top of page

VULLNETI I LIRË


JETA DHE MISTERET E SAJ

FRANK L. HAMMER - DORRANCE & COMPANY

PHILADELPHIA

(Përgatiti: Adriana Myrtaj)

VULLNETI I LIRË

Gjithçka që i ndodh njeriut është në përputhje me ligjet, rastësia nuk ekziston. Çdo ngjarje është e lidhur ngushtë me një shkak të mëparshëm dhe me një pasojë që vjen pas saj. Por a ka njeriu vullnet të lirë, nëse ka, sa, në ç’masë?

Po të mendohet që njeriut i mungon vullneti i lirë dhe që njeriu është si një kukull në duart e Zotit kjo është në kundërshtim me logjikën dhe kontradiktore me Natyrën e Tij. Është sikur të imagjinonim se Zoti na mendon si mizat të kapur në rrjetën e jetës, si bëjnë mizat ngatërruar në rrjetën e merimangës duke u përpjekur më kot të dalim jashtë saj. Kjo do të thoshte që përpjekjet tona për përparim vetëm e dëfrejnë Sundimtarin e Universit. Një përfytyrim i tillë e bën Perëndinë të duket si një krijesë më e ulët se sa vetë njeriu, sepse as ndonjë baba tokësor nuk do t'i mbante fëmijët të lidhur kur e kishte fuqinë t'i çlironte ata.

Atëherë, meqë kemi vullnet të lirë, cila është masa e shtrirjes e fushëveprimit të tij? Është relativ apo absolut? Liria e vullnetit është e vërtetë, edhe pse është relative dhe e kushtëzuar. Njeriu është i rrethuar nga nevoja, por është i lirë të zgjedhë.

Me fjalë të tjera, njeriu është edhe i lidhur, edhe i lirë.

Njeriu është i lidhur ose i kushtëzuar nga trashëgimia, kufizimet mjedisore, gjendja fizike, zakonet, paragjykimet, injoranca dhe shkelja e ligjeve natyrore dhe shpirtërore. Njeriu gjithashtu ka trashëguar një tru që ka një strukturë të caktuar anatomike, aftësi dhe cilësi fiziologjike. Mjedisi ku vjen fëmija nuk është mjedisi sipas zgjedhjes së tij. Por me të është edhe ndikimi i prindërve në mjedisin në familje, në shkollë, etj. Kjo ndodh në fëmijëri dhe rini kur sistemi nervor i njeriut është tepër i ndjeshëm ndaj rrethanave.

Sistemi i organizmit nervor dhe personaliteti i njeriut ndërtohen nga ajo që ai ka trashëguar në familje dhe ajo që ai ka fituar nga mjedisi. Kur arrin pjekurinë, njeriu duhet të përdorë trurin e vet t’i japë formë rrjedhës së mëtejshme të jetës së tij. Zgjedhje dhe vullnet të lirë njeriu ka, por me mendjen që ka trashëguar dhe përshtatur që në vitet e para të jetës. Për këtë arsye, mjedisi dhe edukimi bëhen të rëndësishme. Fuqia që kemi për të vepruar nuk duhet të ngatërrohet me fuqinë për vullnet. Njëra është e kufizuar, tjetra është e pakufizuar.

Njerëzit kushtëzohen nga të gjitha sa më sipër, por kryesisht nga KARMA, ose Ligji i Shkakut dhe Pasojës. Veprimi i këtij ligji krijon fatin për njeriun dhe fati fiksohet. Nuk është e pazakontë që njerëzit të gjenden në situata të pakëndshme dhe gjendje jo të mira, nga të cilat nuk janë plotësisht në gjendje të shpëtojnë. Ankohemi dhe vajtojmë kundër fatit, por nuk është fati përgjegjës për atë sa ndodh, sepse karma dhe njeriu janë lidhur në një zinxhir së bashku. Vërtetë, veprime të caktuara mund të jenë bërë në padije, por mosnjohja e ligjit nuk justifikon askënd, qoftë në rrafshin fizik, moral, mendor apo shpirtëror, vetë njeriu e krijoi fatin e tij. Por fatin mund ta ndryshojmë.

Ne kemi brenda vetes të gjithë fuqinë e nevojshme për të ndryshuar me dëshirën tonë jetën dhe mjedisin ku jemi. Ndryshimi duhet të vijë nga brenda dhe jo nga jashtë. Për të ndryshuar mjedisin na duhet të ndryshojmë veten dhe mjedisi do të përgjigjet automatikisht.

Për më tepër, ka disa parime fikse në jetë të cilave njeriu duhet t'u bindet. Për shembull, asnjë njeri nuk mund të shkelë vërtetësitë e ligjit të përjetësisë për ndershmërinë, mirësjelljen, dashurinë dhe vëllazërinë, ndryshe do provojë ndëshkimin e Karmës.

