ZBULIMI I BOTËS NJERËZORE
- Prof Dr Fatmir Terziu
- May 19, 2023
- 4 min read

ZBULIMI I BOTËS NJERËZORE NË KËNDVËSHTRIMIN E NJË TREGIMTARI
Për librin me tregime”Shiu që lag të gjallë dhe të vdekur” të Vasil Premçit
Nga Qazim D.Shehu
Prozatori Vasil Premçi vjen me librin e tij me tregime”Shiu që lag të gjallë dhe të vdekur” me një pasuri dhe begati subjektesh të marra nga jeta,të cilat në prozën e rrëfimtarit marrin një trajtë dhe ngjizje të bukur artistike.Tregimi,si lloj letrar, është i vështirë,kufijtë e tij të ngushtë nuk e pranojnë zgjatjen,as shpalosjen e shumë tabllove,sepse kjo është natyra e tij.Vasili shkruan një tregim të lexueshëm,me një masë rrëfimore të kënaqshme dhe narracioni i tij rrëshqet dhe kështu tregimi bëhet i afërt,bota njerëzore e shpalosur bëhet e ngrohtë,e tejdukshme,por me një mbyllje ,ku forca e idesë,nëntekstit,për shumë kohë të shkundullon ndërgjegjen. Vasili zgjedh subjekte të zakonshme me këndvështrime të ndryshme,i plazmon ato me njohuritë e temës që i shteron natyrshëm,dhe i sjell përmes një narrative përshkruese plot ritëm dhe elegancë. Personazhet nganjëherë rrethohen me misterin e së panjohurës ,por nuk marrin kthesa të forta as të papritura befasuese.Ata nuk e zgjedhin të papriturën ,ajo buron nga karakteri i tyre,nga raportet që vendosin në marrëdhënie me njëri-tjetrin,nga sfondi kohor.Si i tillë, tregimi bart edhe poetikën e shpirtit kohor,por edhe dramatikën e kuptimit apo të sfidës së kuptimit në rrethana të caktuara.Personazhet qëndrojnë në një raport etiko-morale,përgjithësisht e bëjnë vetë zgjidhjen dhe kjo zgjidhje nuk imponohet edhe pse në shumë raste janë të kondicionuar nga kushte jashtë tyre. Tregime të tilla, si: “Magdalena”,”Lamtumirë Babuin”,”Tregim pa heronj”,”Frynin erëra lufte”,”Shkrirja e akujve” e tje,edhe pse me subjekte që nuk afrohen për nga tematika dhe motivi,bartin shqetësimin e autorit ,përcjellin rrjedhshëm mesazhet dhe ta krijojnë një gjendje tensionimi të brendshëm që të jep kënaqësi estetike. I zgjodha këto katër tregime për nga tensioni i brendshëm që ata mbajnë,për nga karakteret që ndryshojnë dhe perceptohen si të ndryshueshëm në zhvillimin dramatik të jetës. Vasili kap në tregimin e tij kohën e sotme,por nuk mungojnë as tematika të kohërave të shkuara.Si një tregimtar i mire, ai na thotë se koha si etapë historike nuk ka rëndësi kur ajo shtjellohet përmes kohës së njeriut dhe sesi njeriu e vë veten në raport me të.Le të marrim tregimin për hetuesin,i cili paraqitet me një ftohtësi dhe indiferentizëm që nuk është i habitshëm për këtë profesion në perceptimin e figurës së hetuesit për shoqërinë shqiptare. Proza e Vasil Premçit dallohet për një epizëm të butë dhe për një lirizëm subtil,të pastër,për një frymë të ngrohtë dhe këtu mund të ndaleshim në tregimin”Dashuria fle në vesën e barit”.Vasili arrin të na imponohet me lirizmin e tij,për frymën e këndellshme romantike,larg lëngimit sentimental. Ajo që vihet re te Vasili është ekzaktësia e detajeve aty ku ai duhet të dokumentojë një tregim i cili vjen nga një sfond historik.Si një prozator me kulturë ai tregon se tregimin dëshiron dhe ia