top of page

Vullnet Mato: PLANETI NË HERSHMËRI



 

Do falja gjithë kursimet e mbledhura,

nga rropatja e krahëve

dhe nga pagjumësia e penës së ndershme;

Do falja shtëpinë, komfortin

vënë me mundim sfilitës pas kaq vjetëve;

dhe çdo gjë tjetër të vlefshme;

 

Po të më vije, moj grua,

edhe një herë,

me atë fustanin e vetëm prej basme;

për ta filluar nga e para,

si atëherë,

kur ishe e re, e hijshme dhe e hajthme;

 

Do të falja gjithçka,

pa as me të voglën keqardhje,

Sepse nga të gjitha,

ç'fituam e ç'patëm ne të dy,

objekti më i vlefshëm deri në plakje,

paska qenë planeti yt rinor, në hershmëri...

 

Atë planet të zjarrtë,

me shkëlqimin që s’e kish as dielli vet,

në atë qiell dashurie të magnetizuar,

kur e kujtoj tani imazhin e tij të shtrenjtë,

ndodh të më digjen në sy

meteorë lotësh të përvëluar...

 

Ah, sikur të ndodhte sërish ajo pamundësi!...

Por mjerisht,

ai planet i dashurisë rinore,

vjen vetëm një herë, si mrekulli,

që të mbetet kujtimi kryesor i dhuratës jetësore...

7 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page