Shqiptarët duan para së gjithash dritën e mendjes dhe Diellin.
(Faik Konica, Albania, 8,1987)
(Fjala e mbajtur e Kryetares së sapozgjedhur të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë)
Ph.D Yllka FILIPI
Në harkun kohor të 23 viteve, përtej brigjeve të oqeanit, në Amerikë, një ëndërr shqiptare tepër e guximshme u bë realitet. Bijtë shpirtërorë të Nolit e Konicës, Gjekë Marinaj e Adnan Mehmeti ja dolën të ngrinin një strehë shpirtërore, ku si në një familje të madhe prej një gjaku e një shpirti, u mblodhën të gjithë shkrimtarët nga çdo cep i kontinentit të largët. Mori jetë kështu Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Takimet rrodhën një e nga një në pranverën e vonë a në vjeshtën e zbehtë, në dimrat me dëborë, pa diell e me shira të rrëmbyer, u sfiduan distancat e gjata, furtunat dhe asnjë vështirësi a pengesë nga këto nuk ja dolën dot të ndalnin një shpresë të vetme, librin shqip në Amerikë.
Kjo inisiativë e zjarrtë u bë realitet dhe projektet mbi librin e aktivitetet letrare, nuk mbetën thjesht të fshehura në sirtarët e kujtesës por morën trajtën dhe formën e fjalës shqip duke u bërë busulla magjike e ardhmërisë për përhapjen e kulturës së një kombi që kurrë nuk do të harrohet edhe pse gjeografikisht kaq larg. Melhelmi i kurmit poetik rrodhi ëmbël dhe dramat e atdheut u zbutën ngadalë.
Sot, Panairi i Librit Shqip në Ferguson Library shënon edicionin e tij të tretë dhe kjo është padyshim festa më emocionuese, krenari për identitetin tonë, duke mbajtur gjallë e çuar më tej kujtesën kombëtare, nëpërmjet artit të fjalës së shkruar. Zilja e zgjimit ra njëherë e kaq mjaftoi. Të mbledhur si bletët në zgjua, secili shkrimtar a dashamirës i artit të fjalës e di rolin e tij dhe përpiqet me seriozitet e përkushtim ta përmbushë në mënyrën më të denjë të mundshme. Ky nuk është vetëm një detyrim moral, përkundrazi. Është obligim kombëtar, sakrificë, një jetë paralele drejt ëndrrës që prej më se dy dekadash i ka shkelur e sigurtë brigjet e realitetit.
Dëshmi e gjallë e suksesit dhe jetëgjatësis së shoqatës janë revista “Pena”, organ i shoqatës, shtëpia botuese “Adriatic Press’ në New York, si edhe pas 75-vjetësh ribotimi i Albumit të Fan Nolit,e ende shumë planprojekte të reja.
Libri shëron. Afron lutjet dhe përqafon dritën. Mjekët e shpirtit, shkrimtarët, mbartin kodin gjenetik të pashkruar duke e çuar iluminimin rilindas në ardhmëri. Në historinë e kohërave moderne mbajnë ndezur zjarrin e kulturës kombëtare në oxhakun multikulturor të rrjedhës së letërsisë amerikane. Ky mision u bë sfida më e suksesshme, dëshmia e gjallë e një kombi të etur për kulturë, bijtë e të cilit luftojnë e punojnë fort paralelisht për jetën dhe artin.
Si është e mundur që brenda një vetëm një dite, ne i mbledhim të gjitha shtetet e Amerikës së tejskajshme në një shportë të vetme, si vezët e Pashkës së Madhe? Boston – Miçigan – Misuri - New York - New Jersey - Pensilvania -… - Kanada e Meksikë? Varg e varg si perlat një gjerdani të artë prej drite vijnë e mblidhen krijuesit shqiptaro-amerikanë në vatrën e madhe, 23-vjet rresht.
