top of page

YLLI QË NDRITI E U SHUA NË MËNGJESIN E TIJ


Miho Gjini

Në qiellin e yjeve që u shuan nga plejada e re e artistëve më të çquar të artistëve tanë të teatrit dhe të kinematografisë që i përkujtuam vitin që shkoi, "fatin më të trishtë" do ta kishte BEXHET NELKU, shoku im i klasës. E përjetova kështu këtë gjëmë, si "YLLIN" që bie në agimin e jetës së tij të shkurtër, apo si kandilin që shuhet kur i mbaron vaji! Dhe, sa herë që flasim për këtë mbrapështi që ndodhi edhe me Bujar Lakon, Agim Qirjaqin, Vangjush Furxhiun, Serafin Fankon, Albert Verrinë, LLazi Serbon, Fatos Selën, Roland Trebickën, Xhevdet Ferrin, Koço Devolen, e jo me më pakë të tjerë si këta, do dridhemi së kujtuari edhe për Bexhet Nelkun, që ishte i pari që e "hapi perden e zezë " të vdekjeve të njëpasnjëshme, kur edhe Perëndia gabon rëndshëm me ata që merrë me vete!

Aktori -studentë?!

Të gjithë ne studentët e parë të Shkollës së Lartë të Aktorëve "Aleksandër Moisiu" që u hap tek ne në vitin 1959, habiteshim me njerin prej shokëve tanë studenta, që kishim arrdhur nga të katër anët e vëndit, si të "zgjedhurit e Perëndisë", duke i thënë njeri-tjetrit se, si ishte e mundur që ishte ulur aty , bashkë me ne, edhe një "aktor i lindur" si Bexhet Nelku, me trupin e tij solid, me seriozitetin e parakohshëm të moshës, me ekspresionin e fytyrës, me diksionin e qartë të fjalës, me fantazinë e pashtershme ndër etydet tona dhe ne natyrësinë e admiruar. Nje "eksepsion" që ai e fshihte fort bukur midis nesh që e admironim e përpiqeshim të ishim partnerët e tij ndër etyde e fragmente dramatike, si proçes mësimot, po edhe ndër pedagogët që nuk e kthenin kurrë të përsëriste vetveten. Se ai nuk ishte, thjesht vetvetja, po edhe personazhi që interpretonte, si sua e si njeri, me të gjitha cilësitë e tij të dukshme. - "Ç'farë materiali ke zgjedhut për të punuar në "Teknikën e të Folurit",- e pyeti Bexhetin pedagogu i kësaj lënde Lazër Filipi, i sapo kthyer nga një shkollë Çeke e aktrimit. "Monologun e Mark Antonit në tragjedinë "Jul Çezari" të Shekspirit",- i'u përgjegj fare pa teklif, Bexheti duke e lëne Lazërin pa mend, po edhe pa gojë, duke lëshuar vetëm një "Jooooooo!" të gjatë dhe, për t'u bindur kohë më vonë se, ai do ta thoshte këtë monolog në lartësinë e një aktori profesionist, para katedrës së Mjeshtërisë së Aktorit. Ai e interpretoi këtë monolog si të ishte në ato mbresa të përgjakëshme, mbi trupin e vrarë pabesisht të Perandorit të Romës, duke u betuar në ndershmërinë e dashurine e tij ndaj Çezarit,që ndante aq bukur mbrojtësin nga vrasësi, vëllai i triumfatorit nga varrmihësi i tij, në një dualitet tronditës. Me një shqiptim e diksion të bukur, të tingullt e të ndjerë të gjuhës shqpie, sikundër e kishte"qarë" Noli ynë , duke e lënë të habitur gjithë trupën pedagogjike, ku ishin ulur klasikët e shkollës sonë të aktrimit: Andrea Malo, Kujtim Spahvogli, Mihal Luarasi, Naim Frasheri, Pandi Stillu, Kadri Roshi, Piro Mani, Esat Oktrova, Prokop Mima e Lazër Filipi, pa e përjashtuar aty Pedagogen e Institutit Teatral të Moskës (GITIS), qe na dha mësimet e vyera të të Stanislavskit.

