Liri Bele
Një ditë fundmarsi të vitit të paharruar, pas pune e ndjeva të nevojshme të largohesha nga qyteti e të qetësohesha disi. Për këtë arsye mendova të takohesha me një mikun tonë të vjetër, me të cilin mirëkuptoheshim në gjendjet shpirtërore të rënduara, sa herë të na ndodhte diçka e veçantë, në mënyrë reciproke. Pikërisht atë ditë përjetova një dramë të vërtet njerëzore, thellësisht prekëse... Gjej rastin të shtoj se sinqerisht dëshiroj e besoj që ajo ngjarje e trishtë, e papërsëritshme, do të ngelet thjesht si një kujtim i hidhur i së kaluarës për gjithë ata që e përjetuan dhe si një informacion me vlerë të shumëfishtë për ata që nuk e njohën.
Një të sëmurë kardiak e sollën në spital herët në mëngjes të afërmit e tij. Ishte në gjendje tejet të rënduar, me çrregullime të ritmit të zemrës, shoqëruar dhe me momente kalimtare të humbjes së vetëdijes. Zbehtësia e fytyrës, ku spikatnin sytë e mbyllur, ndryshimi i lehtë i ngjyrës së buzëve, më të errëta se zakonisht, refuzimi i komunikimit teksa reagonte lehtësisht ndaj pyetjeve të bëra, por pa dhënë as më të për afërtën përgjigje qoftë edhe me vonesë, ishin shenja të cilat binin menjëherë në sy. Situata dukej e pazakonshme te një pacient i njohur, gjë që kërkoi përkushtim përgjatë gjithë orëve të paradites e të drekës.
Ishte njeri i mirëkuptueshëm, tregonte respekt ndaj të tjerëve, i kulturuar dhe i qetë. Faktikisht, pas kalimit të fazës fillestare të sëmundjes (tre vjet përpara këtij rasti), në mënyrë sistematike bënte kontrollin mjekësor, duke treguar një korrektësi të admirueshme ndaj mjekimit të rekomanduar, saje të cilit ndihej mirë, sikurse herën e fundit, një javë para rastit në fjalë.
U takuam në poliklinikë gjatë kontrollit të zakonshëm e të paracaktuar. Nuk tregoi asnjë shqetësim. Të dhënat mjekësore bazë ishin brenda kufijve të normales konform diagnozës dhe moshës, natyrisht një vlerësim pozitiv për jetën e tij. Kur mbërriti në repartin e urgjencës dhe më pas në pavijon, ai ndodhej nën kujdesin e një personi në moshë mesatare, tek i cili të tërhiqte vëmendjen heshtja e pazakontë, shoqëruar me një pamje tepër të trishtuar, sa bëntë të lindnin pyetje të shumta tek vështroje atë fytyrë ku vetëm lotët mungonin.
Të sëmurit iu dha ndihma e parë, pas së cilës ai reagoi paksa, por situata mbetej kritike, sepse nuk i dha përgjigjen e plotë asnjërës prej pyetjeve tona rreth shkakut të asaj gjendjeje të pa prezantuar më parë. Çuditërisht, reagimi i tij fillestar ndodhi kur hyri në dhomë një grua rreth të 35-ave, edhe ajo me një pamje të vrarë në fytyrë, por që përpiqej t’i fshihte lotët. Gruaja na përshëndeti me një përkulje të lehtë të kokës. Ajo mbante prej dore një vajzë të vogël 6-7 vjeçare, e cila iu shkëput në çast nga dora dhe kaloi nga pas saj, duke ecur shpejt me hapa të vegjël, thuajse vetëm majat e këmbëve preknin në çimenton e shtruar e të lëmuar, aq sa edhe mund të rrëshqiste lehtësisht. Vajza ishte truphedhur, e zhdërvjellët, kishte flokë të verdhë e të ndritshëm thurur gërsheta, që, me një bukuri të veçantë, rrethonin kokën në formë kurore disa centimetra mbi ballin e lartë. Kishte dy sy që i shkëlqenin në ngjyrë blu të thellë dhe qerpikë të gjatë. Dukej shumë tërheqëse. Ajo hyri me vrull brenda dhomës, duke iu shmagur punonjëses së shërbimit, me hapa të shpejtuar, si të fluturonte në ajër, u afrua pranë shtratit dhe tentoi ta përqafonte të sëmurin, teksa dëgjuam të dilte prej saj dhe një zë fëmijëror të drithëruar, melodioz dhe me tonalitet të lartë, duke përsëritur disa herë:
- Gjysh! O Gjysh! Jam mbesa jote e dashur, jam Elona! Erdha për ty! Hapi sytë, me shiko! Të dua më shumë nga të gjithë, edhe ti mua, e di… U mërzita kur nuk të gjeta te porta e shtëpisë. Ti na pret përherë atje; del përpara meje dhe më shtrëngon fort në gjoksin tënd. Kur isha e vogël, më ngrije në krahë e më rrotulloje gjithandej, sa më merreshin mendtë dhe qeshnim fort. E mban mend? Patjetër që e mban mend, o gjyshi im, o më i miri i gjithë botës ti! Të lutem, të lutem, më përshëndet, më përqafo… Pse rri në këtë shtrat kaq i ftohtë dhe i heshtur, pa folur fare? Sytë të mbyllur, pse i mban? Ti, gjyshi im?! Më thuaj çfarë ke, të lutem!
Dukej qartë që e mbesa nuk e kuptonte situatën në të cilën ndodhej gjyshi i saj, i cili s’i hodhi asnjë vështrim të vetëm e jo më ta përqafonte. Vajza e vogël nuk diti ç’të bënte. Ktheu kokën nga e ëma, pastaj sërish drejt të sëmurit, duke e vështruar ngultas në krahun e tij të majtë, shtrirë përgjatë trupit ku vazhdonte mjekimi. Elona i përsëriti lutjet, këtë radhë përzier me lotët që pandalshëm i piklonin faqeve…
Të gjithë u mallëngjyem, pa mundur të shqiptonim asnjë fjalë. Brenda vetes po ndienim forcën e ndjenjës së vërtetë njerëzore, lidhjen e gjakut, pavarësisht moshës. Pritëm disa çaste që vogëlushja të mund të kuptonte sadopak rreth gjendjes shëndetësore të gjyshit, ta pranonte pamundësinë e tij në të folur…
Pasi e gjykova të drejtë, mora guximin t’i afrohesha vogëlushes. U përkula drejt saj duke i pëshpëritur me zë të ulët që të qetësohej dhe të largohej nga gjyshi, sepse ai ishte i sëmurë rëndë dhe i duhej domosdoshmërisht të qëndronte shtrirë në shtrat, pa harruar pamundësinë e tij të përgjigjes. Kuptohej qartë që nënë e bijë po e përjetonin me dhembje të thellë situatën e rënduar të të afërmit të tyre, aq sa edhe kur iu afruan vogëlushes, dukej se ishin në mëdyshje: a mund ta largonin vajzën; a duhej t’i thoshin me të butë se ajo po i kalonte kufijtë e të qëndruarit pranë një të sëmuri apo mos vallë vogëlushja po shprehte njëherazi edhe ndjenjat e tyre?
