-Mendime rreth librit të Emine S. Hotit “Udhëtimet e mia në Shqipërinë Mëmë”-
Tashmë, Emine S. Hoti është një emër i njohur për lexuesin shqiptar, në Shqipëri, në Kosovë, por edhe për shqiptarët në trojet e tyre në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, Çamëri dhe në të gjithë mërgatën. Emineja është e njohur si poete dhe prozatore e talentuar, që trajton me finesë temat bashkëkohore; është e njohur si një stiliste, që dizenjon, pret dhe qep mjeshtërisht veshje dhe kostume kombëtare shqiptare, të cilat nuk i shet, por ua dhuron shoqatave shqiptare nëpër botë. Për këtë vlerë huamane dhe bamirëse të saj, ajo është quajtur “Marigoja shqiptare në Norvegji”, madje i janë kushtuar edhe librat “Marigoja shqiptare në Norvegji’ dhe “Një ditë me Marigonë.” Por, Emine S. Hoti është po aq e njohur edhe si një atdhetare e flaktë shqiptare, e cila përpiqet që, me krijimtarinë e saj të vyer, ta bëjë atdheun tonë të lashtë sa më të njohur dhe më të dashur për të gjithë shqiptarët e mërguar në radhë të parë, por edhe për të huajt, që ende nuk kanë arritur të njohin vlerat dhe cilësitë e shkëlqyera të kombit shqiptar.
E, pikërisht, nëpërmjet këtij libri të ri publicistik dhe artistik, të titulluar “Udhëtimet e mia në Shqipërinë Mëmë”, Emine S. Hoti na rrëfen me shumë ndjenjë e fisnikëri dashurinë e saj atdhetare, përjetimet dhe emocionet e saj gjatë vizitave që ka bërë në Shqipëri, herë si vizitore e thjeshtë dhe herë si anëtare e delegacioneve kulturore - letrare dhe artistike, veçanërisht atyre suedeze. Ndërkaq, vizitat dhe ardhjet e saj në Shqipëri, kanë pasur qëllim krijimin e urave të bashkëpunimit midis shteteve skandinave dhe Shqipërisë, por edhe midis mërgimtarëve për nxitjen e punës me librin, për veprimtaritë kulturore e festive, për këngët dhe vallet shqiptare, ndërkohë që në këto ekspedita kulturore ajo dhuron me kënaqësi veshje dhe kostume kombëtare të qepura me duart e saj të arta. “Bëj aq sa mund, - thotë Emineja, - Dëshira ime e zjarrtë është që veshjet dhe kostumet kombëtare shqiptare të stilizuara dhe të qepura nga unë, artistët dhe veprimtarët e mërgatës, t`i veshin, të festojnë me to, të kërcejnë dhe të këndojnë me ato veshje kombëtare, si të ishin në Prishtinë dhe në Tiranë”.
Duke e përfytyruar veten krah për krah me autoren në udhëtimet e saj nëpër Shqipëri, lexuesi përjeton magjinë dhe bukurinë e vlerave të rralla shqiptare, vlerat e arta të një populli të lashtë, i cili ka sakrifikuar shumë për të mbijetuar, duke ruajtur me vendosmëri gjuhën e bukur shqipe, traditat, zakonet dhe kulturën origjinale shqiptare të trashëguar në shekuj. Libri nis me shprehjen e respektit dhe të mirënjohjes së thellë, të kësaj princeshe të letrave shqipe, për popullin e Kavajës, i cili, ashtu sikurse i gjithë populli shqiptar, në vitin 1999, priti me bujari dhe dashuri motrat dhe vëllezërit nga Kosova, të dëbuar dhunshëm nga ushtria zaptuese dhe kriminele serbe. Mes të dëbuarve ishte edhe familja e Eminesë, nëna, babai, vëllai, nipat dhe mbesat. Ajo erdhi disa herë nga Norvegjia për ta parë familjen, por edhe për të shprehur mirënjohjen e për t`u gjendur pranë atyre njerëzve të dëshpëruar, duke i ndihmuar materialisht, por më shumë akoma, me praninë dhe fjalën e saj të ëmbël, shpresëdhënëse dhe plot dashuri.
