Vrasje e dëlirësisë foshnjore
Nga Fotaq Andrea
Mars ’97, karantina e vitit të zi kur shkreheshin armët 24 orë rresht dhe u tremben edhe vetë engjëjt mbrojtës të Shqipërisë.
Lehtë-lehtë e mori, lehtë-lehtë e pështolli në krahët e vet
Puhizë e dashurisë.
E mori, e zu ta përkundë, ta ninullojë, me këngëz plot ëmbëlsi,
Që në pentagrame ajri varte nota cicërime, fëshfërime, gurgullime.
E mori,
Përpjetë e çoi,
Dhe përtej perdeve të mëndafshta jashtë e nxori.
Përreth,
Gjithçka ish mëngjesore, agullore, e trëndafiltë,
Nën lodrën e rrezeve të para diellore, ku
Tek-tuk ndonjë fluturz,
Tek-tuk ndonjë zogth
Gazmohej, harbohej.
Përmbi lëndinë të luleve,
Përmbi bar të vesuar,
Aty, e shpuri puhizë e ëmbël e dashurisë.
Dhe njëmijë kundërmime, vezullime, tingëllime
Ajrin mbushën,
Trokitën në mbretëri të qetësisë.
E u drodh e frikur kjo nuse mjegullore e mëngjesit,
Mbi kokë kurorë diellore praruar,
Në trup fustan mjegullinë palë-palë,
Dhe rendi.
Rendi këmbëzbathur lëndinës së blertë,
Me gjurmë vesimi mbi petalet qumështore.
Kërcitën kërcejtë e brishtë,
Valëzoi bar i bleruar,
Flladi faqeve e puthi
Dhe përshëndetje i dha.
Doçkat lëvizje morën,
këmbkat ajrin rrahën
Dhe u çel botë e gjithë,
Lulëzoi, gëzoi.
Foshnja po i buzëqeshte engjëllit.
Në parajsë të gjumit po kuvendonte me të.
Në qiell,
atë hop, atë ag,
ia dha një breshëri kallashi
Gërrrr ... gërrrr ... gërrrr... rrrrr...…!!!!!!!!!
Foshnja
u
drodh.
Dhe
mua
m’u
drodhën
m
i
sh
t
ë.
!
!
!
!
!
!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!! ........ Kallash, o tmerr i njerëzisë
Gërrrrrrrr!!!!!!!!!!!!
Comments