Tregim nga Luan Çipi
Xhebro Gjikën, blegtorin e vjetër nga Tërbaçi i Vlorës, luftëtarin dhe vjershëtorin e njohur të jugut, burrin e ndershëm dhe të mençur, për të cilin flisnin me admirim kudo, e thirrën në Tiranë në një sesion shkencor për blegtorinë e imët.
Ishte periudha e përkrahjes së revolucionit tekniko-shkencor, e përpjekjeve për t’u shkëputur, sadopak, nga Lindja dhe për të gjetur rrugë të reja, të pavarura të zhvillimit politik dhe ekonomik të Shqipërisë, koha kur lindorët thanë se “Shqipëria po shitet te Perëndimi për pesë aspra”.
Dolën, asokohe, propozime nga më të çuditshmet, madje dhe me kahje perëndimore, si lëvizjet novatore për shpikje e racionalizime, për rritjen e eksportit dhe pakësimin e importeve, për përmirësimin e bilancit valutor të vendit, për prodhimin me forcat e veta të mallrave që deri atëherë importoheshin, për prodhimin e mallrave të imëta dhe shumë të imëta, për çarjen e bllokadës ekonomike me shtimin e prodhimit të mineraleve dhe të naftës, për të prodhuar bukën në vend, për ndërtimin e serave diellore dhe me ngrohje, për shtimin e agrumeve dhe të ullinjve, për mbjelljet me kubikë, për ngritjen e vreshtave në tel, për kursimin e karburanteve dhe të lubrifikanteve, për zëvendësimin e mjeteve të benzinës me ato me naftë, për shtimin e përdorimit të rimorkiove, si automjete pa motor, për prodhimin në vend të motorit të njësuar dhe të traktorëve, për përmirësimin racor të blegtorisë, për pjelljen dy herë të të imëtave etj., etj.
Për këtë qëllim kudo organizoheshin mbledhje e takime. Në çdo rreth e në çdo qendër pune u ngritën këshilla shkencore, u organizuan konferenca dhe sesione shkencore, u caktuan stimuj dhe shpërblime morale e materiale.
Konferenca Blegtorale e Tiranës, ku u ftua dhe i mirënjohuri Xhebro Gjika, do të diskutonte një projekt këmbëngulës të një pseudoshkencëtari. Të tillë qarkullonin me shumicë atëherë. Ai, pasi kishte eksperimentuar, siç qe rregulli, në një tufë delesh, kishte vërtetuar se delet, po të qetheshin për së dyti, brenda vitit mund ta shtonin prodhimin e leshit me gati 20% më shumë. Sigurohej kështu lënda e parë e nevojshme për kombinatet e tekstileve, duke ulur importin e leshit. Me kursimet në shkallë vendi, shkencëtari siguronte se, brenda vitit, mund të ndërtohej një fabrikë e re tekstili.
Eksperimenti, siç qe rregulli, ishte ndjekur për një vit.
Xha Xhebron, kur e pyetën dhe i kërkuan mendim, shumë i dëshpëruar, as që pranoi të fliste, madje, sa e mori vesh, desh të largohej nga kjo konferencë, që ai e quajti “kuvend kalamajsh”.
Së fundi, tha me inat:
- More, po ju, si s’pyesni për kafshët?! Si nuk i pyesni ato kafshë të bekuara, që pas kësaj do t’i vuajnë në vite, në kurriz të tyre pasojat?!
- Po, si t’i pyesim, xha Xhebro? Ku dëgjojnë dhe ku dinë të flasin ato? - pyeti një shakaxhi.
- Flasin, flasin... Po t’u mësosh e t’u dish gjuhën dhe t’i përkëdhelësh e t’u rrish afër, atëherë do t’i dëgjosh e do t’i kuptosh. Kështu, të paktën, do të përpiqesh t’i shpërblesh sadopak për bulmetin, mishin dhe leshin, që të dhurojnë me aq dashamirësi; për kënaqësinë që na krijojnë, qoftë dhe vetëm duke i parë. Ja, unë, - vazhdoi, - si të ishte në mes tyre, i miri Xhebro, i dua e flas me to, si t’i kisha fëmijët e mi. Edhe këtë radhë, para se të vija këtu, fola, u këshillova me dashin përçor të kopesë. E pyeta për këtë çështje dhe ai, gjithashtu, më pyeti:
- Kur keni vendosur të na qethni, së dyti?
- Thonë në muajt nëntor-dhjetor, që t’u rritet ca leshi, - iu përgjigja unë
- Po, pse, o babo, - më tha përçori... Pse, saktësisht atëherë, kur ju për vete vishni gunat dhe brucat, për ne pse kërkoni të na hiqen jelekët dhe xhaketat?
- Ja, kështu, more djem. Doni që delet t’i hajë dimri i egër, bora dhe të ftohtit? Atëherë, me që, po e thoni lakuriq, se eksperimentin e paskeni përfunduar me sukses, i qethni së dyti, i zhvishni, i bëni dhe ato lakuriq.
Nga libri: “Për të qarë dhe për të qeshur”
Comentarios