Në vazhdim lexuesi emocionohet nga përshypjet mbresëlënëse të Eminesë në përbërje të një delegacioni shkrimtarësh suedezë, në qytetet dhe rrethet: Tiranë, Shkodër, Lezhë, Durrës, Krujë, Fier, Berat, Elbasan, Lushnjë, ku Emineja tregohet mjaft aktive dhe e dashur në biseda me njerëz dhe lexues, gazetarë dhe studiues të ndryshëm nga sfera të arsimit, kulturës, letërsisë dhe arteve, por edhe me stilistë, kompozitorë, koreografë, kërcimtarë e këngëtarë, me etnografë, me mjeshtra popullorë të dizenjimit dhe përgatitjes së kostumeve tradicionale kombëtare shqiptare, me bukuri, shije, elegancë dhe origjinalitet, duke ruajtur veçori të stilit, të prerjes dhe qepjes, të ngjyrave karakteristike shqiptare, që harmonizohen me bukuritë e natyrës dhe të shpirtit njerëzor shqiptar.
Me emocion të madh Emineja përshkruan në këtë libër veprimtaritë e 100 - vjetorit të pavarësisë, veçanërisht ato të zhvilluara në Vlorën e Flamurit, ku pjesëmarrës ishin edhe dy djemtë e saj, Albioni dhe Arbeni, të cilët shkuan posaçërisht nga Norvegjia për të marrë pjesë në ato festime të paharruara.
“-Nënë, do të shkojmë edhe ne në Vlorë, do të shkojmë edhe ne me flamur nga Norvegjia. Do të tregojmë se, edhe ne jemi pjesë e pandarë e atij flamuri dhe asaj ngjarjeje të madhe për të gjithë Kombin. Edhe ne duam të prekim dhe të puthim me mall e dashuri atdheun tonë, të valëvitim flamurin kuqezi së bashku me vëllezërit dhe motrat tona, që do të vijnë nga e gjithë Shqipëria, Kosova, gjithë trojet tona dhe nga bota”.
Po aq impresionuese është vizita në qytetin e Fierit, vizita në Apoloni dhe dasma e djalit të madh të Eminesë, Albionit, i cili e bëri ceremoninë e martesës në Apoloninë e Ilirisë, duke përtërirë kështu traditën e lashtë shqiptare të dasmave, që merrnin bekimin në vende të shenjta kombëtare.
Ndërkaq, Emineja shfaq e përshkruan në librin e saj vlerat e trevave dhe të qyteteve që viziton, zhvillimet, origjinalitetin, veçoritë dhe të veçantat e tyre; përshkruan episode dhe ngjarje mbresëlënëse, prezanton natyrshëm përpara lexuesit tipa dhe karaktere realë e historikë, sjell me modesti, deri edhe biografitë e njërit apo disa prej personaliteteve më të spikatur dhe më të njohur të këtyre rretheve. Kështu, krahas bukurive dhe vlerave të rretheve e qyteteve, në Vlorë ajo portretizon figurat e shquara të Ismail Qemalit dhe të Isa Boletinit, por dhe të shkrimtarëve Petro Marko e Fatos Arapi. Në Fier përshkruan arkeologun francez Leon Rei, mik i shquar i vendit tonë, por portretizon edhe shkrimtarin e suksesshëm shqiptar Jakov Xoxa. Në Kavajë shkruan për Aleksandër Moisiun. Në Krujë përshkruan në mënyrë të plotë figurën e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu; në Elbasan shkruan për Kostandin Kristoforidhin dhe Dhaskal Thodhrin; në Korçë për motrat Qiriazi, piktorin Vangjush Mio, shkrimtarët Sterjo Spasse, Ilinden Spasse dhe për skulptorin Odhise Paskali, autor i monumentit “Luftëtari Kombëtar”; në Pogradec shkruan për Lasgush Poradecin; në Shkodër për Marin Barletin, Luigj Gurakuqin dhe Migjenin; në Devoll për Dritëro Agollin; në Gjirokastër për Çabejn; në Tropojë për Bajram Currin; në Kolonjë për Fan Nolin dhe Petro Nini Luarasin; në Sarandë për Hasan Tahsinin; në Delvinë për Sabri Godon dhe Hajrie Rondon; në Lushnjë për Vaçe Zelën; në Durrës për Leonik Tomeon dhe Jan Kukuzelin; në Lezhë për Fishtën; në Mirditë, për “Katër heroinat e Mirditës”; në Kurbin për Papa Klementin XI, Albanin; në Përmet për Naim Frashërin dhe Tefta