Vullnet Mato: BILBILI QË I KËNDON FTERRËS
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Apr 23
- 2 min read

Poeti i talentuar popullor, Servet Dauti është quajtur nga lexuesit e tij, “Bilbili që i këndon Fterrës” Ligjërimi i tij ka një tingëllim të ëmbël prej zogsh, sepse vet përshkrimi që i ban ai natyrës, përzihet shpesh me këngën e zogjve dhe bukurinë e peizazheve fterriote, që të mahnitin me koloritin e tyre gati përrallor.
Ky poet shkruan me gjakun e zemrës, sepse siç thotë që në titull, fshatin e tij të lindjes, e quan zemrën e tij të përmalluar:
“Çdo orë, minutë e sekondë, Fterrë,/ për ty rreh zemra ime,/Unë pa ty nuk duroj dot, Aty kalova rininë time...”
Serveti ka aftësinë e një mjeshtri, në përshkrimin e peizazheve natyrore, të cilat i ruan prej kohësh me shumë mall në retinat e syve të tij, duke jetuar në Tiranë prej vitesh.
“Fshati im i bukur, Fterrë,/i vendosur në luginë,/plot me gjelbërim e pemë,/që ta shtojnë begatinë./Fterra ime, gjithë brezare,/më dukesh një mrekulli,/ti në mes e për rreth male,/porsi zogu në kuvli..."
“Në mëngjes sa zbardh agimi,/ia fillon këngës thëllëza,/përzier me zë bilbili,/me blegërimën e dhenve në rrëza...”
Vjershat e tij për dashurinë, përcjellin te lexuesi një ndjesi të fuqishme, duke prekur thellësinë ndjenjat shpirtërore, ku ai me penelata fjale, derdh të gjithë pasionin e dikurshëm rinor:
“Shelege, ku ishe mbrëmë?!/të prita, bashkë të flëmë,/se ashtu e kishim lënë./Mbase nuk të la jotëmë!...”

Më tej përshkrimet fizike, të personave të njohur prej tij, kanë ngjyrime gati prej piktori, ku ai gdhend tipare njerëzore origjinale të krahasuara me elementë qiellor dhe figura trimërie:
“Vёlla e motёr nga Mirёdita,/Njё si yll, tjetri si drita.../Njё sokol, njё sokoleshë,/Nip e mbesё nё Kurvelesh....”
Për të përshkruar varfërinë e vegjëlisë se tij, ai përdor krahasime te dhimbshme si në veshjen dhe në ushqyerjen e asaj moshe:
“Veshur me sholle me rripa,/Sepse ishim fukarenj,/Brekët nga prapa të grisura, /Nëpër gurë e në shkëmbenj.”
“Kur kthenim për në shtëpi,/çdo ditë vazhdonte avazi,/meqë kishim shumë uri,/
hanim kumbulla te Gjilazri.”
Në kujtimet e vegjëlisë një vend të rëndësishëm të krijimeve të tij e zëne edhe lodrat argëtuese fëmijërore:
“Kujtoj kur venim me dhi,/ne ishim një grup shokësh,/buzave dhe në Heri,/në Lukë e në Gur të Çokës./ Në verë shkonim në lumë,/
laheshim në pus të Maçe,/aty nganjëherë flinim gjumë,/loznim dhe kala dibrançe.”
Gjithashtu poeti i kujtimeve jetësore, sjell edhe takimet argëtuese me miq e shokë të fshatit, gjatë vizitave që u bënte në verë nëpër vendet piktoreske të Fterrës:
“Në atë vend çdo behar,/verojnë çobanëria,/janë vëllezërit tanë,/që i lashtë Perëndia!/Janë çobanët e dhëne,/verojnë për bukuri,/me bagëtinë në mendje,/që të bëjnë katandi.”
Kujtimet e tij përshkruajnë edhe periudhën, pasi djemtë e Fterrës u shkolluan dhe u shpërndanë kudo nëpër atdhe:
“U shpërndamë anembanë,/ku kishte nevojë atdheu,/që nga Dibra në Sarandë,/na bekoi mëmëdheu!...”
Vullnet Mato – Shkrimtar, “Personalitet i shquar”
Comments