Kjo vlen për të gjitha ligjet natyrore. Asnjë kërkesë apo lutje jona nuk i ndryshon këto ligje as edhe një pikë të vetme. Futeni dorën në zjarr dhe thirrini të Plotfuqishmit sa të mekeni, por dora do vazhdojë të digjet. Kështu me të gjitha ligjet natyrore. Ato shkelen duke filluar prej shkaqeve të caktuara; pasojat do të vijnë po aq me siguri dhe në mënyrë të pashmangshme sa dhimbja që pason djegien e dorës.

Karma i ka të dyja anët, është edhe aktuale, edhe e ardhur nga e kaluara. Shumë shkaqe që për ne tani janë të panjohura, janë krijuar në të shkuarën dhe shfaqen se duan të zgjidhen tani. Nga ana tjetër, ne krijojmë çdo ditë shkaqe të tjera, pasojat e të cilave mund të mos jenë të dukshme tani për tani, por një ditë do bëhen. Prandaj, është e rëndësishme të marrim pjesë në ditën e përditshme me veprime, pasojat e të cilave do të jenë të dobishme për ne. Sepse një gjë është e sigurt: gjithçka që vihet në lëvizje dhe çfarë ka filluar duhet edhe të përfundojë. Nuk ka ndërprerje, ndalim apo modifikim të këtij ligji. Me çdo mendim tonin, me cdo dëshirë, për cdo nevojë të shprehur dhe veprim tonin, jemi vetëm duke krijuar Karmën ose fatin tonë, të mirë apo të keq, nga e cila nuk mund të shpëtojmë.

Vullneti është vetja në veprim.

Megjithëse me sa duket ne të gjithë kemi lindur me një kapacitet fiks të inteligjencës, i cili nuk mund të rritet, prapë se prapë, niveli i inteligjencës që kemi mund të edukohet. Karakteri ynë bëhet çështja e edukimit dhe trajnimit dhe, më vonë, i zgjedhjeve tona personale.

Të gjitha sistemet e drejtësisë bazohen në përgjegjësinë dhe llogaridhënien që, nga ana tjetër, mbështeten në lirinë relative të vullnetit.

"Unë nuk besoj në vullnetin e lirë", mund të thoni ju. Epo, vetë fakti që jeni të lirë për ta besuar ose refuzuar atë dëshmon se bëni zgjedhje, përndryshe nuk do të kishte alternativë. Përderisa njeriu ka fuqinë të mendojë, ai ka fuqinë për të zgjedhur.

Jeta është një vazhdimësi zgjedhjesh. Kur nuk na pëlqejnë pasojat e zgjedhjeve tona, të fajësuarit e Zotit për to është marrëzi dhe është e kotë. Nëse kemi zgjedhur pa u menduar në të kaluarën, ne mundemi sot që nëpërmjet ushtrimit të vullnetit tonë të lirë të vëmë në veprim ato shkaqe, pasojat e të cilave do të jenë të dobishme në të ardhmen.

Mendohet, se vullneti i lirë është i pamundur në një univers ku veprojnë ligje të pandryshueshme dhe të përhershme. Vetëm nëse ka ndryshim të ligjit mund të ndodhë që njeriu të mos ketë vullnet të lirë. Po të ndodhte që kjo të ishte një botë me ligje rastësore, pa plan dhe pa qëllim, njeriu nuk mund të kishte as edhe një atom mundësi për të zgjedhur. Por meqenëse gjithmonë janë shkaqe të caktuara ato që prodhojnë pasoja të caktuara, njeriu është në gjendje të parashikojë me çdo shkallë të nevojshme sigurie, se cila do të jetë pasoja e veprimeve të tij.

Ekziston një qëllim qendror, një plan i përgjithshëm për ekzistencën. Ne duhet ta ndjekim këtë, duam apo nuk duam. Kushdo që ka jetuar për një kohë të gjatë mund ta ketë parë, se punët njerëzore i nënshtrohen, ashtu si edhe pjesa tjetër e universit, ligjeve të përgjithshme universale. Në një pamje më të gjerë, veprimtaritë e njerëzve e vullneti i lirë mund të mos merren parasysh dhe domosdoshmëria e aplikimit të ligjit bëhet kryesori e zë vendin e tij. Kant thotë "se forca e rrethanave është shumë e fortë për vullnetin e lirë dhe se ligjet mund të kërkohen në sjelljen e një mase qeniesh, që janë të padukshme për individin." Krijuesi i Universit ka një plan dhe qëllim, të cilit i nënshtrohen të gjitha gjërat e krijuara.

Disa supozojnë se, meqenëse Zoti është i Gjithëdijshëm dhe e di se çfarë do të bëjnë njerëzit, nuk ka mundësi të zbatohet vullneti i lirë. Gjithëdijshmëria e Zotit nuk e përjashton ushtrimin e zgjedhjes së lirë të njerëzve, si as fëmijët nuk privohen nga liria e zgjedhjes edhe pse prindërit zakonisht e dinë shumë mirë se si do të reagojë fëmija në rrethana të ndryshme.