Tashko Koçon; në Dibër për Haki Stërmillin; në Berat për Babë Dudë Karbunarën; në Mat për Pjetër Budin dhe Pal Engjëllin; kështu dhe shumë emra të shquar, që nderojnë kulturën dhe kombin tonë. Krijojnë emocion te lexuesi momentet kur zonja Hoti ofron pjesë të zgjedhura apo rrëfime, që përcjellin episode mbresëlënëse, siç është rrëfimi për Kostandin Kristoforidhin, i cili “provokon” shitësen e vezëve, duke ia thyer vezët, me qëllim që ajo të shprehë sa me shumë fjalë të padëgjuara të gjuhës shqipe; rrëfimi për Babë Dudë Karbunarën, kur vrasësit kthyen mendje sepse dëgjuan që “krimet” e tij ishin hapja e shkollave dhe ndihma që u jepte njerëzve të varfër dhe të shtypur nga pushtuesi; rrëfimi për skulptorin e shquar Odise Paskali, i cili tregon se, pasi inauguroi në Vlorë monumentin “Flamurtari” te varri i Ismail Qemalit, ishte nisur po atë ditë në Korçë, për të marrë pjesë në inaugurimin e veprës së tij “Luftëtari Kombëtar” dhe “...sa arrita afër monumentit të inauguruar në Korçë, pashë pranë bazamentit, një plakë që qante dhe dëgjova fjalët e saj të përsëritura: “Korba unë, bir!” Në një moment, një burrë plak e qortoi: “Ky është Nexhip Bënja, moj!” Çava të arrija plakun e ta pyes nga e kuptoi se ishte Nexhip Bënja, statuja ime, por më humbi në turmë. Më vonë mendova për episodin dhe u binda se populli kupton drejt dhe, më shumë akoma, vendosa të kërkoj, pëlqimin e tij, qoftë edhe në ëndërrimet e mia.”
Kështu vërshojnë emocionet, kur lexon për “pemën dhe lulen që kishte mbjellë Naim Frashëri në Sarandë”; kur lexon se, kur u lidh kontrata për shitjen tek të huajt të burimit “Syri i Kaltër”, burimi shteroi dhe nuk nxirrte asnjë pikë ujë, si të donte të protestonte ndaj asaj shitjeje. Kurse, më pas, kur kontrata nuk u realizua, ai vijoi të buronte përsëri. Sikurse të rrëmben rrëfimi për një familje norvegjeze, e cila mbante në mur prej dekadash një portret të Skënderbeut, pa e ditur se kush ishte. Kur nga disa miq shqiptarë, që kishin shkuar për vizitë, norvegjezët mësuan se cilin njeri të madh përfaqësonte ai portret, i zoti i shtëpisë, tha:
-Nuk e dinim se këtu në shtëpinë tonë paskemi pasur një vlerë kaq të çmuar, ndaj ju falënderojmë shumë për gjithçka biseduam. -Heshti pak dhe vijoi:- Ne, si familje, në fillim do të interesohemi për restaurimin e kësaj pikture, sigurisht që do t`i bëjmë edhe një kornizë të merituar, pastaj mendoj ta ekspozojmë në muzeun e qytetit.
-Nuk do ta mbani në shtëpi?-pyeti njëri nga miqtë shqiptarë.
-Një kopje po, do ta mbajmë, madje me krenari, kurse origjinalin do ta ekspozojmë në muze. Gjergj Kastrioti - Skënderbeu i përket të gjithë Evropës...
Atmosferë emocionuese krijon dhe episodi i takimit të Eminesë me një grua beratase, e cila kur e pa të veshur me xhubletë kuqezi, e ndali dhe i tha:
-Je veshur si në kohën e Skënderbeut, moj bijë!
-Po,-i thashë,-jam shqiptare nga Drenica e Kosovës, tani jam mërgimtare në Norvegji dhe kam shumë mall dhe dashuri për Shqipërinë dhe çdo trevë shqiptare.
Gruaja më përqafoi fort:
-Të lumtë moj bijë, këto zakone dhe veshje asnjëherë nuk duhet t`i harrojmë...
I tregova edhe për axhën tim, Istref Hotin, i cili kishte jetuar në Berat. Ajo më pa një çast, pastaj tha me gëzim:
-E kush nuk e ka njohur Istref Kafexhiun! Atë njeri aq të mirë, trim dhe fisnik e njeh dhe e respekton i gjithë Berati, sepse ka luftuar për bashkimin e atdheut, ka qenë luftëtar i shquar në Kosovë...
Nuk e harroj përqafimin, fjalët dhe ngrohtësinë e asaj gruaje fisnike beratase.
