XHEVDET NURI, NJË MODEL I QYTETARIT KORREKT
-një shkrim i vogël me dashuri të madhe-
Albert HABAZAJ
Paraqitje qytetare. Jemi mësuar të lexojmë shkrime që bëjmë “bum”, ose, larg qoftë kronika të zeza. Ndërkohë, rrjedha e jetës bën të sajën përditshëmrisht, sikurse kohërash. Jetë e zakonshme, me standarde qytetare, qysh nga zgjimi i mëngjesit në gjumin e natës. Mund ta quajmë natyrë e qetë qytetare, jo si në pikturë, por me dinamikën e saj, me të pritura apo edhe me të papritura të mundshme. Në këtë rrafsh, çdo njeri ka një libër me titullin Libri i Jetës. Libri mund të jetë i thënë apo i pathënë, i shkruar apo i pashkruar, i botuar apo i pabotuar, ndoshta mund të botohet, por ndoshta dhe nuk mund të botohet. Ky libër mund të ketë disa faqe deri në qindra apo vëllime të tëra, me kre, me pjesë. Veçse faqja e parë e këtij libri është korrektesa. Të tjerat vijnë pas saj.
Përse e bëra këtë parantezë? Kam rreth një gjysmë shekulli që njoh mirë një njeri të mirë, që nuk ka bërë “bume”, si personazhet e autorëve apo heronjtë e gazetarëve tanë. Dhe thashë të shkruaj dy fjalë për të, duke menduar se shkruaj për qindra dhe mijëra qytetarë të ndershëm, veprimtarë të dinjitetshëm dhe familjarë shembullorë. Personazhi i këtij shkrimi të thjeshtë është po ashtu një qytetar i thjeshtë. Ai quhet Xhevdet Nuri i cili më 25 maj 2023, sipas dokumenteve të gjendjes civile, mbush 80 vjeç, por ne në Vlorë na ngjan si një 50 vjeçar i qetë, i matur, i pjekur, fjalëmbël, punëmbaruar, shoqërisht i papërtuar, vëlla i sakrificës për të tjerët. Nuk ka bërë heroizma, por nuk është e nevojshme të bësh heroizma, kur nuk duhen. Ai është një njeri shkollë edukimi për qytetarët, bashkëmoshatarët apo dhe brezat që ngrihen. Si ajo bleta që vjen nga kullota e luleve të stinës e ngarkuar me polen, edhe Xhevdeti, vlonjati ynë i nderuar, çdo ditë del nga shtëpia, i prirur për pjesëmarrje aktive dhe të dobishme në veprimtari atdhetare - kulturore në biblioteka, në shkolla, në natyrë a në mjedise me shoqëri të dëlirë dhe edukon bukur me fjalë të ëmbël, të dashur, të pastër e prindërore. Ndihet mirë, se kur hap derën e hyrjes, “planin e punës” e ka të regjistruar në mendje, në shpirt, në tru dhe kur kthehet në shtëpi tek Diana dhe i “raporton” për mbarëvajtjen ditore. Ta ka ënda ta shikosh tek lëviz në qytet, tek shëtit i mbushur me mirësi e virtyte, tek ligjëron e vepron e ne na duket si një shtizë flamuri në lëvizje. Dhe në çdo rast, shembull thjeshtësie. Mburrklat dhe hipokrizinë nuk i ka thjesht inat, ndjen neveri për këto vese.
