Kjo intervistë e poetes, shkrimtares, publicistes, studiueses dhe pedagoges nga Tetova e Maqedonisë së Veriut, Zejnepe Alili Rexhepi, natyrisht më shtyu të kërkoj të drejtën e botimit nga Portalb.mk, që natyrshëm kishte bërë një punë të shkëlqyer. Si rezultat i përgjigjes pozitive unë po e botoj, ose e ribotoj tek Fjala e Lirë (www.fjalaelire.com) dhe revistën në print „Albanian Post“ në Londër, për të ndjerë më shumë kënaqësi lexuesi i gjerë dhe për të rifalenderuar të dy palët e përfshirë në të.
__________________________________________________________________________
Zejnepe Alili Rexhepi: Libri duhet lexuar në çdo rrethanë, zgjuarsia si tipar e bën gruan të fuqishme
Zejnepe Alili Rexhepi është përfshirë në mbi 30 antologji letrare në vend dhe jashtë, në vende të ndryshme të botës, përmes poezive të përkthyera në gjuhë të ndryshme të botës, veçmas në gjuhën angleze. Për lexuesit e Portalb.mk sjellim bisedën me Zejnepe Alili Rexhepi, Doktore e Shkencave të Letërsisë shqipe, shkrimtare, studiuese.
Portalb.mk: Letërsia është art i bukur. Si u bë lidhja juaj e parë me letërsinë për të mbetur gjithmonë pjesë e Juaja?
Zejnepe Alili Rexhepi: Letërsia, në thelbin e vet simbolik, ka lindur “me orët hyjnore të njerëzimit”, pra që në çastin e Zanafillës. Me këtë pyetje ngacmohen disi nostalgjitë e fshehura për të hyrë në lojë koha, p.sh.: letërsia te çdokush fillon nga kërshëria e hershme e fëmijërisë me njohjen e botës, ngjarjeve, rrëfimit, heronjve…, pa e ditur se diçka e tillë mund të quhet letërsi. Edhe për mua kështu filloi: më pëlqente të dëgjoja rrëfime ngjarjesh, tregime e histori librash, anekdota e fjalë të urta, të cilat më bënin të mendoj, të pyes, të argëtohem, të ndjej. Ditë për ditë e kuptoja se interesimi për këtë botë rrëfimesh më entuziazmonte.
Fëmijëria ime i përket epokës së librit, epokës së Gutenbergut (si brez i rritur pa teknologjinë e sotme). Pra, libri ishte prehje, frymëzim, përmbushje…, gjithçka ja e kohës sonë! Brezi im jetonte e argëtohej duke kënduar këngë dhe interpretuar vargje, kështu që lidhja me letërsinë në fill ka qenë shpirtërore, e më pas erdhi njohja e vlerave të saj. Më pëlqente t’i rrëfeja ngjarjet e librave që lexoja, t’i nënvizoja detajet, t’i analizoja personazhet të imagjinuar si heronj të jetës. Në pak fjalë, pothuajse gjithçka përkon në thënien e Oskar Wilde: “vetëm arti e zotëron sekretin e jetës”.
Përmes letërsisë, fjala dhe ndjesia e shprehur reflektonin vështrime të vëmendshme në psikologjinë e personazheve, ndërsa përsiatja ishte ndërlidhja me magjinë e librit. Kjo lloj magjie, ma shpalosi dëshirën për ta studiuar letërsinë. Letërsia, përpos një art i bukur mbetet edhe art hyjnor.
Portalb.mk: Kreativiteti juaj letrar dhe artistik, si dhe sukseset në letërsi janë të shumta, na e përshkruani pak këtë rrugëtim?
Zejnepe Alili Rexhepi: Nëse duhet ta përshkruajmë kreativitetin ndër vite, domosdoshmërisht duhet të kthehemi në labirintet e së shkuarës. Vlerësimi për librin dhe artin letrar është një lloj varësie, jo vetëm profesionale, por edhe përmbushëse. Edhe sot, gati në 28 vite përvojë si pedagoge, pavarësisht tranzicionit të kohës, me bindje them: jam me fat që e zgjodha këtë profesion. Sa mirë bëra që e dëgjova zemrën për këtë zgjedhje (nëna ime dëshironte që të bëhesha mjeke ose avokate, që ishte nevojë dhe trend i kohës, para tri dekadash). Të tjerat, janë pasione të rikthyera në profesione tashmë, gjithashtu të arritura me shumë punë.
