Xhuljeta Kulla: PËR DASHURINË
- May 7
- 7 min read

Them se kjo ka qenë kryetema e poezisë të këtij planeti.
Dashuria na ka sjellë miliarda e triliarda romane, drama, vjersha, këngë, deri dhe epitafe prekës mbi gurë të mermertë.
Unë kam lexuar shumë pak prej tyre. Por marr guximin dhe kapërcej paturpësinë, të krahasoj verbërisht e të them se askush nuk do të ketë shkruar për dashurinë, një vepër më të bukur se kjo e Pëllumb Kullës, shokut tim të jetës.
Është kjo që kam dëshirë ta postoj në faqen time të fb, një tregimth, që ai e shkroi në një natë dimri.
Nuk është për dashurinë tonë… Unë nuk kisha ardhur ende në jetë kur pat ndodhur ngjarja që ze vend në këto faqe.
Ju uroj lexim të mbarë:
LEJLEKËT NUK VIJNË MË
Pas arratisë së njëherëshme përtej kufirit, të atyre tridhjetegjashtë djemve, gjëndja në fshat u rëndua shumë. U arrit deri aty, sa njerëzve u kërkohej llogari edhe kur e hidhnin vështrimin drejt kufirit, prej nga ia mbathën ata.
“Mos i kullot sytë aqë shumë andej nga mali, se do gjesh belanë me Rakon, o i zi!” u thoshin banorët njëri tjetrit.
Rako Baruti, Kryetari i Këshillit, nuk ndeshte
njerëz që t’ia kundërshtonin përfytyrimet e veta.
“Hë-hë, e di mirë unë, se ç’mendoni ju!” u thosh ai i sigurtë.
Një sy që nuk sheh thellë, nuk vinte dot re ndryshimet dhe dukej sikur ai fshat ishte dhe do të mbetej ashtu përjetësisht: po ato shtëpi, po ato rrugë, po ato udhishte, po ata plepa buzë përroit, po ajo shtëpi e madhe e xha Sulit, me tri kate në mes të fshatit, me atë çatinë e lartë, ku mbetej e përhershme çerdhja e lejlekëve, që vinin çdo pranverë dhe iknin kur ftohej vjeshta.
Lejlekët nuk e ndjenin ndryshimin e bile, pas shtegtimit të tyre të fundit ata as vunë dot re, se xha Suli qe pushkatuar dhe poshtë oxhakut, ku ata ngrinin folenë, nuk pat mbetur asnjë nga të zotët e shtëpisë. As të rritur e as çiliminj! Ishin internuar, shtëpia u ishte shpronësuar dhe në të qenë vendosur zyrat e Këshillit të fshatit.
Lejlekët!.. Ama kishin një bukuri që të pikonte në thellësi të shpirtit pamja e atyre shpendëve, me ato këmbë të gjata, me pupla të bardha e sqepa të verdhë një pëllëmbë dhe më shumë! Ata ishin stolia e beharit. Dukeshin si një shëmbëlltyrë e zellit të punës aty, në pikën më të lartë të fshatit, tek rrinin orë të tëra duke ndrequr folenë e vjetër, pa përtuar që ta nisnin edhe nga e para: një fill kashtë e thurrnin më të majtë, një më të djathtë, me një fill krisjesh mbyllnin një vrimëzë që të mos fuste erën që sillte ajo gryka mes maleve. Nganjëherë fluturonin për të gjetur kashtën të dy tok, e nganjëherë, për këtë farë qeresteje, bridhte vetëm njëri, ndërsa tjetri bënte punën e thurrësit, atje përmbi kulmin e çatisë. Kur fshatarët ktheheshin nga arat, lejlekët vazhdonin të punonin akoma para syve të tyre.
Aty, në majë të çatisë, në sy të tërë fshatit, lejlekët bënin edhe dashuri. Fërkonin plot hir sqepat e lodronin njëri me tjetrin në një takim të zgjatur. Mashkulli niste lehtë dhe ëmbël t’i shpushpuriste shoqes pendët e buta të gjoksit, ato më të pangarat nga rreshje, spërkala, apo sqepa të tjerë. Avash-avash, ai i zbriste femrës nën gushë sqepin e tij ledhatar, teksa ajo shtrinte të vetin drejt qiellit të kaltër që kishin mbi krye. Pastaj ajo striqte zgjatur krahët, si të desh të mbulonte me ta, çatinë e shtëpisë nën vete. Gugatjet e rënkimet e thella të kënaqësisë dëgjoheshin që shumë shumë larg. Pas ca ditësh femra lëshonte vezët, që i vendoste me kujdes në mes të folesë. E menjëherë niste e rrallonte daljet në çift për ushqim dhe kashtë. Rrinte e gjora, kujdesej për vezët, sidomos kur në radhën e muajve të beharit gjente vend ndonjë ditë e ftohtë dhe e lagësht, që mund t’u bënte dëm lejlekëve-bêbe, të cilat priteshin të çanin lëvozhgat e vezëve.
