top of page

XI : Perëndim apo...?!


XI : Perëndim apo...?!

Novelë-


Pjesa -XI-




11- Tani që Aja ishte në maternitet, unë e çoja vajzën te motra ime e madhe, Erveheja. Linda u bë xheloze për të voglin. Asaj i dukej sikur ne donim më shumë Vladin e vogël. Për këtë arsye, unë e lija atë tek porta e sime motre dhe shkoja në punë, me besimin se ajo do të ngjitej vet lart në shtëpinë e hallës. Sa e shikonte të atin që largohej për në punë me biçikletë, ajo... , vogëlushja jonë e ëmbël kthehej pas dhe vraponte drejt e në spital tek e ëma. Hipte në parvaz të dritares së katit të parë dhe përpiqej të shihte të vëllanë. Më thërriste që poshtë. Unë dilja menjëherë dhe e pyesja. -Po babi ku është? Vetëm ke ardhur? Ajo nuk fliste, vetëm kafshonte buzët e kuqe si qershi dhe ulte kokën, se ndihej fajtore. Pastaj tundte bishtalecat me kordele gjithë naze. Atëhere më vinte ta haja me gjithë veshjen e saj te bukur që dukej si flutur. Më lutej duke pulitur sytë dhe qepallat e gjata që shkonin deri në mes të faqes. Rrinte pa folur, duke u tundur djathtas e majtas, vetëm për të parë të vëllanë -Dua ta shikoj se si është ai? Uaaa, sa i vockël qenka vëllaçkua im! -Edhe ti kaq e vogël ke qenë, po tani je bërë vajzë e madhe dhe e mirë. Ti do të kujdesesh për vëllanë. Si thua, zemra e vogël e mamit?- i fola me ëmbëlsi. Vogëlushja e vështroi me kërshëri të vëllanë, i buzëqeshi ëmbël dhe u largua. - Shpirt i mamit, shko drejt e tek halla, se do të jetë bërë merak. Bija ime e bukur, mos harro t’i kërkosh falje hallës tënde të mirë, -iu luta se mos harronte. Këtë ia tregova Timit, kur erdhi pasdite dhe më solli diçka për të ngrënë. -Zemër, tek e ndiqja vajzën me sy, mendoja me admirim për kunatën time të mrekullueshme, Ervehen. Ajo grua e vuajtur me gjashtë fëmijë, me një rrogë të të shoqit motorristit mjeshtër, Sali Bejkosala, më ndihmon edhe mua duke më mbajtur Lindën. Më shikon me gatimet e saj të veçanta dhe më dhuron dashurinë e munguar prej njerëzve të mi. Kjo është sakrificë e madhe. Nuk gjej dot një tjetër çift më bujar, që të gjendet për çdo rast dhe të mos mërzitet, si ata të dy. Ç’është e vërteta duke përjashtuar familjen tënde që janë me zemër të thyer apo zemërgur, të tre xhaxhallarët e tu më duan shumë. Fëmijët e hallës tënde të Mavrovës, Leko, (Batjari, Fatoshi, Ziau, Lumturia dhe Floresha) më duan dhe më respektojnë. Po kështu dhe ata të hallës së Kaninës, Feridesë, (Avduli, Petritja, Xhina dhe Vitorja). Nga të gjithë këta bën përjashtim Petrite Kapllani, mësuese e shquar, metodiste, e martuar në bejlerët e Imshës me Irfan Karemanin, një zotëri i vërtetë. Ata jetojnë në Tiranë. Madje këtë respekt ruajnë edhe dy djemtë e tyre, Shpendi dhe Fatmiri. Nuk mund ta harroj atë që bëri Petritja, një gjest njerëzor që askush nuk mori guximin për ta bërë. Ajo grua e mençur, fisnike, e shkurtër, me tipare