Bexhet Nelku

Prej kësaj lartësie interpretuese, aktori-student do të habiste trupën pedagogjike me dy perla interpretuese në provimin e Mjeshtërisë së Aktorit, me figurën e djaloshit të dashuruar nga fshati, në tregimin e Naun Priftit "E fejuara" që e kishte dramatizuar po vetë, si edhe me Zenelin, shërbetorin e komedisë së Çajupit "Pas Vdekjes", punuar që të dyja me regjisorin-pedagog Andrea Malo. U pritën me një reagim shumë të ngrohtë të dyja këto aktrime: të parin, dashnorin aq të thjeshtë e të vërtetë nga fshati që i bën pusi vajzës së fejuar gjetkë, për t'i "rrëmbyer zemrën", si edhe me interpretimin brilant që i bëri figurës së shërbëtorit të mënçur e shumë të shkathët të Zagoritit Çajup, kundrejtë Adhamutit që i'a ka shitur "shpirtin shejtanit", po edhe të zonjëzës Lulushe që e "dridhte", sa me njerin e me tjetrin! Kjo dyanshmëri loje e studentit Bexhet Nelku qe si një nxitje edhe për ne studentët,-shokë të tij, për të mësuar edhe "sekretin" e kësaj arritjeje: E quanim "Mizantrop" Bexhetin, vetëm pse merrej tërë kohën me veten e tij në ndonjë qoshe të Teatrit Popullor, ose kur barreste i vetëm , duke mërmëritur! I pari që do ti afrohej këtij "mizantropi"e nisi të shoqërohej me të, ishte studenti durrësak Milto Profi. U përpoqa të isha i dyti nga studentët e tjerë që banonim nëpër konvikte, për t'u bindur se "sekreti" i sukseseve të tij nuk ishte thjeshtë-veçse, ajo përgatitje e mire që ai kishte marrë në Liceun Artistik, po edhe nje stërvitje e përhershme, duke arrdhur i pari në oborrin e Teatrit Popullor , ku edhe ndodhej fillimisht shkolla jonë e aktrimit, që të merej me ushtrimin sistematik të elementëve të të folurit skenik, të cilat duheshin bërë çdo mëngjes, për të "disiplinuar" frymëmarrjen diafragmatike, elasticitetin e buzëve, artikulimin e fjalës pastër e me diksion, duke mos përjashtuar këtu edhe gjimnasilkën e mëngjesit për zhdërvjlltësin e trupit, plastikën e lëvizjeve, vetëm e me partnerë, me rapierë e me shpatë. Qe edhe koha, kur të gjithë ne studentët, regjisori rus Bortko na kishte futur në skenat masive të tragjedisë "Hamleti", kur po e vinte atë ne skenë e ne duhet të njihnim e të sillnim aty epokën e ndritshme të Shekspirit!

Krogstadi i Ibsenit dhe Benedikti i Shekspirt,-dy botë të kundërta

Aspak për t'u habitur. Dy role diametralisht të kundërta që i errdhën Bexhetit në vitin e tretë e të katërt të shkollës, pas shfaqies-përrallë të Andon Panos "Ylli i Alpeve", ku Bexheti do të shkëlqente me plastikën e të folurën e tij brilante. Si shfaqje diplome: Krogstadi, n/punësi skrupuloz i bankës, i ftohtë akull në detyrën e tij prej financieri dhe, nga ana tjetër Benedikti, djaloshi energjik i Rilindjes Angleze, që do të ndryshonte botën me vrullin e jetës , me energjinë, dashurinë dhe optimizmin e saj. A mund të jenë të njellojtë "akulli" me "zjarrin" që bubulon? Këtë përgjigje e jepte Bexhet Nelku tek interpretonte Krogstadin, si të ishte një "tyriele" që i fuste dridhmën në shpirt Norës së Mimika Lucës, duke i kërkuar edhe shpirtin në vënd të pagesës së rradhës , si edhe në interpretimin e Benediktit të zjarrtë, tek i vardiset Beatriçes e pa një, pa dy i rrëmben asaj zemrën, duke "ulur" kështu edhe "hundën" e kastit që ajo mbartte, me atë interpretim virtuoz të Filika Dimos e Edi Luarasit, që doblonin njera tjetrën, sikundër edhe Bexheti me Mario Ashikun. Në të dyja këto krijime figurash artistike të pashlyera të këtij artisti, në pozicione kaq të kundërta me njera tjetrën, kam qënë përbri aktorit. Tek "Shtëpia e Kukllës" (NORA), si Asistent Regisor i Pedagogut tim Naim Frashëri, ndërsa te "Shumë zhurmë për asgjë " e Shekspirit, në interpretimin e figurave gaztore të rojtarëve të çartur Dogber e Verges, mishëruar prej Robert Ndrenikeës e Miho Gjinit. Tek Ibseni do te ndjeja ndikimin shpartallues të frikës e të asgjësimit të tmerrshëm , ndërsa tek Benedikrti i Shekspirit, harenë shpërrthyese të një jete ripërtëritëse gllabëruese.