Libri paraqet episode të bukura dhe mbresëlënëse për kala dhe zona të ndryshme të vendit, për shembull për zonat arkeologjike të Butrintit, të Kaninës dhe Skelës, të Amantjes, Bylysit, Apolonisë, Durrësit, Antigonesë, Linit, zonës “Kultura e Komanit”, Albanopolin, kalatë e Rozafës, Bashtovës, Beratit, Sebastias, Skënderbeut, Krujës, Stelushit, Gurit të Bardhë...Të mbeten në mendje përshkrimet dhe bukuritë përrallore të Lurës, të Belshit, të Balgjajt, të Prespës dhe Pogradecit, të Ksamilit, të Shkodrës dhe të Komanit; mjediset tek Uji i ftohtë i Tepelenës, i Viroit në Gjirokastër, gryka e Këlcyrës dhe Bredhi i Hotovës në Përmet, parku natyror i Llogarasë në Vlorë, Syri i kaltër në Delvinë; bukuritë magjepsëse të Thethit, të Valbonës; kanionet e Skraparit, bukuritë e pazarit karakteristik të Krujës...Libri është i mbushur plot e përplot me dashuri për Shqipërinë, këtë perlë të Mesdheut, që ende Evropa dhe bota nuk po ia njeh ashtu siç duhet vlerat e vyera, por që edhe vetë ne shqiptarët, duhet të bëjmë më shumë që bota t`i njohë dhe t`i përjetojë ato bukuri e vlera me gjithë origjinalitetin dhe madhështinë që kanë. Sikurse, libri bën të njohur për lexuesin vlerat dhe forcën tërheqëse të plazheve bregdetare të Velipojës, të Shëngjinit, të Durrësit, të Divjakës, të Vlorës dhe Sarandës, por dhe vlerat e rralla ujore të Drinit, Semanit, Vjosës, Shkumbinit, Erzenit, Matit, Osumit, Bunës...
Autorja, në përbërje të delegacioneve kulturore, letrare dhe artistike, përshkruan me ndjenjë dhe respekt bashkëbisedat me studentë të universiteteve “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, si dhe me nxënës të disa shkollave 9-vjeçare si: “Sherif Dervishi”, Krujë, “Demokracia” Durrës, “Vëllazërimi”, Tiranë etj. Respekt të thellë shpreh autorja për vlerat autentike të Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeut të Pavarësisë në Vlorë, Muzeut Historik në Fier, Muzeve “Oso Kuka” dhe “Ndre Mjeda” në Shkodër, Memorialit të Skënderbeut në Lezhë. Po aq interesante paraqiten në libër bashkëbisedat në bibliotekat e rretheve Fier, Berat, Pogradec, Korçë dhe Gjirokastër.
Duket sikur e tërë harta gjeografike e Shqipërisë ndodhet në këtë libër, pasi poetesha, stilistja dhe atdhetarja Emine S. Hoti “s`ka lënë vend pa shkelur”. Kjo shqiptare me zemër të madhe dhe me shpirt të bukur, duket sikur të merr përdore dhe të rrëfen me pasion dhe pa u lodhur, me fjalë të thjeshta, plot kulturë, ndjenjë dhe emocion gjithçka që sheh me sytë e saj dhe e përjeton shpirtërisht me mendje dhe zemër si një atdhetare e shquar.
Në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, kur sheh mozaikun “Bukuroshja e Durrësit”, midis të tjerave shprehet: “A nuk do ta bënte xheloze Xhokondën (Lozonjaren), që ruhet në Muzeun e Luvrit në Paris,kjo bukuroshe shqiptare? A nuk do ta shikonte me respekt e nderim këtë “Bukuri të Dheut”, edhe vetë Leonardo da Vinçi? Për fat ne e kemi. Veçse duhet ta bëjmë edhe më të njohur, ashtu siç bën edhe bota me kryeveprat e saj”.
Gjithkush që e lexon librin, krahas emocioneve, përjetimeve dhe kënaqësive estetike të leximit, merr edhe informacione të plota dhe mbresëlënëse për çdo qytet, rreth, objekt natyror e kulturor; merr më shumë dije dhe njohuri për historinë dhe kulturën e lashtë shqiptare, emocionohet nga ndjeshmëria dhe dashuria për jetën, që përcjellin shqiptarët nga njëri brez në tjetrin, nga vlera si: besa dhe mikpritja, ndihma e mikut kur je në vështirësi, veçori këto, që shqiptarët i kanë treguar në kohën e Gjergj Kastriotit, që u bë barrikadë përballë vërshimit osman mbi Evropë; gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur mori në mbrojtje hebrenjtë; por dhe në momente krizash të rënda ekonomike apo fatkeqësish natyrore, ku kombi shqiptar rrezaton ngrohtësi dhe dritë në Evropë dhe në botë.