Ditarë me ngjyrat e jetës shkruar. U shpreha pak më sipër për librin e jetës. Patjetër që ai libër ka shumë faqe, kjo është relative. Çdo faqe natyrisht që është e ndryshme nga tjetra. Faqja e parë e këtij libri është e duhet të jetë korrektesa. Pikërisht këtë element e gjeta të mishëruar edhe tek një vlonjat, miku im i vjetër. Xhevdet Nuraj quhet e banon në thelb të Vlorës, në lagjen “Lef Sallata”. Ai sot është pensionist, por simbioza e tij është uniforma e blertë dhe zemra e bardhë, të cilat i ruan si kujtimet më të bukura të jetës, zbukuruar nga një stoli e rrallë, siç është korrektesa dinjitoze. Njeri korrekt deri në përsosmëri do ta cilësoja Xhevdetin, njeri me virtyte dhe qëndrueshmëri në fjalën që jep dhe veprimin që kryen. Dhe mendoj se kjo cilësi e tij motivohet se ai, në kuptimin e mirë fjalës, ka në deje gjak fisnik, gjak bilbilenjsh. Pulson dhe fryma e lartë e kapedanëve të paulur kundër Tanzimatit Lulo e Muk Bajramit në qenien e stërnipit. Me shikim përpara, serioz, fytyrëbardhë, trupdrejtë si bredh i gjatë e i plotë, me hundën si shkabë, Xhevdet Nuraj formaton portretin tipik të labit tradicional. Nuk kam ndëmend që në këto radhë të vizatoj portretin jetësor të këtij njeriu, me dallgët, furtunat e lulëzimet 80 vjeçare të 50 vjeçarit tonë, por për tre gjëra të veçanta që kam vërejtur në shpirtin e tij dua ta përgëzoj me respekt edhe nëpërmjet faqeve të shtypit të shkruar dhe atij on line.
I kam bërë vizitë në shtëpi disa herë dhe më ka pritur me gjithë të mirat, edhe me votkë speciale, ruse, edhe me raki 19 vjeçare etj. etj. Kjo nuk ka të bëjë fare me atë që dua të vlerësoj te Xhevdeti, se labi në veçanti e ka natyrë të jetës familjare bujarinë, si finalizim të mikpritjes tradicionale. Si çdo shqiptar i mirë, xhanëm.
Te Xhevdet Nuraj dallova tre elementë me vlera, tri cilësi të larta, të duhura njerëzore:
Cilësia e parë: Që në fillim vërejta tek ai admirimin për Bilbilenjtë deri në adhurim hyjnor për ta. Dy nga ata, kapedan Lulo e kapedan Muka janë gjaku i tij, të cilët luftuan të organizuar në një çetë e armatosur, rreth viteve 1850-1860 dhe kanë kryer një aktivitet të gjerë e të dëgjuar në të gjithë krahinën e Labërisë dhe në disa zona të tjera të Jugut, krahas Biblil Shakos, Bilbil Resulit dhe kapedanëve te tjerë me histori e me këngë.
E dyta, dhembshurinë e ëmbël dhe dashurinë e madhe për nipin e tij të vogël... ai tashmë është burrë por për gjyshin ngjan ...si rruazë vese në prill. Gjeneral Nuraj e ka pagëzuar djalin e djalit të tij, të Landit, që familjarisht me Eglën, të shoqen, jetojnë në Athinë. Xhevdeti s΄e mban dot shpërthimin e dashurisë së xhanit për Gjeneralin։ "O, të keqen gjyshi!" dhe puth fotografinë e nipit dhe e fut në gji, edhe pse Gjenerali i vogël sot është bërë burrë i madh. Pastaj më thotë mua։ “Është mjalt i mjaltit, moreee! Po e provon vetë”. Unë kisha parë gjyshe që përgjëroheshin për nipërit a mbesat si ato; edhe vetë unë e di sa i dua mbesat dhe nipin, por gjysh kaq delikat sa Xhevdeti nuk më kanë zënë sytë. Dhe Xhevdeti s’e jep veten kollaj.
Është dhe gjithë ai azgan, i lidhur e i fuqishëm! “Aha, - thotë -, vetëm para Gjeneralit dorëzohem, që iu bëftë gjyshi!"...
E lë Xhevdetin e emocionuar të notojë disa çaste në detin e dhembshur të mallëngjimit. Mbase ka të drejtë edhe trimi të lagë faqet. Është fatlumturia jonë sa asgjë tjetër në botën njerëzore.
