top of page

WhatsApp … njëmijë e dyqind sekonda në ajër


Fatmir Terziu


Në gati tetëdhjetë e gjashtë mijë e katërqind sekonda prita të ikte kremi i grimuar i ajrisë në këtë kupë të mbushur me lajme dhe goditje fjalësh të qelqta në veshët e mi. E qelqta e kërrusur mbi të ftohtë murmuriti kur fjala e pasme ndoqi shkopin, që tregoi përpara syve, se koha do të shihte pak buzëqeshje në orët e rrjedhës së këtyre sekondave. Nuk e njihja atë fytyrë, aq më shumë kur maska i kishte mbuluar të dy gropat e marrjes dhe dhënies prej kredisë së ajrisë, ndërsa sytë dhe balli, nëse kishte një të tillë të shfaqur në pamjen vizive, i kishte mbuluar e errëta e një të quajture kapë, sipas tradicionalizmit të shkruar në letër. Ndoqa duart e fundit që rrëshkitën poshtë ujësisë në trup dhe pastaj një të shkundur të lehtë nën peshqir, për të bërë gati këpucët e mia për udhë.

Banja më kishte bërë lehtanak dhe ecja dukej sakaq djathtake. Nuk e di pse më anonte trupi gjithnjë andej, ndërsa mundohesha të mbaja kumtin e drejtë të vijëzave që nënshkruanin me zhurmën në trotuar pllakat e shtruara hershëm. Ndërsa sytë, sikurse ndodh me to në këtë kohë, shkojnë dhe depërtojnë poshtë maskave, sikurse më parë zakonshëm perceptojnë paksa më poshtë në ecjen para teje të elementit të seksit të kundërt. Eh, pa ndonjë ndryshim. Eh, ajo që mbulonte gojën, nuk kishte shumë lodhje për syrin të kuptonte se ishte thuajse e njëjta copë fabrike, që mbulonte të pasmet. Mjaftonte një përkulje në anën e ulët të rrugës, për të hedhur një metalike nga kuleta e vogël në çantën gjysëm të hapur të një trompisti që i binte duke thithur pa maskë racionin e tij të ajrisë, aty ku kryqëzohen semaforët, dhe vetëm kaq. Sytë e kishin strukur kuriozitetin e tyre jashtë interesit të perceptimit. Modë e re? Njeriu është vërtet mister në të gjitha sekondat e tij të jetës. Kot nuk thuhet, sa do të rrosh do të mësosh.

Kisha parë në ardhjen time të parë në këtë kremnajë gri të ajrisë, qenushin e vogël të komshijes. E shihja ende, por jo si ditën e parë, kur nga ballkoni i vogël shihja se si i vishte të mbathura të qëndisura. E lante, e krihte, e parfumoste dhe e vishte thuajse në të gjitha gjashtëqind e katër mijë e tetëqind sekondat. Dje e pashë me një maskë të qëndisur në fytyrëzën e tij të vockël. E ngjashme me mbajtësen e litarthit të tij të lehtë e të najlontë. Po dje, gjërat ishin herë lakime, e herë zgjedhime morfologjike në sytë e mi. Nuk e di pse më ndodhte edhe këtë ditë, kur kremosja gri po largohej dalëngadalë e koha çelej mbi xhamat xais të kafeneve dhe vitrinave që parapregatiten sërrish të jenë të mbyllura në muajin e parë të »lockdown«-it të dytë. Bota shtrydhej lëng në sytë e mi.

E gjitha kishte ndodhur pa u ndjerë, ndërsa zëri im bashkonte grimëza të drithshme në WhatsApp në anën tjetër ku fytyra e lodhur e nënës herë zvetënohej e herë zbardhej, në formën më të panevojshme për momentin. Zëri kapërcente zhurmën e behshme të ikjes dhe ardhjes së makinave, e veshët bënin më të pamundurën të rregjistronin në trurin tim tërë atë zë të nevojshëm e të ndjeshëm për veten. E kjo ndodh vetëm me atë zë, me atë ëmbëlsi zëri, që ta fal e ta bën mëngjesin më të bukur në tërë këtë lëvizje disi hutaqe të këtyre ditëve.

