top of page

Vrasësi i ri


Novruz Abilekaj

Vrasësi i ri


Αsnjë gjest politik nuk është më vdekjeprurës sesa rekrutimi dhe armatosja e fëmijëve;

Rojet e Kuqe, rinia e Knerit, rinia e Hitlerit ishin fëmijë

Zhao Fusan (1925-2015)[i]


Skuadra u vendos në shpatullë të kodrës, me pamje direkt mbi urë, para se të zbardhte zalli i lumit. Tetëmëdhjetë vjeçari Karl Heiz Brajter, sipas urdhërit, ishte mbështetur në ledhin e llogores dhe vigjëlonte me gishtin e përthyer rreth harkut të këmbëzës së automatikut.

Askush të mos shkelë mbi urë. Ndryshe, zjarr.

Si urdhëron, bëri pa e menduar dy herë. Kishte bërë stërvitje zjarri që prej dy vitesh por nuk kishte qëlluar kurrë mbi gjallesa. Kurrë mbi trupa njerëzish.

*

Në skajin e përtejmë të urës afroheshin dy silueta. Urën nuk e kishin shkelur akoma. Ishin femra. Veshur me rroba shumëngjyrëshe, sipas traditës së zonës veriore. Të gjitha ngjyrat shëmbëllenin me modelet e kostumeve krahinore në Bavarinë e tij.

Magda dhe Angela të ishin!?

*

Motër e shkëlqyer ishte Magda. Shkëpuste çaste nga jeta e saj për të m’i dhuruar. Me ç’dhimbje më përqafoi tek porta e oborrit. U bë kular rreth qafës sime duke më puthur fort, aq fort sa kurrë nuk e kisha përfytëruar se mund të gjenin forcë të tillë krahët e saj të hajthëm. Kujdes, pëshpëriti brenda veshit tim, po shkon atje ku duhet të vrasësh njerëz. Oh, nuk do doja, bëra unë. Mirë, mirë, ti do të dish të luftosh dhe të kthehesh, këshilloi duke krijuar distancë për të më parë në sy. Pas atyre fjalëve, nëna u lotua. Fjalët i munguan. Vetëm se u lotua shumë. Ata lotë u ngjitën mbi faqet e mia.

Më mirë nga të gjitha nëna e dinte se ku po shkoja dhe me ç’ngarkesë në shpirt do kthehesha.

Në se do kthehesha.

U ngashëreva së brendshmi. Nuk e dëgjoi asnjëra ngashërimin tim. Ndonëse e përjetonin dhimbjen që më brente.

U betova para tyre si para Fyhrerit dhe ktheva shpinën vrullthi. Kështu qe ndarja.

*

Ja dhe Angela. Ajo më përcolli ditë më parë. Isha i qarkuar prej një hije të rëndë. Duket se pata sajuar siluetën e ushtarit që ka detyra të mëdha para atdheut, para Fyhrerit dhe Angela duhet të respektonte portretin e luftëtarit. Domethënë, të të dashurit luftëtar. Ama, ajo e zhveshi hijerëndësinë time. Bëri sa mundi dhe siç dinë vajzat deri sa e zhveshi të tërën, e shndëroi në zjarr dhe u shtrimë në bar.

Trupin tim duhet ta kesh me vete, më pëshpëriti rrëzë veshit. Unë nuk desha ta kuptoja deri në fund të thënën e saj. Hajde, më tërhoqi sipër vetes, hajde të bëhemi një trup. T’i puqim zemrat sa ta dëgjojnë njëra-tjetrën.

U lakuriqepsëm. Indet u ngrohën dhe gjaku u ndez. Trazimi na bëri të papërmbajtur. Tani ti je brenda meje, deklamoi poetikisht. Angela shkruante poezi. Besoj se akoma, çdo ditë shkruan. Në kafazin tim do rrahë krahët përjetë zogu yt, hartoi vargun tjetër ajo. U shastisa. E ngrita fluturimthi në krah, e bëra fugë dhe, pasi rrotullimin e shthurur ia përcollëm botës së pyllit, ramë pa aspak kujdes mbi humusin e butë dhe të vakët. Ti do të jesh gjithësia ime, i ktheva një grimë mendimi poetik.

Matanë urës dy femrave u dalloheshin ngjyrat e rrobave, bile edhe forma e fytyrave. Ato, të bukura siç ishin, i mori përsëri era e përfytërimeve dhe i shpërnguli në parkun e qytetit të lindjes. Përsëri me Angelën. Përsëri me Magdën dhe vështrimin engjëllor të nënës.

Sa sekonda lozi ushtari ynë me motrën Magda dhe me Angelën e dëshiruar nëpër gjelbërimin luleplotë të parkut? Kujdes, nëpër urë kalojnë gra që u çojnë ushqime partizanëve, qe porosia.

Ndal! U dëgjua një thirrje e egër disa metra pas tij. Oh, zëri i komandantit të skuadrës. Zjarr, u përkthye ajo ulërimë. Automatiku, autoamtikisht, shkrehu tërë kordonin. Në mes të urës u përhap gjaku femëror, pikturoi tabllo me përmasa të lëvizshme mbi pllaket gri, pastaj, pa u mpiksur akoma, rrodhi teposhtë, skuqi kaltërsinë e ujit të pakët.

Kur hapi sytë vrasësi i ri, tetëmëdhjetë vjeçari Karl Heiz Brajter pa vetëm amebat e errëta të vizatuara mbi urë përreth kostumeve femërore me ngjyra të çelura. Pa dhe dy pikat e fundit të gjakut që goditën sipërfaqen e ujit. Rrathët e krijuar i çrregulluan vështrimin.

Vrasës, pëshpëriti për veshët e askushit.

***

Variant i këtij rrëfimi (thelbi i fabulës) është shkruar në Shkodër me rastin e 20-vjetorit të çlirimit. Shtytjen e mora nga një dramë e botuar në revistën “Nëntori” që predikonte paqen midis robit dhe robëruesit.

Vath Koreshi (Ju prehtë shpirti në paqe!), redaktori zemërmirë dhe i kujdesshëm, më këshilloi ta gris dhe e grisa tek stoli 20 metra përballë derës së institutit pedagogjik në Shkodër. Nuk e harrova kurrë.Vathi ka vajtur në botën e përjetshme. Edhe Vangjel Loshe, ftuesi i Vathit, e pati pëlqyer tregimin më parë, prandaj më prezantoi me Vathin. Ka ikur herët bashkëstudenti im virtuoz.

Kam mbetur unë për ta shkruar si të dua. Patjetër nesër, në ditën më të çmuar të njeriut, do të takohemi me shpirtrat e tyre që të mësojmë të vërtetën e variantit të parë.

Eh, mendoja se një moshatari im, qoftë edhe gjerman, nuk mund të qëllonte mbi njeriun.

Por, sapo u përballa me vështrimin e ujtë të zemërfloririt Koreshi, .... kuptova se më e rehatshme ishte të bëhesha Lei Fen.

“Mallkuar qoftë pacifizmi im! Le ta bëjnë letërsinë të çarturit”, i thashë vetes.

[i] was one of the 40 initiators of Three-Self Declaration in 1950 (ishte një nga 40 nisëtarët e Deklaratës të Tri vetveteve, më 1950)

89 views1 comment

1 Comment


sotir.mimi
sotir.mimi
Apr 21, 2020

S.Athanasi!

Tregim I shkruar me shumë ndjenjë. Rikujtimi I të ndjerit V.Koreshi e ngjit atë në një shkallë më të lartë: në atë të FISNIKËRISË. Tepër të rrallë për ditët tona.

S.Athanasi!


Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page