
Zëri i qartë poetik i poetes Arjana Fetahu (Gaba)
Fatmir Terziu
Autorja e vëllimit poetik „Sa do të doja …“, Arjana Fetahu (Gaba), vjen me një numër poezish të krijuara në një hapësirë kohore relativisht ndryshe, dhe në një gjeografi që kapërcen hapësirën e vendlindjen duke pikëtakuar Vendin e Lirisë. Në këtë hapësirë kohore, natyrisht dhe shtrirje gjeografike poezia e saj e krijuar në vite dhe e seleksionuar natyrshëm referon njësoj sikurse narracioni „elementë“ të qartë e të mirëfilltë të poezisë, elementë në të cilët lexuesi përqendrohet për të pasuruar kuptimin e vet për një poezi, ose për një grup poezish të veçanta. Këta elementë që përfshijnë, zërin, diktimin, imazhin, figurat e të folurit, simbolikën dhe alegorinë, sintaksën, tingullin, ritmin dhe metrin, po ashtu edhe strukturën, janë thuajse një tërësi e kompletuar në këtë vëllim të saj.
Ndërsa i ndjejmë këto elemente kuptojmë se tërësia e tyre është komplekse, madje ndjejmë se ata gjithmonë veprojnë njëkohësisht dhe na shfaqen në lidhjen e tyre narative si në një histori. Nuk është e vështirë, për shembull, të diskutosh për zërin që ndjen nga thellësia e poezive, po aq nga zëri që të ngjiz teksa i lexon, sepse menjëherë pas leximit të poezive ke krijuar imazhe, ke prekur zë, ke ndjerë metër, ke fiksuar diktim dhe ke kuptuar thellësisht sintaksë. Mbi të gjitha, këta elementë zbulojnë plotësisht atë që autorja e shtjellon në lidhje me „temën“ e poezisë së saj, kuptimin, ose funksionin e saj. Për shembull, tek poezia „Ti më lëndon se të dua unë...“ nuk është e vështirë të krijosh të gjithë këto tipare me një lexim të thjeshtë e të ndjesh njëlloj kuptimin e vargut “e mua më lagte i njëjti shi i mallit“.
Sikurse kuptohet këtu është një zë, zëri i qartë i poetes, që i referohet qëndrimit të nënkuptuar të saj ndaj subjektit të marë në konsideratë. Në anën tjetër diktohet dhe një ton fiksativ gjatë një leximi të thjeshtë, ku kuptohet se ai është një abstraksion, që ne e bëjmë duke lexuar nga detajet e gjuhës së kësaj poezie. Në këtë poezi natyrshëm më pas ndjehet përdorimi i metrit dhe rimës; përfshirja e llojeve të caktuara të detajeve dhe përjashtimi i llojeve të tjera; zgjedhje të veçanta të fjalëve dhe modelit të fjalisë, të imazhit dhe të gjuhës figurative. Kjo poezi është e aftë dhe mund të përcjellë nderim ndaj temës së saj, knuk afron cinizëm, nuk është mes frikës, larg neverisë, po ashtu nuk ka keqardhje, zhgënjim, por ka pasion, pa shfaqur monotoni. Toni i kësaj poezie gjatë leximit na ofron me atë që ka të bëjë shumë me kuptimin, apo me thelbin që i referohet zgjedhjes së fjalës dhe lidhet ngushtë me imazhet dhe figurat e fjalës.
