Nesër dielli do të jetë
ndoshta më i madh.
Nesër ndoshta
nuk do të bëjë tepër vapë.
Ndoshta do të jetë
një kohë krejt tjetër.
Ndoshta ajri,
do të jetë më i kthjellët nesër.
Nesër nuk besoj
të ketë luftëra në glob.
Se nesër mund të mos ketë
raketa dhe top.
Njerëzit mund të jenë bërë
më paqësorë.
Fëmijët do të kenë
më tepër lodra në dorë.
Nesër njerëzit do të kenë marrë
tërë mençuritë,
do të kenë mësuar
se i kanë së bashku kufijtë.
Do kenë vënë mend,
se vrasja nuk ka kuptim.
Do kenë kuptuar se feja
është vetëm mendim.
Njerëzit nesër do të punojnë
veç për mirësitë.
Tokësorët do të kenë engjëj
brenda në shpirt.
Në botë nuk do të ketë më,
djaj dhe dreqër.
Oh, lum kush do të lindë
e do të jetojë botën nesër!
Comments