan fanarin grimcues të territ

Eja kur nëpër hullitë e ballit

Dergjen vitet e perëndimit

Pastaj

Ardhjen tënde e pret koha

Ia hapë deriçkën e dhomës

Ku horizontalisht të pres

Si një përmbarues i decenieve të shterrura

Mos eja Azrail

Në kohët e degëzimit të fateve

Apo në çaste ku i palosi

Si n'lëpizë veprat e (pa) mbaruara

Eja në çastin ku dëshira

Për të jetuar e kërrus në shpinë shpresën

E thinjur të kohës...

*Azraili, meleku i vdekjes...”

Për fund, do ta prezantoj poezinë e “Itakës” së tij, vendlindjes së tij, Preshevës, si “plagë e zemrës së tij”, si “hartë e shtrirë në damarët e trupit të tij”:

 

“PRESHEVË PLAGA IME

 

Përdit humb nga një hije

Zhduket si t'mos kishte qenë

E s'di kënd ta qajë

Veten apo tokën e lënë në boshësi

Më duket se edhe gurët

Shtohen në caqe ku dhemb shpirti

Preshevë plaga ime e pa shëruar

Edhe zogjtë e qiellit se duan vetminë

Ata fluturojnë përmallshëm

Në tënden lartësi

Sillen e pështillen

Bartin në shpinë dhembjen

S'di si ta ndali lotin

Tek pikon në plagën e gjakosur

Preshevë pikturë

E futur në rrethin e kohëve

Me portat e fshehura

E derën e mbyllur kah lindja

Me pikën e zezë

Tê ngulur

Në shpirtin e bardhë si bora

(Unë) përdit të qajë

E lotët s'më thahen

Kur do ti zëvendësoj këta lotë

Dhembjeje me lotë gëzimi

Preshevë

Hartë e shtrirë në damarët

E zemrës sime”

 

Poetin dhe shkrimtarin Bilall Maliqi e përgëzoj nga zemra për këto perla hyjnore, që freskojnë trurin dhe shpirtin!

 

Me respekt dhe konsideratë të veçantë:

 

Zekirija Idrizi Shkup

2024

21 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page