Hapja e dy "dyerve"

Për talente fort të rralla, sikundër ishte Bexhet Nelku, me diplomimin e tij, u hapën njëherësh të dyja "dyert": ajo e Teatrit Popullor dhe , e dyta, ajo e Shkollës së Lartë të Aktrimit, me cilësinë e Pedagogut të "Teknikës së të Folurit", rasti më i parë që do të kishte një student i artit, i posa dalë nga bangat e shkollës. Tashmë i aftë për të interpretuar në dramë e në komedi, figura skenike të plota e karaktere, deri në skajet e groteskut, në komedinë-satirë , po edhe të heroit në dramë,-të një personazhi që mba me dinjitet , mendim e emocion "peshën e rolit" po edhe atë të personalitetit njerëzor. U imponua menjëherë në dramëm sociale të Xhemal Brojës, me një nur skenik e përshtatje të hatashme skenike, po edhe me komunikimin mjeshtëror në evidentimin e moralit bashkëkohës në drejtimin e lirisë morale e shoqërore që duhet të ketë individi. Në vitin 1968 Bexhet Nelku do të interpretonte përsëri ndër role të para, këtë herë në dramën-satirë të Dritëro Agollit "Fytyra e dytë" përbri aktorit të madh Kadri Roshi, pa stonuar aspak e pa i'u "dridhur qerpiku", duke patur si partner edhe një aktor viruoz të komedisë, sikundër qe Viktor Gjoka. Roli i tij qe një kandidat -dhëndër që quhej Muhamet, tipi i egocentristit të shkëlqyer, që e "shetë" vanitetin e tii me natyrësinë më të madhe, pa u shtirur fare, në një marrdhënie që sa vjen e ritet. Ai zotron në këto marrdhënie të dyfishta një ironi therrëse e të fshehur nënë " veshjen" e nje intelektuali të ditës, të një zyrtari "me kullare" dhe të një natyre spekullative të kamufluar. Dy vite me mbrapa, do të shfaqej krejt ndryshe, në dramën e Fadil Paçramit "20 ditë", ko do të interpretonte me ftohtësinë e jashtëme të një xhentëlmeni e me shpirtin mizor të një katili, Oficerin nazist SS, me saktësi e lëvizje të prera, me një ritmikë të brendëshme e me sugjestionin zhbirues të një psikologjie të shpejtë. Po në këtë vit, prej këtij interpretimi gati statik, do të kalojë në një figure krejt tjetër, në dramën e dytë të ketij autori: "Ngjarje në fabrikë", duke i habitut partnerët,kolegët dhe spektatorët e tij me një tip njeriu mizerabël, fare pa dinjitet, me përkulshmëri të jashtzakonshme të karakterit, si serviil i paskrupullt. Për të arritur dhe shkëlqimin më të plotë tek komedia groteske e Qamil Buxhelit "I pazëvëndësueshmi", (një inskenim i shkëlqyer i romamit të tij:"Kali i Mbretit dhe kalorës të rinjë"),ku magjia e interpretimit të Nelkut "thyente" me mjeshtëri caqet e ngurta të transformimit të figurës njerëzore normale në një qënie plastike të shfytyruar dhe bosh ,po edhe të lakuar, me përdredhjen e plastikës e të vetëdijs së një "satanai", midis njeriut e kafshës. Niveli