Vullnet Mato: S’MË KA MBETUR PENG
- May 14
- 1 min read

S’më ka mbetur peng, se vitet më shkuan,
se flokët m’u zbardhën e m’u rralluan,
Jam i plotësuar me jetën, gati dyfishe,
zemra më rreh gjoksin, si kambanë kishe.
Desha me shpirt vajzën, që më deshi mua,
bukuroshja e lakmuar, shpejt m’u bë grua,
më lindi tre engjëj, secilin më të ndritshëm,
me talent të shkëlqimtar, të pa arritshëm.
S’më ka mbetur peng, se jam ’’i fundit Mohikan’’,
se tërë vëllezërit ikën nga jeta, vetëm më lanë.
Sepse kam energji e vitalitet të pandalshëm,
t’i përfaqësoj denjësisht, në vitet e ardhshëm.
Kam njohur Atdheun, nga Konispoli në Vermosh,
mësova se si jetën, më gjatë mund ta jetosh,
ma mbushën trurin me përvoja, plot e përplot,
qindra njerëz të thjeshtë të punës dhe patriotë ...
Lidha miqësi me mirësinë, bukurinë, dashurinë,
lashë larg vetes sime, urrejtjen, lakminë, ligësinë.
Qysh në rini u thashë stop, tymosjes dhe gotës,
u them, zhdukuni kthetra skllavërimi të drogës.
S’më mbetet peng, se poezi abstrakte nuk shkrova
se në lista gazetash, ndër poetët e parë s’u reshtova.
Unë dua vargu im, të ketë përmbajtje të vërtetë,
të ketë shumë jetë, siç kam jetëgjatësi edhe vet.
Dua livadheve të kuqëlojnë kudo lulëkuqet,
nëpër pragje, vellon e bardhë të veshin nuset.
Të mos ketë bota luftëra, ku vriten fëmijë pa faj,
të mos qajnë nënat në tokë, po vetëm qielli të qaj...








Comments