Xixëllonjkë
Fatmir Terziu
Xixëllon hapësira.
Lëvaret një qiell i larë kristal,
zëprushet fyti i gjatë i lagur në perëndim,
ndër ndenja, ku pagëzohet njeriu me mall,
pluskon shpirti i bardhë intim.
Stërkalat me diamant i vë në gishta,
Barshoshja e larë me ujin qelibar,
mbledh dallgët e i bën plisa,
i terr pastaj mbi Lumbardhë.
Dhe Drini, binjakët e ujtë, ndër gryka,
dashurisht mblidhen në një pikë,
Adriatiku dhe Joni shkruajnë lirika,
me xixllat që të pikturojnë sytë.
E ti më ndez enkas mendimet,
nga shtrati ku nata hiram tretet,
si xixëllonjkë nate që s'trembet,
mallit ngadalë ia zhvesh veset…
Një lirikë tipike terziane, në të cilën natyra e dashuria shkrihen aq natyrshëm në njëra-tjetrën dhe me poetikën piktorike e muzikore gjithë kolor, freski e tingëllim të mrekullon.