Rrugëtimi në krijimtarinë artistike, studimore dhe shkencore është i gjatë. Libri im i parë “Peng loti” (poezi), është botuar në vitin 1998, pra jo në pak vite janë shënuar gjurmët e kësaj krijimtarie të pandalshme deri në kohën e tanishme. Gjithçka është shkruar me ndjesi dhe profesionalizëm, mirëpo sa i përket suksesit të arritur, e rëndësishme është që për punën si pedagoge flasin gjeneratat e studentëve, ndërsa për veprat e botuara, studiuesit apo kritikët letrarë, pasi ky raport është më në favor të lexuesit. Njeriu s’duhet të varet vetëm nga fati për të marrë vlerësime profesionale, pasi libri nuk shërben vetëm si kujtesë.
Në të vërtetë, unë ndihem mirë për atë që kam bërë, ngaqë kam punuar me sinqeritet, mirëpo vlerësimin real sigurisht se do ta sjellë koha, megjithëse te shkrimtari, niveli i besueshmërisë në vetvete për atë që bën është njëfarë ndikimi te lexuesi, edhe pse libri mbetet burim i përhershëm kërkimesh dhe analizash.
Portalb.mk: Biografia Juaj përshkohet me disa tituj: albanologe, shkrimtare, studiuese dhe një nga kritiket më të fuqishme letrare? Ku e ndjeni veten më mirë dhe cila nga këto Ju përmbush më shumë?
Zejnepe Alili Rexhepi: Gjithçka në jetën time ka rrjedhur si zë i brendshëm, edhe pse arritjet ndonjëherë duken si rezultat i rrethanave. Përtej profesionit të albanologes, është shtuar edhe interesi për studime dhe kritikë letrare, ndërsa poezia, tregimi, eseja, udhëpërshkrimi…, edhe më tej mbeten sferë e veçantë tërheqjeje. Së fundmi, më përvetësues më duket tregimi dhe kritika letrare, megjithëse secila formë shkrimore i ruan vlerat e veta.
Botimet e realizuara në një trajektore prej tri dekadash janë të zhanreve të ndryshme.
Ç’të them për poezinë, përpos se, ajo është frymë dhe zjarr që ndjehet si vetë bota e lirisë sime. Poezia ka guxim për t’i ç’mitizuar edhe idhujt, teksa krijohet me vetëdije se misioni i poetit është misoni i njeriut. Tregimi është prehje dhe altari i durimit të rrëfimeve të gjata, ndërsa udhëpërshkrimet janë çastet më të magjishme të kalimeve mbi hartën e Atdheut tonë. Studimet, vështrimet e analizat, bashkë me kritikën letrare janë ato nyjet e pleksura fort, nga fiksioni drejt realitetit, si zbërthime të domosdoshme të fuqisë së fjalës dhe dellit krijues të autorit.
Në të vërtetë, nuk mund të bëj ndonjë përcaktim se çka më pëlqen më shumë. Duke qenë një natyrë optimiste, mendoj se në çdo libër ka diçka me vlerë, ashtu sikurse, jo çdo vepër është e përkryer.
Portalb.mk: Sa ka qenë e vështirë dhe çfarë keni sakrifikuar për të arritur në këtë nivel?
Zejnepe Alili Rexhepi: Personalitetin e individit, më së miri e përshkruajnë vështirësitë e çdo kohe, duke e vendosur atë përballë shoqërisë. Gjithë këto vite kam punuar fort, dhe jam ndjerë mirë kur jam vlerësuar me sinqeritet. Mua, kurrë s’më ka bërë përshtypje vlerësimi përmes linjave: fisnore, miqësore, politike…, më bezdisin linjat e interesit. Linjat e tilla, jo vetëm që bëhen farë e mbjelljes së servilizmit, por edhe shkaktar i profesionalizmit të vrarë.
Njerëzit e fortë nuk ulërasin në vështirësi, por ndonëse ndjejnë therje në gjoks për padrejtësitë, ata me qetësi e presin çastin e tyre. Më lumturon fakti, që tërë këto vite të jetës sime kam arritur ta ruaj veten nga ideologjitë e njerëzve të rrezikshëm në kohë të turbullta. Atëherë edhe më shumë i jam dhënë punës, duke besuar fort në qëllimet e mia. Universiteti i Tetovës (institucioni ku unë ligjëroj) më ka mbështetur në këto suksese, më ka dhënë forcën që të arrija ato që doja dhe duhej, për të qenë në hap me kohën.
Jam mirënjohëse për këdo që fati e ka bërë pjesë të jetës sime, e vlerësoj çdo përkrahje! Përgjithësisht, jam përpjekur të mbetem vetvetja, ngase janë vlerat e mirëfillta ato që e ruajnë vlerën e gjithkujt edhe përtej kësaj kohe. Fundja, shkrimtarët e dinë fort mirë se vlerësimi më real është ai që i bëhet veprës kur ajo mbijeton edhe në një kohë të ardhshme. Nuk mund të gjendet ndonjë harkore jete pa sakrifica e sfida, por parë nga këndvështrimi i sotëm, vështirësitë janë zbehur. Në kujtesën time vazhdoj ta ruaj veç shijen e fitores mbi vështirësitë.