Nëse vetëm vullneti i Zotit do të mbizotëronte në tokë, do të ishte një parajsë dhe kjo është e sigurt. Me ushtrimin e vullnetit të lirë të njeriut, filloi ekzistenca e së keqes. E keqja nuk është një person. Është një forcë e krijuar për mirë, por që përdoret për qëllime keqdashëse. Përdorimi çoroditës i kësaj force prej njeriut i ka sjellë botës vuajtje, dëshpërim, mjerim, sëmundje, luftë, vdekje dhe të gjitha llojet e kushteve të tjera që s’janë hyjnore. Këto krijime të vullnetit të njeriut do të ekzistojnë për aq kohë sa ne do vazhdojmë të ndjekim verbërisht rrugë të gabuara.

Nuk duhet ndonjë mençuri e madhe për të kuptuar, se vullneti i lirë absolut pa u shoqëruar me mençurinë absolute do të bëhej një vuajtje e pashmangshme; do ishte fatkeqësia më e keqe që mund të imagjinohet që Zoti mund t'i impononte njeriut. Kur shohim çfarë kemi bërë duke përdorur me injorancë vullnetin tonë të lirë edhe pse të kufizuar, çfarë do të ndodhte nëse vullneti ynë do kishte qenë absolut i lirë, të mbush me frikë dhe tmerr. Por Zoti është i mëshirshëm dhe, në dashurinë dhe mençurinë e Tij të pafundme, Ai kufizon dhe kontrollon lirinë e veprimit të njeriut.

Ndërsa njerëzit rriten së brendshmi, ata gradualisht shohin marrëzinë e veprimit të pavarur dhe i kërkojnë udhëzim Zotit. Duke hequr dorë nga vullneti i tyre, ata drejtohen nga ndikimi i asaj Urtësie të Lartë, të formohen dhe udhëhiqen prej saj në rrugën e lumturisë së vërtetë.

Për më tepër, njeriu si anëtar i një familjeje të madhe njerëzore grumbullon Karma kolektive, e cila shpesh shkarkohet në mënyrë kolektive, si në luftë apo ndonjë emergjencë tjetër kombëtare. Individi gjithashtu ka përfitime dhe privilegje të shumta nga vendi i tij. Nga ana tjetër, njeriut i duhet të mbajë detyra dhe marrë përgjegjësi. Kjo e vërtetë shpjegohet thellësisht dhe bukur në kapitullin e dytë të Bhagavad Gitës, ku Arjuna, i cili nuk dëshiron të vrasë farefisin dhe miqtë e tij, pyet Krishnën se cila është rruga e duhur për të ndjekur - të luftosh ose të mos luftosh. Krishna përgjigjet: "Ky njeri i vërtetë që banon në trupin tënd, o Arjuna, është i pacënueshëm për ta dëmtuar, lënduar ose vdekur - prandaj, pse duhet të shqetësohesh më shumë për këtë çështje? Përkundrazi, bëj Detyrën tënde, burrërisht dhe me vendosmëri... .. Ai që, në padijen e tij, mendon: "Unë vras", ose "jam vrarë", flet si një foshnjë që i mungon njohuria. Nga e vërteta, askush nuk mund të vrasë - askush nuk mund të vritet. "

Shpirti është i përsosur në thelbin e tij të pastër. Vetëm nga bashkimi i shpirtit me materien lindin të gjitha pa përsosmëritë, gabimet dhe të këqijat; por këto nuk ndikojnë në thelbin e brendshëm të embrionit, sepse nuk janë shkaku i parë i tij, që është Inteligjenca Absolute dhe Supreme, që është Zoti. Shpirti është përgjegjës për dëshirat dhe për zgjedhjen e veprimeve të tij. Për këtë arsye Zoti krijoi shkaqet dhe pasojat. Shpirti, duke qenë i pavdekshëm, erdhi nga Zoti dhe duhet të kthehet te ai Shpirt i Madh nga i cili doli. Por, pasi i është dhënë njeriut të pastër dhe të papërlyer, të pastër nga çdo njollë dhe gabim, ai nuk mund të ngjitet përsëri në atë Vendbanim Qiellor derisa të jetë rafinuar dhe pastruar nga e gjithë e keqja që ka bërë dhe të gjitha gabimet e kryera në jetën e tij fizike.

Kur të kthehemi në shtëpinë e Atit tonë, do të na duhet të japim llogari për lajthitjet tona dhe të bëjmë një raport mbi çështjet që na u besuan prej Tij për sa ishim këtu. Ne jemi qenie racionale të pajisura me vullnet të lirë dhe, për këtë arsye, mbajmë përgjegjësi për to, tani dhe këtu, ashtu edhe si edhe më vonë e përtej.

Sa çuditërisht të ngatërruara janë fijet e Fatit në boshtin e endjes së Jetës!

262 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page