Elementi i tretë që vlerësova te Xhevdet Nuraj qe ditari. Në fakt Xhetua ka tre blloqe të trashë- tre libra në formë ditari.
Ndoshta duket diçka e thjeshtë, por pa të mendohemi pakëz se ç’vlera ka ditari i shkruar me dorë e bojë shkrimi...
Në bibliotekën e pasur të tij, ndalova gjatë, sepse më ra në dorë një ditar që s’e kam parë më përpara te askush. E para gjë që më ra në sy qe kaligrafia, shkrimi i bukur shqip, për të cilin më ka marrë malli ta shoh, ta ndjej. Një shkrim të tillë mund ta krahasoj me kaligrafinë e paarritshme të prof. Skënder Shkupit, ish-mësuesit tim të nderuar të astronomisë në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë gjatë viteve 1975-’79. Dhe me shkrimin e Hasan Mehmetit, ish-pedagog matematike në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës mund ta krahasoj. Stampë! Të kënaqet syri kur e lexon dhe shpirti kur e shijon me gëzim njerëzor. Kur futet dhe gëzimi intelektual, merr të tjera përmasa emri i përveçëm për të cilin bëhet fjalë. Xhevdeti çdo faqe e kishte të planifikuar me vëmendje të veçantë, tepër i përpiktë në vlerat që do t’u lerë brezave nesër, nipërve, mbesave, Gjeneralit dhe kushërinjve të tij gazmorë, gjithë dashamirësve.
Nëpër fletët e ditarit Xhevdeti kishte vendosur fotografi të tij dhe, sipas rastit: me familjen, me gruan, fëmijët, të afërmit, me miq e të njohur, me shokë e vartës, edhe me eprorë, qofshin këta dhe nga më madhorët, por gjithmonë në rast se e meritonin respektin e tij, atë nderim që rrënjën e kishte te Bilbilejtë legjendarë. Ёshtë natyrë e veçantë njerëzore ky, Xhevdet Nuraj, që ndoshta nuk do t’ja gjejë dot kush visaret që ai mbart në heshtjen e tij madhështore. Ndoshta askush nuk do ta deshifrojë kodin e tij të komunikimit me komunitetin, për vetë faktin se ai i tillë është gatuar e ndërtuar. I paulur, siç është, aq sa është, atje ku është.
Nuk ka Balzakë e as thërrmija balzakiane treva jonë, edhe pse pellazgjiko-iliro-arbërore, që të operojë me bisturinë e hollë njerëzore e jetësore të stoikut si shkëmbi, Xhevdet Nuraj. Mesaplikasi Xhevdet Nuraj, lindur më 25 maj 1943 në lagjen Parikë të Shalësit na tregon se Parika e tij është vendi që do më shumë, se Parika e tij është lagje e hershme, se Shalësi i tij ndodhet midis lartësive të Smokthinecit e Markovës e mbi krye u qëndron Çipini i Smokthinës. Për Parikën ka shkruar dhe intelektuali dhe gazetari i paharruari Dasho Matodashaj në librin e tij “Pesëqind shtëpi - Smokthinë”
Xhevdeti nuk është ndonjë njeri i jashtëzakonshëm, me bëma e lavdi mbuluar, por është një njeri i zakonshëm me virtyte e respekt traditash ngarkuar.
Mbas bisedës së gjatë, të qetë e të këndshme, që nuk dëshiron të mbarojë kurrë, Xhetua na rrëfen pasurinë e tij: Ditarët. Duke shletuar fletët e ditarit, vërejmë të shkrruara edhe këto informacione: Pasi mbaroi 7 klasë në shkollën unike të Ramicës, duke kaluar Lumin e Bardhë, Shushicën çdo ditë në këmbë, me shi e ngrica, ne kohë të mirë e të keqe, një orë e gjysmë larg shtëpisë, herë në sup të babait e herë në kurriz të nënës, ndjeu se po burrërrohej para kohe. Mësuesi Dasho Matodashaj për të është një idhull, sepse e kishte bashkëudhëtar, shok, mësues e drejtor. Si prind e vlerëson dhe sot, që i bardhi Dasho ka shkuar në “jetë të tij”, Xhevdeti e përmend vetëm me respekt emrin e ish-mësuësit plot energji, dije, e zemër të gjerë.