Për fshatin ata lejlekë ishin më shumë se dy zogj të hijshëm shtegtarë. Ishin edhe më shumë se dy modele puntorësh e më shumë se dy shëmbuj dashnorësh, që në këtë fshat viheshin re jo rrallë me një botëkuptim thuajse qytetar. Por kohët e fundit njerëzit i shihnin lejlekët me respekt dhe cmirë edhe për atë që ata hidheshin lirshëm përmbi kufinj, shkonin aq larg sa u hante syri dhe u mbanin krahët. E mbi të tëra, të zilepsnin me atë lirinë e llojit të tyre, që kurrë më parë në këto anë, nuk kish qënë kaq e dëshiruar.
Lejlekët ia behnin në fillim të verës si dy ëngjëj të shpresës. Malli për njerëzit e arratisur që nuk dërgonin as hapur dhe as fshehur lajme mbi vendin ku ndodheshin, nëse ishin shëndoshë e në rronin a s’rronin, bënte që lejlekët të shiheshin si lajmëtarë nga ato vende të ngrohta e të bekuara, ku mendohej se ikanakët kishin gjetur strehë. Nënat, të cilave nuk u mjaftonin orët për të qarë djemtë e ikur, rrinin në parvazët e dritareve dhe humbisnin në soditjen e lejlekëve të ardhur që nga ai andeji i vagët dhe i panjohur.
Kur lejlekët nxirrnin zogjtë e vegjël dhe i mësonin për shtegtim të gjatë, që ishte në të nisur me sot me nesër, nuset e reja me shtretërit e mbetur bosh, mbështetnin ballët mbi xhama dhe u murmurisnin lejlekëve porosi dhe betime për pritje sado të gjata të ishin ato.
Në ata mëngjeze të shurdhët, kur zogjtë e bardhë shtegtarë kishin marrë pas pjellat e tyre të atij viti dhe kishin nisur flurudhën e gjatë duke e lënë bosh folenë e madhe në majë të fshatit, fëmijët hidhin tej jorganët e u suleshin dritareve:
“Uaa! Paskan ikuuur!… Mama, kanë ikur vërtet?”
“Ikën bir, ikën,” thoshin mamatë me psherëtima duke hedhur trikot krahëve, sikur ikja e shtegtarëve t’u kish hapur portat thëllimeve.
“Po do të vijnë, përsëri, ëh?”
“Po sigurisht që do të vijnë, o bir i mamasë! Ata gjithmonë kanë ardhur. Këtu ata kanë shtëpinë e tyre. Si të pasurit, që kanë nga dy shtëpi: një për verë dhe një për dimër. Të pasurit i kanë këto lehtësira. Ata lëvizin pa frerë, shohin më shumë nga bukuritë, që thonë se ka bota. Për të kapërcyer kufijtë, ata kanë krahë të fortë dhe lejët me pashë.”
Pas atij fluturimi të trishtë, njerëzit sikur plogështoheshin, qielli ngrysej dhe hallet dukeshin edhe më të rënda.
Por vinte pranvera, ngrohej moti dhe një mëngjez të ri, fshatarët hapnin sytë e shikonin lejlekët këmbëgjatë, që kishin ardhur prapë e kishin nisur drejt e nga puna për ndreqjen e folesë. Nënat duke përmbajtur gëzimin e duke shijuar që më parë brohorimat, u hiqnin vogëlushëve mbulesat dhe u thërrisnin:
“Ngrehuni! Mjaft fjetët! Kanë ardhur lejlekët!”
