ZË I VEÇANTË NË POEZINË E SOTME
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Nov 18, 2022
- 4 min read

BARIE ÇUPI-BOBA, ZË I VEÇANTË NË POEZINË E SOTME SHQIPE
Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
Me katër vëllime me poezi, të botuara dhe promovuara bujshëm në harkun kohor të tre viteve të fundit: "Vargonjtë e fatit", "Ej ti grua", "Orët e përhitura" dhe "Me zemër të zhveshur", Barie Çupi-Boba, zë vend të veçantë në fondin e artë të letrave shqipe.
Në promovimin e këtyre katër librave, të shtunën e 5 nëntorit 2022, në sallën "UNESCO" të Muzeut Historik Kombëtar, të moderuar mjeshtërisht nga ikona e gazetarisë sportive dhe dokumentarit televiziv, Defrim Methasani, pohova se kam qenë fatlumë si promovuesi i parë i poezive të Baries në faqet e gazetës "Bulqiza", si themelues dhe Kryeredaktor i saj në vitet 1992-1996 e në vijim 2015-2021.
Siç u vlerësua nga personalitete të letrave, artit e kulturës, ndër të cilët edhe nga poeti, publicisti e analisti i mirënjohur me rrezatim mbarëkombëtar, Dr.Mujë Buçpapaj - Drejtor i gazetës letrare&kulturore "Nacional" (botues i dy vëllimeve të poetes B.Çupi); ikona e kinematografisë shqiptare Margarita Xhepa-Nderi i Kombit, si dhe aktori i madh i hapësirës mbarëshqiptare në botë Xhevat Limani, i njohur si interpretuesi i rolit të Heroit tonë kombëtar Skënderbeut në disa skena të njohura botërore, Barie Çupi, për vetë origjinalitetin dhe stilin e veçantë të të shkruarit poezi, është ndër poetet më të spikatura, konkurruese dinjitoze në tregun e poezisë së sotme...
QASJE FILOZOFIKE NË POEZINË E BARIE ÇUPIT
Emrie Krosi, një ndër zërat e spikatur të kritikës së sotme letrare, madje aset i çmuar që mbush me kompetencë e profesionalizëm vakuumin e krijuar në këtë fushë, pas një vështrimi të shkurtër, rreth poezisë së Barie Çupit, pohon se në të trajtohet jeta, realiteti dhe filozofia në botëkuptimin e saj nëpërmjet figurave të shumta letrare me stilin e veçantë e unik, në mënyrë të admirueshme për lexuesin, me përqasje moderniste për letërsinë shqipe. Në një linjë me të, mund të konkludojmë se qasjen filozofike e ndeshim pothuajse në qindra poezi të kësaj autoreje. Dhe më evidente kjo qasje tek libri me titullin intrigues “EJ TI GRUA!” Me një stil krejt të veçantë poetja, e revoltuar nga ky realitet i trishtë apelon bashkëvuajtëset me vargje që sintetizojnë botën e saj shpirtërore: “Ej ti motër,/ vajzë/, grua/, femë/r, Nënë... /dikur të njihja ndryshe/, tani pas të jam vënë/, të të mbroj/, të të shplodh/, me hijen e bukurisë tënde vargje të stilo/j, me dritën e shpirtit, pa kushte të frymoj/, me mirësinë e gjuhës, kotësinë të braktis/, hapësirës të perëndoj/, pa delire të nxitoj/, nuk kam kohë të pushoj…”.
Këtë qasje e dallojmë edhe në poezitë me tituj: “GJITHÇKA LËVIZ….”; “SKENAR I PËRSËRITUR”; “MES DY BOTËVE…” (POEMTH); “RE APOKALIPTIKE”, etj. Në këto si dhe në dhjetra poezi të tjera, Barie Çupi - Boba shfaqet dukshëm me përmasat e një poeteje të talentuar.