“Të gjithë ne, ish-nxënësit e fshatit Shalës morëm bursë, - më tregon jo pa mallëngjim Xhevdeti, - morëm se mësonim. Të drejtën e studimit na e nxorri ai, Njeriu i Mirë, Dasho Matodashi, që më vonë u bë figurë e njohur në Vlorë, dinjitoz e serioz për arsimin vlonjat, i respektuar në Lumin e Vlorës dhe në Labëri edhe si një publicist e gazetar i spikatur, me vizion e shpirt të madh...”
Ndërsa Xhevdeti rritet, kalitet, burrërrohet me kohën e i kupton gjërat më mirë si funksionojnë. Pasi përfundon Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”, emërohet në garnizonin ushtarak të Korçës. Nga Korça ka kujtime mbresëlënëse, sepse e ka ndier dorën e ngrohtë, bujarinë, mikpritjen korçare, respektin e veçantë që ata qytetarë të kulturar kishin për ushtarakët në përgjithësi. “Ndërsa mua më kishin të veçantë ,- qesh me dritë Xhevdeti, - dhe unë këtu i kam tërë jetën”. Dhe vë dorën mbi ballë. Në Korçë filloi dhe përfundoi gjimnazin “Raqi Qirinxhi”. Në Korçë shërbeu si oficer karriere, fshatrave të Devollit e në zonën e Prespës. Në malin e Ivanit kreu stazhin e partisë, në kushte tërësisht të vështira, por me nder siç i ka hije një oficeri serioz e të përgjegjshëm. Pas 10 vjet pune kreu studimet në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”. Bën kurse kualifikimi politik dhe ushatarak dhe emërohet në garnizonin e Vlorës, atje ku ëndërronte, pranë vendlindjes. Punoi me aftësi e përkushtim, në mënyrë sistematike, duke pasur si lajtmotiv të veprimtarisë së tij ushtarake trinomin idealist: Atdheu, Nderi, Detyra. Para kohe, tok me shokë të tjerë, ndër ta të aftë profesionalisht e të përkushtuar shpirtërisht, del në lirim nga qeveria Berisha 1...
“Asnjëherë s’e hëngëm bukën vetëm, gjithmonë me miq e shokë të mirë, - më thotë Xhevdeti, zhytur në kujtime. Po ai është edhe sot një kokë speciale, në kuptimin më të mirë e korrekt të fjalës. Është një tipologji e labit tradicional në mikpritje edhe në kohën që jetojmë. Më tregon një rast kur i kishte thënë të shoqes, Dianës nikoqire, të urtës zemër qelibar: - Bëna një drekë të mirë se do më vijë një shok i vjetër. Do llafosem me të, se dhe malli na ka marrë! Kur e merr në telefon ai shoku i mirë M.B. i thotë: “Xhevdet, do vijë me mua dhe L.B. e A.D.
-Aha, e hëngre drekën dhe ti - ia ktheu Xhevdeti - hajd mirupafshim!...E gruaja kishte bërë drekë mbreti. Bijë nga Tërbaçi e nuse në Smokthinë. Dalë nga derë e madhe e në derë të madhe hyrë. -Hë, mor burrë, - e pyet Diana, pse s’po vjen shoku M. ?! -Nuk e meritonte ai, po hajd shtrona të gëzojmë vetë me fëmijët tanë. Unë ftova M. , jo Komitetin Qendror...
