top of page

XHEVDET SPAHIA DHE BUKURIA E ARTIT TË TIJ ABSTRAKT




SHPENDI TOPOLLAJ


Këto ditë, publiku artdashës fierak, pati rastin të vizitojë ekspozitën e çelur nën kujdesin e Bashkisë, të piktorit kosovar, pedagogut Xhevdet Spahia. Kjo ekspozitë që u mirëprit ngrohtësisht, u shoqërua edhe me promovimin e albumit të tij me tablotë më të arrira ndër vite. Me këtë rast, po botoj shkrimin tim shoqërues të këtij albumi, ku shfaqin simpatinë dhe vlerësimin e tyre edhe personalitete të tjera të artit tonë.

I mirënjohur anë e kënd trojeve shqiptare, piktori Xhevdet Spahia, pasi ka shpërfaqur talentin e tij në një sërë ekspozitash, me atë që ne quajmë pikturë tradite, dhe pasi ka provuar disa nga izmat e praktikuara nga mjeshtrit e impresionizmit (Mone, Pisaro, Dega), dhe ekspresionizmit (Van Gog, Mynk, Gogyin), ja ku paraqitet tani, me një koleksion krijimesh të reja, të gjitha sipas parimeve të artit abstrakt. Nismëtari dhe teoriku i kësaj rryme, ruso - francezi Vasilij Kandinskij (WassilyKandinsky), qysh një shekull më parë, shtroi pyetjen se “a nuk mund të bëhej më i pastër arti po të mënjanonte subjektin dhe po të mbështetej vetëm në efektet e toneve koloristike e të trajtave?” Ja, këtë ka synuar edhe profesor Xhevdeti, edhe pse ende publiku ynë nuk e ka bërë të vetën mendimin se përveç asaj pikture që të shlodh dhe të vë në mendime trurin, është edhe një lloj tjetër, që të gudulis e kënaq shpirtin. Kjo e dyta, duke qenë aspak e lehtë për piktorin, kuptohet që është akoma më e vështirë për t`u kuptuar nga ata që e sodisin atë. Mirëpo, sot, kur veçanërisht Evropa, jo vetëm e respekton, dhe e pëlqen këtë lloj arti, por edhe e kërkon atë, lëvrimi i kësaj lloj pikture është bërë më se i domosdoshëm. Dhe pa tjetër që për ta realizuar këtë, nuk mjafton vetëm talenti, por duhet edhe guximi. Dhe është fat që te z. Xhevdet Spahija të dyja këto cilësi, janë shkrirë e janë bërë një e vemte. Pra, artistë si Xhevdeti me shokë, pa frikë mund të quhen pionierët e abstraksionizmit në kulturën mbarëshqiptare. Qysh kur lindi ai arti rebel, të paktën nga Cezanne e deri te P. Picasso, të gjithë e pranojnë se si piktori, ashtu edhe ai shikuesi i veprave të tij, kanë nga dy palë sy; ata të ballit dhe ata të shpirtit. Kësaj radhe, Xhevdeti ka preferuar ta shohë atë që krijon me penelin e tij, me sytë e shpirtit. Ai, nuk del jashtë studios që të hedhë në telajo natyrën. Jo, ai duke i besuar përvojës dhe fantazisë së tij, ka zgjedhur të luajë me të dhe duke i qëndruar besnik piktorit muzikant Paul Klee, nuk planifikon, por e nis dhe e lë të rritet vetvetiu tabllonë e tij. Xhevdeti e di mirë se kushdo që do t`i shohë pikturat e tij, sado i vëmendshëm që të tregohet, nuk ka për të mbajtur mend asgjë imtësisht. Madje, ka rrezik që ai t`i ngatërrojë ato, dhe aty për aty t`i duken jo të motivuara. Por piktori ka bindjen se kushdo prej tyre, do të ndihet mirë estetikisht, do të mbetet i përfshirë nga magjia e ngjyrave, nga harmonia e tyre, nga ndriçimi vezullues që ato rrezatojnë, që ashtu si notat e muzikës, kanë kodin e tyre të deshifrimit. Vërtetë poshtë tyre nuk ka diçitura, por ç`rëndësi ka kjo, kur vetë shikuesit i nxitet fantazia. Dhe njeriu, ose më drejtë psikika e tij, kështu është ndërtuar. Ai ka aftësinë të përfytyrojë. Dhe askush nuk e pengon atë t`i vijë ndërmend bukuria e vendlindjes së tij, rrugët e shtruara me kalldrëm, tymi që del nga oxhaqet e shtëpive, apo ajo qeshia që lulëzon në pranverë, pranë gardhit. Kurrë nuk duhet harruar misteri, bukuria dhe forca joshëse e të pashpjegueshmes. Të krijosh të tilla efekte te të tjerët, është arritja më e mrekullueshme për çdo artist. Dhe kam parasysh ata artistë që e kanë përjetuar momentin e krijimit, ashtu sikurse pohonte në një letër Van Gogu: “emocionet nganjëherë janë aq të forta sa që punon pa e ditur se punon… kurse penelatat vijnë njëra pas tjetrës me një rregullsi e vazhdimësi të tillë, si fjalët në një letër apo në një ligjeratë”. Ja pra, ngaqë ka punuar me të tillë emocion, seriozitet, dashuri e përgjegjësi, profesor Xhevdet Spahija, ja ka mbërritur qëllimit: jo vetëm të kënaqë ata që i kundrojnë peizazhet e tij në dukje të rrëmujshme, por edhe do të shtojë dashamirët e këtij arti ende në hapat e para mes shqiptarëve. Fundja “Se non e vero, e ben trovato”. Pra, “Nëse nuk është e vërtetë, është e gjetur bukur”.

42 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page