Vrapi i zemrës nuk matet me kilometra
(Etyd për gazetarin dhe kompozitorin e talentuar, Kastriot Gjinin në 73 vjetorin e jetës)
Nase Jani
Kastriot Gjini e nisi jetën në korrik të vitit 1949 dhe nuk e mati jetën me vite. Në 29 vjetët e jetës ka vrapuar, ka vrapuar me zemër...
Më erdhi ky mendim në kokë, kur po ndiqja me interes veprimtarinë përkujtimore të organizuar nga tërbaçiotët e Athinës në përvjetorin e jetës së “Otit” artist... Mendimet nxitonin të shfaqeshin nga kanionet e kujtesës, duke shkelur rregullat e qarkullimit mendor...
Mendimi 1
Nga fillimi i viteve ’80-të të shekullit të shkuar, isha mik në Tërbaç të Vlorës. Tërbaçi, me bëma në histori, me trimëri të kënduar në shekuj, m’u shfaq aq i zakontë e i pazakontë njëkohësisht. Aty mbi fshat rinte zgjuar “Shpella e Bilbilejve” që tregonte e heshtur për çetën famëmadhe... Dhe unë shkrova:
“Te kjo shpellë përmbi Tërbaç
ka bërë vend dhe historia:
dy binjake, rritur bashkë,
besa edhe trimëria...
I thonë Shpellë e Bilbilejve”,
siç mund t’i thonë: “Shpellë e besës”
Fustanellë e Bilbil Shakos,
hapi fletët e qëndresës...
Dimër i egër. Në ato vite,
këtu erdhën Bilbilejtë...
i takuan tërbaçiotë,
një nga një të trembëdhjetë...
........
Dyzetë ditë e dyzetë net,
te ky strall e mprehën thikën,
te kjo pllakë e grinë duhanin...
tymi i zi arrinte Çikën...
Këtu vinte bukë e ngrohtë,
djathi i napës, këtu vinte...
Ndënë një futë, aty në shportë,
zemra e Tërbaçit ishte...
U dhanë besën dhe i fshehën
te kjo shpellë në gji të malit...
Besa e dhënë e tërbaçiote,
prishi vulat e sulltanit!
Kisha ardhur pas kaq vitesh në Tërbaçin e trimërisë e të mikpritjes. Në trapez, veç të tjerash, dollia me raki të tërbuar, kënga labe me iso gurgullimë... dhe në fund nga një pjatë-me akullore-tërbaçiote: borë e zbritur nga Çika e “mëlcuar” jo vetëm me sheqer Maliqi. “Tërbaçiotët edhe malin ta zbresin në tavolinë!” Kështu mendova atëherë. Dhe sot e respektoj këtë mendim, kur pasurohem me jetën gjithmonë të re të artistit tërbaçiot, Kastriot Gjini.
Mendimi 2
Duke pirë një kafe, nga termusi i Gaqo Veshit (Hyskë Borobojkës), që e mban gjithmonë në çantën e personazheve të tij aq interesantë, udhës për te “Ditlindja e Otit”, biseda vajti në fshatin-qytet: Vithkuq të Korçës, nga ku ka nisur rrënjë qumështi i gjirit që ka thithur “artisti-magji”.
Vithkuqi i ideologut të parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Naum Veqilharxhit, me ata njerëz të mirë e të mençur, me atë ujë-qelibar, që kalon portë më portë, me atë histori, që kanë ç’të thonë vitet... Në Vithkuq u xhirua edhe filmi “Beni ecën vetë” i regjisores Xhanfize Keko, që u nderua edhe me çmim ndërkombëtar... Sa personazh interesant mbetet Beni! Po sikur ta kishte emrin Oti?! Do bënte më shumë çudira me vetveten. Do luante me fizarmonikë, do shkruante vjersha, e do kompozonte këngë... Dhe 11 vjeçar do hynte në “Trapezin e burrave” ku detyroi duhan pirësit me çibuk t’i hapnin udhë: “Ti e meriton çmimin e parë në Festivalin e Fëmijëve! Ta gëzosh!”
Mendimi 3
Në një intervistë që bëra me këngëtarin Sherif Merdani, aty në zyrën e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, fjalë e kënduar ishte dhe emri i Kastriot Gjinit, me këngët “Fqinja”, “Kabina numër 3”, “Kartolina” etj... Sherifi, fliste me pasion-malli dhe këndonte. Kryefjala e tij ishte: “I mrekullueshmi Kastriot Gjini!” Unë dëgjoja i zhytur në ato ndjesi, që vitet e mia të rinisë m’i kishin ruajtur me kujdes....
Mendimi 4
Mbi dy orë, aty në sallën e Qendrës Kulturore “Athinais”, u fol e u këndua për “magjistarin e muzikës së lehtë”... Ne, personazhet e gjallë, dëgjonim e duartrokisnim... Një vajzë 3-4 vjeçare, që e kish marrë e ëma me vete, gjatë gjithë kohës “theu rregullat”, deri sa u ngjit në skenë, afër portretit të mbështjellë nga lulet, ku buzëqeshte Kastriot Gjini... Vraponte nëpër skenë, duke ecur në udhët e saj të mendimit... Kujtova Kastriot Gjinin, që në 29 vjetët nuk e ndali vrapin e jetës, deri në pavionët e spitaleve të matanë-detit... Vrapi i zemrës nuk matet me kilometra dhe as me vite-jete që shënohen në kalendarë... Njerëzit që vrapojnë me zemër kapërcejnë shekujt dhe s’dinë të ndalen... Kastriot Gjini ka vrapuar me zemër... Ndjeva një dang-dang kapriçioz në gjoksin tim. Ishte zemra ime e lodhur, që më kërkonte falje...
Athinë, Verë 2006-2008
Comments