Veçse vitet e fundit lejlekët nuk kishin mundur të nuhatnin se rreth ikjeardhjeve të tyre frynin erëra të liga. I pari i fshatit, Rako Baruti, kish nisur t’i urrente shpendët. Po i urrente pikërisht për atë shkak që fshatarët e tjerë mezi i prisnin. Nuk e duronte dot këtë gjallërim të beftë të fshatit. Me ardhjen e çiftit të lejlekëve, njerëzit sikur trimëroheshin: kundërshtonin më shumë, qeshnin më shumë dhe këngët nëpër fshat nuk kishin të pushuar! Në të kundërt, shtegtarët Rakos i dukeshin si postjerë që diç shpinin dhe sillnin, që krijonin ca lidhje të pakuptueshme me ata maskarenjtë, që patën braktisur atdheun dhe kishin marrë andej rrugën e tradhëtisë.
Ja, Kryetari e ka hak mallkimin për atë, që u bë shkak, që lejlekët në atë fshat, nuk u dukën kurrë më.
Një ditë Rakoja pat thirrur atë teleshmenin, Bobo Rredhin.
“Dëgjo, Bobo!” i tha. “Dua të më bësh një punë nesër: këta shpendët që i kemi bela këtu mbi kokë, do hidhen poshtë nga lumi që të hanë e të pinë dhe të sjellin bar e kashtë. Ti do të më gjesh një djalkë të vogël e të ma hipësh mbi çati. I thuaj të më zbresë nga foleja vezët, që ka lëshuar ajo stërgesha.”

Të nesërmen ish kohë e mirë e ashtu u bë. As gjysmore kacavjerrje e vezët ishin në dorë të Rakos. Ky largoi çunin e i tha Bobos t’u jepte vezëve një të zjerë, e pastaj t’i shpinin ato prapë në fole. Po të nxitonin ama, se lejlekët mund të vinin nga minuta në minutë!
Edhe kjo porosi u krye. Çunaku nuk mori vesh se çfarë u punoi Rakoja vezëve, kurse Boboja, me porosi, i vuri gojës një kyç të madh. Kështu që në fshat kjo hile u muar vesh vite më vonë, kur lejlekë nuk po dukeshin më.
Filloi moti të ftohej. Femra nuk po e braktiste më folenë. Gjithë ç’ish për të ngrënë dhe për të pirë ajo i merrte nga shoku i saj. Ngrohtësia prej klloçke nuk u mjaftonte më vezëve. Nën barkun e saj femra bardhoshe nuk po e ndjente hiç atë gjallërinë e jetës, që lëvrinte zakonsht nën cipëzat e holla. Çifti i lejlekëve po haeshin me kohën. Vitet e tjera, në këtë muaj, lejlekëve të rinj u ishin forcuar krahëzat dhe ata fluturonin pas prindëve përmbi shtëpitë e fshatit në përgatitje për shtegtim.
Edhe banorët e nuhatnin turbull, se diçka po ndodhte me lejlekët e tyre. Këtë vit ata nuk po shikonin zogjtë e rinj dhe mbi fshat vërtitej në vetmi vetëm mashkulli. Femra nuk shkulej nga foleja. Kuptohej që diçka pat ndodhur me vezët, por askush nuk dinte të thosh se çfarë. Bile, të shumtët mendonin, që me këtë të ftohtë që po afrohej lejlekët duhej t’i braktisin vezët dhe të shpëtonin vetë. Asnjëri nuk mbante mend më parë të tillë përkushtim të lejlekëve-prindër për zogjtë e vegjël, që duhej të kishin dalë. Kjo ishte e pashpjegueshme.
Shtërngoi e ftohta. As mashkulli nuk ngrihej më nga foleja tani dhe që të dy, nuk deshin as të hanin as të pinin, pasi një gjë më e rëndë se etja dhe uria i kërcënonte. Procesi i jetës kishte marrë një të çarë të thellë. Mashkulli u ul dhe u ngjesh pranë femrës, për t’iu bërë krah, për ta mbrojtur nga veriu që kish filluar të frynte pa mëshirë.
Njerëzit e ndiqnin me ngërç këtë dramë të shpendëve të bukur që prej dhjetëra e dhjetëra vjetësh vinin e lumturonin fshatin.
E ftohta u bë më e ashpër. Tanimë as lejlekët e mëdhenj nuk mund të shtegtonin dot. Ata, bile, as edhe po lëviznin më.
Pastaj qiejt mbi fshat nisën të zbraznin dëborë dhe avash avash lejlekët që nuk e patën njohur kurrë borën, u mbuluan prej saj…
…………………………………………………………………………………………
Nxjerrë nga romani “Lejlekët nuk po vijnë më” (2003)








Comments