Dhe më hedh mua dorën në sup me një sinqeritet të lexueshëm!- Në shtëpinë time s’ka ngrënë bukë dot asnjë epror. Për interes. Se i njihja! S’ishin më të zgjuar e më të mirë nga unë... Ky episod më ka ngelur në mendje si një rast unikal që njeriu di të shfaqë vlerat vitale, zakonore, të nderit e respektit që kemi trashëguar nga të parët, pa i shpërdoruar ato aspak.
Pas lirimit nga ushtria, Xhevdeti ka një periudhë trishtimi, por nuk e zaptojnë dot peripecitë, edhe pse burrëria filloi të shitej fare lirë në këto nahije...
Ikën në emigracion, në Athinë. Bën mbi 8 vjetë atje. Kishte dëshirë për punë, por s’mundte. Ndonjë punë të lehtë e përpinte. Mosha e bën të sajën. Dhe atje ndjeu frymë Shqipërie e aromë Labërie. U takua me kryetarin e shoqatës “Labëria” dega e Athinës, veprimtarin e palodhur e publicistin e njohur Luan Zylfo. Gazeta “Labëria” u bë për ta ushqimi shpirtëror i vërtetë me informacionin e begatë nga treva e dashur e Labërisë dhe më gjerë. “Shoqata dhe gazeta ndikuan shumë, - thotë Xhevdeti, - për shoqërinë dhe miqësinë labe aq të fortë që krijuam në Athinë. Këto mbresa dhe të vërteta i kam hedhur me admirim në ditarin tim...” dhe kujton me respekt Arqile Gjikën nga Vunoi, Andrea Dhimolean nga Palasa, Sejdi Bihucin nga Picarin, Abaz Goxhon e Agron Mëhillin nga Golemi, Mihal Gumenin nga Gusmari, Kastriot Rrapin nga Trevllazri, Nesti Mborjen etj. “Sa gjëra të bukura bënim atje, - vazhdoi të më tregojë Xhevdeti, pasi e ngacmoj prushin e bisedës unë. - Dhe me dinjitet. Një vit, Festën e Flamurit dhe Ditën e Çlirimit i festuam në shtëpinë e Sejdi Bihucit, duke valëvitur flamurin tonë e duke kënduar Himnin Kombëtar. Gota e parë u ngrit për Shqipërinë. Këngën e parë e kënduan për Labërinë: “Labëri, sa shumë të desha,/ Sa shumë malli më ka marrë,/ Të shoh burrat me të leshta,/ Këmbë kryq ulur te zalli...”
Në një rast tjetër festuam 10 Korrikun, ditën e krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Festa filloi sipas zakonit e traditës labe. I kërkuam leje “pronarit” të këndonim labçe. Ai na e dha lejen. Pa kur shpërtheu kënga e dollia! Pa kur gjëmon vallja, si në dasmat e Labërisë! Pa kur vjen te tavolina pronari e i lumturuar nga një gëzim i brendshëm na thotë: “Unë jam shqiptar, arvanitas, nga Kuçi, nga Gjoleka!...”. Kështu u miqësuam shumë me Jorgon dhe në çdo rast festiv dera e lokalit të tij qe e hapur me bujari për ne...
E, e , e...! u bënë kaq vjet deri më sot që jam këtu në Vlorë, me “plakën”, pension pleqërie. Fëmijët i kam andej. Gjumi s’më zë... Sidomos për Gjeneralin, që iu bëftë gjyshi! Se mos më dëgjon Diana, se ajo s’mbahet fare, ngashërehet për Orestin. Na piku malli!... Se në Athinë është dhe vajza, Klara me të dy djemtë: Klaudion dhe Arsin. Atje kemi dhe Kreshnikun e djalin e vogël, nga të cilët sa e sa gjëra të mira presim ...
Për ta nxjerrë nga liqeni i Mallëngjimit, ngas mashën e zjarrit të bisedës, që flaka e saj të ngjitet lart, në malin e Krenarisë. Dhe pyes Xhevdetin: - More, po me Bilbilejtë ç’ju lidh ju, Nurajve? Atdhetarizmi i familjes suaj mos e ka këtu burimin trimëror?
