Ku ke shkuar e zemëruar,
moj princesha ime, me shpirtin dritë?
Cilat hije nate
të kanë mbuluar fytyrën diellore?
Në cilën parcelë mollësh,
ishe përzier në kopshtin kozmik,
kur shkunda
gjithë degët e mollëve qiellore?...
Kur s’të gjeta dot as mes gjetheve
të mjegullnajave purpurake,
nga trishtimi i hidhur,
bëra skandalin e madh të humbësit,
përmbysa gjithë arkat e mollëve yjore
të kësaj mesnate,
duke të kërkuar çmendurisht,
nëpër tërë Udhën e Qumështit...
Kur erdhi dita e sotme
më gjeti përmbys duke lotuar...
I dërmuar shpirtërisht,
solla në imagjinatën e përfytyrimit,
çastet kur muzgu të mbështolli,
me pelerinën e kuqëluar
dhe të mbuloi vajtueshëm,
me çarçafët e zinj të perëndimit...
Atëherë klitha me britma rrufeje,
duke thirrur shirat e vjeshtës,
të vajtonim humbjen tënde,
me përlotje në çdo qoshe.
E mori vesh kozmosi,
deri në galaktikat e përtejme,
se pa ty s’jetoj dot i vetëm,
në asnjë gravitet, apo hapësirë boshe...
Nga dhimbja, dërgova dy meteorë
goditën kambanën e hënës...
Jehonat vazhduan deri në agimin
e pritjes kronometrike!
Ah, mos qoftë e thënë kurrë,
nga orakujt e gjëmës,
të më vijnë stinët e tjera,
pa buzëqeshjen tënde kozmike!...
Dil, të të shoh ku je futur,
moj princesha ime, me shpirtin dritë?
Mos më lër të fundosem
nëpër errësira fund’detesh!...
Dil, ku ke shkuar e zemëruar,
se më ke lenë të verbër, pa dritë?...
Të paktën, më tund diku,
një shami të bardhë komete!...
Kthehu, se pa ty, jeta mbi tokë
më duket e fikur, me netë pa ditë!...
Kthehu të të shoh sërish,
me vezullimin tënd të ngazëlluar!
Moj yllja, mbi yjet më e bukur,
princesha ime, me shpirtin dritë,
mos më mbaj inat, më gjatë,
ah, ta dish, sa thellë jam penduar!...
Comments