Portalb.mk: Poezia Juaj është e mirëpritur nga lexuesit, po ashtu e vlerësuar nga kritikët letrarë. Çfarë mund t’ju ofroni krijuesve, në përgjithësi, nga përvoja Juaj?
Zejnepe Alili Rexhepi: Në këtë krizë leximi që na e solli shekulli i ri, është vështirë të përcaktohen me përpikmëri rregullat e të shkruarit të librit, përkapja e vlerave, qasja ndaj poezisë…, por njeriu e bën vetë zgjedhjen, nëse librin e konsideron si të imponuar (sfidë) apo të nevojshëm (përparësi).
E theksova më lart, unë i përkas brezit të librit, ndërkaq digjitalizimi/teknologjia, rrjetet sociale…, në kohën e sotme, më bëjnë përshtypje për aq sa më duhen, jo më shumë! Sot, është një luftë e përditshme të gjesh pak kohë për lexim, por nëse e gjen, prek grimca lumturie.
Besoj se nuk jemi afër përkufizimit të dikurshëm të F. Niçes mbi “vdekjen e artit”, pasi përderisa libri shkruhet, duhet edhe të lexohet, por ndoshta çështja qëndron në atë se shkrimtari ka gjithmonë njëfarë lirie, me të cilën i shpreh mendimet kur shkruan, edhe lexuesi e bën të njëjtën gjë, ai zgjedh të lexojë se çfarë e plotëson atë.
Poezia është histori më vete, si një art i përsosur që u ka mbijetuar shekujve. Poezia shkruhet me trazim gjakrash në vena dhe jo me qëndrim të ngrirë akademik, pasi ajo është gufim, lot, dhimbje, ëndërr…, një pasuri e madhe shpirtërore.
Mendoj se, poezinë time e bën të lexueshme dhe të vlerësuar nga kritikët letrarë, pikërisht sinqeriteti i ndjenjave, thellësia e mendimit dhe gjuha – ky simbol i përsosjes së vazhdueshme.
Portalb.mk: Si një krijuese mjaft aktive na thoni diçka për botimet tuaja të fundit?
Zejnepe Alili Rexhepi: Botimet e mia të fundit janë eksplorime, gjetje e gërshetime të reja zhanresh, si: tregimi, analizat letrare, antologjitë poetike, kritika letrare…, të përshkuara nga pak, por me ndjesinë e fortë të krijimit. Po të lexohen, kuptohet se fare lehtë janë shkruar për t’i shërbyer lexuesit (edhe pse thuhet se krijuesi shkruan vetëm për vete). Veprat me përmbajtje jetike i shërbejnë një historiografie individuale dhe kombëtare (universale).
Portalb.mk: Këndvështrimi Juaj për letërsinë sot, cilat janë sfidat dhe përparësitë?
Zejnepe Alili Rexhepi: Botimet e sotme të revistave, tryezat shkencore, akademitë letrare, konferencat, seminaret…, janë ndihmesë e çmuar për të pasur orientim se kah shkon letërsia. Kjo e përcakton sistemin e pritjes dhe e bën të pranueshëm diskutimin mbi ekuilibrin kulturor brenda shoqërisë. Përmes letërsisë vëmë në pah rizgjimin e interesit për hapësira të reja letrare, ku pothuajse gjithmonë ka vend për “Komedi hyjnore” në sinkron me kohën. Ky perceptim, disi na tund dhe zgjon nga përgjumja, për të na e kujtuar se kultura/shkrimi është objektivi i kombeve të lashta.
Vendet me traditë të hershme leximi, përgjithësisht, janë në fokus të interesit, pasi kanë ngritur imazh kulturor, ngaqë imazhi kulturor është i nevojshëm. Mirëpo, mos harrojmë se libri – si një frutë i pjekur përgjatë stinës së vet, është pasqyrim i stinëve tona, dhe nuk ka më bukur se sa kur brenda librash njihemi me traditat, me egërsinë e moteve, me plagët, por edhe me festat, heronjtë dhe lavditë. Pavdekësinë e një populli e vulos historia shkrimore.
