top of page

Zërat e të rënëve vazhdojnë thërrasin: mos na harroni



Nga Nasho Bakkalli


Hyrje

Shekulli që shkoi do të kujtohet, edhe në Shqipëri, si shekulli i Luftës së Dytë Botërore dhe i përmbysjes së Murit të Berlinit..., si shekulli gjatë të cilit ndërgjegjia shqiptare u kalit edhe më fort në kudhrën e vuajtjeve dhe sakrificave për një jetë ndryshe. Të prishësh një shtet është shumë kollaj, por që të ngresh një të ri nuk është aspak e lehtë. Të harrosh Pavarësinë, Mbretërinë, dhe Diktaturën e Proletariatit është shumë kollaj, por që të krijosh një shtet të ri, Demokracinë, nuk po duket aspak e lehtë. Sepse është lufta e kujtesës me harresën. Lufta mes interesave të mbrapshta të oligarkisë politike... Konkretisht. Harresa e shkaqeve reale të lindjes, zhvillimit, dhe humbjes të nazifashizmit në Luftën e Dytë Botërore ka sjellë dështimin praktik, ditë pas dite, të idealeve për të cilat u rrëzua Muri i Berlinit në vitin 1989. Kjo është cështja. Nuk po e shtroj unë. E thonë studiuesit e kujtesës historike europiane. E cila, vlen edhe për Shqipërinë si një testament: 1) i vrullit dhe vendosmërisë të popullit që luftoi kundër nazifashizmit në LDB, dhe, 2) i maturisë së popullit në periudhën dhjetor1990-mars1992, domethënë: populli nuk iu kundërvu "erës së ndryshimit", po e përkrahu përmbysjen e sistemit politik qeverisës në Shqipëri. Pra. Populli zmbrapsi pushtuesin, dhe më vonë sfidoi diktaturën që vet e farkëtoi. Populli përgjatë historisë kurrë nuk i është dorëzuar harresës sepse në shpirtin e tij, në të gjitha kohët, ai ka dëgjuar zërat e të rënëve që thërrasin: mos na harroni.

* * *

Me këtë shkrim dua thjeshtë të ripohoj kujtimin e punëve Atdhetare të vllezërve durrsak Vasil dhe Harilla Bakalli.

Vasil Athanas Bakalli, nënkryetar i Bashkisë së Durrësit, i zgjedhur me votim nga populli, në ditarin e mbajtur gjatë vizitës në Vienë të Austrisë, në vitin 1930, shkruante se:

“... në hyrjen e një prej shkollave me të bukura të kryeqytetit, në një tabelë bronzi, lexova: ai që ngre shkolla për të rinjtë, rrëzon mure burgjesh. Më erdhi në mendje miku im arsimtar z.Naqe, i cili më tregonte rëndësinë që kanë godinat shkollore, dhe se kjo nevojë nuk po merret parasysh nga njerëz të cilët e kanë në dorë arsimin shqiptar”. Në po të njëjëtën faqe Vasil Bakalli shton: “ Gazetari triestin i quajtur Andre Brion pat vizituar një shkollë fillore në një qytet të vogël gjerman, dhe, ato që kishte parë atje i paska botuar në gazetën 'Wiener Zeitung'. Po e përkthej pjesën më kryesore të kolonës, që (më poshtë vijon, NB) t’ia tregoj mikut tim arsimtar në Shqipëri.

