Vlerat e paharruara të Profesorit Luigj Filaj
F. Terziu
Pak kohë më parë në përvjetorin e Shkollës së parë të mesme për mësues, Shkollës “Normale” të Elbasanit, u përmend dhe u respektua edhe figura e mësuesit të saj Luigj Filaj. Prania e tij në krah të mësuesit elbasanas Ahmet Duhanxhiu i ka vënë theksin edhe një angazhimi të tij në prillin e vitit 1924 për të ngritur një “forcë të armatosur me dyzetë pushkë”[1]. Kjo edhe pse ishte ngritur në formën më patriotike për të mbrojtur vendin, i kushtoi mësuesit nga Janjeva e Prishtinës ndërprerjen e punës në vitin 1925.
I sapokthyer në Shqipëri, tre vjet më parë nga kjo ndërprerje, me rolin e tij si mësues muzike, kishte ngritur lart vlerat e kësaj shkolle dhe natyrshëm edukoi mjaft talentë të rrinj të domosdoshëm në këtë fushë. Vetë ai mësimet e para i mori në Shkodër. Shkodra që ishte qyteti i ëndrrave të tij rinore dhe madje qyteti i kulturës së vjetër dhe djepi i muzikës shqiptare, i dha atij mjaft shtysa të tjera. Aq më shumë oreksi i tij muzikor u ndez kur ai luajti pjesë të zgjedhura në mes të akteve të shfaqjes së komedisë “Dy shërbëtorët” e Goldonit, përkthye e përshtatë nga Hilë Mosi[2], në një kohë kur ishte themeluar shoqëria “Vllaznia”, një shoqëri kulturore-artistike (1919-1922). Sikurse dihet, edhe nga shkrimet e mëparshme të studiuesit elbasanas Sulë Dedei[3], kjo i dha shtysën për t’u shkolluar në Vjenë, në vendin e muzikës Evropiane. Ai studioi për kompozicion e piano, por për arsye jetese, krahas studimeve punoi në fabrikën e njohur të pianove “August Förster”[4], ku u specializua si mjeshtër për akordimin e pianove. Ndoshta, të gjithë ata që kanë trashëguar piano nga e kaluara, duhet të kenë provuar dorën e mjeshtrit të madh, siç e pohonte edhe artistja e nderuar, Marie Kraja[5].
Luigj Filaj punoi në Korçë në periudhën 1925-27, si shoqërues në piano i filmave pa zë në kinematë e këtij qyteti. “Gazeta Korça”, 11.5.1927 shkruante: “Informohemi se shoqëria “Djelmuria Korçare” gjatë këtij viti dha disa shfaqje të shoqëruara me muzikë nga pianisti Luigj Filaj, i cili kishte studiuar në Austri. Luigj Filaj ishte themelues i bandës së Durrësit, aranzhues i veprave për bandë dhe themelues i teknikave të akordimit të pianove”. Në një intervistë të Prof. Milto Vako, titulluar “Muzika jonë është kryevepër...” ndër të tjera kishte evidentuar, banden muzikore të Pogradecit: “Kur isha fëmijë, më tërhiqte shumë, banda e Luigj Filaj dhe unë shkoja vazhdimisht te kjo bandë në Pogradec”. Prof. Filaj shërbente edhe si përkthyes. “Një herë, kur ai punonte në Korçë, shoqëronte si përkthyes një oficer anglez, që kishte ardhur si instruktor i xhandarmarisë. (shkruan Fatos Baxhaku,” Një copëz nga Prehistoria e Reformës në Drejtësi”[6]).
Mbi të gjitha ajo që ngriti në këmbë shqiptarët dhe që u dha vrull emocioneve në bangat e shkollës duke kënduar “Për Memëdhenë, për Mëmëdhenë/ Vraponi burra se s’ka me prite...” natyrisht e mban ende gjallë memorjen për krijuesin dhe kompozuesin e kësaj kënge. Ndër krijimet më të goditura që edhe sot mbart vlera aktuale është “Kënga e Djepit” të cilën e kanë interpretuar me profesionalizëm të lartë Marie Kraja, Edit Mihali, etj. Është kënga që u kushtohet zemrave të pastra fëminore, atyre që duhet t’u buzëqesh e ardhmja, sikurse shumë i dëgjuar u bë nga “Valsi i Rinisë”[7].
Në tërësi figura e të nderuarit Luigj Filaj del e kompletuar, jo vetëm si profesionist në fushën e muzikës, por edhe si aktivist shoqëror dhe njeri me virtyte të rralla siç pohon “Artistja e Popullit”, Dhora Leka “Prof. Filaj, siç e thërrisnim ne artistët e rinj, ka qenë shembull i shkëlqyer i gatishmërisë dhe përkushtimit kurajoz dhe me shpirt të madh. Nuk e harroj kurrë gjestin e tij kur sapo kisha dalë nga burgu, Ai më takoi dhe më përshëndeti përzemërsisht, kur të tjerët më kthenin krahët...”
[1] Almanaku i Elbasanit 2 [2] Hilë Mosi (Shkodra, 22 prill 1883 - Tiranë, 21 shkurt 1933) qe veprimtar dhe përhapës i çështjes kombëtare, letrar, botues, nëpunës, politikan dhe ministër i shtetit shqiptar. [3] Dedei, S. (1982) Mbi disa tipare të historisë së Shkollës Normale deri në vitin 1936. [4] August Förster është një kompani prodhuese pianoje (e dhënë edhe "Foerster", herë pas here "Forster", zyrtarisht "August Förster GmbH Kunsthandëerklicher Flügel-und-Pianobau") që aktualisht ka një staf prej 40 punonjës dhe prodhon rreth 120 piano madhështore për vit. [5] Marie Kraja lindi më 24 shtator 1911 ne Zarë të Dalmacisë dhe vdiq në Tiranë më 21 nëntor 1999. Marie është këngëtare lirike shqiptare. [6] Baxhaku, F. 23 maj 2015, https://ëëë.gazeta-shqip.com/2015/05/23/nje-copez-nga-parahistoria-e-reformes-ne-drejtesi/ [7] Zani i Malsise.
Comments