të zeza shumë të theksuara, e veshur gjithë sqimë, ishte e para që e pranoi martesën tonë dhe erdhi në hotel të njihej me mua. Sa më pa, m’u hodh në qafë dhe shprehu admirimin e saj. I lumtë vëllait tim që s’e paska gënjyer syri. Hodhi dorën dhe mori mollën!” -Nuk ke ç'i thua! Është e vërtetë që kushërinjtë e mi të duan me shpirt. Shiko djalin e hallë Refijes nga Hoshtima, Rasimin me bashkëshorten, Sosen, sa mirë shkojnë me ne. -Të gjithë janë njerëzit e tu. Unë nuk kam të bëjë fare me ta. Tani i njoha, por si të tjerët dhe këta të dy, siç janë vetë kanë edhe vajzat, Lubin dhe Linën, të cilat e kanë dashur shumë si Lindën, edhe Vladin tonë...Timi nuk duhet të na vijë keq, as mua dhe as ty për ftohtësinë e njerëzve tanë më të shtrenjtë. Një sjellje si e të gjithë këtyre që janë një shkallë më tej, sidomos e Petrites ka të bëjë me kulturën e familjes. -Po, po... ke të drejtë. Petritja ishte e bija e Refat Kapllanit, që kishte studiuar në universitetin e Stambollit, pionier i themelimit të muzeut të Vlorës. Ai kishte në krah hallën time, Feridenë e mençur, një grua e zgjuar dhe nismëtare për emancipimin e të rejave. Hallë Ferideja dhe e bija, Petritja ndikuan që vajzat e Kaninës të shkonin në shkollë bashkë me djemtë në një klasë. -Pikërisht për këta njerëz kam respekt dhe ruaj mirënjohje të thellë. Këtë ndjesi kam dhe për familjen e Ali Alizotit që ishte nga treva e Çamërisë. Sepse si për vajzën dhe për djalin na kanë ndihmuar shumë. Madje ne shkonim në ekskursione edhe dy-tri ditë, apo dilnim mbrëmjeve dhe fëmijët i mbanin ato. Nuk mund të harrojmë kujdesin e veçantë të nënë Havasë apo Kadries, pa lënë mënjanë dhe Parashqevinë (Paçin) komshinë, me të cilën ndanim hapësirën e shtëpisë. Ajo fliste, kurse unë mendoja dhe reagova. -Të njëjtin mendim kam edhe unë, megjithëse kemi patur dhe njerëzit e mi që nuk i hedh dot poshtë, po...,jo se nuk na duan, por këtë mentalitet të vjetëruar mbartin ende.Vitet kalonin. Vladi rritej i shëndetshëm dhe kishte sjellë gëzim në familje. Sa kishte mbushur 6 muaj, si familje u nisëm për në Tiranë. Aja do të mbronte diplomën me një temë historike. Nga tri temat e paraqitura, ajo përzgjodhi njërën që kishte më për zemër, “Krahina Autoktone Jugore”. E kishte postuar me kohë punimin në katedër. Kur mbërritëm, iu lut shefit të katedrës që ta thërrisnin për të demonstruar qysh në fillim se kishte një fëmijë të vogël në duar. -Ti ke foshnjë?! Ti je nënë?! E pabesueshme! Po ti je fëmijë për vete?! -i tha kryetari i komisionit. -Unë kam dhe një vajzë 8 vjeçe që mbaron klasën e dytë, profesor,- i tha ajo dhe nisi të flasë rreth temës. E paraqiti temën. Mori urimet më të mira dhe vlerësim maksimal nga komisioni. Prof.dr.Korkutit nuk iu durua dhe e përgëzoi: “Jam i befasuar dhe i gëzuar që një studente nënë me dy fëmijë ka paraqitur një temë dinjitoze të pjekur