Po përpiqeshin të ruanin një pozicion të përshtatshëm pranë një të sëmuri në gjendje të rëndë, gjë që e tregonte dhe puna e ekipit mjekësor të përkushtuar... Nuk mund ta përcaktoj me siguri sa zgjati koha para momentit vendimtar, por para syve tanë po ndodhte mrekullia. Mbetëm të mahnitur e të mallëngjyer në çastin kur gjyshi i Elonës tentoi të fliste. Pamë fillimisht lëvizje të lehta, të përsëritura e të ngadalta të buzëve që shpejt u zëvendësuan me një buzëqeshje, pastaj me përpëlitje të qepallave, përgjysmë të mbyllura,shikime sysh të mbushura me dhembshuri. Fytyra e tij pati një reflektim të lehtë gëzimi të brendshëm, teksa po e dëgjonte mbesën në çastet ngashëryese të natyrshmërisë së saj fëmijërore. Pastaj gjyshi foli me zë të ngadaltë:
- Kaltra ime e shtrenjtë, gëzohem pa masë kur ta dëgjoj zërin! Tani nuk po mundem të të shoh... Je vajza e Brahimit, ty dhe Elonën e Gencit ju kam vogëlushe të shtrenjta, jeni dy xhevahiret e gjyshit… Zërin e keni të njëjtë, shëmbëllimin e bukur të syve bojëqielli… vetëm se Elona është më e gjatë, ka lindur para teje… është e bija e djalit tim të madh… Edhe ti je mbesa ime, por e djalit të dytë…
Gjyshi pati një pauzë, pastaj një psherëtimë dhe pas pak filloi të flasë sërish:
- Eja shpejt në gjoksin tim, më perqafo, afroi faqet e kuqe të t’i puth gjyshi, më mori malli, më ngeli mendja te ju, mamaja jote që shpejt do të të falë ty një vëlla të vogël. Unë do të kem një nip bukurosh… Na është boshatisur shtëpia mbas ikjes suaj, gëzohem tani që u ktheve… Nuk ka bukuri jeta, s’ka gjallëri pa ju… Ejani tani…
Në më të shpejtën kohë, papritur pamja e butë dhe njerëzore e syve iu zëvendësua me një shprehje pikëllimi të pafund. Kur Elona iu afrua e me duar përreth qafës pothuajse i preku veshin e majtë, ne e dëgjuam të kundërshtonte me naivitet:
- O, gjysh! Jam Elona jote, nuk jam Kaltra. Pa hidhmi sytë tani, se ti vetëm po më dëgjon… Edhe unë doja shumë ta takoja Kaltrën, më kishte marrë malli… Ajo nuk ishte në shtëpi dhe nëna nuk më tregoi se ku kishte shkuar. Do ta pres këtu bashkë me ty… Nuk...
Në ato momente shihnim pika loti në të dy cepat e syve të gjyshit. Mbase po kthjellohej e po përjetonte sërish emocionet e munguara deri në ato çaste… Doja t’i bëja pyetjet e domosdoshme lidhur me shkakun e rëndimit të papritur të gjendjes shëndetësore, sigurisht pa e përmendur takimin e javës së kaluar, por më turbullonte dhe pamja thuajse e ngrirë e prindërve të Elonës (më vonë e mora vesh se cili qe shkaku i asaj gjendjeje).
Papritur i sëmuri foli me ashpërsi dhe zë të lartë, duke tentuar të ngrihej nga shtrati por nuk mundi dhe në pozicion gjysmëndenjur foli:
- Më lini të qetë, nuk kam nevojë për mjekime, nuk dua të jetoj më gjatë! Është e pamundur ta përballoj këtë tmerr, vendin nuk e kam këtu, të isha unë atje në fund të detit, jo ata… Është faji im, nuk duhet të lejoja djalin… Ai më pyeti para se të nisej në atë rrugë të mallkuar, me Kaltrën dhe gruan shtatzënë...
Nuk mund t’ia rëndonim më tej situatën e krijuar. Po qartësonim rrethanat e deri atëhershme kur kuptuam se ndodheshim para një të vërtete fatale. Në çast u drejtova shkaras shikimin dy personave të afërm të të sëmurit pranë meje të cilët e aprovuan me kokë pyetjen time të nënkuptuar duke mos mundur të nxirrnin asnjë fjalë të vetme… Heshtje, vetëm heshtje… Pastaj ,i hospitalizuari filloi të fliste përsëri:
- E mësova të vërtetën, megjithëse u përpoqen të mos më tregonin… Jam i sëmurë nën mjekim prej disa vitesh… E kam të pamundur ta kapërcej, zemra ime është e mbushur me helm që nuk do mund pastrohet kurrë… Mendimet më ngatërrohen… Më mirë të më kishte marrë vdekja, para se të mësoja… Nuk mundem ta përballoj, s’kam forcë…, është jashtë mundësive të mia…
I biri i tij, Genci, përkulur pranë shtratit, po i fliste me zë të ulët, gati me pëshpëritje, duke u përpjekur me delikatesë ta vendoste në pozicionin shtrirë. Për çfarë po i lutej të atit në ato momente? As e kuptonim dhe as e pyetëm. Ai papritur flaku tej kateterin vendosur brenda enës së gjakut dhe, pasi largoi të birin me vrull, u ngrit përsëri në pozicion gjysmëndenjur. Fjalët nuk po i shqiptonte qartë, si të kishin një pengesë mekanike. Sapo mendimet filluan t’i kthjelloheshin, ktheu lehtësisht kokën drejt nesh dhe dëgjuam zërin e drithërues e të pikëlluar:
- Po, djali im Brahimi, me nusen shtatzënë dhe vajzën, që muajin e kaluar i festuam 5-vjetorin, janë tri nga viktimat ende të pagjetura pas mbytjes së anijes… Bëra gabim të pafalshëm, unë miratova nisjen së bashku me familjen e tij. Shpresoja të kishin një jetë të sigurt, të lumtur dhe më të mirë se kjo e sotmja në qytetin tonë… Këtu ajo është bërë e zezë, katran thuaj më mirë…
Psherëtiu thellë, gjë që e bënte herë pas here, si për të shtrydhur paksa dhimbjen e shpirtit, dhe vazhdoi:
- Nuk mund t’ia fal vetes, absolutisht jo... Jeta ime s’ka vlerë këtej e tutje, mos u mundoni të më mbani me zor! Dua të iki sa më parë, ja, që tani! Mos më pengoni, ju lutem!