Herë – herë, gjatë leximit të këtij libri, e përfytyroj Eminenë me një tufë lulesh të bardha në dorë, si të dojë të na sjellë mesazhe paqeje dhe dashurie mes nesh, si të dojë të na përgëzojë për arritjet e derisotme të demokracisë shqiptare, për miqësitë dhe vlerat që kemi treguar ndër këto vite, por me ato lule të bardha në dorë ajo do të na thotë se duhet të jemi edhe më tolerantë, më të dashur dhe më miqësorë me njëri-tjetrin, më të bashkuar dhe pa ndasi dhe egoizma se, jeta nuk vjen gjithnjë siç e duam ne, por ka edhe ajo problematikat e veta, herë të ashpra dhe të komplikuara, herë më të qeta dhe të ekuilibruara, por, edhe ajo, si natyra, ka stinët e veta, ka dhe verë të nxehtë, ka dhe dimër të ashpër, ka pranverë, ku çelin dhe ndrisin lulet ngjyra-ngjyra nga më të bukurat, por ka dhe vjeshtë, ku ato vyshken dhe përgatiten t`ua lënë vendin të tjerave, që vijnë sipas ligjeve të pashkruara të natyrës. Ndaj, na këshillon zonja Hoti, ta jetojmë jetën, sepse jeta na jepet vetëm një herë dhe neve na duhet të bëjmë më të mirën për veten tonë, për familjet dhe fëmijët tanë, për atdheun dhe kombin, i cili e mban secilin nga ne si një vlerë të çmuar, kurse ne e kemi gjithçka.
Autorja Emine me ndjeshmëri të lartë dhe bukuri të pasosur shpirtërore duket se nuk do që të lërë në këtë libër pa e shprehur mirënjohjen që ajo ndien veçanërisht për ata norvegjezë, që e morën në mbrojtje atë dhe familjen e saj ditët e para të shkuarjes në Norvegji, që i qëndruan pranë, ndihmuan që ata të mësonin gjuhën norvegjeze, ndihmuan në përgatitjen e dokumentacionit përkatës, siç i kërkon një shtet serioz si Norvegjia, ndërkaq i çelën dyert e shtëpive dhe të zemrave të tyre mikpritëse. Emineja i përmend emrat e tyre me shumë nderim, respekt dhe dashuri: Lagee Trangsrud (shefi i azilit), Nina Bergeshen, Vidar Dagaj, Nina Vidari, Marjan Asgord (mësuese e gjuhës)...
Me një gjuhë të sinqertë autorja na thotë se “vlerat i kemi brenda nesh, i kemi rreth e qark, i kemi në trevën dhe natyrën tonë të mrekullueshme, i kemi te çdo gur e fije bari, te çdo rreze dielli dhe dritë hëne, i kemi në ajrin tonë të pastër dhe në ujin e kulluar, gjithçka tek ne është e bekuar nga dora e Zotit. E, pikërisht këtë vend të mos e braktisim, por ta jetojmë këtu jetën, duke punuar e duke u përpjekur më shumë, duke mos u thyer nga vështirësitë, sepse edhe shumë vende të tjera të botës, kështu kanë punuar e sakrifikuar, si për shembull Norvegjia dhe Suedia, të cilat sot janë ndër më të zhvilluarat, në krye të shteteve më të përparuara”. “Humbasim shumë,- vijon autorja,- po t`i largohemi Shqipërisë dhe trojeve tona, ndërkohë që është koha të bëhemi bashkë si dikur dhe, në një flamur, të bashkojmë të gjitha pjesët e copëtuara të trupit tonë të bukur shqiptar”. “Shëtitëm pa u ndalur, - vijon ajo, - pothuajse në çdo cep të Shqipërisë, por gjërat që i don zemra, syri asesi nuk ngopet me shiku. Sa herë ndodhem në trojet tona shqiptare, zemra më bëhet mal”.
Duhet të themi se edhe në ato pak treva shqiptare, që Emineja nuk ka pasur mundësi të shkojë e t`i vizitojë, ajo, përsëri duke shfletuar literaturë dhe përmes përfytyrimeve realiste, mbështetur në fakte konkrete, ia ka arritur të përshkruajë me vërtetësi episode, ngjarje dhe mjedise tërheqëse e të begata shqiptare.