Këto përmasa dallohen lehtë edhe kur ajo shkruan në vargje “KODIN E JETËS”: “Do të mundem t’ia shkruaj vetes një kod penal/, ca nene të djallit/,ta dinë ku quhet ndal/. dhe për gjurmët e mia ku i kam lënë/, e për ca fjalë,që ende s’i kam thënë/, për tani e për nesër gjithashtu…/ Errësirave e trembur pa asnjë ndriçim/, duke pritur ndoshta kuturu/, jam gdhirë e kam fjetur sa vite mbi zjarre/, prej të vobektit që s’pati ndryshim/, a prej të ligut që s’njohu pendim/. Mbi gurë kam ecur e më janë vrarë të gjitha lutjet/, të gjitha përgjërimet më janë shkelur/, më janë shqyer të gjitha buzëqeshjet/, male mbi supe m’i kanë ngjeshur/, askund pa u mbështetur/, jam rrëzuar, jam ngritur, kam mësuar/, duke vrapuar shkëmbinjsh e rrokullimash me lot ndër sy…..”.
MOTIVET SOCIALE NË POEZSINË E B.ÇUPIT
Edhe motivet sociale shtrihen dukshëm në disa poezi të kësaj autoreje, duke përçuar kësisoj në mënyrë perfekte filozofinë e jetës. Mjafton qoftë edhe vetëm poezia me titull: “SE MAMI KA MALL” për të evidentuar këto motive: “Po ç'erdhi kjo ditë o bijë/, tinëzare koha/, buzën me na ngri/. Deti aromën tënde m'a largoi/, nga prehri një dorë të ngrohtë m'a dëboi/, m'a mori gjumin e qetë/, mërzi që as hëna se mban dot sekret…/…. ulem në sofër e më mardhen sytë/, se mamit i zë kafshata në grykë/. Vjen festë/ e ditë feste fshehtas duke qarë/, kohë e gjatë o bij/ë, pa u mbledhë,e pa u parë”….
Në këto vargje natyra meditative gjen krahë për të zbuluar gjithçka të ndryrë brenda vetes, për të zbuluar më mirë atë dhe për ta vendosur veten në raport me botën dhe të tjerët. Kësisoj, poezia e Barie Çupit paraqet një grishje për lexuesin e saj të specializuar, për t’u nisur bashkë me të në një udhë jo shumë të lehtë.
Poezia e Baries vazhdimisht shquan, percepton, njeh dhe i artikulon realitetet e ndryshme, që janë shumë shtresore dhe të panumërta, si një metafiziciene e cila sheh ato që të tjerët i shohin vetëm pasi që ajo t’i shprehë ato.
Kësisoj, siç jam shprehur pasi ajo kishte hedhur në faqet e saj në facebook një nga poezitë e këtij lloji, “B.Çupi ‘tjerr’ vuajtjet, padrejtësitë, skëterrën në vargje, ndërkohë që beson në hyjnoren që ia ofrojnë miqtë e vërtetë, pasi ka provuar plagët që shkaktojnë ligjet zakonore e kanunore. Vargu i saj ngrihet triumfalisht ndaj tyre, frymëzon e do frymëzojë gratë e vajzat shqiptare të mos i nënshtrohen dhunimit...Vargu i Barie Çupit flet sa qindra triumfe në betejat e pafundme ligjore ndaj padrejtësive të tilla.”
Dhe siç shprehet shkrimtarja e mirënjohur Kozeta Zavalani: “dimensioni shpirtëror i Barie Çupit është më tej se universi… metafora, krahasime, similituda, alegoria, ritmi, temporitmi heroi lirik. Nga shtrydhja e tyre del ajo botë që universi do ‘vriste veten’ të mos kishte pranë..”. Sipas Zavalanit, Baria është ajo pikë ndarëse që ëndërron çdo njeri të gjej te një grua…. Është një poete që gdhend dritë pas, në rrugëtimin e saj.
Comments