Tregim nga Luan Çipi
Shoferi i vjetër Ismail Tetova, me një makinë Gaz 51, në dispozicion të punëtorëve elektricistë të mirëmbajtjes së linjës së shtyllave të tensionit të lartë, pasi kishte shpurë Grupin e Emergjencës për të eliminuar një avari elektrike, po kthehej bosh nga fshati Sevaster për në Vlorë. Në qytezën e Kotës, një plak i moshuar i zgjat dorën dhe i bëri shenjë nëse mund ta merrte. Ismaili, që e kishte bosh vendin, mendoi se do ta kalonte më këndshëm rrugën me muhabet, se e njohu kush ishte, po edhe ndonjë të ardhur të vogël, më mirë se asgjë, mund të siguronte. Ndali makinën, hapi derën dhe i thotë me buzëqeshje e mirësi:
- Urdhëro, i nderuari Xhebro Gjika! Hip, o miku i rinisë! Vendin e parë e ke në dispozicion!
Sapo makina mori rrugë, nisi dhe muhabeti: - Dëgjova të më flisje me emër dhe mbiemër. Duket se ti më njeh mirë.
- E kush nuk të njeh ty, o Xhebro Gjika! Ti je nderi i kësaj treve, si për dyfek dhe për penë.
- Aferim, o bir! Po ti kush je? Të më falësh, po plak hesapi dhe s’i bie tamam në të.
- Jo, jo, kjo s’është nga pleqëria. Ti mua personalisht nuk më ke takuar ndonjëherë, që të më njihje, por… Ismaili i jep të njohur dhe biseda vazhdoi, nga të dyja anët, duke u dhënë kënaqësi e duke u ngjallur kujtime e njohje farefisnore.
- More, Malo! Sikur dëgjova që më vure nofkën “miku i rinisë”. Ku e kishe fjalën, ke dëgjuar gjë ti, se kështu mua më pagëzuan në Tiranë, pas një ndodhie të hershme.
- Po, po. E di shumë mirë, se kam qenë dhe unë atë ditë në Tiranë, në atë ndodhi, si përfaqësues i rinisë vlonjate. Ishte një Aktiv Kombëtar, organizuar kundër shfaqjeve të huaja. Pas këmbënguljes së udhëheqjes, e more dhe ti fjalën. Më kujtohet shumë mirë sesi e thure menjëherë në vargje porosinë tënde, prej plaku të mençur e veteran:
O i ziu Xhebro Gjikë,
Të kërkon rinia mik,
Unë vijte, por me konditë,
Të punoni natë e ditë,
Të mos visheni më zving!
- More po, sa e mbake mend! Unë e kisha harruar fare.
Dhe kështu me bejte e me shaka gjithë rrugës, sa s’u kuptua se si kaloi koha, kur aty, te Qafa e Koçiut, u dukën qindra llamba të ndezura nëpër rrugët dhe në shtëpitë e qytetit të bukur të Vlorës, aq sa dukej sikur qielli me yje kishte zbritur në stere.
- More djalë! Po paske qenë xhevahir ti! Sos muhabetçi, që na kënaqe, na shkule gazit dhe na çmalle me gjithë ata miq të mitë, pjesëtarë të farefisit tuaj ardhacak. Por ajo që është edhe më e rëndësishmja, ti na qenke një mjeshtër i vërtetë për të ngarë makina gare. Po ç’marifet ke, që e rrotullon aq bukur timonin, si me sy mbyllur, duke bërë njëkohësisht një kuvendim kaq interesant?
Meqë ma bëre këtë nder të madh, se unë kisha dy orë në pritje dhe shyqyr që erdhe ti e gjeta makinë, se do kesh ngelur në Kotë, unë të jam borxhli dhe, sipas zakonit, nderin do e laj me nder. Siç e di dhe vetë, se edhe i recitove, ti e di që unë kërrej, siç thonë, bejte të bukura. Unë, tani, menjëherë mund të të bëj një bejte të bukur, që të kënaqesh ti dhe t’ua lësh kujtim edhe të tuve, që ta këndojnë pas vdekjes. Po, më parë, që të jemi fare në rregull, dua të të pyes, që të zgjedhësh vetë: do që të të kërrej një bejte, siç të thashë apo… do të të jap një pesëdhjetë lekoshe, që e kam taksur dhe, në mos ishe ti, do ta merrte ndonjë tjetër?
- Xha Xhebro, - ia ktheu Maloja, pa e menduar thellë. Ne, tani që u njohëm më mirë, do të udhëtojmë bashkë edhe herë të tjera, se si ti dhe unë dalim shpesh “Lumit të Vlorës”. Pastaj pesëdhjetë lekoshen ti e ke në xhep, hazër, ndërsa krijimi i bejtes do të të mundojë sadopak. Nga ana tjetër, një bejte e bukur, si vera e mirë, merr më shumë vlerë kur vjetrohet. Këtë radhë, siç e shoh dhe vetë, meqë e ke me kaq xhungul, a s’ma jep atë pesëdhjetë lekoshen?
- A, ç’ma hodhe, o gjidi… maqedonas!
Dhe, aty për aty, duke zbritur me një trastë në dorë, të mbushur me mish qengji, dhuratë miku në shenjë nderimi e mirënjohje, Xhebro Gjika, poeti i madh popullor i Labërisë, vazhdon të flas në vargje, të bëra shpejt dhe bukur:
Jo se ti ma hodhe, po unë, si s’ta hodha?
Pesëdhjetë lekoshen, si nuk e shpëtova?
Plaku Xhebro Gjika vetëm atë kish
dhe, brenda në trastë, një llokmë me mish,
me një bocë raki, bash ballë kazani,
ti, mos bëj çudi, se unë vij nga stani,
Hëngra sa u denda. Atë që teproi,
Trim çobani mik, shpejt e paketoi.
Mere, Xhebro, tha. Ty po ta dhuroj!
Atë, pak bakshish, o njeriu i mirë,
Ta dhashë me dëshirë.
Hajt,… natën e mirë!
Comments