top of page

Zamira Agalliu: Elma Rama – Fjala që ndriçon kujtësën

  • Jan 31
  • 5 min read

 

                          Nga Zamira Agalliu

 

     Ka njerëz që nuk ecin në jetë për të lënë gjurmë të zhurshme, por për të ndezur dritë në heshtje.

    Një dritë që vjen nga fjala, nga libri, nga përkushtimi ndaj shpirtit të leximit.

Elma Rama është një prej atyre zërave që kanë ndërtuar rrugëtimin e tyre përmes dashurisë për librin dhe artin e shkruar.

   Lindur e rritur në Tiranë, por e lidhur shpirtërisht me Vlorën, ajo ka dhënë një ndihmesë të çmuar në jetën kulturore të qytetit bregdetar.

Si ish drejtoreshë e Bibliotekës së Vlorës, Elma Rama e ktheu këtë  institucion, në një qendër të gjallë të kulturës, ku leximi, takimet letrare  dhe bisedat me autorë, u bënë pjesë e përditshme e një frymë të re qytetare . 

Në shkrimet e saj ndihet qartë ndjeshmëria e një gruaje që i përket fjalës.

    Ajo i qaset realitetit me finesë, duke gërshetuar estetikën me reflektimin shoqëror, duke kërkuar gjithnjë dritën brenda njeriut.

Fjalët e saj kanë ritmin e përkorë të një mendjeje të ndritur dhe ngrohtësinë e një shpirti që di të dëgjojë. Kontributi i Elma Ramës në fushën e kulturës dhe letrave është më shumë se profesional , është një mision shpirtëror.

Ajo mbetet një shembull i gjallë i asaj dashurie të heshtur që e mban librin të gjallë dhe fjalën të pastër.

 

      Prof. Dr. Barshosh Gace për poezinë e Elmes Ramës shkruan: 

   Poezia është një shqetësim i brendshëm poetik, në vargjet e së cilës , çdo krijues , vë shpirtin e tij këndon nëpër buzë, për t’u dhënë të tjerëve

mesazhe, mendime dhe botëpërjetime, mbështjellë me filozofinë e kohës së vet. Këtë mision poetik realizon edhe Elma Rama, e cila në këtë  tufë vjershash mbizotëron si një talent i pasur.

Bota poetike e Elma Ramës dritëson fjalën dhe shpirtin poetik, duke i folur kohës me zërin e saj universal.

 

      Shkrimtari Xhemil Lato shkruan: 

Një poete e drejtëpërdrejtë, që guxon të (gjakoset) me brirët e fortë të poezisë.

 

     Shkrimtari dhe liriku i mirënjohur, Hiqmet Mehmetaj thekson se :

Krijimtaria e Elma Ramës, kam bindjen se do të zërë vend , jo vetëm në fondin e letërsisë , por edhe më gjerë, pasi nuk gaboj nëse e quaj  poete moderne. 

 

     Shkrimtari dhe studiuesi Albert Abazaj , shkruan:

Poezia e Elma Ramës është shprehja lirike e hollë e qenies qytetare, me të drejtat dhe detyrimet që lindin, për të cilat autorja ka zërin e saj serioz e të respektuar.

 

    E mirënjohura poete dhe gazetare, Enerjeta Sina , një nder redaktoret e vëllimeve të Elma Ramës shkruan: 

Poezi me gjetje dhe art në progres. Lirizmi dhe epizmi shpesh kryqëzohen brenda një poezie.

 “ Sytë e kanë fajin ”, është vëllimi i parë poetik i botuar në 2001.

 “ Kontrast ” vëllim poetik i botuar në 2003 dhe po në këtë vit provon të botoj këndshëm në prozë, “Parfum i burgosur”,( vëllim me tregime).

“ Ku është njeriu ? ” është vëllimi i tretë me poezi, botuar në 2012 dhe ne vitin 2020 boton një vëllim tjetër poetik si sfidë për kohën “ Trishtimi i ullirit ”.

 

    Në poezitë e Elmës shikoj se shkëlqen inteligjenca e gjetjes , këndvështrimi, realja , shpirtërorja për të cilat gjithkush ka nevojët ti prek.