Ndiqja fjalët, ndjenjat e tij të copëtuara dhe, pa kuptuar si, po përjetoja e tmerruar me sytë e mendjes çastet kur një anije e vjetër, e tejmbushur me njerëz, iu largua tinëzisht bregut dhe arriti në mes të detit një mbasdite të ftohtë të muajit mars. Njërin prej tyre, Brahimin, e njihja nga larg, sepse, kur ndodhte të shoqëronte babanë e vet përgjatë kontrolleve mjekësore, ai, në mënyrë të kulturuar, na përshëndeste dhe falënderonte duke u larguar me krahun e vet të vendosur rreth trupit të të atit. Dija se kishte një vajzë të vogël, për të cilën vetë i sëmuri na fliste herë pas here dhe plot dashuri:
- Është mbesa jonë e vogël, Kaltra. Ajo më shëron, më shumë se mjekimet tuaja!
Pra, Kaltra ishte thelbi i jetës së tij të përditshme (më kujtohet se jo rrallë na fliste edhe për mbesën tjetër, Elonën, vajzën e vetme të djalit të tij të dytë).
Brahimin, kryefamiljar e të papunë, pasiguria e jetës së përditshme, shpresa për të siguruar një të ardhme më të mirë, e detyruan të kërkonte rrugë shpëtimi jashtë kufijve, pasi mori edhe miratimin e të atit për këtë vendim. Do të nisej drejt Italisë, përmes shumë peripecive. Hipja në anije, shpenzimet e udhëtimit, misteri dhe e panjohura që e prisnin… Brahimit i duhej të mbante shtrënguar dorën e vogëlushes me duart e veta, njëkohësisht të kujdesej për gruan shtatzënë, që të garantonte ecjen e saj midis atyre shumë njerëzve të detyruar të shpejtonin e të shtynin njëri-tjetrin pa kujdes. Ishte një mjedis i papërshtatshëm, me numër të pallogaritshëm njerëzish që nxitonin të largoheshin nga vendi i tyre, një ambient shumë larg kushteve të normës. Brahimi qëndronte në kuvertë si të gjithë meshkujt në pritje të çastit të nisjes, por, fatkeqësisht, jo pranë gruas shtatzënë me vogëlushen e saj, të detyruara të sistemoheshin në njërën nga tri dhomat e katit të poshtëm, si të tjera gra dhe fëmijë. Gruaja e tij, pothuajse në çdo udhëtim, tregonte çrregullim të ekuilibrit e ngandonjëherë të vjella, tipar i njohur i natyrës së saj, por ngushtësia e ambientit dhe shtatzënia i krijuan shqetësime të shumta, ndjesi të pakëndshme, realisht si faza e parë e vuajtjes, sepse, rreth dy orë më pas, humbi jetën në mënyrë fatale…
Anija prirej me shpejtësi brenda ujit të detit, drejt fundit të tij… Ishte një tmerr i vërtetë, i pamerituar dhe pa më të voglën mundësi shpëtimi. Përgjatë atyre momenteve të papërshkrueshme e të jashtëzakonshme, Brahimi përjetonte dhembje të shumëfishtë.
Vajza e vogël, Kaltra, papritur nuk po mbushej me frymë. Ishte e rrethuar nga uji i detit gllabërues, një përbindësh i vërtetë, i tejskajshëm. Ajo u shtrëngua fort pas trupit të së ëmës, i rrethoi belin me dy duart dhe klithte duke i kërkuar ndihmë e shpëtim:
- Mam! Nuk të shoh, ku je?! Kapi duart e mia, mos më ik! Po më zihet fryma! Dua babin, pse nuk po vjen? Më ngrini në krahë… Thirri babit të na nxjerrë lart! Pse nuk vjen ai të na marrë prej këtej?! Po vëllai im? Pse na la babi këtu vetëm?! Ai na do shumë edhe ne… Oh, po mbytem…
Gruaja e tmerruar në ato momente po ndiente lëvizje të shpejtuara të fëmijës brenda barkut, si të kuptonte padrejtësinë, rrezikun e humbjes së parakohshme të jetës, ende e pafilluar, pamundësinë të shihte dritën vezulluese të rrezeve të diellit, të ndiente në trupthin e tij ngrohtësinë natyrale të përhapur prej tyre, ta shijonte bukurinë e detit duke notuar apo shëtitur përgjatë bregut, të kishte kënaqësi teksa mushkëritë e vogla mbusheshin me ajrin e pastër, aromën e këndshme të luleve të porsaçelura, të shijonte flladin përkëdhelës të mbrëmjes, gjë që mizorisht nuk mundi kurrë as t’ia prekte lëkurën e butë e të lëmuar… E shkelën, e copëtuan dhe e hodhën tej pa mëshirë të drejtën e tij për të gëzuar dhe shijuar jetën…
Edhe pse nuk po e kuptonte mirë se ç’po ndodhte apritur brenda ambientit mbytës pas një zhurme të papritur, të fortë dhe kërcitëse, nëna shtatzënë e ndjeu momentalisht vendosjen e dorës së Kaltrës mbi barkun e vet. A mos vallë në momentin e fundit të jetës po përshëndetej me të vellanë, të palindur ende, por që e kishin parë gjatë ekzaminimit ekografik? E pamundur ta ndihmonte vogëlushen. Shpejt zëri i saj u shua nën dallgë... dhe prekja e duarve u zhduk brenda pak sekondash…
* * *
Përsëri Elona u hodh me vërtik në shtrat, e përqafoi me të dy krahët e saj të vegjël, preku me buzët e kuqe faqet e gjyshit, e, duke qëndruar e puthitur me fytyrën e tij, fliste pa pushim:
- Të dua shumë, o gjysh! Mos je mërzitur që nuk kam ardhur të rri me ty? Ja, tani nuk do largohem më, këtu do qëndroj, këtu, pranë teje… Mbase edhe Kaltra kthehet shpejt dhe gëzohemi të gjithë…
Në ato momente rrëqethëse të gërshetuara midis tyre, mundëm të perceptonim se tek i sëmuri fare ngadalë po shfaqej një kthesë e lehtë, premtuese, pozitive për gjendjen psikologjike pothuajse të përmbysur, gjë që u faktua me përgjigjet e tij, ku dukej se ishin shkrirë në një :-zemra e thyer me mendimin e kthjellët. Arsyetuam se po e ndiente si një detyrim brenda ndërgjegjes të bënte përpjekje të shumta, mbinjerëzore, por të domosdoshme për ta vazhduar atë jetë të mbushur me helm. I detyrohej familjes, aktualisht e cunguar. Elona qëndronte në krye të pjesëtarëve të saj dhe përpiqej ta kthjellonte, ndërsa gjyshi nuk po mundej ta shkëpuste shikimin nga sipërfaqja shndritëse e dallgëve të detit në largësi, me nuanca të ngjyrës blu dhe siluetën e Kaltrës… Ajo po tundte duart e saj të vogla ngritur lart, vendoste njërën prej tyre në buzët e kuqe, si t’i dërgonte puthjen fëmijërore, i njëjti veprim si në çastet kur Brahimi përgatitej të largohej disa ditë nga shtëpia… Pastaj vendoste dorën të tërhiqte pas vetes derën e dhomës, e vendoste dorën e tij të djathtë mbi buzët e trasha, e ngrinte paksa lart atë dhe buzëqeshte duke e kthyer pëllëmbën drejt nesh… Ishte një nga tiparet e sjelljes së tij, por kësaj radhe përshëndetjen po na e dërgonte vogëlushja Kaltra...