- Po, po, - ma kthen ai. - Dy nga anëtarët e çetës së Bilbilenjve të Labërisë janë vëllezërit Mukë e Lulo Bajrami. Dhe nga historia dihet, ata janë smokthinjotë, janë stërgjyshërit e mi. Çeta ka marrë emrin “Bilbilejtë”, sepse dy nga pjesëtarët më të shquar quheshin Bilbil Shako nga Rexhini dhe Bilbil Resuli nga Progonati. Atdhetarizmi, trimëria e mosdurimi i padrejtësive i detyroi dy smokthinjotët e mi t’i bashkoheshin kësaj çete burrash për veprime luftarake kundër Tanzimatit. Bilbilenjtë janë ndjekur egërsisht nga koshadhet turke. Bëmat e Bilbilenjve i njeh mirë historia, se ata janë futur në këngë, e fluturojnë në krahët e legjendës. Në Zagori vranë feudalin e zonës. Që andej kaluan në qarkun e Vlorës, në Mesaplik, me qendër në Tërbaç.Te shpella e Bilbilejve, në Soma, mbi Somitkë e Gjinakriq i ka strehuar stërgjyshi yt, Sinan Habazi, se qe kryeplak i Tërbaçit, me Malo Micon e kryepleqësinë e fshatit. Tërbaçi i ruajti bilbilenjtë, nuk i dha. Dhe Bilbilejtë e nderuan Tërbaçin.Vanë vetë në litarë, që të shpëtonte fshati që i mbajti si bijtë e tij. E thotë bukur e qartë kënga e fshatit tuaj. Po unë do të përmend një tjetër këngë të popullit: “Bilbilejtë lajmërojnë:/ Lulo e Mukë kërkojnë,/ Lulua me Mukën dëgjuan,/ Me ta bashkë kuajt shkuan,/ Zhveshën pallën e luftuan,/ Si shqiponja fluturuan...”
Dy trimat ishin parì fshati, prijësa popullorë e luftëtarë të çetës së Bilbilenjve: “Seç u ndez një tym Smokthinë/ Mukë e Lulo syzinë...”. Në Janinë, bashkë me bilbilenjtë e tjerë e dhanë xhanin gji më gji, si vëllezër dhe Lulo e Mukë Bajrami. Si nderim për trimëritë e tyre, emrat ua kemi përjetësuar te stërnipërit e tyre (Lulo Ymeri e Mukë Nuraj, vëllai im i vogël, - vijon rrëfimin Xhevdeti. - Familja jonë do ta përcjellë në breza këtë traditë dhe emrin e mirë të tyre do ta ruajmë me dinjitet, jo vetëm si formalitet në emër. Në dasma e gëzime ne këndojmë: “Burri i
qëndron stuhisë,/ Shtatë ball’ të jet’tërmeti./ Bilbilejt’ i vran’ një ditë,/ Po këng’ e lavdis’ u mbeti...”
Tradita burrërore e Mukës dhe Lulos gurgulloi pashterur si gurrë mali. Kjo derë smokthinjote ka nxjerrë trima nga brezi në brez. Koço Bajrami u plagos tre herë në luftë kundër turkut pushtues. Djali i vetëm i Mukë Bajramit, Nurja me shumë smokthinjotë u rreshtua në çetën e komitëve, që vepronte në zonën e Lumit të Vlorës - Kurvelesh - Çamëri.
Sherif Nurja, gjyshi i Xhevdet Nures, ishte trim e dinak, shumë i fuqishëm.Turqia s’e mori dot nizam (ushtar i shërbimit të detyrueshëm në kohën e Turqisë, rekrut). Në Fushë - Bardhë të Gjirokastrës u shpëton rojeve, i vret e ikën!...
Sadik Sherifi, xhaxhai i Xhevdetit, lufton si burrat e vritet kundër grekut në Vranisht, më 1914-ën.