i groteskut, megjithatë, nuk krijonte neveri, po një admirim të lartë mjeshtërie, shoëqëruar me satirën e një mprehtësie të rrallë, aq sa , kushdo që ndodhej në sallën e kësaj prove gjenerale, duke përfshirë këtu edhe autorin e ketyre rradhëve , do te tkurrej e mblidhej prej asaj frike te madhe që kishte ndodhur në artin tone skenike , me kërkesën absurde"të mbizotërimit të anëve pozitive të jetës" dhe per të mos dalur nga ai i mallkuari "caku fundor i realitetit", duke e palosur këte spektakël të shkëlqyer të Piro Manit , për të mos u shfaqur më, pas këtij debutimi të pazakontë! "Dera e dytë" që u hap katraash për Bexhet Nelkun qe ajo e Institutit të Arteve. Dega dramatike e aktrimit kishte nevojë të domosdoshme për këtë artist, me një të folur të përsosur, përftuar kryesisht nga vullneti vetiak e dashuria e thekshme për tingëllimin e bukur të gjuhës shqipe. Vërtetë që kishte ndjekur me vëmëndje leksionet e Lazer Filipit, mandejë edhe te Mihal Luarait e të Prokop Mimës që merreshin me lëndën "Teknika e të Folurit", kur klasat tona po shtoheshin nga viti në vit, po edhe nga ajo që thamë : nga dashuria për gjuhen tonë, për të folurën e aktorit në skenë, që ajo të shprehet bukur e te dëgjohet bukur e jo si "miza në qyp",sikundër ndodhte me "dembelët e gjuhës", të cilët nganjëherë a në të shumtën e rasteve, mezi dëgjohen edhe nga spektatorët e rreshtave të para të teatrit. Bexhet Nelku ishte njeri nga këta që, sa hapte gojën në skenë, zërin e tij e merrte edhe spektatori i fundit në sallën e madhe, një aktor që nuk bënte lapsuse, nuk e "gjymtonte e nëpërkëmbte batutën", as ta harronte atë pa e thënë të saktë e të plotë. Po këto kërkesa ai kërkonte t'i arrinte edhe me studentat e tij. Ai kishte si një plus organike të vetën edhe aftësinë e njohjes e të veçimit të të folurit të kujtdo njeriu, duke i "kapur" në ajër intonacionet e zërit. Në rrethet tona të ngushta, Bexheti imitonte me përsosmëri zërin e Kadri Roshit, të Pandi Stillus, të Prokop Mimës, të Lazër Filipit, të Bardhyl Kosovës, të Pjetër Gjokës e të shumë artistëve të tjerë dhe ne e dëgjonim me ëndje, jo pa u përlotur nga ngjajshmëria e hatashme me këta pedagogë të nderuar, gjithsesi. Se imitimi eshtë edhe një art më vete, sikundër qe për ne, në të njëjtën kohë, edhe karikatura miqësore që bënte kolegu tjetër i yni, Bujar Kapexhiu, një vit mbas nesh. Po edhe aftësia e imitacionit e studentit Leka Bungo, për të cilin shkrova komedinë një aktëshe "Humbi Komedia", që ai e interpretoi në Radio- Tirana, me përsosmëri të rrallë, duke cituat fillimisht si interpretues aktorët më të shquar të këtij teatri e duke thënë në fundin e komedisë se "të gjitha rolet i interpretoi Leka Bungo"!