Pas disa momenteve zhytur në mendime të thella, i sëmuri na drejtoi një shikim të butë, të ëmbël e të përqendruar, sidomos Elonës:
- Po, engjëllushja ime, të dua pa masë, je shëmbëllimi i mbesës së shtrenjtë, Kaltrës, që po më sheh dhe po më përqafon duke qëndruar mbi dallgët e detit… Elona, ju jeni të njëjta, aq të ngjashme me njëra-tjetrën. Ti më riktheve në mes të njerëzve, ma pakësove dhembjen me zemrën tënde të dëlirë… Je dhurata më e çmuar tani, sidomos në këto ditë... Por ti do të jesh edhe Kaltra për mua, o shpirti im!
E pabesueshme, por reale që një fëmijë para nesh bëri të paimagjinueshmen: situata emocionale e rënduar po zbutej ngadalë. Po lehtësoheshim shpirtërisht dhe në heshtje e falënderuam vogëlushen. Ajo na dhuroi ndjenja njerëzore dhe një forcë të panjohur më parë. Mirënjohje vogëlushes!
* * *
Po shëtisnim në mbrëmje, ende të emocionuar (mbresat e veçanta ishin pothuajse të njëjta), përgjatë bulevardit të qytetit duke biseduar me hollësi rreth subjektit të ngjarjes së trishtë dhe reale të asaj dite. Mua më dukej si të kishte përmasat e një monumenti gjigant në brendinë e të cilit ishin ndjenjat pozitive njerëzore, më kryesorja zemërmirësia, shfaqja brenda vetes e një force të panjohur shpirtërore e mendore, pikërisht në çastin e përballjes me rrezikun e jetës. Ajo forcë i garanton njeriut besim për të ecur përpara, i krijon mundësi për të vazhduar më tej, pa iu nënshtruar vështirësive të shumta shoqëruese. Ja gjithë arsyet pse ndjesia e ngjarjes nuk më ishte shkëputur plotësisht nga shpirti.
Koha po kalonte shpejt sa, nuk po i shihnim as akrepat e orës dhe po ndjenim njëfarë çlodhjeje, kur papritur miku im dëgjoi një zë të njohur në anën tjetër të rrugës ta thërriste në emër. I ndali hapat dhe u përshëndetën e u përqafuan të malluar, biseduan midis tyre disa çaste, pas të cilave u kthye sërish me sugjerimin të uleshim diku së bashku dhe të bisedonim miqësisht.
Drejt nesh po afrohej me hapa të shpejtë një burrë i gjatë, me shpatulla të gjera, tipare të fytyrës tepër tërheqëse, në pamundësi të përcaktoje se cila prej tyre kishte përparësi; ndofta flokët e gjatë, të zinj e të spërdredhur rreth qafës muskuloze, vetullat e trasha dhe një mjekër e dukshme si vazhdim i mustaqeve të holla me të njëjtën ngjyrë si flokët, sytë e bukur me ngjyrë të errët, por me një shkëlqim e rrezatim të ngjyrës gri të rrallë, që pak meshkuj mund ta kenë. Ishte rreth të 30-ve, i shoqëruar me një vogëlush, afërsisht 7-8 vjeç, i cili u largua në fund të sallonit për të ndjekur një emision televiziv për fëmijë dhe shpejt vumë re një buzëqeshje të çiltër, teksa shikonte shumë i përqendruar filmin.
Miku im, ndërsa e prezantonte, sikur mori një tjetër pamje. Po pse?
- Është njëri nga shokët e mi të afërt, por rrethanat na i vështirësuan takimet, sidomos kohëve të fundit. U lumturova kur mësova se Besniku i kishte mbijetuar fatkeqësisë, prandaj po më gëzon takimi me të. Për më tepër, m’u krijua mundësia ta shoh nga afër këtë vogëlushin që këtej e tutje realisht është për të një vëlla i vogël, për të cilin kisha dëgjuar se është i vetmi anëtar i mbijetuar i familjes fatkeqe në ngjarjen tragjike të ditëve të fundit, - po na drejtohej me zë të ulët miku im. - Besnikun e kam prej kohe brenda zemrës. Sa për vogëlushin, edhe unë do t’i qëndroj pranë dhe, nëse do t’i duhej ndihmë, do t’ia jepja me kënaqësi... Do ta përkrah së bashku me Besnikun në hapat e mëtejshme të jetës, sepse kështu ai do të mund të njohë afërsinë njerëzore, pavarësisht lidhjeve të gjakut, shoqërinë dhe miqësinë e vërtetë.
Pastaj u kthye pas, i drejtoi vogëlushit shikime të buta e të ëmbla, tundi lehtësisht kokën si t’i konfirmonte gjithçka shprehu para nesh dhe iu drejtua shokut pranë, i cili po e dëgjonte në heshtje:
- O Besnik! Unë e konsideroj një dhuratë të çmuar faktin që papritur jeta të solli pranë një vogëlush I cili fatmirësisht mbijetoi mes dallgëve të detit dhe… absolutisht falë përkushtimit tend. E mësuam me dhembje të thellë këtë ngjarje, prandaj dëshiroj dhe uroj të bëhet njeri i sinqertë, i sjellshëm, i mençur, zemërgjerë dhe punëtor, njeri me karakter të fortë. Sa për të tjerat, vetë jeta do t’ia mësojë dalëngadalë.
Si të kishte qenë i pranishëm aty, ndonëse ndodhej disa metra larg nesh, vogëlushi iu afrua Besnikut, i pëshpëriti diçka dhe, pasi mori aprovimin e tij, e pamë t’u bashkohej dy moshatarëve në këndin e lojërave pranë nesh. Besniku e këshilloi të tregohej i kujdesshëm. Më tërhoqi vëmendjen mënyra se si ai e ndiqte në të gjitha lëvizjet. Kur u sigurua se vogëlushin po e shoqëronin dy djem të vegjël, u kthye drejt nesh, na hodhi një shikim të përqendruar, në të cilin qartësisht dallohej sinqeriteti i pashkëputur nga një trishtim i thellë, dhe foli mendueshëm:
- Po më gëzon fakti që vogëlushi, më mirë ta thërras vëllai, edhe pse me ngadalë, po e rifiton kujtesën, sepse në ato momente të rrezikshme të jetës e kishte humbur, aq sa as emrin e vet nuk mundi ta shqiptonte qartë, pa përmendur të tjera të dhëna. Pasi e mendova mirë, vendosa ta njohim me emrin Shpëtim, sepse përmbajtja e këtij emri përputhet saktësisht edhe me jetën time.