Hutimi shpërngulet në një masë lëvizore elektronike të ngulur në majën e godinës tip kastravec ku shkruhet »Vaksina një sukses i padiskutueshëm« Dhe aty e kupton se je në ditët me Covid-19-të. E aty sërrish sytë vishen sikurse xhamat e godinave ku ende pasohen frymë të ngrohta nga brenda në këtë lëvizje dinake të ftohtësisë së hershme. Dhe përsëri sytë alarmojnë ndjesinë që kërkon në përllogaritje dy milionë e gjashtëqind e njëzetë e nëntë mijë e shtatëqind e dyzetë e gjashtë sekonda derisa të hapet sipari për këtë vaksinë të shumëpritur.

Në anën tjetër WhatsApp kishte mbetur i çelur. Pamja e nënës sime kishte mbetur e ngrirë, e qeshur dhe me njërën dorë duke më puthur nga larg, nga shtrati i saj. E pashë dhe njëherë dhe u shkunda. U shkunda sikur të kisha edhe disa milionë sekonda të tjerë në kurrizin tim, e që më ngjante sikur kishin peshën e tërë atyre godinave të vjetra e tejet të shtrenjta në këtë udhë ku zakonisht njërëzit janë të rradhuar e gati nuk dallohen më këto ditë.

Sidoqoftë, edhe kur hapat e mi u gjendën, në afërsi të »Big Ben«, jo natyrshëm e kuptova se edhe ai ishte nën maskë. Nga ana tjetër, pikërisht nga e djathta e tij, ndoshta edhe ai kishte kuptuar sikletin e maskës, dhe ngadalë po bënte atë që gjithkush pret ta bëjë. Kisha ndodhur papritur në mjedisin ende të hapur të një lokali shqiptar ku ekrani i madh fliste shqip. Fliste shqip, ndërsa unë ende e mbaja të shtrënguar aq fort celularin tim, edhe pse ende nuk e kuptoja pse WhatsApp-i ishte ende në punë...

... qeveria belge ka 'keqpërdorur katastrofikisht' pandeminë, ju mund të citoni statistikën e tmerrshme që na thotë se Belgjika (që nga 9 nëntori) ka shkallën më të lartë të fatalitetit të lidhur me Covid në botë, në 114 vdekje për 100,000 njerëz. (Për ta vënë atë në perspektivë, kjo është 54 përqind më e lartë se shkalla e fatalitetit të lidhur me Covid në MB, me 74 për 100,000.) Dhe atëherë mund të nxirrni të njëjtin përfundim të lehtë që shumë në SH.B.A. dhe Britani të Madhe bëjnë në lidhje me populizmin. Se vdekjet dhe mjerimi në Belgjikë lidhen drejtpërdrejt me karakterin politik të qeverisë së saj. Me pak fjalë, ju mund të fajësoni teknokracinë. Kjo do të thotë të argumentosh se qeveria belge ishte e papërshtatshme veçmas për detyrën e përgjigjes ndaj një pandemie pikërisht për shkak të karakterit të saj teknokratik, globalist. Mbi të gjitha, ky është një komb në zemrën gjeografike dhe politike të BE-së. Një komb që pret NATO-n, simboli ushtarak i rendit të dashur ndërkombëtar të bazuar në rregullat e liberalëve. Një komb që është i përkushtuar për të siguruar funksionimin e qetë të flukseve të kapitalit dhe punës në të gjithë BE - nuk është çudi, ju mund të supozoni, ai ishte aq i hapur ndaj virusit...

»Bir, bir...« - nuk më duket zëri yt. »Kush po flet me ty?«

Oh, më fal nëna ime e shtrenjtë, më fal. Nuk fliste askush..., ishin thjesht zëra në rrugë...

E dëgjova, e pashë, qesha... buzëqesha si i zënë në faj... Nuk e di pse e kisha lënë WhatsApp-in hapur... edhe ato njëmijë e dyqind sekonda në ajër.

2 Comments


Fatmir Terziu:

U mirelexofshim Pajtim Xhelo. Shkrimi dhe te shkruarit na bejne me shije... dhe respekt. Faleminderit.

Like

Pajtim Xhelo

Të bën ta lexosh me një frymë...Pa fjalë!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page