Arti i lartë në filmat e tij

Nuk interpretoi në shumë filma po, ato role që pati, "i qau me lotë". siç thotë populli. Gjithësejt janë tre filma të interpretuar, ashtu si dinte ai: me një qetësi filmike para kamerës, sikur të ishte në "teritorin e vetë", në një referim me vetveten, me hallet e problemet e personazhit. Të tjerë mund të kishin "lojë teatrale"në ekran, po jo Bexhet Nelku. Ai e njihte "gjuhën e kinemasë", kërkesën për një art të vërtetë, bashkëkohës, duke interpretuar personazhin, tretur në vegimet e tij, po brënda shpirtit të tij. Dhe, midis këtyre roleve do të shkëlqente një figurë e veçantë, ku aktori thuajse nuk fletë fare, po "zbulon vetveten", sikundër është roli i oficerit gjerman në filmin"Kur zbardhi një ditë" në vitin 1970. Ai shehë aty fundin e tij si personazh, pa e ditur se do të qe kështu në fundin e karrjerës e në largimin e parakohshëm nga jeta. Figura stoike e oficerit gjerman nuk jepet, edhe pse e shikon realisht të përmbysur një botë që ai e ushqente si të pathyeshme brënda vetes, si ideologji, si supermaci, si forcë e triumf, nga këta "leckaman" që duan të ngrënë urën që ai e ka shkatërruar e që "kanë paturpësinë e krenarinë" që edhe ai të mbajë trarët mbi supe, pë të parë deri në fund edhe fundin e tij. E është i paepur, sikur aty edhe të varrej, në trarët që po ngrinin një jetë tjetër. Një interpretim brilant, model për kinematografinë tonë të re, Po kështu do të ishte, në aspektin tjetër, roli i mësueit në filmin e Viktor Gjikës "I teti në bronx", nëpërmjet të cilit , me mjete të tjera shprehëse, fletë edhe"pa folur" fare, ca ideale më të larta, si edhe një vyrtyt njerëzor, dashuri për ata që nuk e kurrsejnë jetën për të tjerët e që kanë brënda shpirtit të tyre endërra të larta! Ndërsa tek "Vitet e para", personazhi i tij, Aleksi, është më konkret, i thjeshtë e i vërtetë.. Po çe do, iku shpejtë "dermani", se do na kishte dhënë në ekran figura të tjera për "artin e shtatë", që ishte i tij dhe vetëm i tij! Qe koha kur në ekranet tona të kinemasë lejoheshin disa kyevepra botërore, si "Hamleti" në interpretomin e Lorenc Oliverit dhe "Rroftë Zapata", me interpretimin e Marlon Brandos. Bexheti i shihte disa here me rradhe këto filma, sepse nuk ngopej dotë me mjeshtërine e aktrimit të këtyre kollosëve të Artit Botëror, që përcillte vlerat më organike të interpretimit, kur gjithçka duhet ta shprehë syri e vëtëdija e brendëshme e personazhit, -kërkesa këto që përputheshin edhe me parimet e shkollës tonë të re, ku Bexhet Nelku qe e do to të ishte pinjolli më i zëshëm, me siguri edhe Hamleti i peste, ai i vërteti.