Regjistri trimëror i fisit Nuraj ka shumë fletë. Nuk mbyllet këtu.Të gjitha ngjarjet e larta e njerëzit fisnikë të origjinës Xhevdet Nuraj i ka hedhur në ditare, me ngjyrat e kohës shkruar. Ato tre ditare kanë më shumë vlerë se sa tre libra të botuar nga shtëpia botuese më prestigjioze, qoftë dhe me kopertinën më luksoze.
Gjyshi ato ditare i ruan për Gjeneralin dhe për nipër e mbesa që pret t’i bëhen çetë, që kur të madhohen, t’i kenë ndër kujtimet më me vlera...
Lumturi, merak dhe trishtim. Përmenda Dianën me respekt më lart, gjithmonë me lejen e personazhit tim, Xhetos, por patjetër edhe për faktin sepse ajo është një qytetare fisnike, e denjë për kapedan Xhevdetin. Për Xhevdetin, ajo është lumturia më e madhe, bashkudhëtarja e sigurt e jetes, njeriu më i dashur i jetës me lule dhe furtunë që ka kaluar udhëve të Atdheut labi nga Vlora. E kujton Dianën vajzë, kur e pa si gonxhe të freskët në beharin e bukur vlonjat të viteve 1969-’70, tek mjediset e Mapos qendrore të qytetit. Një çupë e kujdeshme, e veshur pastër, me edukatë, e thjeshtë, e vëmendshme. E kujton me mall e krenari familjare. “Me një pallto vishnje e pashë Dianën për herë të parë, e thjeshtë e urtë, fjalëpak” - mallëngjehet Xheto Nuri, edhe pse kanë kaluar një gjysmë shekulli e kusur nga ai takim, plot 54 vjet... Lindën fëmijë, i rritën, i miredukuan e shkolluan, ata dolën në jetë dhe Diana me Xheton janë të qetë e krenarë me udhëtimin e tyre në jetë. Si ajo kosherja e bletës!
Por njeriu në jetë i provon të gjitha, edhe gëzimin e lumturinë, edhe trishtimin e hidhërimin. Xhetos i ka vdekur një vëlla i mirë. Pa mbushur 60 vjeç. Unë e njihja . E kisha mik. Edhe gurit i dhembin ikjet e shpejtuara.Edhe një nip aq i mirë i iku sivjet, me pesë shokë kur thonë. Leko Kamaj, djali i motrës nuk hidhëroi vetëm të afërmit, miqësinë e të njohurit, por edhe shoqërinë tej fshatit e krahinës, sepse ishte burrë i ndershëm dhe specialist i rrallë si zooveteriner. Ndërkohë, truri im regjistron e ruan në sirtarët e tij, të freskta e të pastra kujtimet për të ndjerin Vendim Nuri. Sytë e Xhetos mbushen me lot. Një gjendje tronditëse më pështellon qenien dhe mendimin, sepse m’u largua miqësia me një njeri të mirë, një shok të vlefshëm, një mik i duhur. Vendim Rakip Nuraj ishte shumë burrëror, njeri me zemër të madhe, i pangatërrruar me të tjerët, i shoqërueshëm, e i pastër në shoqëri, shikonte punën e tij, nuk të bënte dëm, por as të lejonte t’i bëje dëm, respektonte miqtë, donte dhe vlerësonte familòjen dhe punonte për ta mbajtur atë me djerësn e ballit. Emigrant në Greqi. Edhe në Shqipëri, edhe në Greqi, në shtëpinë e Vendim NUres hahej bukë, shtrohej sofër, kishte humor, këndohej këngë, se ai vetë ishte një bilbil që këndonte bukur.. Dy ishin këngët ebti të preferuara: “Mesapliku në luginë” dhe “Dy shelege në një portë, dale-dale!”