Ai ktheu kokën për të parë se ku ndodhej djali i vogël, heshti një hop dhe pastaj na vështroi të dyve si për të na lexuar mendimet.
- Përpiqem me këmbëngulje t’i shmangem sa më tepër, t’ia largoj rikujtimin dhe përjetimin e atyre momenteve të tmerrit, të barabarta me ferrin e vërtetë, aq sa s’jam i sigurt nëse nuk do ulërij kur kthehem i pandërgjegjshëm në raste të veçanta. Ah… është e pamundur të përshkruhen ato momente tmerri që i kam përjetuar vetë…
E dëgjonim me vëmendje, pa e ndërprerë dhe ndiheshim të turbulluar. Heshtjen e theu miku ynë:
- Besnik! Të kuptoj qartë e të mbështes, por tani ty të duhet një ndihmë konkrete prej nesh, pikërisht një bisedë e qetë, e hollësishme. Ne jemi shpirtërisht pranë duke të dëgjuar ty. Kur të takova para dy ditësh, ti iu shmange bisedës sonë dhe qëndroje i mbyllur ne vetvete. Fatmirësisht, tani po ndihesh mirë dhe je mes miqsh. Besoj se, duke na e hapur zemrën, do të mundesh të hedhësh tutje një pjesë të helmit, do të ndihesh më i lehtësuar, për më tepër që këtej e tutje ke përgjegjësi të drejtpërdrejtë për Shpëtimin, vëllain ende të vogël.
Besniku nisi të fliste duke na parë me sinqeritet dhe trishtim:
- Ja, tani po jua tregoj thjesht ngjarjen. E ndiej të domosdoshme ta largoj sa më tepër të kaluarën e hidhur, por, ju lutem të më kuptoni që po flas sinqerisht me ju, sepse kjo bisedë nuk mund të bëhet me cilindo nga të njohurit e mi.
U përqendrua disa momente, na shihte thellë e ngultas dhe vazhdoi të fliste, kësaj radhe duke m’u drejtuar më tepër mua:
- Pikërisht ju meritoni ta njihni thellësinë e pikëllimit tim dhe shpresoj e besoj se më pas do të ndihem më i lehtësuar. Po, jam njëri nga të mbijetuarit e tragjedisë së ditëve të fundit, bashkë me vogëlushin bukurosh përballë nesh, - e vështroi me një shikim të ëmbël dhe buzëqeshje të lehtë, të vetmet përgjatë gjithë kohës që ishim së bashku. - Shpëtimin jeta ma dhuroi si një vëlla të vogël. Unë do të jem për të vëllai i madh dhe do të marr përsipër me kënaqësi të gjitha detyrat që më takojnë, kryesisht do të përmbush ato shpirtërore, sepse ai në të njëjtën kohë është ngushëllim për hidhërimin tim të pafund, pas humbjes së Qemalit, shokut të shtrenjtë në ditën e tmerrit të papërshkrueshëm. Sigurisht, tani ju po mendoni se si në moshën burrërore mund të bëhesha papritur me një vëlla të vogël. Përgjigjja e kësaj pyetjeje është e trishtuar, sepse e kushtëzuan rrethanat e jashtëzakonshme, tanimë të mirënjohura, që na detyruan të nisemi në rrugën e shpresës apo të emigronim drejt Italisë. Jeta tepër e vështirë, papunësia, varfëria ekstreme, pasiguria e jetës varur në një fije peri nën rrezikun e plumbave të shumtë që na fishkëllenin pranë veshit një e nga një apo breshëri, pa e ditur nga cila anë drejtoheshin… Banditët e shumtë të merrnin, të mbanin peng ose të bënin copash e të flaknin tej… Qyteti po shkatërrohej pa mëshirë, dita niste dhe mbaronte me ngjarje të dhembshme të cilat arrinin pikën kulminante në orët e mesnatës; pyetje të shumta pa asnjë përgjigje të saktë: “Po të nesërmen, çfarë do të shihnim, a do mund të dëgjonim diçka ndryshe nga dita e mëparshme?”, - mori sërish frymë thellë, gjë që e bënte shpesh gjatë rrëfimit të tij rrënqethës. - Si shumë të tjerë, e vrisja mendjen për ndonjë rrugë shpëtimi për prindërit, motrat e veten time; asgjë konkrete, e realizueshme. Më e mundshmja shihej rruga nëpërmjet detit në shtetin fqinj, që sigurisht ishte e paligjshme. Dëgjonim se kishte mbërritur atje ndonjë nga të njohurit tanë, por këto ishin thjesht hamendësime. Një mbrëmje vonë vendosa ta hapja këtë bisedë të vështirë në familje, por ende pa e mbaruar fjalën, babai u ngrit i nervozuar nga tavolina dhe më dha këtë përgjigje të paharruar:
“Nuk e shkëmbej vendin tim. Këtu do ta presim vdekjen! Ajo po duket te pragu i derës, nuk trembemi, se ky fat qenka thënë për ne”…
Edhe pse tentova disa herë asaj nate e ditëve të tjera, nuk munda ta bindja, ai nuk pranonte asnjë argument timin. Realisht, ne shpeshherë nuk mund të siguronim as bukën e përditshme. Të shumta ishin ditët kur na e dërgonte, jo pa vështirësi, motra e nënës banuese në qytetin tjetër. Në bisedat e përsëritura midis miqsh e shokëve të afërt, thelbi mbetej mundësia dhe mënyra e largimit, gjë që shoqërohej me një kosto jo të vogël. Problemin e gjykova hollësishëm me njërin prej tyre, Qemalin, të cilin e besoja dhe e respektoja. Ishim moshatarë, i kemi kaluar vitet e fëmijërisë duke banuar në të njëjtën godinë, një pallat parafabrikat. Prindërit tanë kanë qenë punëtorë në të njëjtën uzinë. Pra, e vendosëm dhe do t’i informonim familjet tona sa më shpejt të na krijohej mundësia mbas mbërritjes… Planifikuam të jetonim së bashku duke e ndihmuar njëri-tjetrin, do të bënim përpjekje për të siguruar një mënyrë të thjeshtë jetese, saje një pune të ndershme, pa e zgjedhur atë, pa iu shmangur kohëzgjatjes, me një fjalë do të bënim punë krahu, ç’të dilte…
Heshti duke ulur poshtë sytë e përlotur që rrëshkisnin faqeve, ndërsa buzët i dridheshin në mënyrë të papërmbajtur…
- Më kuptoni, kur e kujtoj, - vazhdoi pas pak, - kur përmend emrin e Qemalit, është si të më ngulësh një majë thike në zemër, të çeliktë, ama…
Ndaloi një hop dhe nisi sërish:
- U rritëm, u shkolluam së bashku dhe mirëkuptoheshim, përveç një mospërputhjeje të vetme në prirjet tona: ai donte më shume librat, shkëlqente në shkollë e jashtë saj, unë e kaloja kohën e lirë pranë detit, më pëlqente të shëtisja e të tërhiqja vëmendjen e femrave, një nga mjetet e realizimit të së cilës ishte mbajtja e flokëve të gjatë, ndryshe nga moshatarët e mi. Prandaj me të drejtë më thërrisnin të gjithë “Gagareli”, por mua më pëlqente ky epitet. Pasi e menduam gjatë, ramë dakord të niseshim duke udhëtuar me njërën nga anijet. Mësuam se ishin organizuar disa udhëtime me të njëjtin destinacion, me vështirësi mundëm të siguronim biletat, të cilat natyrisht i tejkalonin mundësitë tona ekonomike. Të gjitha këto i bëmë në fshehtësi të thellë dhe pa ditur asgjë familjet tona.