T’mbledhun bashkë si kokrrat n’shegë- thotë Fishta… krijuesit edhe pse jashtë atdheut sjellin art: reportazhe, botime voluminoze dygjuhëshe, krijime të zgjedhura, në prozë, poezi e publicistikë, kritikë letrare e përkthime dinjitoze, dokumentarë, publicistikë, konkurse, e intervista, multikolorit autorësh e zhanresh dhe sa shumë emocion, në ruajtjen, përhapjen e promovimin e kulturës kombëtare. A nuk është kjo një sfidë?
Duhet të jesh i dehur në shkrime në mënyrë që realiteti mos të të shkatërrojë.- shprehet shkrimtari Ray Bradbury.
Në gjysmën e këtij rrugëtimi, pata fatin dhe mundësinë që të anëtarësohesha në këtë Shtëpizë bujare shkrimtarësh, 11-vjet më parë. Një ditë vjeshte të artë trokita në këtë familje të madhe, u mirëseardha në epiqendrën e një botë prej shpirti dhe u ndjeva shumë ngrohtë. Aty ku të mbledhur rreth Vatrës, të ngrohur nga Dielli, me penën nga krahu i zemrës i falemi Kombit.
Përçimi i vlerave kombëtare është përgjegjësia më e madhe e gjithsecilit prej nesh si ambasadorë të kulturës sonë me ndjenjën më të thellë të dashurisë për trojet e të parëve.
Sot, në epokën e dixhitalizuar, a mundet të prekim shpirtin me një gisht, a mundet t’ia kurojmë plagët kombit thjesht me një mollëz? Ky është libri.
Fisnikëria e donatorëve, krijuesve dhe dashamirësve të artit, na ndriçon dhe na e bën më të lehtë rrugën e larmijëzimim e aktivitetetve kulturore, botimeve, konkurseve letrare, stimulimin e talenteve te reja, promovimin e mëtejshëm të vlerave kombëtare dhe më gjerë. Përulemi në shenjë respekti të thellë përpara bujarisë, së investitorëve të artit për të ecur bashkarisht në këtë mision fisnik.
Të zhytur në lumturinë e leximit që transformon njëriun! Bashkëpunëtorë dhe drejtues vizionarë! Sipërmarrës të artit të fjalës së shkruar! Kjo përpjekje e jashtëzakonshme për të mbajtur gjallë e çuar më tej trashëgiminë letrare do të shkojë më larg, në ardhmërinë e sigurtë dhe të suksesshme!
Unë ju falenderoj përzemërsisht për votat tuaja! Do jem këtu me forcën e penës, përkushtimin dhe besnikërinë për ta çuar më larg këtë mision patriotik!
Kuintesenca e urës së padukshme prej drite që i lidh kombet në këtë ekspozim vlerash, shpalos shkëlqim, krenari, arritjet e një kodi të përbashkët gjenetikisht të shpërndarë nëpër të gjitha qelizat fjalës së gjallë, i radhitur dendur rresht më rresht në formën e dyfishtë të AND-së krijuese që dëshmon balancën e filozofisë së përkushtimit dhe dashurisë. Vetëm krijuesi, (poeti), vetëm ai di se si t’i kthejë pshërëtimat e atdheut në simfoninë më të ëmbël. Zemrën e atdheut që vuan,e ndien vetëm zemra e krijuesit (poetit).
E çfarë është poeti?- Sipas Soren Kirkergard një njeri i palumtur që fsheh ankthin e pafund në zemrën e tij, por buzët e së cilit, janë formuar në atë mënyrë që psherëtimat dhe qarjet të tingëllojnë si një muzikë e bukur. Aty ky hyn fjala, depërton dielli. E gjithë Shqipëria, i gjithë kombi çlodhet nëpër fletët e dendura të këtij ditari të një familjeje të madhe: Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. E ndieni simfoninë e ëmbël? Është himni! Do të flini në paqe. Me dorën nga krahu i zemrës, jemi duke u rritur në mbijetesë.
PhD Yllka FILIPI
April ’24
Stamford, Ct
Comments