XHAXHAI IM I NDERUAR
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Feb 25, 2020
- 4 min read

Skicë nga Luan Çipi
Në Pazarin Emërmadh të Gjirokastrës, kujtohen me respekt disa profesionistë, po njëri prej tyre, xhaxhai im Hasan Çipi, (Baba Cania) ishte më se i veçantë dhe i nderuar në profesion e karakter.Ai lindi në Gjirokastër rreth vitit 1873 dhe u nda nga jeta po aty, në moshën 70 vjeçare, në vitin 1943. Ishte djali i tyxharit Bejtash Çipi, që bashkë me vëllain e tij Rustem Çipi, e kishin tregtoren e tyre të vogël në Qafë të Pazarit, po që merreshin edhe me transporte mallrash me kuaj në rrugë të gjata, kryesisht me qytetin e Janinës, Përmetit, Tepelenës dhe Vlorës.Hasan Çipi kishte 3 vëllezër: Qamilin, oficer në Ankara, Ilmiun dhe Kamanin tregtarë në Vlorë, si dhe dy motra, Zejnon, martuar në Vlorë me bankierin gjirokastrit Xhelal Sharra (në shërbim të Ismail Qemalit dhe Qeverisë së Vlorës), dhe Sanijen, martuar në Hazmurat të Gjirokastrës me Bastri Çiçon.Gruaja e Hasanit ishte Ruhije Hasho, po nga qyteti i Gjirokastrës. Kishin katër vajza: Irfanin dhe Tazon, martuar në Amerikë (të martuar me burra shqiptarë dhe që nuk u kthyen kurrë) dhe Hanëmen dhe Muazesin, martuar në Gjirokastër. Kishin dhe një djalë, Dritorin, që fatkeq, vdiq rreth 20 vjeç, (gangrenizim gjuri), i pa martuar.Për Hasanin, burrë trupëlartë , të pashëm e të urtë, tregojnë se ushtronte cilësisht tri profesione: furrxhiun, kafexhiun dhe këpucarin. Ndërkohë ai kalonte në një jetë kolektive të gëzueshme dhe mjaftë bukur (shtruar dhe ëmbël), këndonte me pasion e intonacion të përsosur, këngët popullore dhe sidomos ato labe gjirokastrite.Zanatin e kërkuar të kohës, atë të këpucëbërësit, (si flitej gjithandej), e qante dhe xha Hasani, ishte pa mëdyshje, profesionisti më i preferuar në Pazarin e Gjirokastrës. Dyqani i tij ishte vendosur sa të hyje e të merrje të përpjetën e qafës, majtas, në rrugën e Palortosë. Banonte familjarisht po aty afër, në lagjen Palorto, pranë Gjimnazit dhe ngjitur me furin e “Çipatëve”, në një shtëpi dy katëshe, në krah me atë të vëllait të tij, Kaman Çipi. Hasani shpesh punonte dhe në shtëpi.Pagesën për punën e bërë, si rregull, e kërkonte paradhënie, po kujtohet e flitet një rast, që la gjurmë e bëri bujë për shumë kohë (dhe u bë shkak për këtë shkrim), kur me një nga klientët, dhëndër i ri, hoqi dorë nga parapagimi dhe bëri një përjashtim fatal. Pasi mësoi gjendjen e vështirë ekonomike, në bisedë me dhëndrin, i erdhi keq për të dhe padashur, i hëngri gjuha dhe pranoi për shlyerje borxhi, pas disa ditësh. Pretendimet e djaloshit ishin madhore:“Dua këpucë që të këndojnë”!, ishte porosia e prerë e tij dhe pagesën e ke brenda javës”.Dhe usta Hasani ashtu veproi: këpucë dolën shumë të bukura, të qëndisura me fije ari, këpucë të forta e të papara, që qysh në hapat e para që hodhi dhëndri, kërcisnin e “këndonin”.

