ZEJTARIA DHE TREGTIA NË PRESHEVË



Shkruan : Xhemaledin SALIHU, profesor

Hyrje

Zanafilla e zejeve dhe vjetërsisë së tyre në Preshevë, sipas kërkimeve dhe shënimeve arkivore të gjetura daton që nga shekulli XVI apo më konkretisht që nga regjistrimi i vitit 1570. Atëhërë për herë të parë u regjistrua një zejtar-farkatar i quajtur Damjan.

Poashtu në këtë shekull, Presheva pas Vranjës, por para Vllasinës dhe qendrave të tjera në këtë rajon ishte qendra më e zhvilluar zejtarie dhe zejtarësh në rajon. Nga zejet në Preshevë, farkataria ishte më e zhvilluara. Por nuk mungonin edhe zeje të tjera. Kështu në Rahovicë u regjistrua një qurçija/kurekçi-gëzoftar/, ndërsa në Norçë u regjistruan 3 terzi /rrobaqepës/.

Shkrimet dhe udhëpërshkrimet e shekullit XVI flasin se Presheva nuk e kishte aq të zhvilluar zejtarinë dhe ishte regjistruar një numër i vogël zejtarësh. Poashtu edhe në fshatrat e Preshevës, aty këtu lajmërohet ndonjë zejtar i regjistruar si në Rahovicë e Norçë. Po sigurisht se ka pasur edhe të tjerë të cilët nuk janë regjistruar si zejtarë, por punën e zejes e kanë krye nëpër shtëpi, për t’i ikur tatimeve të mëdha të atëhershme.

Presheva dhe rajoni më gjërë sipas regjistrimit 1519 kishte të zhvilluar edhe punën e mullinjve. Kështu në Preshevë, në këtë vit u regjistruan 10 mullinjë, por pronarët nuk ceken.

Poashtu vlen të ceket se duke hulumtuar zejet dhe zejtarët e vjetër në shekullin XVI hasa në shënime arkivore se panagjyri i Preshevës ishte më i vjetër se panagjyri i Vranjës, i cili u lajmërua në regjistrimin e vitit 1519, bile thuhet se panagjyri n% Preshevë mbahej edhe me herët se viti 1519, për Preshevë dhe për rajonin Leskovc-Shkup. Panagjyret mbaheshin 1 herë në vit. Më vonë, në Preshevë lajmërohet pazari /tregu/javor, i cili sëpari mbahej të hënave, ndërsa më pas, në shekullin 19 mbahet të shtunave dhe kështu mbetet deri më sot.

Presheva- rruga e panagjyrit dhe pazarit më1913

Çarshija e Preshevë ishte qendër pazari, ku zejtarët, tregtarë, prodhuesit e pemeve, perimeve dhe tëtjera i eksponojshin në Çarshi, sidomos në pjesë veri-perëndimore të saj, kah Kafja e Tozë, kah Xhamia e Vjetër e Preshevës. Pazari ndodhi rregullisht aty deri në vitin 1950, kur zbriti në vendim ndërmjet rrugë Sava Kovaçeviq dhe Boro Vukmiroviq, te Shtëpia e Ali Tuxharit, e cila familja u shpërngul dhe sot jeton në Turqi. Ndërsa më 18 mars 2008 tregu-pazari u bartë në rrugën Qemal Shehu dhe atu qendron ende. Tregu i kafshëve u bartë në rrugën e Vorrezave të qytetit, teposht kah bunari i Haxhi Muharremit dhe Haxhi Maliqit në lindje.

Edhepse në Preshevë ishte e zhvilluar zejtaria qysh në shekullin XVI e më vonë, e cila është bazë e zhvillimit të industrisë, Presheva mbeti shumë pas në zhvillimin industrial, shumë komuna të këtij rajoni e kaluan përkah zhvillimi industrial : Vranja, Leskoci, Bujanoci, Vlladiçin Hani, Surdulica.

Çdo punëtori zejtarie/ duqan/ kishte kryemjeshtrin, kallfën dhe shegërtat. Shegërtat mësonin 3 vite zeje, gradoheshin në kallfë dhe pastaj në kryemjeshtër.

Në Preshevë dyqanet ishin përgjatë dhe në fillim të rrugës të sotme të Gjilanit, përskaj lumit dhe përgjarë rrugës Marshall Tito, bile aty ishte qendra ku më vonë mbahej edhe pazari.

Dyqanet ishin me qepena /kapakë/ të cilët shërbenin edhe si vend ku ekspozoheshin prodhimet zejtare.

Emërtimet e mëhallave në Preshevë : Hallaçët, Berberët etj. flasin shumë se në Preshevë ka pasur zhvillim të zejeve të ndryshme, në mesin e tyre edhe hallaçë, të cilët qepnin mintana, ndërsa zeja e berberëve-rrojtar ishte e përhapur mjaftë dhe në

traditën e kësaj mahalle u ruajtë deri në ditët e sotme. Kështu sipas Ferid Selimit ishte i njohur zejtari Selim Berberi i po kësaj mahalle. Tek mahalla e dodallarëve ishte i njohur Hysen kasapi. Më vonë lajmërohen edhe shumë të tjerë.

Ndoshta edhe emërtimet e mëhallave : pamukët, horosanët duhet kërkuar në punimet e zejeve në Preshevë.

Zejtaria në shekullin XIX në Preshevë

Shënime për zejtarinë gjatë shekullit XVII dhe XVIII nuk kemi gjetur, andaj edhe po shkruajmë për zejtarinë e shekullit XIX.

Edhepse zejtaria në Preshevë daton shumë herët, më shumë zhvillohet decenieve të fundit

të shekullit XIX. Në realitet, zhvillimi i saj lidhet me themelimin e Kazasë së Preshevës, në sanxhakun e Prishtinës dhe Vilajetin e Kosovës. Atëherë, Presheva merr fryme më çlirshëm dhe pas Kongresit të Berlinit, nën Otomaninë Turke, ajo me jetën qytetare fillon të tërheq zejtarë të ndryshëm nga viset të tjera.