1-Koha para arrestimit
Sapo isha kthyer nga ishulli i Sazanit, ku kreva shërbimin ushtarak. Isha vetëm 24 vjeç, i mbushur me ëndrra, prej të cilave, shpesh herë zgjohesha i trembur. Gjatë viteve të ushtrisë, atje, mu desh të kaloja një eksperiencë të hidhur: Miku im B. B. më kishte sinjalizuar se punonjësit e sigurimit të shtetit në ishull, i bënin presion të vazhdueshëm, që të bashkëpunonte me ta, për të ditur gjithçka rreth meje. Isha i shqetësuar dhe sapo u lirova, mora në dorë fonotekën e familjes sonë. Pastrova të gjitha shiritat nga ato që atëherë cilësoheshin si “të ndaluara”. Ato shirita do të përfundonin në duart e hetuesit të tim ati, Bujar Himçi dhe në proçes verbalin që është i arkivuar në dosjen e tij janë të shkruara këto fjalë; “...ka një fragment të kënduar nga Sherif Merdani”
Bëhej fjalë për “Kënga e nënës”, të cilën nuk e kisha fshirë.
Akoma e kujtoj një prej netëve, kur po kthehesha në shtëpinë tek “pallati i uzinës” që quhej atëherë. Ngjita lehtë shkallët për të mbërritur tek apartamenti ynë në kat të dytë, ku banoja. Çfarë të shihja? Me kokën tek vrima e çelësit të hyrjes sonë, pashë operativin e zonës, i cili i zënë me presh në duar, u ngjit me vrap nëpër kate. I thashë tim ati për gjithçka pashë dhe ai ngjiti shkallët, por operativin “e kishte përpirë dheu”.
2) Pak javë më vonë.
Kuçovë, 4 Korrik 1979! Gjithçka dukej sikur pluskonte nën atë të nxehtë të padurueshëm, i cili bënte që edhe këpucët të mos shqiteshin lehtë prej asfaltit. Njerëzit, të lodhur prej varfërisë së skajshme, smogut, i cili vinte i bollshëm prej ndërmarrjeve që kishin pushtuar qendrën e qytetit dhe halleve të përditshme, dukej sikur kërkonin të merrnin më shumë frymë.
Askush nuk e dinte në atë qytet me njerëz të mirë, që në bodrumet e errta të ministrisë së punëve të brëndshme, si dhe në ato të Degës së Beratit, qe kalkuluar goditja ndaj një prej figurave më të dashura të tij. Qenë marrë të gjitha masat. Kryetarit të frontit demokratik, Gaqo Bano, i kishin përgatitur edhe fjalimin, duke e porositur që kur ta lexonte, të mos i dridhej zëri aspak.
Vëllai im i vogël vente e vinte në sallën e koncerteve, ku do të zhvillohej “mbledhja e frontit demokratik”, sepse pas saj, për të pranishmit do të jepej një koncert i shkurtër artistik. Një koncert që nuk u dha asnjëherë, sepse pasi kryetari i frontit lexoi materialin e “rëndësishëm” ai tha:
“...-Kemi edhe në mesin tonë armiq të rrezikshëm të pushtetit popullor siç është edhe Zef Lekaj.”
Nuk kaluan më shumë se sa pesë sekonda dhe operativi i zonës, miu i bodrumeve dhe i vrimave të çelësave, nën thirrjen e çjerrë “Zef Lekaj, në emër të popullit je i arresuar”, i vuri prangat.
Dhe ai, i mjeri popull, nuk dinte se si të reagonte. Njerëzit e donin Zef Lekën, jo vetëm si një muzikant i talentuar, që i kishte dhënë qytetit të Kuçovës emër dhe çmime, por edhe për mirësinë dhe dashamirësinë që ai reflektonte ndaj njeriëzve të thjeshtë. Ky ishte edhe çasti, kur salla heshti.
Por ky ishte edhe çasti, kur ajo heshtje u quajt ogurëzezë. Njerëzit e porositur të pushtetit filluan të duartrokisnin dhe mbas tyre të gjithë qenë të detyruar ta bënin atë. Më pas, shumë pjesëmarrës të asaj salle, tregojnë për atë gulç të brendshëm, i cili ju kishte shtrënguar fytin dhe po ju zinte frymën. Ata e njihnin mirë Zef Lekën dhe e dinin se për tri ditë ai dilte në pension.
3) Ditët që pasuan arrestimin
Mbi qytetin e Kuçovës pllakosi heshtja.
Sigurimi i shtetit qe kujdesur për të gjitha. Ajo çka ata shpërndanin në këto raste, qe tymnaja, me të cilën duhej të vishej viktima e përzgjedhur. I gjithë arsenali i propagandës me agjentë, spiunë dhe diversantë, derdhej nëpër damarët e qytetit me njerëz të mirë, me qëllimin e vetëm që t’i helmonte ata. Nëpër Kuçovë prej tyre pëshpëritej nën zë, se Zef Lekaj kishte qenë një armik i rrezikshëm i Vatikanit, dhe se ai kishte studiuar atje, ku edhe qe rekrutuar si agjent. (O Zot, ati im iku nga kjo jetë pa e parë kurrë Italinë që aq fort e deshti). Nëpër mendjet e lodhura të atyre njerëzve të thjeshtë dhe të dashur qarkulloi madje se ai, shkodrani, na kishte qenë edhe “satrap” me fëmijët, pasi i rrihte, nëse ata nuk bënin kryqin para buke. (kurrë në jetën e tij im atë nuk e ngriti dorën ndaj fëmijëve).