Çdo poezi e poetes Elma Rama tek e lexon, ndjen se është e vërtetë. Pra bukuria është e vërtetë dhe e vërteta, është e bukur!  Stili brenda një gjetje të re në këto poezi është i bukur.         Dihet që vet stili është veshja e mendimit dhe mendimi i paraqitur bukur është si një njeri i veshur me shije. Stili i të shkruarit të autores është vet gjaku i mendimit të saj.

 

    Në vazhdën e vlerësimeve nga autore e shkrimtare të njohur, spikat vlerësimi brilant dhe shumë profesional që poetja e shquar  Natasha Lako ka bërë,  për poezitë e autores Elma Rama, si redaktore e vëllimit të ri të autores, që se shpejti pritet të dalë në treg.

   Nder të tjera poetja Natasha Lako vlerëson se : 

Poezia e Elma Ramës  ka lindur si një kërkim, ku vetë gjendja njerëzore që gjithnjë ndryshon, krijon një hapesire të pafund konkurrente me ato të qiellit dhe të detrave.

    Në poezi ajo ka vendosur të qëndroje me zemrën e saj. 

Para një deti, ajo kërkon një det tjetër. Para një qielli ajo kërkon ,një qiell tjetër.

   Para vetes ,ajo kërkon një njeri tjetër. Ndryshe ajo nuk mund t’a arrije gjithësinë.

Të vesh në qendër të poezisë, një vetë të munguar,për të krijuar një tjetër, dihet që është mundim i madh.

 Pyetja e parë :

     A mund të quhet poezia e Elma Ramës poezi erotike, apo hapsire e mungesës së saj, filozofi dhe mendim i hapur, si bisedë që fillon me të gjithë ?

   Në pritje të vazhdueshme për plotërinë e saj, atjë në brigjet vlonjate, shumë pranë vajzës se valeve, gjendet një grua e lirë, ne vetminë dhe vetësinë e saj, shumë pranë flamurit të karakteristikave shqiptare, e mbushur plot endrra dhe sigurisht, ashtu sikurse thotë Elma në poezinë e saj "Detaj", me një gotë vere përpara, gjysëm e  dehur nga dashuria dhe etja për jetë, që i jep një personalitet, i cili as mund të guxohet të kundërshtohet !

 

Detaj

 

Gjithshka e qetë...

Veç, dallgëve..

Deti ka ardhur shumë pranë...

Ndoshta, të n'a shpëlajë

Trute e rreckosur !

Furtuna e ditëve, ka ndalur

Të na kujtojë veten...

Jetën, sa e bukur është.

Kështu e blatuar në ngjyra.

Po dehem pak.., në fakt pak si shumë...

Më mirë kështu, se esëll...

Në rrëmujën turmë

Të vetgatuar !

Dhe vjen gjendja e vetë kohës...

Kjo peshë tokë..., gjendje kohe

E lodhur nga moslodhja

Puthja kalon pa më prekur...

 

 

    Krahas botimit të librave, poetja e mirënjohur Elma Rama, ka qenë gjithmonë e pranishme me cikle poezish në shtypin letrar dhe për vlerat e saj në poezi, në vitin 2020, në “Konkursin Poetik” të organizuar me rastin e 30 vjetorit të krijimit të Akademisë Universum  me qendër në Austri nga Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë ,  u nderua me kupën e konkursit dhe çmimin “Elena Gjika”  me poezinë “ Etyd ”. 

Eshtë nderuar gjithashtu me cmimin  " Shevqet Musaraj ", me motivacionin si  " Kontribuese në letersinë shqipe dhe në pasurimin e bibliotekave si dhe për mbeshtetjen e vlerave poetike tek poetet e rinj ".

    Në vitet kur kryente detyrën e drejtoreshës se Bibliotekës së Vlorës, krahas kryerjes me përkushtim të detyrës funksionale, për përmiresimin e  kushteve dhe ambjenteve të institucionit në sherbim të qytetarëve dhe afrimit të sa më shumë të nxënësve dhe të rinjve me librin, në punim me shoqata të ndryshme, brenda vendit, por dhe me shoqatat atdhetare në Greqi e me gjere, ka dhënë një ndihmëse të vyer për mbledhjen nga krijues  të qytetit të Vlorës dhe me gjërë, të botimeve të ndryshme si artistike dhe me karakter historik, për ngritjen dhe funksionimin e bibliotekave, në shkollat e gjuhës shqipe që këto shoqata kanë hapur për fëmijet e emigranteve, për mësimin dhe mos harrimin e gjuhës amtare.

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page