arrin ta bëjë këtë,ta sjellë sa më afër së vërtetës jetësore apo burimore historike. Është një meritë e shkrimtarëve seriozë që ta japin jetën në vërtetësinë e saj jo vetëm si besim për këtë,por edhe duke na dhënë informacion për të vërtetat historike të një periudhe apo fushe të caktuar. Tregimet e tij me temë nga Lufta(Dashuria e Fraulin Polinës) apo nga ushtria të bindin për këtë. Si një prozator që ruan ekuilibrin e masave të teknikave rrëfimore,si shkrimtar,natyrisht ai nuk i ik asnjëherë trillit dhe prirjes së natyrshme të zbukurimit artistik të jetës apo të përcjelljes së ideve përmes rrugës së artit,sepse Vasili ka shpirtin ,mendësinë ,por edhe zotësinë narrative që ta transfigurojë një fabul të thjeshtë në montimin e pjesëve të një subjekti të shkurtër të tregimit të tij,që ,për nga realizmi, mbetet i këndshëm dhe tërheqës. Tregimet e Vasil Premçit janë një analitikë e çasteve njerëzore që i zbërthejnë ato dhe i jetësojnë përmes psikologjisë së njerëzve të zakonshëm.Madje,edhe kur rrëfen për jetën e njerëzve të mëdhenj(Tolstoi,Esenini) Vasilii I paraqet ata në të zakonshmen e tyre; e ngërthejnë ide,mbartin mesazhe dhe krijojnë bindshëm larg çdo artifici aluzione e sintetizojnë një didaktikë etiko-morale të padëmshme për artin e rrëfimit. - Vasil Premçi shkruan tregimin klasikme subjekt dhe gjetje interesante.Ky lloj tregimi,kur shkruhet mirë siç e shkruan Vasili) vjen përmes modernitetit të ndjenjës dhe filozofisë së një mendimi të hollë.Personazhet e tij nuk janë konvencionalë as të mbështjellë nga një mister apo të vihen në situata ankthioze të tepërta,ata janë të qartë,të dallueshëm dhe mjaft të shikueshëm përmes një gjuhe filmike ,aq sa e lejon hapësira e tregimit.Ata janë në veprim,në jetë ,në lëvizje.Meritë e autorit është se ka ditur ta ruajë tregimin nga ndërhyrjet eseistike,çka ndodh rëndom në tregimin e sotëm,as ta servirë atë si një tregim autorial për tregimin.Ato që duhet t`i japin shpjegimet autoriale,i përcjell fare mirë rrezatimi i bërhamës së fabulës dhe rrjedha e subjektit ku notojnë personazhet. Është meritë e këtij autori që na sjell një prozë të mbushur me episode nga më të ndryshmet,nga fakte të gjalla e të mbarsura me tharmin e jetës,nga detaje të cilat herë informuese e herë emocionuese shndërrohen bindshëm në figura artistike.Dialogjet funksionalë vijnë bindshëm në situata pa u agravuar në fjalomani dhe ndërpriten atëherë kur autori me vend e shikon se duhet të vijë përshkrimi,i cili,në prozën e këtij libri është mjaft elokuent ,me masë, tipik dhe kurrë i sajuar. Pavarësiht se çfarë mund të themi,tregimet e këtij libri lexohen me ëndje,ato ndizen nga pasioni i jetës, përcillen nga dashuria për njeriun,japin kontraste e paralelizma kohësh dhe intriga rrëfimtare e mban gjallë kërshërinë e leximit. Zbulimi i botës njerëzore ,i ndjenjës,mendimit,i bashkëshoqërimit në të mirë e në të keq,i harresës,kujtesës, i dashurisë dhe përjetimit të saj,përmes lirizmit dhe rrëfimit të shkurtër,pa ndërhyrje të tepërta është një veçori origjinale që përcjell këndvështrimin e një shkrimtari të talentuar në zhanrin e bukur të tregimit.
Comentarios