top of page

ZËRI QË NGRITI KULTIN E KËNGËS HIMARJOTE




KRISTO ÇIPA “Mjeshtër i Madh”


Në mesin e shekullit XX, brigjeve të Jonit një zë tronditës, do të kërkonte të mjekonte plagët e rënda të kohës së zymtë dhe të "robëronte" shpirtrat e lodhur të shqiptarëve. Një monument i skalitur me ëndjen e botës së Neço Muko Himarjotit, kërkonte frymë, donte gjakun e të përjetëshmes. Atë ja dha tenori zëvibrues që ngriti kultin e shumëzërëshes këngë himarjote, jo në fushat me rërë të shkretëtirës, as në pluhurin e verdhë kinez, as në stepat vështrimshuara ruse, por në mesin e dheut, majave të Çikës, atje ku perënditë e zemëruara me marrëzitë ateiste të shqiptarëve kërkonin këngën e botës. Dhimitër Varfi ligjëroi mes heroikes së shkëmbtë dhe epikes së dallgëzuar, tramundanës së Çikës dhe zefirit të Jonit, paqes së ullinjve dhe shigjetave të vetëtimave, trëndelinës së malit dhe luleve të portokalleve, ashpërsisë së bregut dhe butësisë së rërës, Kënga e kontrasteve të zërave, melodive, vargjeve, karaktereve, avazeve, tematikave do të kërkonte as më pak dhe as më shumë shtatë zëra si shtatë majat e maleve të Vetëtimës (Çipthi, Pogonica, Skëndëlleshi,Thanasi, Qorrja, Mesimeri dhe Çika) që, të përkthyer në njerëz, janë: Dhimitër Varfi, Andrea Dhimojani, Thodhori Goro, Simo Kallushi, Grigor Guma, Leko Leka, Harilla Dhimojani. Vargjet e këngëve të Neço Mukos do të kërkonin dhe vazhdojnë ende sot të kërkojnë zëra, grupe, skena dhe publik të zjarrtë, elitar. Antikja me modernen janë të shkrira drejt përjetësisë. Epoka e këtij grupi, edhe pse me dritëhije të pashpjeguara do të jetë në fondin e kulturës kombëtare, si ajo e historisë para dhe pas lindjes së Krishtit. Karakteri, kultura, shpirti, identiteti, etniteti i padiskutueshëm kombëtar i kësaj treve shqiptare, nuk mund të pasqyrohej më shnditshëm se tek kënga shumëzërëshe e grupit himarjot të Dhimitër Varfit.

Kur vjen pranvera, dhe lulet sinoriten me njera tjetrën, njeriu mrekullohet dhe nuk di kë lule të zgjedhë, Ashtu edhe këngët e Dhimitër Varfit janë kaq të mira e të përsosura, sa nuk di kë të zgjedhësh, por shekulli që shkoi pati fatin e lumë të jetojë e të dëgjojë mrekullinë qiellore "Vajze e valeve". Cili tenor në mbarë rruzullimin nuk do ta kishte zili Dhimitër Varfin? Cili këngëtar nuk do dëshironte të këndonte nje këngë të pavdekshme si ajo e bregut të dallgëve?

I përzgjedhuri i kohës do të ishte "Ramazzotti" i Himarës, bilbili i shumëzërëshes himarjote.

Pas viteve 90, atëhere kur eksodi biblik i shqiptarëve drejt fqinjëve dukej se do të shpërbënte gjithshka e tërëçka, nga ky dhe i lashtë e hemoragjik, një grup himarjotësh me marrëzinë e mendimit në mendje dhe furtunën e gjykimit në buzë, i drejtohej të madhit muzikant grek në qendër të Elladhës, Mikis Teodoraqis, me dritshkurtësinë e papërsëritshme që i marrosi, për të përpunuar në pentagramin muzikor, në gjuhën helene kryeveprën shqiptare "VAJZË E VALËVE”. Pasi e dëgjoi këtë mrekulli, gjeniu grek i muzikës, Teodoraqis, u përgjigj në mënyrën më lakonike: “As zoti s’do ta bënte më të bukur se ç’është”.

Sot, pas gati një shekulli, nga gatimi i kryeveprës, ansambli biblik i këngës himarjote, për fatkeqësinë e tij, po mohohet nga dheu dhe njerëzit e tij. Rrebeshi, kur kalon, duket se do të marrë me vete gjithçka, por kur ai mbaron ngelet guri dhe ikën pluhuri, rri druri dhe rrokulliset kërcuri, lahen malet dhe fëlliqet rëra, qahen hallet dhe mbetet kënga.

Nëse do të kërkonim datimin e lindjes së kësaj kënge, kjo ekspeditë do të ngelej e dëshpëruar, pa përgjigje; por nëse do të kërkonim kulmin e saj, ajo patjetër që do të kishte Dhimitër Varfin, me zërin e tij monomental në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare e më tej, atje ku shpirti i lodhur kërkon qetësim. Patriarku i shumëzërëshes çapitet i plakur e i mpakur buzë dallgëve zhurmë-sjellëse të Jonit, atje ku trotuari njomëzak i shtrohet për nën këmbë madhështisë bregase Dhimitër Varfit,

I kërkuar nga kushdo e kurdo, këpucari himarjot shkonte heshtur drejt madhështisë dhe kthehej natyrshëm drejt të përditëshmes. Ai njeri hyri fare thjeshë në piramidën më të madhe të kulturës shqiptare, isopolifonisë. Kur kthehej, merrte bekim në godinën e vogël të këpucarisë në Himarë (këpucaria e Himarës ka qenë si lice për isopolifoninë) dhe lexonte e mësonte “biblën” e Neço Mukos. Mirënjohja popullore, ka qenë dhe mbetet shpërblimi më i madh që i është bërë këtij magjepsësi të shpirtit me avazet e tij. Më 28 Nëntor 2020 ju dha Dekorata e lartë “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” nga Presidenti Ilir Meta në qytetin e Vlorës.

Noli i madh do të përgjërohej në kërkesën e tij testamentale: “Kur të vdes, më përcillni me një këngë labe". Nuk e dimë nëse iu plotësua ky amanet Nolit, por himarjotët, që marrin rrugën për në botën e përtejme, përcillen nga psalmet e drithëruese të Dhimitër Varfit. Në këtë moshë, i tkurrur në eshtrat e tij, i kalçifikuar brenda madhështisë, mjekon dhimbjet e ikjes së njerëzve dhe pikllimin e mosmirënjohjes së njerëzve për kulturën dhe traditën e trashëguar të truallit të tyre. Epika, e lodhur në psalmet e tij, ka marrë trajtën e një elegjie mishëruese.

Krenaria fluturuese në ballin e tij lapidar, po merr ngjyrën e bronxtë të monumentit të pavdekësisë. Monumenti i Dhimitër Varfit është ngritur që në të gjallët e tij brenda zemrash e memorjes popullore. Zëri i tij ka shkuar në qiell tek i gjithfuqishmi, por shpresojmë që së shpejti, tek ndonjë bir i Bregut të bukur, të buçasë përsëri.


Pilur, më 2011-2021

58 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page