Fjalë zemre për shokun e klasës

I doja që të gjithë shokët e klaasës: Bexhet Nelkun, Bernard Kokalarin, Albert Verinë, Mario Ashikun, Serafin Faankun,Sulejman Maton, Pirro Savën e me rradhë. Skuqesha kur më flisnin e më hidhnin dorën ne qafe shoqet e mia te klasës: Edi Luarasi, Filika Dimo, Maxhide Pici, Donika Barçi e Mimika Luca...Pesë prej tyre më quanin edhe si pjestarë të familjes se tyre. I pari qe Bexhet Nelku, po edhe Mario, Filika, Bernardi e Alberti. Një dashuri e parrëfyer ndodhej në shpirtin tonë, tok me vlerat e artit që merrnim për ditë. Na rrethonin njerëz-shenjtorë e artistë të mëdhenjë si Andrea Malo e Andon Pano, si Kujtim Spahivogli e Mihal Luarasi, si Naim Frashleri e Kadri Roshi, si Piro Mani e Esat Oktrova, si Pandi Stillu e Xhemal Broja,,,Thesare të artit e të kulturës, që nuk kursenin asgjë per ne, studentët e parë të aktrimit! Po ky Bexhet Nelku më kishte hapur edhe derën e një shtëpie të vjetër që nuk ishte e tij. Po, tek shtëpia përdhese e Bexhetit në Rrugën Ali Demi, më këputej shpirti. Aty do të gjeja disa dibranë zëmërbardhë, që jetonin thjeshtë e bukur në varfërinë e tyre, edhe pse muret e shtepise e çatia e saj e vjetër dukeshin sikur do rrëzoheshin me sot e me nesër. I ati i tij, një murator duarartë nga Golloborda e Dibrës, që bënte shtëpi për të tjerët nuk e kishte një të tillë për veten e fëmijët e tij. Për më mirë kishte arrdhur në Tirane, ku edhe punonte e ngrinte përditë murre e shtëpi, po nuk qe e thënë që t'a ngrinte edhe për vete një të tillë! Po aty ku i thanë që të futej e të mos "borgjezohej",-sikundër i ishte shprehur një birbo i komitetit kur i kishte vajtur në zyrë,-bëri tre djem, të cilët i riti me të keq e i futi në shkollë të mësonin, që të mos bëheshin murëngritës si ai ! I pari prej tyre qe shoku im i klasës, Bexheti. Bile në një shkollë artistike. Se edhe vetë artistë ishte. Kur unë do të hyja i ndrojtur në këtë shtëpi, Bexheti qe martuar me Semihanë dhe buzëqeshi hidhur. E mua me dukej sikur më thoshte se kështu qe shkruar e s'kishte ç'të bënte tjetër , duke parë me trishtim nga ana e së shoqes, që përkujdesej se si të na rehatoste e ta ndjenim veten diçka më mirë në atë kthinë të botës.. E ketë brengë e hallë të madh, sa malet tona, kjo grua e re do ta ndjente edhe më shumë kur Bexheti u sëmurë rënde e filloi të tretej nga dita në ditë ...Po, kur errdhi në jetë fëmija i tyre i parë, Einari, u brengosë ca më tepër akoma, sidomos kur shokun e klasës e shtruan në Spitalin e Tiranës. Dhe do mbetesha fare pa mëndje, kur do të mësoja me dhimbje se, bashkëshortes së tij besnike, do t'i "binin këmbët", duke vajtur përditë në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës, për të kërkuar shtëpi, për gjëndjen e tyre të mjeruar dhe për këtë artist të njohur dukshëm, deri atëhere, po edhe njeri që tretej nga herë e më shumë.Po asgjë nuk ishte dukur, përveçse shurrdhërisë së pushtetarëve, kur një dite ajo më thotë e alarmuar se Bexheti qe shumë rënd e se më kishte kërkuar të më shihte, para se të largohej nga jeta dhe se ketë,-mu shprehë ajo,- nuk e kishte berë për asnjeri tjetër! Vrapova drejt tij ne Spital dhe e gjeta të shfytyruar shokun tim të bukur, po nuk e bëra veten. I bëra pak humor, nga ato imitimet tona, duke i shtrënguar dorën e zverdhur e duke i thënë se do bëhej më mire e përsëri bashke do ishim,-gjë që nuk ndodhi e mua më mbeti e fiksuar fytyra e tij e tretur në ngjyrën e meitit....