Psherëtiu thellë, gjë që e bënte shpesh gjatë rrëfimit të tij dhe pastaj vazhdoi me të njëjtin ton dhimbjeje:
- U nisëm në ditën e caktuar drejt vendit të takimit, pa çanta udhëtimi, për të mos tërhequr vëmendje. Morëm disa sende të domosdoshme dhe shpejtuam të bashkoheshim me të tjerët. Tek të gjithë dukej sikur lexohej e njëjta gjë: varfëria, frika për jetën, vuajtjet e shumëllojshme. Por në thellësi të shpirtit të gjithëkujt shfaqej një rrezatim i lehtë, si të vezullonte së brendshmi një dritë e vagët, përfaqësuesja direkte e shpresës për një të ardhme më të mirë. Si gjithë të tjerët, hipëm në anije para kohës se nisjes, por numri i tepërt i pasagjerëve, gjysma e të cilëve gra dhe fëmijë, nxitonin të akomodoheshin sa më mirë dhe sa më shpejt t’u krijohej mundësia. Për pasojë, unë dhe Qemali u gjendëm disa metra larg njëri-tjetrit dhe komunikonim vetëm përmes shikimeve të herëpashershme. Nuk më kapën sytë ndonjë të njohur, me të cilin mund të bisedoja teksa rrija i mbështetur në parmakun e kuvertës së anijes bashkë me udhëtarë të tjerë (gratë dhe fëmijët i kishin sistemuar në tri dhomat e poshtme). Ishte ambient i ftohtë, sepse ndodheshim në mes të detit dhe atë ditë kishte një ulje temperaturash. Qëndroja në këmbë dhe me shikim të përqendruar në lëvizjen e dallgëve të detit, ku më të fuqishmet e më të lartat vetëm sa preknin konturet hekurta të pjesës së jashtme të anijes, si të donin të na hapnin rrugën tonë të porsanisur, të mbushur me shpresën për një jetë të sigurt dhe më të bukur. Po më krijohej përshtypja që, mbas të vetmes përshëndetje, dallgët largoheshin njëra pas tjetrës, shkriheshin në ujin e pamasë, sikur të mos donin të dinin se çfarë po na priste dhe çfarë do të ndodhte me ne… Nuk më ndahej mendimi, brenga se sa shumë do të pikëlloheshin prindërit e mi dhe motrat, kur unë të mos hyja në derë, teksa më prisnin me shikimin të ngulur nga rruga. I kisha të qarta (si të ndodhesha mes tyre) pikëpyetjet e shumta dhe pikëllimin e thellë për jetën time, pavarësisht se asgjë nuk mund të dinin si shkak të vonesës, vetëm hamendësime të pafundme; i ndieja, i parashikoja dyshimet këmbëngulëse të babait me kokën të varur në gjoks, që e tundte lehtas herë pas here me gojën të kyçur, teksa nëna mundohej të përmbante lotët për t’iu shmangur shikimit pyetës të motrave, tepër të trishtuara, të cilat, falë mençurisë së tyre, bënin përpjekje të tregonin se ishin të qeta…
Ishim përpirë në rrëfimin aq tronditës të Besnikut dhe po e dëgjonim me shumë vëmendje. Ai vazhdonte si i përhumbur:
- Isha i përqendruar së tepërmi në mendimet dhe përjetimin shpirtëror të familjes sime kur dita të agonte dhe ata të mos kishin asnjë të dhënë rreth birit të vetëm... S’di si m’u krijua një ndjesi e pakëndshme, e frikshme përgjatë një fraksioni të shkurtër kohe, nuk mundem ta përcaktoj saktë, kur një sinjal avioni në qiell po na shoqëronte në rrugëtimin tonë. Më pas dallova në largësi një anije me përmasa të zakonshme, teksa dëgjohej kërkesa për kthimin mbrapsht e shoqëruar me dritat e fuqishme të projektorëve në mënyrë të përsëritur. Dukeshin thjesht turbullira, ndonëse sapo kish filluar të errësohej. Brenda një kohe të shkurtër, anija italiane u zëvendësua me një fregatë në përmasa shumë më të mëdha, që po afrohej drejt nesh duke bërë manovra të përsëritura. Gjendeshim në mes të detit… U dëgjuan dy goditje të fuqishme djathtas dhe një zhurmë e fortë kërcitese. Në çast më zaptoi frika, pa mundur ta kuptoja nga buronte, sidomos përgjatë momentit kur po ndieja një çrregullim të ekuilibrit. Fillimisht dyshova, por shumë shpejt po kuptoja se pozicioni im po anohej me shpejtësi djathtas dhe anija po shkonte drejt përmbysjes…
Kujtoj me dhembje ato momente kur shpërndaheshin britma, klithma të dëshpëruara të bashkudhëtarëve, duke kërkuar ndihmë, ndonjëri me celular ne duart e ngritura lart mundohej të shkruante, ishte e pamundur, koha nuk priste… shumë dobët dëgjohej zëri i dikujt, përpiqej të shqiptonte me zë të lartë fjalët:
“Babë, po mbytemi! Na shpëtoni! Ndihmë! Ndihmë!”.
Të tjera ulërima vajtuese rreth e qark, por forca e zërit të tyre pakësohej nga sekondi në sekondë. Ishin çaste të papërshkrueshme, ndërsa vazhdonte zhurma e papërcaktuar dhe tmerrësisht e frikshme, teksa anija sa vinte e anohej…
Heshti paksa. Psherëtima e tij u përzie me ankthin dhe psherëtimat tona.