Ato ranë menjëherë në sy e në vesh të gjindes e u bënë objekt bisede jo vetëm për rreth Pazarit, po në të gjithë qytetin, deri ne Dunavat e Manalat. Këpucë më të mira, Usta Hasani, s`kish krijuar ndonjëherë. Në shojet e zgjedhura e të regjur për merak e në meshinin e argasur, mbi faqet e lustruara që llamburitnin nga larg dhe në anët e fundet e qepura me spango, ustai, kish derdhur gjithë zotësinë, talentin dhe mjeshtërinë e tij shumëvjeçare.Dhëndri, qysh kur i mbathi sefte këpucët e hodhi me to hapin e parë, fluturoi nga gëzimi dhe sikur la kokën mbi këpucë, ndaj i premtoi me entuziazëm i sigurt ustait: “jo vetëm hakun, po dhe bakshishin e ke hallall dhe do ta marrësh brenda javës”!I veshi këpucët menjëherë dhe, nuk guxonte t’i hiqte nga këmbët, aq sa fjeti me to ditë e natë në krevatin martesor, gjer natën e dasmës. Duhet thënë se dasma u festua me bujë e teprime.Djaloshi i gëzuar, pasi kaloi me këpucët veshur, çastet solemne të martesës, nuk mënoi, qysh të nesërmen, të kthehej enkas e të parakalonte i veshur si dhëndër para dyqanit. Sikur mburrej të kalonte ditë për ditë, jo një javë, po një muaj rresht, i krekosur me kokën lart, duke përshëndetur me dorë, po pa u kujtuar për të paguar asnjë lekë, në afatet e premtuara solemnisht.Këpucët edhe pas një muaji, vazhdonin të këndonin gjithnjë duke emetuar një melodi ritmike, me trokitjet e zëshme, që dëgjoheshin larg, nga çdo hap që hidhte djaloshi fodull e indiferent.Kaloi java, dhe po mbushej muaji dhe Usta Hasanin nuk e mbante më karrigia. I kërcisnin dhëmbët nga inati dhe i dukej sikur, djali i ri dhe i fuqishëm, po dembel, parazit, qylaxhi e gënjeshtar, po shkelte mbi mundin, prestigjin, pasurinë dhe nderin e të drejtën e tij të ligjshme.Pasi kaloi muaji, usta Hasanit, iu frynë fufat keq dhe ju sos durimi:“Eja pa më she!” i dha guxim vetes dhe i doli përpara djalit qylaxhi e mburravec: “More djalë, pa hiqi një çik këpucët, se sikur janë shurdhuar e vuvosur dhe dua që t`i ngre ca volumin për t’u dëgjuar më shumë!!!”Dhëndri i gëzuar, zhveshi e i dorëzoi këpucët dhe Usta Hasani, në sy të botës, që ta shihnin e ta merrnin vesh të gjithë, me thikën brisk, të mprehur apostafat, i bëri ato copa, copa dhe ndërkohë, vendosi para këmbëve të tij, një palë nallane me dërrasë të latuar.“Ec e mbështetu në dërrasë tani me këmbët e tua të pista, po jo të kapardisesh xhaba me këpucët e mia fine!”, i tha. I hodhi copat e këpucëve në shportën e plehrave dhe u largua, duke i kthyer dhëndrit kurrizin me neveri .Në Pazarin e Gjirokastrës dhe gjetiu , Usta Hasanin, e njihnin të gjithë si njeri të urtë dhe të sjellshëm dhe e mirëkuptuan për gjestin jo normal. Ai mbahej krenar, se e ushqente familjen ndershmërisht me punën e vet të krahut e askënd nuk pranonte ta shkelte me këmbë, ta zhvlerësonte, ta poshtëronte e t’i vidhte xhaba djersën e ballit.Ky veprim ishte një tendencë qytetarie dhe u pranua njëzëri në krejt qytetin e Gjirokastrës, që e kishte si motiv bashkëveprimi shoqëror: Mos merr kot borxh, laje borxhin në afatin e premtuar, puno dhe mos e harxho kohën kot. Dembeli dhe gënjeshtari mënjanoheshin dhe shiheshin si parazit, të papranueshëm e të neveritshëm në shoqërinë gjirokastrite. Gjirokastritët e vërtetë, gjithë jetës, rronin me punë të ndershme, me djersën e tyre të ballit dhe me kursime në harxhimet e tepërta e të panevojshme.
Tiranë, më 25 Shkurt 2020
Comments