Qëkur fillova të dalloj figurat e çuditshme,
sytë më shkonin, tek më të bukurat gjëra.
Nga gratë, që më vinin te djepi gjatë ditëve,
nëna më dukej, më e bukura nga të tëra.
Pasi eca këmbadoras, për të dalë te porta,
sytë m’i morën zogjtë, me çukitje e cicërime,
m’i spërkatën trëndafilat me aroma të forta,
m’i ndezi nata jugore, e yjeve me prushërime.
Pastaj qava mbylljen, në dhomën e mërzisë
dhe kuptova, se kisha lindur me sy të uritur,
që m’i qetësonte vetëm magjia e bukurisë,
kur me rrezatim ngazëllues më shfaqej papritur.
Më tej ballin bëra ekran, për filmat ku dukej bota,
piktorëve u dhashë qerpikët, për fije penelash,
këngëtarëve u dhashë sytë, për mikrofona te koka,
valltarëve u dhashë qepallat për pala fustanellash.
Bukuroshja qafësorkadhe, në pyllin me ahishtë,
më shkaktoi në sy, babëzinë e ujkut për shqerra,
derisa vështrimi im e rrëmbeu të gjithën tinëzisht
dhe ajo më vuri në sy, një perde për gra të tjera...
Tani në retinat e syve, sa dy guaska arre, brenda,
kam ekspozuar gjerësisht gjithë galerinë e Luvrit.
Ninëzat më kanë fiksuar miliona portrete e bëma,
mikro-kamerat, aq disqe, sa ka rërë zalli i lumit.
Por bukuria m’i vuri sytë në regjim të tejskajshëm,
sikur të qe flori i mbuluar me inerte shkëmbore,
kërkoi të braktis gjumin, e çdo vezullim të anshëm,
për të zbuluar shkëlqime, me prejardhje hyjnore.
Gurë e tulla shkronjash, zbraz në kantierin e syve,
të ngre në libra, ndërtesa njerëzore të çdo moshe,
duke shpalosur në përfytyrim drama e intriga pabesie,
nga thithja e syve të mi, për të zbrazur në faqe boshe.
Po kur vdekja të m’i mbyllë sytë, e lindur për bukuri,
që asnjë dukuri ardhmërie, të mos shoh në arkëmort?!...
Varrmihësit pas vitesh s’do gjejnë eshtrat e mia aty,
po në vend të tyre, vetëm një pellg të madh me lot...
Sa keq të ikësh me sy të tillë, nga kjo botë dritë-artë,
ku dhe syri i qiellit, bukuritë e Tokës sheh me përgjërim,
ndërsa sytë e tokësorëve, hidhen, mbulohen me baltë,
teksa meritojnë planet tjetër, ku mund të shijojnë bukurinë...
ความคิดเห็น