Është e çuditshme jeta. Të përplas ashpër për të provuar karakterin sa i fortë je, a mundesh të udhëtosh dot në këmbë e me ballin lart apo “hap krahun”, fshihu nga jeta, nga rrethanat e shoqëria. Na erdhën ca vdekje të liga këtë segment kohor që akoma i kemi të freskëta dhe mallëngjyese gjurmët e dhembjes tek njerëzit. Një nga këto ikje të hidhura është edhe kjo e të mirit Vendim Nuri, Vendim Gëzimit, Vendim Punës, Vendim Këngës!
Xhevdet Nuri është një njeri i lexuar, mik i vërtet i librit. Ai i ka të shkruara mendimet dhe gjykimet e tij për ngjarje historike, për figurat e kombit shqiptar, për situatën politike në Shqipëri, në rajon dhe më gjerë, për ngjarje që na prekin sedrën dhe dinjitetin kombëtar, pa tjetër edhe për veprimtari shoqërore atdhetare - kulturore në Vlorë, në Tiranë apo gjetkë, ku Xhetua nuk mungon me pjesëmarrjen dhe fjalën e tij lakonike, por me peshë.
Edhe pse nuk është poet i mirëfilltë, ai për dobësinë më të madhe në jetë për nënën e tij të xhanit Feride J. Nuraj (1915-1980) ka thurur vargje shpirti si një vjershëtor i përkushtuar, ku dashuria për nënën është vërtet e shenjtë, thesar i çmuar: “Toka, drita, ajri/ Baraz me nënën time/ Që më lindi e mërriti/ Me sakrifica e mundime...”. Në një vjershë tjetër Xh. Nuri shkruan: “Nëna ime shumë krenare/ si një shqiponjë mbi male”...
Përditshmëria me shetitjen dhe kafen. Do ta quaja detashmentin e jetës së gjallë të qytetit një grup aktiv njerëzish, jo vetëm të rinj, por sidomos burra e gra, në përgjithësi të moshës së tretë apo në prag të saj, të cilët nuk e harxhojnë kohën parazitisht, në mënyrë të padobishme, por i japin kuptim ditës, jetës. Një nga këta është edhe Xhevdet Rakip Nuraj, i cili bën fiskulturën e mëngjesit rregullisht me program ditor, zbaton një orar veprimesh të përpiktë dhe 3 km ecje në këmbë. Sot e 10 vjet, në orën 09:00, Xheton e gjen në Rrugën e Re, te lokali i Loni Xhaferit, ku bashkë me shoqërinë e tij të ngushtë e të mirëkuptueshme rrahin mendimet e problemet e ditës nën aromën e kafes turke, të freskët dhe shumë të mirë që bën zonja Lida, e shoqja e Lonit, një zonjë që gëzon respektin e të gjithë klientëve, falë shërbimit të kulturuar qytetar, që bën pa përtuar dhe aq pastër. “Jemi si në shtëpinë tonë të madhe me Lonin e Lidën”, thotë Xhetua dhe duket që vlerësimin për të zotët e lokalit e ka të çiltër dhe të hapur.
Dua t’i mbyll këto rreshta për mikun tim dhe të qytetarëve vlonjatë me thënien e Maksim Gorkit që Xhevdeti ka shkruar në faqen e parë të të tre ditarëve të tij: … “Mos pandeh se është gjë e lehtë të jetosh...Bota për njeriun është si një natë e errët, ku secili duhet të bëjë dritë vetes”. Një mësim të madh na jep Xhevdeti, sikurse Shënjtore Tereza që thotë, se ne s’mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Edhe tre ditaret e Xhetos, mendoj se janë aq të çmuar për qelizën e shoqërisë, për familjen e tij, aq të vlertë për brezat, për historinë e vogël që bën histori të madhe. Po të bëjmë edhe ne kështu a nuk do të ishte më mirë. Sa vjet e shekuj histori tonën nuk njohim, nuk kemi, qoftë si familje e vogël, ajo e gjakut, qoftë si familje emadhe, si Shqipëri, se nuk na erdhi e shkruar?!
Comments