top of page

ZËRI I MËRGIMTARIT


KËNGË TË TRISHTA MËRGIMI

BAJRAM CANAMETI


MËRGIMTAR

Ata ikën,

Me mjerimin shtrënguar në dhëmbë

Udhëve të mistershme,

Në mesin e natës pa hënë

Në shtigjet e panjohura rrëqethëse,

Të përlotur në shtegtim

Drejt zgavrës së mërgimit

Mbërthyer në mallëngjim,

Të gjenin tokën e bekimit

Nën një diell pa djaj,

Nën një strehë pa vaj.


Ata ikën

Të nxitur nga xhungla e mallkimit

Pasi i vrau mosdëgjimi i të shurdhuarit

Bashkë me arrogancëne mosshikimit

Dhe injorancën e moskuptimit.


Ata ikën

Kur panë tufat e qenve të kërleshur,

Që ulërijnë dhëmbëpërveshur,

Duke rrëmbyer copat e atdheut,

Mbetën të përhumbur kur panë krimbat

Që dilnin nga vrimat e ngjyer me ar

E të kënaqur fërkonin mjekrat

E pista si vrugu në thekrat…

Ata ikën

Me hijen e përlotur

Të gjenin një zjarr për t`u ngrohur…


PRES LINDJEN E DIELLIT


Kam mbetur në pritje me zërin drejt qiellit,

Si një murg i lodhur pres lindjen e diellit,

Kur do të mbarojë ky dimër,në çdo gjë ka ngrirë,

Në shpirtin e popullit kambanat e dhimbjes bien.


Kambana e mjerimit gjer në qiell ushton,

Nga varri i Migjenit ulërima të vdekurit zgjon,

Varfëria,kjo lëngatë,tentakulat shtrin kudo,

Si lugat nëpër natë ,del e turfullon.


Varfëria ,krejt pa faj,mbërthyer në njerëzi

Shëtit nëpër rrugë si epidemi,

Kambana e korrupsionit tund tokën dhe malet,

Askush s`e dëgjon,krimi nuk ndalet.


Na lindën miliarderët,sa shpejt u pasuruan

Me llokmat e atdheut,me euron nëpër duar,

Të zhveshën lakuriq moj Shqipëri

Ndërsa lumenj djerse u derdhën për ty..


Kambana e boshatisjes së vendit nga rinia

Gjëmon si stuhi në vendet e mia,

Jetë e fikur,jetë e mjerë,njerëz të rrallë si hije

Nga dy pleq i gjen në derë,ngjesh në darë marrëzie…


Eh sa kambana të tjera gjëmojnë pambarim,

Në qiellin e tokës arbërore,në qiellin e vendit tim,

Por unë pres një ditë ardhjen e rinisë

Që t`i japë jetë kombit e shqiptarisë.


Të vijnë ata,që në botë janë plot shkëlqim,

T`i sjellin dritë shqipes,t`i japin rrezatim,

Të nxjerrin hajnat e plehrat nga zyrat

E të drejtojnë, që shqiptarëve t`u qeshë fytyra…


ZËRI I MËRGIMTARIT

Sytë i shkëlqejnë si xixa stërralli

Shoqëruar nga shpresa e pikëllimi,

Kokën nga vendlindja,kthyer nga malli

Këmbët haptojnë nga Perëndimi.

Zëri imërgimtarit vjen si kushtrim

Saqë zgjon të vdekurit nga varret,

Plaga e mërgimit s`paska shërim

Si mjegull e zezë i ndan të gjallët.

Kujtimet shpërthejnë me trishtim

Në vendin e boshatisur

Zëra oborresh pa fëmijë

Zëra rrugësh pa njeri.

Zëra fushash që bekojnë,

Zëra pemësh që lulëzojnë,

Zëra pyjesh që gjelbërojnë,

Zëra malesh që lartësojnë.

Zëra shkollash boshatisur

Jetë boshe,jetë e grisur,

Zërat e vendlindjes thërrasin,

Sikur nata prêt agimin.

Ëndrrat e mërgimtarit flasin

Për jetën,mallin,vendin,

Në mendim shpresa më ndizet

Natë e përgjumur rrokulliset…

Pagjumësia ime prêt çdo mëngjes

Kthimin e rinisë në vendin e vet

Shpirti im kryengritës thërret

Lapësi kryengritës në letër shket

Zemërpërvëluar,kërkon jetë tjetër

Që mban mendjen,fuqinë e rinisë

Për t`i shërbyer atdheut,shqiptarisë…

Pyes zemrën dhe mendjen si dallgë

Kur do të shërohet kjo plagë,

Të lutem,i madhi Zot

Kur do shërohet ky lot…



VETMI E HARRUAR

Ikin të rinjtë si zogjtë shtegtarë,

Foleprishur,të uritur,të sfilitur

Në metrotë e botës mbarë

Shpirtplagosur,të grabitur

Plot mallëngjim

Toka mëmë iu bë mallkim.


Ecin nëpër vendet e globit

Kërkojnë të kapin hisen e diellit,

Hija e përvëluar e lotit

Bie nëpër viset e mia…


Ikin ata për të kërkuar lumturinë

Me lotin e vrarë,syrin e përmalluar,

Thinjën me dhimbje në shpinë

E vendi rrudhet I vetmuar…


Dhimbja ime gjëmon si kambanë

Në kishën e shpirtit të popullit tim,

Përmes një qielli të vrarë

Lutem ata të kenë gëzim.


Kjo brengë më dhemb në shpirt

Brengë e mallëngjimit,

Thinjat numëroj çdo ditë

Thith cigaren e mjegullohem prej tymit…


GJUHA SHQIPE

E ëmbël,e lashtë e artë,

Si trëndafil i katër stinëve

Gjuha shqipe.


Nanë e gjuhëve të dijes

Me durimin e arit në male

Mbete statujë e pritjes.


Të huajt ta vodhën mitologjinë

Fjalë ti u dhe me tepri,

Se nuk e shtere tënden pasurinë…


Në vringëllimë të shpatave qëndrove

Argjend në dritë në hënës

As u lodhe,as u shove,gjuhë e nënës.


64 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page