- Momentet në vijim mund të mos i radhis të gjitha, - vijoi Besniku. - Kisha humbur nocionin e kohës. Këto mund të jenë copëza të shkëputura… nuk jam plotësisht i sigurt, përveç faktit që me Qemalin shkëmbyem më të hidhurin shikim njerëzor, më të dhembshmin, realisht të fundit midis nesh brenda disa sekondave… Sa mund të jenë ato? Ndarja fatale me shokun tim është një thikë e madhe, metalike e ngulur brenda shpirtit tim… A ka një forcë mbinjerëzore ta shkulë? Nuk besoj… Ne nuk mundëm as ta përshëndesnim njëri-tjetrin me fjalë apo me dorën të ngritur lart… Kur dhe ku humbën shpresat tona, ëndrrat e shumta për një të ardhme më të mirë e të sigurt në krahë të njëri-tjetrit? Pohoj me ndërgjegje se do të bëja të pamundurën, do rrezikoja jetën time në ato moment, nëse mund ta ndihmoja e ta shpëtoja Qemalin. Ai u zhyt në thellësi të detit si shumë të tjerë, pa e gëzuar rininë e tij, asnjë ditë të jetës në vazhdimësi.... Tani po më duket se këto janë vetëm fjalë, nuk kanë pikë vlere, prandaj pikëllimi për të kurrë nuk del nga zemra ime, përgjatë gjithë kohës…
Ajo çfarë ndodhi me anijen “Kater i Radës” pas goditjes katastrofike dhe pa asnjë motiv nga një anije luftarake italiane (“Sibilla”), është një tragjedi e vërtetë dhe nuk mund të harrohet.. Italianët filluan të bënin manovra që zgjatën rreth një orë, sapo anija shqiptare me 120 pasagjerë brenda doli nga Sazani. Realisht ajo ishte e vjetër dhe jashtë përdorimit;. Drejt saj në horizont po dukej një anije italiane në përmasa të zakonshme e cila në fillim i kërkoi të kthehej mbrapsht, shoqëruar me dritën e fuqishme të projektorëve duke bërë manovra pothuajse për një orë, në mes të detit e në territorin e ujërave italiane. Disa njerëz i kishte zënë deti dhe ishin të shqetësuar. Në vijim të udhëtimit, fregata “Sibilla”, tepër e madhe, goditi fort dy herë anën e djathtë të anijes shqiptare, duke i shkaktuar çarjen tejpërtej, mbushjen me ujë dhe brenda 7 minutash fundosjen e saj në thellësitë e Otrantos, ku humbën jetën 108 njerëz të pafajshëm.
Disa prej tyre ende rezultojnë të jenë në fund të detit, pa mundur të prehen në qetësi dhe të afërmit të prekin me zemër e duar të dridhura, lot të pandalshëm një pllakë mermeri ku të jetë i gdhendur emri, dita e lindjes, data e këputjes mespërmes, para kohe dhe egërsisht , e jetës së tyre.
Thellësia e funddetit, hapësira rreth tij edhe sikur të ishte një oqean, nuk janë të mjaftueshme në madhësitë e tyre të krahasohen apo t’u afrohen sadopak përmasave të dhembjes shpirtërore të Brahimit, babai i vogëlushes 5-vjeçare, njëkohësisht i një biri ende brenda ngrohtësisë dhe ëmbëlsisë së barkut të mëmës së vet, gruas së shtrenjtë me të cilën kishin ndarë çastet më të bukura të jetës rinore dhe bashkëshortore. Pikërisht në ato moment, më tepër se kurrë, por ai nuk pati as më të voglën mundësi t’i ndihmonte, t’i shtrëngonte në krahë, t’i përqafonte… Zërat e tyre u shuan shpejt, duart nuk prekën më njëra-tjetrën… Në ato pak çaste të mendimit të kthjellët, Brahimi nuk bëri përpjekje të notonte për vetëmbrojte, sepse, pa të dashurit e shpirtit, jeta për të nuk do të kishte pikë vlere, ajo do të ishte e njëjtë me fundin e humnerës…
Me respekt të thellë pritëm disa çaste të qetësohej sadopak Besniku, i cili përsëri vazhdoi dhimbshëm:
- Isha zhytur poshtë nën ujë, pothuajse po ngrija nga të ftohtit që po më vështirësonte notimin. Fakti që jam lindur e rritur në një qytet bregdetar, e tregoi vlerën e tij në çastin më të vështirë të jetës, kur vdekja po zgjaste drejt meje duart e saj mizore. Një tjetër faktor vendimtar për ruajtjen e jetës janë ndjenjat që morën përparësi në personin tim, kur vdekja ime ishte fare pranë, duke eleminuar forcën e punës së trurit. Njihet mirë dhe pranohet ekuilibri i ndërsjelltë; ato kanë harmoni midis tyre. Ndjenjat përbëjnë themelin e mendimit dhe mendimi është themel i tyre. Me sa po dukej, truri im e prishi ekuilibrin, kur ai dha të vetmen komandë:
“Ruaje veten, Besnik!”.
Këtë e faktojnë ndjenjat e shumta që më zaptuan. Më e forta prej tyre ishte dëshira të vazhdoja jetën. Fatmirësisht nuk po gjendesha poshtë anijes së mbytur, por brenda ujërave te detit.
Përsëri heshti duke parë me trishtim e sy të përlotur drejt mikut… Pastaj u gëlltit dhe vazhdoi:
- Për një gjë jam i sigurt: kurrë nuk do të harroj tmerrin e atyre çasteve të papërsëritshme, kur perceptova se pranë meje ishte dikush, më kishte shtrënguar fort njërën dorë, më pas është kapur pas flokëve të mi të gjatë (përherë më ka pëlqyer t’i mbaj ato sa më të gjata, ja ku po i shihni tani edhe ju), pa u shkëputur, gjë që ma vështirësoi përpjekjen e mëtejshme të notimit. Nuk jam në gjendje ta përcaktoj se sa zgjati ai moment, se si munda të kthehem e ta kap disi dhe ta vendos nën sqetullën time të djathtë, mbase falë konstruktit të zhdërvjellët të vogëlushit, Shpëtimit, të këtij që është përpara nesh…
E vështroi djalin e vogël me ngazëllim dhe dashuri e pastaj u kthye sërish nga ne:
- Të më falni, nuk mund ta tregoj me saktësi rrjedhën e mëtejshme të atyre çasteve të tmerrshme të jetuara… Për më tepër, nuk mund ta ndjek në mendjen time kohën e marrjes së ndihmës së parë. Vetëm për një gjë jam i sigurt: sapo kuptova se nuk po vazhdoja të notoja, isha pikërisht unë ai që po shtrëngoja fort dorën e Shpëtimit përgjatë lëvizjeve, të cilat po na bëheshin më të vështira nga çasti në çast. Në afërsi të bregut kthej kokën pas. Shoh në sipërfaqen e detit, por edhe në largësi, ishte e pamundur të dallohej silueta, konturet e anijes… Për tri ditë me radhë na ndihmuan njerëzit në shtetin tjetër. Unë u ndërgjegjësova sapo preka tokën me këmbët e mia. Truri filloi të funksiononte e të kthehej në pozitën e vet komanduese. Ato çaste po përfaqësonin njërën nga pikat kulminante të pikëllimit, teksa kuptova dhe u qartësova se Qemali nuk kishte mundur të shpëtonte, të vazhdonte jetën, për më tepër në rrethana të llahtarshme.