Kulmi u shfaq një ditë të bukur me diell, kur qyteza e vogël, gumëzhiu me lajmin e befasishëm: në pianon e Zef Lekës ishte gjetur një revolver.
Armë në pianon e artistit!
Ai artist, i cili edhe kur u lirua nga burgu shkroi poezinë:
DO LUTESHA...
Desh me përmbysën valët
E detit të trazuar
Nëpër rrebeshet e stuhive
Qe ka jeta.
Me shpirt ndër dhembë luftova
Nga etja për hakmarrje
Dhe sipër valësh
Fitimtar unë dola!
Por kot !
Unë qenkam zemër dobët!
Se po t`a shihja atë
Si përpëlitet
Mes dallgëve të detit me furtunë,
Do lutesha:
Shpëtoje, o Zot,
e mos e ler të mbytet!
Zef Lekaj
Pjesa e katërt Hetuesia
Vetëm në pak rreshta, me penën e Zef Lekës do të hyjmë në botën e tij për të qëmtuar se si është ndjerë ai në ato ditë:
“...Më përplasën në një birucë të errët dhe të ngushtë. I vetëm dhe i trishtuar. Tri ditë nuk futa asgjë në gojë. Pa hyrë në hetuesi me cilësuan si kafshë...
Që në ditët e para të arrestimit në qelitë e burgut dhe në vetminë rrëqethëse të tij, atje në Berat, vinin në çdo orë të ditës e të natës oficerë sigurimi, të cilët kryenin raprezialie. Vetmia e detyrueshme, e shtonte më tepër ankthin dhe mërzinë. Doja të kisha pranë meje një qen, një zog, një mi, apo një mizë. Mbas dhjetë ditësh më prunë në qeli një provokator, por me naivitetin tim ndjeva keqardhje për të. Atë e futën në qeli me grushta e me shqelma. Dhe i besova. Më vonë e pashë në burgun e Ballshit me një emër tjetër. Shokët më thanë se ai ishte një provokator dhe paguhej për t’u futur në biruca.
Gjatë verës nuk më lanë të bëja asnjëherë banjë.
Pjesa e pestë-Gjyqi
Mbas gjashtë muajsh hetuesie intensive, i dhunuar moralisht, psikologjikisht dhe fizikisht Zef Lekaj del në gjyq. Meqenëse nuk mund ta akuzonin për të shkuarën e tij të amnistuar, i montohet një gjyq farsë, akuzat më të “rënda” të të cilit qenë besimi fetar, personaliteti i at Gjergj Fishtës, shkrimtari rus Fjodor Dostojevski, si dhe disa gjëra të tjera, të cilat nëse do t’i citoja këtu, mund të lexohesha me mosbesim prej një mase të gjerë lexuesish, të cilët patën fatin e mirë të mos e shijonin atë jetë. Edhe pse në pranga, i rrethuar prej makinave të verbra të ligjit, si të qe një kriminel ordiner, ai diti të mbrojë vendosmërisht kauzën e tij.
Për të dhënë një panoramë sa më qartë të asaj farse, e cila luhej si tragjikomedi në shpinën e një artisti dhe familjes së tij, do të citoj vetëm një prej akuzave.
Kur im atë shkoi për herë të parë në Kuçovë (ish Q. Stalin) dikush e shoqëroi që ta njihte me qytetin. Dhe ai filloi; kjo është shtëpia ku do të banoni ju familjarisht, është një ndërtesë italiane. Dhe vazhdoi ky këtu quhet "Çentralino"..e lanë italianët qysh atëherë, ky është Muzeu i klasës punëtore-ndërtesë italiane, kjo këtu është kinemaja, dhe si u kthye nga im atë vazhdoi, edhe këtë e bënë italianët, edhe komiteti i Partisë edhe Pallati i Kulturës, ku ti do të punosh janë ndërtesa italiane. Në fillim të bulevardit, krahas Pallatit të Kulturës qëndronte statuja e Stalinit. Im atë kthehet nga ai dhe me humor e pyet; po këtë italianët e kanë bërë?
Kjo ngjarje do të sillej si një dëshmi, për të vërtetuar se im atë nuk e donte atë pushtet, pasi kishte fyer figurën e Stalinit.
U dënua me dhjetë vite burgim, si sot 43 vite më parë.
l. lekaj
Athinë korrik 2022
Xingografia:
Vendosa pseudonimin diç i ndikuar nga një rrëfim trishtues e tejet i dhimbshëm. Jo për t'u trembur, por për t'i bërë karshillëk fosileve të diktaturës. Veç të tjerave, se flitet për një artist tepër të ndjeshëm e po kaq edhe të talentuar. Pompoziteti i arrestimeve përpara masave, e rrëfyer pas tre dekadave, herë-herë tingëllon qesharak dhe herë-herë i pabesueshëm. Por qëllimi i rrëfenjësit rrok institucjonin e kujtesës, kaq i domosdoshëm për brezat e rinj. Miku ynë Leon kësaj ia ka mbërrijtur. Urime!
Sotir Athanasi, / Athinë, 9,Korrik,2022