shkencërisht dhe të saktë hisorikisht. Urime dhe suksese në jetë! Ky sukses në vend që ta gëzonte time shoqe, e dëshpëroi. Aja e dinte që ky rezultat nuk do të sillte asnjë ndryshim në jetën e saj. Ajo ishte vënë në rreth të kuq, nga i cili nuk dilte dot në atë sistem të egër e mizor që kishte gërryer e tjetërsuar jetën dhe vet njeriun. Pas disa javësh atë e kërkonte Zv/kryetari i Komitetit Ekzekutiv, Eqerem Kallfa. - I dashur, po shkoj njëherë. Të shoh se çfarë xhevahire do më përrallis ai... Pa e zgjatur, u nisa. I dhashë emrin sekretares, e cila telefonoi dhe më udhëzoi të ngjitesha në katin e dytë, dera në mes të ndarjes së shkallëve. Trokita dhe prita sa dëgjova të më thërrisnin. Hyra brenda dhe përshëndeta... -Eja vajzë, ulu!- foli butësisht. Ishim përballë njëri-tjetrit. Unë theva heshtjen e para. -Më kishit kërkuar...? -Po, është e vërtetë. Ju thirra se ti ke bërë një kërkesë. Në çast fletushkën që kishte në dorë, e la mbi tavolinë. -Kërkesë?! Unë?! Unë u kam bërë kërkesë juve?! Kurrë...,- iu përgjigja e tensionuar dhe me zë të lartë. Ndërkohë zgjata dorën mbi tavolinë dhe e rrëmbeva fletushkën. I hodha vetëm një sy. -Më vjen keq, po unë nuk di të kem bërë ndonjë kërkesë, nuk di... Ju lutem, mos gënjeni veten, se mua nuk më gënjeni dot! Kërkesën e ka bërë dekani dhe jo unë. Nga se janë nisur, për këtë duhen pyetur ata. -S’është nevoja të pyes, kur të njoh me rrënjë e dhëmballë. Babai yt e bëri si lopa, po kështu dhe ata të nënës tënde. Ju keni dy të vrarë. Xhaxhai yt mbeti në Mat’hauzen, kurse dajua yt u vra në Sanxhakbej të Kosovës, është dëshmor i atdheut. -Atëherë?...Pse s’merrni për bazë anën pozitive të familjes sime, po merrni atë negative?! Im atë, nëse bëri ‘gabim apo faj’, siç e quani ju, e kreu dënimin e tij me burgosje. Heqja e lirisë për 14 vite, ishte dhënie llogarie. Ju kujtoj se unë duhet të jap llogari vetëm për vete dhe për askënd tjetër. -Të dy palët, si të babait dhe të nënës tënde, ishin me luftën çlirimtare, pastaj ndihmuan armiqtë e popullit dhe pikërisht ata që vrau partia. -Ishin nipërit ata, djemtë e motrës, a duhet t’i mohonin? Jo! Ne, sëra jonë jemi të besës dhe kemi dinjitet. Ne nuk e mohojmë dot familjen. Ju nuk keni si ta dini. Virtytet e fisnikërisë të trashëguara ndër breza janë ato cilësi që na ndajnë nga ju si klasë shoqërore, sepse ju i mohuat ato tradita të bukura të të parëve tanë. - Po e zëmë se po marrim anën pozitive dhe ty të emërojmë mësuese historie. Po, a je në gjendje vallë dhe a e bën dot ti, luftën e klasave? -Pse duhet ta bëj unë këtë luftë, kur ju keni sigurimin e shtetit dhe një armatë të tërë "të 80 lekshit" që ua sjellin të ngrohta lajmet ashtu si u intereson juve, qofshin këto të vërteta, gënjeshtra apo të sajuara? Veçse, unë di se si bëhet kjo luftë e egër, se e kam hequr dhe po e heq mbi shpinë. Më vjen keq, se po humbisni