Autorja zgjedh një fjalë për të arritur një efekt të caktuar ndijor, emocional ose intelektual. „Ora në mur dhimbjen po ma njeh“ shprehet autorja tek poezia „Ah, mor Zot!“ Zgjedhja e fjalës „dhimbjen“, për shembull, sugjeron diçka të ndryshme nga, të themi, „vuajtur“, "trazuar", "ndjerë", "përhumbur", etj., Sepse ajo fjalë e zgjedhur, pra „dhimbjen“ njësoj sikur secila fjalë e përafërt me të, sugjeron një qëndrim, imazh, ose edhe disa qasje të ndryshme, tek të cilat imazhi konsiderohet, perceptohet dhe mbetet si një imazh në memorje. Autorja me këtë përzgjedhje seleksionon për të krijuar mundësitë, dhe kjo gjithmonë duke zgjeruar kuptimin dhe duke e lidhur atë me fjalë dhe imazhe të tjera. Për shembull, vendosja e fjalëve në kontekste të reja tek disa poezi të tjera krijon metafora, sepse fjala e saj poetike e përzgjedhur sugjeron një kuptim, dhe konteksti një tjetër kuptim. Tek poezia „Amanet“ autorja shkruan se „Ti vdekjen s’mund ta gënjesh“. Pra, qartësia është sa me nëntekstin e fjalës që sugjeron një kuptim të qartë, po aq dhe me kontekstin që jep një arsyetim tjetër të kuptimit të vetë. Por kjo është jo thjesht si e tillë, sepse në pikën e dukshme dhe të duhur që shihet qartë ajo vetvetiu percepton dhe lind e krijon imazhe.
Siç u përmend më herët, zgjedhja e fjalëve krijon imazhe, përfaqësimin konkret të një përshtypjeje, ndjenje, ose ideje. Imazhet prekin shikimin, dëgjimin, ndjenjën e nuhatjes dhe shijes dhe perceptimet prekëse. Imazhi i këtyre poezive referohet një modeli të detajeve të lidhura. Nuk mund të qëndrosh larg nga imazhet që të krijon poezia „Vera dhe dashuria“, pasi nënkupton me njëherë se „Në qoshen ku e zë gjithmonë,/Përballë kur më kaplon vetmia,/Një gotë e dashur vere qëndron,/Qan dhe ajo hallet e mia.“
Natyrisht, kur imazhet formojnë modele të detajeve të ndërlidhura që përcjellin një ide, ose ndjenjë përtej asaj që imazhet përshkruajnë fjalë për fjalë, ne i quajmë metaforikë, ose simbolikë dhe këtë e bën mjaft mirë autorja e poezive të tilla si, „Grua“; „Hapu moj botë se plasa“; „Hënë“; „Ikja jote s’është burgu im!“; „Janë e ardhmja, janë vetë jeta“; „Katër ditët e dimrit tënd“; „Ku i kam miqtë?!“; „Karajfil të lëshon buza“; „Kulaçi“; „Lamtumirë“ etj.
Tek këto poezi detajet sugjerojnë një gjë të ndjeshme, për sa i përket një tjetre, po aq të rëndësihme, sikurse është tek Kulaçi“ ku nëna është një simbolikë më vete „E dinim që me të s’do na shuhej uria,/Dhe stomaku do mbetej prapë bosh,/Por në duart e nënës rri vetë dashuria,/Dhe ato ke dëshirë ti vështrosh.“ Për shembull, tek poezia „Maji u ngrys në qënien time“ imazhet e dritës shpesh përcjellin njohuri dhe jetë, ndërsa imazhet e errësirës sugjerojnë injorancë ose vdekje: „Maji u ngrys në qënien time nga një re,/që diellin zu peng,/e papritmas u shua një dritë.“ Ky kërcim nga një imazh në homologun e tij simbolik bazohet në një akt interpretues dhe duhet të bëhet në kontekst. Për shembull, e bardha zakonisht shoqërohet me pastërtinë, pastërtinë dhe virgjërinë, dhe sugjeron të keqen absolute, kur përdorimi i asaj ngjyre simbolike është konsistente brenda vargut.
Duke përfunduar themi se vëllimi i ri poetik „Sa do të doja …“, i autores Arjana Fetahu (Gaba), është një kumt i ndjeshëm poetik, me tërsinë e elemëntëve përkatës, dhe me një diskurs të qartë të mesazhit që përcjell. Autorja ka prurë një përzgjedhje të larmishme të poezivë të saj, të cilat funksionojnë bukur në tërsinë e tyre narrative.
Comments