- Mbeta pa mend. Shkolla ishte një pallat. Monument arqitekture. Dritare të mëdha plot diell dhe erë. Shkallët ishin të mermerta. Pemë e ujë në të katër anët. Brënda dhoma të mëdha e të paqme. Në çdo kënd kishte nga një tabelë të vogël me gërma të lexueshme fare kollaj, ku shënoheshin në metro volumi dhe sipërfaqja e klasës dhe numuri i nxënësve që mësonin atje. Në krah të çdo porte kishte një xham të vogël misterioz, i rrumbullakët, që lejon të shikosh si me dylbi barometrin e dhomës me qëllim që kujdestari të rregullojë nga jashtë, pa trazuar mësimin, ngrohtësinë e dhomës. Një e ndarë e veçantë ku dentisti, okulisti, dhe pathollogu shikojnë shëndetin e nxënësve rregullisht dhe detyrimisht. Banja, ujra të ngrohta, gjithshka e bardhë dëborë. Një liqen i vogël dhe vende për gjimnastikë, si për verë edhe për dimër. Dhoma të punëve me dorë dhe për muzikë. Shteti kujdeset për shkollën kaq shumë saqë konservatorët e injorantët e akuzojnë qeverinë se po i mëson keq fëmijët e popullit, të cilët në shtëpitë e tyre nuk i kanë kushtet që u jep shkolla - ".

Në fund të këtij përkthimi Vasil Bakalli komenton. Po e citoj:

“Shkolla, është nji vend ku fëmijët mësojnë çdo ditë, është shenja e parë qi na tregon për shkallën e qytetrimit të një populli. Është një çfaqje e prekshëme e kujdesit për djalërinë”

Shikoni sot, mbas 91 vitesh, se ku janë shkollat tona dhe do të kuptoni lehtësisht se jemi ende mbrapa dynjajasë. E si mund të reformohet arsimi kur shkollat nuk kanë minimalisht as edhe “një formë të parë, atë të jashtmen”? Çfarë vlere kanë teorizimet, retorikat e liderëve, dhe lëvdatat mbi sistemin politik qeverisës të Shqipërisë? kur Demokracia u shpegohet nxënësve në mjedise pa dritë, pa ajër të pastër, pa ujë e gjelbërim; në klasa të palyera, me dyer të thyera, e tavane të shqyera... Në punët tona shkollore nuk mbizotëron qytetrimi europian, dhe as Atdhedashuria!

* * *

Po në vitin 1930 gazeta "Vullneti i Popullit", e datës 1 korrik, paraqet në faqen e tretë të saj, nën një okelio bukur të dukëshme, shënimin me titull "Ligja e Internimit", si më poshtë vijon, shkruajtur nga Harilla Athanas Bakalli, pronar dhe botues i gazetës në fjalë.

"Para disa ditësh gazeta jonë lajmëronte se është bërë një ndryshim në artikullin (nenin) e parë të Ligjës për Internimin e propagandistëve të rrezikshëm.

Pas ndryshimit që është bërë në këtë Ligj do të internohen, edhe ata njerëz të cilët bëjnë propagandë të rrezikëshme kundër reformave shoqërore. Mirë fare. Po ky Ligj duhej, në këtë rast, përmirësuar pakëz. Sepse, Ligja në formën e sotme urdhëron internimin e agjitatorëve që propagandojnë fshehurazi; një mënyrë kjo që nuk mund të provohet. Po si do të meret vesh propaganda e bërë fsheurazi? Me lajmërimin e një njeriu? E ku ta dimë ne se ky njeri, nuk vete pas mërisë?

Të tilla ligje janë një armë e tmerrshme në duart e autoriteteve, që mund të mos kenë ndërgjegje të larë. Me një shpifje të bërë prej një agjenti, të cilën zyrtari mund ta shtyjë përpara pa e verifikuar, njeriu meret në qafë pa një pa dy.

Në një kohë që shkojmë gjithënjë nga përparimi e nga oksidentalizmi, të kesh të tilla ligje na duket fare primitive... ."

* * *

Për primitivizmin, si rend ekonomik e shoqëro, është kollaj të flasësh e të shkruash në media, dhe në auditore me dëgjues nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, por, nuk është aspak e lehtë që ti denoncosh institucionalisht ata, primitivët, si subjekte poshtërsisht të vetëdijshëm ndaj këtij apo atij sistemi politik qeverisës. Nuk është aspak e lehtë sepse mund ta paguash edhe me kokë. Ja dy ngjarje, dy sjellje primitive, me të njëjtin personazh, në dy kohë të ndryshme fill njëra pas tjetrës.

