top of page

Vullnet Mato: ËNDRRA, SHPRESA DHE DËSHIRA

  • Jul 21, 2025
  • 1 min read

ËNDRRA, SHPRESA DHE DËSHIRA

 

Synimet që mbajnë njeriun gjallë,

qoftë dhe për qëllime të paarrira,

për të cilat derdh energji të rrallë,

mbeten ëndrra, shpresa dhe dëshira.

 

Kam dëshirë e më pëlqen shumë,

të jem sqep i një zogu këngëtar,

të jem vala, që vrapon nëpër lumë,

të jem rrëkeja, që shket nëpër bar.

 

Kam dëshirë e nostalgji të vjetër,

të jem flutur, që rend mbi lulishte,

të jem ketër, në një pyll të gjelbër,

të jem gjinkallë, degëve në ahishte.

 

Kam dëshirë e më rrëmben malli,

të jem bri dreri, që josh sorkadhet,

të jem përrua, që gurgullon te zalli,

të jem puthja diellore, që zgjon malet.

 

Kam dëshirë, të ëndërruar në vegime,

të jem re shiu, mes vapës përvëluese,

Të jem thëngjill zjarri, në vatrat jetime,

Të jem pikë loti, në qerpikun e nuseve.

 

Kam dëshirë e shpesh imagjinoj,

të jem gjethe në shushurimat e plepit,

të jem syri sogjetar, në një shqiponjë,

të jem dallgë krenare, përsipër detit.

 

Kam dëshirë e shpresoj gati si i marrë,

të jem bajrak kuqezi, i shqipo emigrimit,

të jem pikë gjaku, për vëllamin kosovar,

të jem gërshëra që pret shiritin e bashkimit...

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page