Vullnet Mato: KUJTESA E JETËS
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Sep 24
- 1 min read

KUJTESA E JETËS
Ashtu siç kanë zyrat kasafortë,
ku mbajnë dokumentet sekret,
njeriu ka një kasafortë në kokë,
ku ruan të fshehtat e jetës së vet.
Në kasafortën time, je vetëm ti,
fshehtësia e madhe e jetës sime.
Atë kasafortë, nuk e hap asnjeri,
dhe sikur pas vdekjes të bëj kërkime.
Kasafortën, thurur me fije neuroni,
s’e hap asnjë çelës, asnjë mjet,
se e ka bërë Mjeshtri i elektronit,
që krijoi kozmosin me planetë.
Ti qëndron aty, si planeti mister,
ku s’hynë kozmonautët, si te hëna,
se të zbulova vet, të parën herë,
me raketën, që më pulsonte zemra.
Dhe eksplorova, të paprekurat vise,
me relievin e butë të perimetrit,
derisa të dy trupat tanë, ndryshe,
pushtuan thellësitë e njëri-tjetrit.
Tani je fosilizuar, si floriri mes gurit,
ngurtësuar, para vitesh fshehtësie,
në pjesën kryesore, brenda trurit,
ku të kam mbuluar me gjak dashurie.
Kur kujtoj, se desha fort një zemër,
hap kasafortën kyçur të fshehtësisë,
të sjell para syve, si të parën femër,
që më fale gjithë nektarin e vajzërisë.









Comments