Librat e vështirë kanë edhe mision të rëndësishëm, pasi dhe vetë shkrimtari i veprës ka një atdhe, i përket një gjuhe… Kështu, po të mos ishte D. Aligeri, vështirë se do t’i njihnim në perfeksion ideologjitë e Mesjetës, pa Shekspirin, si do ta ç’maskonim intrigën, pa R. Tagorën, si ta kuptonim sagën njerëzore drejt dashurisë dhe urtisë, pa O. Balzakun s’do të thelloheshim në mendësinë borgjeze, pa Xh. Xhojsin s’do të përballeshim me përroin e ndërgjegjes, pa Kamynë si do ta deshifronim absurdin e të huajësimit të individit, pa I. Kadarenë, s’do ta zbërthenim kohën e diktaturës në Shqipëri… Të gjitha këto, e shumë më shumë se kaq, dëshmojnë se letërsia është përshkrim, jetë, paralajmërim…
Mbase ende nuk e kuptojmë sa dramatike mund të bëhet jeta në një vend që nuk e do letërsinë…, mbase të tillët u druhen guximtarëve dhe filozofëve!
Portalb.mk: Njerëzit e letrave gjithmonë dinë t’i frymëzojnë të tjerët. Cila është mbështetja apo mesazhi juaj për krijuesit, në veçanti për krijueset?
Zejnepe Alili Rexhepi: Krijuesit duhet të jenë të vëmendshëm në gjetjen e lirisë së brendshme, në zbërthimin e gjuhës së simboleve letrare dhe në vërtetësinë e ndjenjës. Gjithçka tjetër lejohet të jetë fiksion, magji, figuracion…, dhe do të paraqesë lëndë të mjaftueshme për kritikën. Shkrimtarët, të cilët janë në interesin e kritikës do të lënë gjurmë në historiografi, ndërkaq “poezia është referencë për ta njohur letërsinë…”, madje deri në atë masë sa të ndihmon që ta njohësh botën.
Në këto vite kam shkruar shumë vështrime, recensione, analiza për veprat e të rinjve, por mbështetja më e mirë janë leksionet për letërsinë. Mendoj se, ta venerosh botën me sytë e një titani e ta jetosh atë me intuitën e një gruaje, atëherë ke forcën e tërë botës që të kesh mirësisë për ta mposhtur egërsinë e botës. Kjo e bën të fuqishme një grua, kur zgjuarsia është tipar i saj.
Këto ditë pres të dalë nga shtypi vepra e re poetike “Portret gruaje”. Në përvijimet e çdo historie kombëtare, gruaja është përvijim i linjave të jetës, nga e zakonshmja e ditës deri tek historitë e mëdha kombëtare. Gruaja është çelësi i arritjeve të mëdha, por ajo përherë duhet të jetë në kërkim të vetvetes. Jo më kot thuhet, se: Gratë kanë vetëm një Atdhe, tokën ku bëhen nëna. Gruaja, s’duhet ta kërkojë forcën në vesën e lotit, por të jetë kërkuese, e arrirë, pasi e ka privilegjin që të ngjiz jetë e të edukojë. Përndryshe, pa një brez të edukuar, librat do të mbeten në biblioteka të mbyllura si në do kështjella të largëta harrimi…
E njëjta hënë
Një natë…
dhimbje rigonte nga shpirti i hënës.
Yjet u shembën mbi kështjellën tonë…
kur një zë nëne,
midis dhimbjesh shpërndau gjëmë ninullash,
për ta sfiduar botën shterpe,
që e përdhosën gjakpirësit e kohës,
pastaj shkruajtën libra mashtrimesh.
Ajo, e shenjta tokë e ngjizur në madhështi,
është “gjaku që nuk falet”,
Zot, le të vdesim për të!
Portalb.mk: Çfarë do të ofronit nga përvoja juaj për inkurajimin e të rinjve drejt letërsisë?
Zejnepe Alili Rexhepi: Prania e librit në jetën e të riut duhet të jetë udhëzues fillestar, që më vonë të dëshmojë për përpjekjen intelektuale të tij, kur do të kuptohet se për të, libri ka qenë thesari i gjetur.
Libri duhet lexuar në çdo rrethanë…, apo mos ka ndërruar drejtimi i kohës?!
Përndryshe, kush do t’i prijë kohës që të na ndriçojë udhën, pasi kur në ujëvarat e ngrira s’mund të pinë ujë as zogjtë, duhet gjetur kthesa… Për krijuesin, atëherë nis kthesa, dhe në ato që shkruajnë të ketë pak dell vendlindjeje, dashurie dhe lirie. Këto s’janë zbulime të reja, por rifillime të duhura. Për ta, liria s’do të jetë kurrë vetëm një pikë në horizont, por me zgjuarsi ta gjejnë anën e duhur, nga të katër anët që do t’i afrohet (lirisë).
Le të shpresojmë në të ardhme më të mirë, duke e vlerësuar të sotmen! E thënë figurativisht, pra heronjve, përpos që duhet t’u ngremë shtatore (varre) madhështore mermeri, të shkruajmë pak dhe të mësojmë për heroizmin e tyre! Liria u përket të gjithëve.
Comments