kohën kot së koti, pasi unë nuk kam nevojë për punën tuaj. E di mirë vendin që më takon. Ndërkohë u ngrita, dola duke përplasur derën dhe zbrita shkallët me nxitim. Jashtë ndërtesës, mblodha disi veten dhe u nisa për në shtëpi. Timi më vështroi gjatë me dhembje shpirtërore, e mori me mend dhe nuk foli fare. Pas pak ai m’u drejtua mua, kurse unë nisa t’i tregoja. -Të lutem, jo sot. Një herë tjetër, kur të jesh e qetë. Tani vishuni se do dalim për qejfin tonë. Do të festojmë diplomimin tënd. - Çfarë...?! Kurrë! Në çast e mora punimin dhe e hodha te soba e ndezur. Mora dhe diplomën. Por kur po matesha ta hidhja, ma rrëmbeu i dashuri im nga dora. -Mos kujto se nuk do të vijë një ditë që kjo diplomë do të të duhet... Bota është si portokalli. Mos e harro kurrë këtë! Ma hoqi me forcë nga dora dhe diku e fshehu gjithë kujdesje. -Mirë, mirë. Dalim tani? Morëm Vladin si topçe me karrocë dhe ikëm të katërt. -Ku ka lumturi më të madhe se kjo që shohim tani? -Është e vërtetë, këta dy yje që na ndriçojnë rrugën tonë gjithë pengesa, janë pasuria jonë më e madhe. Ata nuk krahasohen me asnjë thesar të botës. T’i kemi me jetë dhe me shëndet! -Ke të drejtë... E kemi të mirën para syve dhe nuk dimë ta vlerësojmë. Jeta është e vyer. Zoti duke na falur jetën, na ka dhuruar gjithçka. Kur ke jetën, të pamundurën e bën të mundur edhe natën e bën ditë. Kur jeta të është mohuar, atëherë nuk ke se çfarë të bësh. Ndaj ta duam jetën sidoqë na vjen. -Shkojmë në barlulishte? Si thoni? -Pse jo...- iu përgjigja. Në atë çast dëgjuam një zë që i fliste vajzës. -Ktheva kokën dhe vura re xhaxhi Axhemin. Linda u shkëput nga ne dhe iu hodh xhaxhait të të atit në qafë. -Ushtar, (kështu i fliste të nipit), nga rrugë e mbarë kështu? -Këtu rrotull. Xhaxhi eja edhe ti me ne, - iu lut Timi. -Unë isha nisur për tek ju se gruaja ime ka zier një tenxhere të madhe me kocka. Ejani, mos ma prishni qejfin as mua dhe as Shyretes, se më porositi sa e sa herë për ju. Ndërkohë unë luaj pak me fëmijët, sidomos me këtë topolakun e gjyshit. Linda nguli këmbë, se vajzat e xhaxhait Doloreza, Nela dhe Donika e doni shumë atë. Qysh kur ishte e vogël, e nxirrnin çdo ditë me karrocë.Pastaj na u drejtua të dyve: -Babi, mami..., shkojmë te xhaxhi, se atje nuk na duhen lekë, kurse në lokal...Ju lutem! U kthyem në shtëpinë e bukur të Xhemit. Duke u marrë me kockat, filluam bisedën e jetës sonë të vështirë në një hapësirë të vogël që na merr frymën. -Xhaxhi, tani ne jemi katër persona që jetojmë në një dhomë dhe 7 persona është bërë familja e vëllait të Paçit. Jemi 11 veta që futemi në një portë dhe që përdorim të njëjtin tualet të përbashkët. Zgjerimi i strehimit për të dy familjet është bërë domosdoshmëri. Unë kam vite që gjatë natës punoj në ndërtimin e pallatit të ndërmarrjes me kontribut vullnetar. U mbarua ndërtesa e parë e nuk na dhanë shtëpi. Tani sa ka mbaruar dhe pallati i dytë, të shohim. Do t’na japin vallë? Ku i dihet? -Nipi im, nga “këta” mund të presësh çdo gjë...,- përfundoi Xhemi duke dalë te porta, ndërsa po na përcillte. Nuk i ndahej shpirti nga të dy fëmijët. Pastaj ai u mendua një hop dhe na ndali... -I shikoni ata të dy, se sa të qetë dhe të qeshur janë? Janë të lumtur si fëmijë dhe të padjallëzuar, por janë lumturi edhe për ju apo shlodhje për ne të moshës së tretë. Gëzojuni atyre! Mbushuani jetën me shpresë, me gëzim dhe lumturi! Ata do të jenë e ardhmja, ndaj i rritni të shëndetshëm, me dashuri, me atdhetari dhe me edukatë! Këtë kërkoni nga jeta! Të tjerat që vijnë më pas, rrjedhin si gurrat tona të pashtershme


7 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page