Einari

Ai jetoi vetëm 33 vite,kur i biri, Einari sa kishte mbushur 5 vjeç. Dhe nuk e preku lavdine e të atit, në një kohe fare të shkurtër, po ndjeu dashurinë e përkëdheljet e tij. I mbeti në kujtesë fizionomia e tij, me atë ballë të gjëre, me sytë qiellor dhe me buzëqeshjen e hollë. Po edhe "shuarja e yllit që ndriti" aq pakë! E në këto kushte të jashtëzakonshme, në atë "kthinë" të tmerrshme që kështu ka mbetur edhe sot, për fukarenjë të tjerë...Shtëpinë do t'ia jepnin të ndjerit, jo kur e donte dhe kishte nevojë të jetonte si njeri e si artist , po vetëm disa vite mbas vdekjes. Mbas kësaj gjëme që do të binte tashmë mbi shpinën e prindërve nga Lejçani i Gollobordës, të dy vëllezërve (po aq tragjikë dhe ata!), të nënë Semihasë së mjeruar për fatin që pati , po edhe të këtij fëmije kërthi. "U vra , apo e vranë ?!",-do të pyeste Shekspiri,sikundër e ripërsëriste dyshimin e rëndë edhe i biri i Bexhet Nelkut... Se, nuk qe i vetëm në këtë shkatrrim të madh. Vëllai që vinte pas tij, do të ikte "nga sytë këmbet" e do të kapej në kufi , për të përfunduar në Burgun e tmerrshëm të Spaçit. Ndërsa 10 vite më mbrapa, do ta provonte me sukses arratisjen edhe tjetri vëlla i Nelkajve qe do të përfundonte në Kanada, ku edhe do të vdiste si qytetar i lirë! Rrjedhoja dihej: familjen dibranase të artistit të çquar do ta internonin largë, ndërsa nusja me "kërthinë" e saj të vogël u la e lirë të shkonte tek e ëma,,,Kalvari kishte filluar gjithsesi.Biografia qe prishur! Po Einari do të rritej i vetmuar, i heshtur do të vente edhe në shkollë, ëndrrimtar si i ati do të mësonte edhe muzikë e aktrim.Dhe do të ngazëllehesha kur më tha se ishte student i pedagogëve Birçe Hasko e Niko Kanxheri, që dikur ishin studentët e mi , nga më të mirët! Ku edhe do të dashurohej me shoqen e klasës, Raimonda Sallakun e do të krijonte me të një jetë tjetër. Dhe vetëm kur të ndërrohej sistemi, Einari do t'a gjente e arrinte të gjallë xhaxhain që kishte mbetur në sua, aty ku kishte vajtur, në afërsi të Polit të Veriut. Sa të çmallej me xhaxhanë , po pa e gëzuar edhe atë, duke përfunduar në Kretën Greke, ku edhe u ngujua për shtatë vite të tjera. Edhe pse buzëpasur ky njeri, nuk do t'i ndahej artit kursesi,- këtij pasioni të shenjtë e vdekjeprurës njëhershëm. Kishte mësuar edhe Einari muzikë e aktrim, kishte shkruar edhe kënge e dinte aq mirë t'i këndonte vetë edhe ato, shoqëruar edhe me kitarën e tij , në një formacion të vogël e të intonuar mirë instrumentistësh. Einari sillte diçka të re kur nisi të debutoj si kantautor i kohës, në stilin modern, pa anashkaluar origjinalitetn, po edhe modestinë e një kërkuesi profesionist e të apasionuar..Kishte interpretuar edhe në një film e në një vepër skenike,-bash aty ku kishte interpretuar Ibsenin e Shekspirin i ati, po tani i duhej të shtronte kurrizin , ditën të punonte e natën të bënte muzikë ndër Buzuqet Greke të ishullit, do të krijonte edhe grupin e tij muzikor "Libërt-Ben" ("Zogu Blu") e do të kthehej në atdhe, kur nuk do të mundej më as ai e as e ëma, që nuk numëroheshin sa kishte hequr dhe, do të qe përseri po ky djalë i vetëm, që do t'a përcillte me një dhimbje të dytë, edhe nënën, po aty ku ishte varrosur i ati Bexhet Nelku, në varrezat e Sharrës, ku edhe e kishte kërkuar dhe vetë e ëma, që të ishte përbri të shoqit edhe në "jetën e përtejme"!. E ku ta dija unë i ziu që ta kërkoja emigrantin Einar e t'a gjeja në Kretën e largët, djalin e mikut tim të ndjerë, kur vajta aty, për të parë nje nga mrekullitë shekullit të kaluar: zbulimin e Pallatit Minoan nga një Arkeolog Anglez, që kishte mbetur rrishtazi një pallat ëndrrash, edhe pse kishin kaluar mijëra e mijëra vjetë më parë,- sikurse kishte mbetur akoma në Tiranë, edhe ajo kthina e mallkuar e Bexhet Nellkut, aty në rrugën "Ali Demi", si relikë e mjerimit dhe e tragjedisë njerëzore....

( "Shkruar në Athinë, në kushte LOCK DAWNI, në javën e fundit të jenarit 2021)

55 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page