“Ndoshta pozicioni i tij në momentin e mbushjes me ujë, mbytjes së anijes nuk i ka favorizuar shpejtimin e lëvizjeve apo tentativa për të notuar ka dështuar sapo është shfaqur?... Unë nuk u përpoqa t’i ndodhesha pranë në momentet kritike, kur ndihma më e thjeshtë do ta kthente në jetë?”.
Sa më shumë pyetje i bëja vetes rreth humbjes së Qemalit, aq më thellë po zhytesha në pikëllim, ndonëse me logjikë të ftohtë e kuptoja dhe pranoja pa dëshirë se askush, cilido të ishte, nuk do të mund ta nxirrte apo ta spostonte nga një anije e kthyer përmbys. Nuk mund të qetësohem e të mos i përjetoj çastet fatale, është tejet e vështirë… Por një gjë e mirë po ndodh para meje: vogëlushi i mbijetuar po kthjellohet ngadalë, sigurisht do t’i duhet njëfarë kohe, sepse kujtesa te një njeri pas kalimit të asaj traume, aq më tepër te një fëmijë… Megjithatë, fakti se po qëndrojmë të pashkëputur, është premtues. Kemi filluar të komunikojmë midis nesh dhe me të tjerë persona, të gatshëm ta ndihmojnë... Ka të ngjarë të jenë të afërm të familjes, por ai refuzon me forcë çdo tentativë për ta larguar prej meje. Të njëjtën gjë bëj edhe unë; Ditë pas dite, zhvillimet e ngjarjeve po i shoh jo me pesimizmin e mëparshëm…
Heshti, dhe ne dëgjuam ngashërimat e tij. Pas disa çastesh, foli miku ynë me një zë të trishtuar dhe duke shkëmbyer njëkohësisht vështrime miqësore me tjetrin:
- Besnik, të njoh mirë prej vitesh si njeri me karakter të fortë, dinjitoz dhe zemërgjerë. Ke pasur respektin tim përherë, por tani edhe më tepër, besoj se do t’ia dalësh shumë shpejt. Të uroj sinqerisht ta kapërcesh këtë situatë të pazakonshme! E mban mend mirë… Kundërshtimi im i vetëm ndaj teje ishte mosaprovimi për modën e flokëve të gjatë, por që ti as doje t’ia dije për sugjerimet tona. Me sa duket, vlera e tyre u tregua në një moment të papërsëritshëm, vendimtar. Sinqerisht të kërkoj falje për sa të kam kritikuar, - buzëqeshi me çiltërsi dhe natyrisht na çlodhi të gjithëve.
Të tre qëndruam gjatë. Para se të largoheshim, teksa po përshëndeteshim duke i shtrenguar duart njëri-tjetrit, ndjeva si një obligim brenda vetes sime ta uroja Besnikun:
- Të respektoj për sa ke bërë deri tani, por dihet se rruga e jetës para teje së bashku me Shpëtimin e vogël është e gjatë dhe jo e lehtë. Unë ju uroj shëndet, mbarësi dhe realizim të plotë gjithë ëndrrave tuaja! E falënderoj mikun tonë të përbashkët për mbështetjen shpirtërore që na dhuroi përgjatë gjithë kohës dhe gjej rastin tani të përmend një shprehje të nënës sime të mençur:
“Kur bën një punë me ndërgjegje e përkushtim dhe e realizon të përkryer, njerëzit vlerësojne cilësinë e arritur, madhështinë e saj dhe nuk kanë aspak interes të njohin kohëzgjatjen”. Pra e ardhmja do ta vlerësojë punën tuaj të madhe, jam i sigurt.
U përshëndetëm, u nisëm për rrugë, por ai u kthye në çast.
- Tani po e kuptoj se fatkeqësia nuk paska njësi matëse… Kjo ngjarje që dëgjova nga ju, më hidhëroi, por edhe më ndihmon të shoh edhe më larg se vetja. Ja, Shpëtimi, vëllai pranë meje… Ju falënderoj sinqerisht! - përfundoi fjalën Besniku duke u larguar ngadalë.
Në respekt të viktimave të pafajshme, familjarët, miqtë dhe të njohurit e tyre në çdo përvjetor qëndrojnë buzë detit me sy të përlotur dhe rrahje të drithëruara të zemrës, duke drejtuar shikimet e përmallshme e të pikëlluara tutje në sipërfaqen vezulluese dhe të pafund të detit, hedhin mbi të tufa të panumërta lulesh të bukura e të freskëta, besojnë brenda vetes se ato do të përshëndesin të shtrenjtët e tyre duke u transmetuar dashuri, mirënjohje, respekt dhe do t’u tregojnë se ndihen pranë njëri-tjetrit përgjatë gjithë jetës…
Kapur për dore me gjyshin, Elona, tashmë me gjendje shëndetësore të përmirësuar, ndodhet midis njerëzve të shumtë, pikërisht në atë pjesë të bregut nga ku u nisën shqiptarët, me të vetmin qëllim që t’i largoheshin jetës së përditshme të shndërruar në një ferr të vërtetë, por fatkeqësisht dhe padrejtësisht disa ,u gjendën në fundin e tij.
Gjyshi shpejton të jetë ndër të parët, përkulet drejt sipërfaqes së ujit, prek lehtas dallgët e vogla lozonjare, ngrihet në këmbë dhe, pasi i ka shtrënguar fort tufat me lulet e shumëllojta të kopshtit, i flak tej në ujërat e detit, të spërkatura nga lotët e papërmbajtur…
Në ditën e përvjetorit të tretë, Elona iu lut gjyshit të dashur:
- Sot dua të hedh me dorën time katër degë me trëndafila të çelur, t’i përshëndes të katërt, me lulet do t’u dërgoj përqafime, t’u tregoj se më ka zënë malli… E ndiej përditë mungesën e Kaltrës…
Gjyshi e shtrëngoi në gjoks, e përqafoi. Disa pika loti prekën fytyrën e saj. Në të njëjtën kohë, ai ngriti kokën, përqendroi shikimin në largësi ku shihte Kaltrën të qëndronte mbi sipërfaqen e lëmuar dhe vezulluese të detit, dallgët e të cilit në radhë pas njëra-tjetrës, i përkëdhelnin me ëmbëlsi këmbët e vogla në formë përshëndetjeje. Shpesh herë pikat e panumërta të lotëve brenda dallgëve i bënin më të ndritshme, më të bukura. Ato përhapeshin tutje për t’u kthyer sërish… Po, vogëlushja qëndron mbi sipërfaqen e detit me duart të ngritura lart, duke i lëkundur lehtas në mënyrë përshëndetëse. Rrezet e diellit në agim me ëmbëlsi përkëdhelin trupin e vogël. Përgjatë kohës së perëndimit shkëlqimi tyre merr nuancat e ngjyrave të ylberit, butësisht prekin trupin, duke u reflektuar në mënyrë mahnitëse. Yjet e panumërta e mbulojnë me një ngjyrë… Kaltra është një statujë argjendi, ajo mbetet përjetësisht…
Comments