".... Tiranë, më 9 mars 1944. Nr. 126/2 Prot. .... Mbi arrestimin e Harilla Bakallit nga Durrësi... Bashkë me këtë shkresë nën-vrejtje shoqërohet në atë komandë i quajturi HARILLA Bakalli nga Durrësi. Kundra tij, të mbahen proceset dhe ti paraqiten Prefekturës për me ja dorëzue Gjyqit për mbrojtjen e Shtetit. I përmeduri akuzohet:

1) furnizimin ushqimor me shumicë, sheqer, oriz, makarona, e te tjera, të çetës nacional çlirimtare të Myslym Pezës, në kohën kur ishte kryetar i Odës Tregëtare (Durrës, NB);

2) ka qënë anëtar i këshillit nacional çlirimtar të Durrësit.

Fakte më të plota për këtë akuzë, mund të merrni nga fuqia balliste e Shijakut që ndodhet në Tiranë. Mbasi të marë fund procedimi të dërgohet në burgun politik. Komandati i Qarkut Gjindarmarisë... firma, vula, etj." Fotokopja e shkresës në fjalë, gjetur në AQSH nga historiani Azis Gjergji.

Burgosja, u finalizua me vendimin gjyqësor për dënimin me vdekje të Harilla Bakallit. Gjatë rrugës për te Bregu i Lumit (Tiranë), vendi i ekzekutimit, makina që transportonte të dënuarin politik, Harilla Bkalli, pësoi difekt teknik. Për pasojë ekzekutimi u shty për të nesërmen. Ndërkohë, fatmirësisht, në duart e "kopetentëve" mbriti, nga të afërmit e Harillës, një qese e mbushur me florinj. Dhe mbas disa javësh Harilla Bakalli ekonomist, diplomat, gazetar, nacionalist liberal, u la i lirë.

Po liria e Tij nuk zgjati shumë. Sepse në vitin 1947, pra në një kohë tjetër, ndërsa ishte drejtor i Skelës të Durrësit, Harilla Bakalli arrestohet me akuzën: agjent anglo-amerikan (protokolli mbledhjes organiztës Partisë të Skelës Durrës). Dhe, mbas torturave të rastit ai vdes në një nga qelitë e Degës Punëve të Bredshme Durrës (ngjarje kjo e dëshmuar - jo vetëm nga familjarët e Harillës - edhe me shkrim nga durrsakët bashkëvuajtës, politik, në të njëjtën qeli).

* * *

Përfundimi

Nga dokumentat e gjetura në arkivën e shtetit dhe bibliotekën kombëtare, etj, më ka lindur idea se jo pak shqiptarë, jo të gjithë në të njëjtën kohë, po të tërë në të njëjtin vend, Shqipëri, kanë jetuar histori të frikshme, ndonëse të ndryshme, pa i treguar ato, pa na treguar ne asgjë. Kanë heshtur stërgjyshërit tanë ndaj të shkuarës së tyre. Edhe gjyshërit heshtën në vitet e mbretërisë. I njëjti fenomen u përsërit nga prindërit në vitet e diktaturës të proletariatit. Edhe sot në shtëpitë tona nuk flitet për të kaluarën, vecse kur është rasti për të trashëguar ndonjë pronë - thërrasim kujtesën. Eshtë lufta midis heshtjes dhe kujtesës. Ku harresa mbizotëron! Kaq e zezë qënka kjo e shkuara tonë? qysh ditën kur më i pari shqiptar u shfaq në shpinë të Tokës e deri më sot e kësaj dite. Po si mund të thuash që është e bardhë përderisa individë të caktuar ende frigohen se po të flitet për të kaluarën, do të fillojë gjithçka nga e para... Gjithësesi, zërat e të rënëve vazhdojnë thërrasin: kujtonani; mos na harroni. Nasho Bakalli.



52 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page