Interesante janë për lexuesin vargjet e poeteshës Hoti, kushtuar personaliteteve, qyteteve, krahinave apo ngjarjeve të veçanta, të cilat ajo i vendos në vendin e duhur, si për të ilustruar apo për të mbështetur më bukur dhe më fuqishëm ide, mendime apo opinione të caktuara. Këto vargje, duken si të përzgjedhura në kopshtin e krijimtarisë së saj poetike, apo dhe të krijuara gjatë vizitave të shpeshta në Shqipëri. Për këngëtaren Vaçe Zela, zonja Hoti shprehet: “Vaçe Zela yll i pashuar i muzikës shqiptare,/ Zëri i saj embëlsisht na ledhaton e frymëzon,/ Vaçja, bijë e poezisë dhe këngës gjëmimtare,/Qielli i Shqipërisë ndrit, kur zëri i saj jehon”.Motrat Qiriazi, poetesha i konsideron:“Pishtare të ndritura të arsimit dhe diturisë,/I dhatë dritë dhe vlerë të gjithë shqiptarisë,/N`panteonin e kombit do t`ndrisni ju si yjë,/O shqipe të kësaj toke, o bija të lirisë!” Mbresëlënëse është dhe poezia kushtuar Andronika Kastriotit dhe dasmës së saj. Potetesha shkruan: “Kastrioti kryetrim dhe princesha Donikë,/Si Dielli rrezeartë dhe Hëna plot ndriçim,/U bënë një familje me popullin e Arbërisë,/ Jetës, historisë i dhanë dritë e shkëlqim”. Kurse për kalanë e Gjirokastrës, ajo krijon vargjet: “Aty çdo gur ka një histori legjendare,/Ai truall kudo është mbrojtur me jetë,/Në luftërat për liri, kryetrima të betuar,/Në paqe, njerëz mikpritës dhe me besë”. Për Dyrrahun ajo shprehet: “Dyrrahu, qyteti antik i Ilirisë,/Si feniksi u ngrit nga zjarri dhe hiri,/ I qëndroi fort stuhive të shekujve,/Nga stërgjyshi, gjyshi, babai dhe biri”. Kështu mund të vazhdonim edhe me poezitë: “Kurrë, nuk ndahen Shkup e Shkodër”, apo poezitë kushtuar Elbasanit, Vlorës, Shkodrës, Beratit, Korçës, të cilat Emineja i recitonte, së bashku me shkrimtarët e shkrimtaret suedeze, në takime me lexues në biblioteka, shkolla dhe mjedise të tjera artistike.
Një informacion të dobishëm lexuesi merr në këtë libër, edhe për objektet e kultit, për lashtësinë e vendeve të shenjta, për afreskat dhe ikonografinë, arkitekturën dhe vlerat e tyre artistike, si, për shembull, për kishën e Leusës dhe të Kosinës në Përmet; për kishën e Labovës së Kryqit në Gjirokastër; për kishat e Shën Mërisë së Zvërnecit dhe të Marmiroit në Vlorë; për kishën e Maligradit në Prespë, kishën e Skënderbeut në kepin e Rodonit; për festimet në ditët e shenjta të Pavarësisë dhe të Çlirimit nga pushtuesit, për festat e shkollave dhe gjuhës shqipe, për festat pagane si Dita e Verës etj., sikurse, lexuesi merr një kulturë më të thellë për monumentin e Pavarësisë dhe të “Flamurtarit” në Vlorë; monumentin e “Luftëtarit Kombëtar” në Korçë; të Bajram Currit në Tropojë, monumentin “Eksod 99” në Kukës, të Migjenit në Pukë etj. Ndërkaq, gjatë leximit, emocionohesh dhe përfshihesh nga ndjenja e nderimit për dëshmorët e gjuhës shqipe Petro Nini Luarasi, Dhaska Thodhri, Pjetër Budi, Babë Dudë Karbunara etj;
Interesante është rubrika “Vlera të veçanta”, ku autorja ka zgjedhur dhe përcjellë informacione, që shuajnë kureshtjen qytetare si, për ishullin e Sazanit, për gadishullin e Karaburunit, ishullin e Maligradit, ishullin Franc Jozef, ishullin e Kunës, ishujt e Ksamilit; ndërkohë që pasurohesh me më shumë dije kulturore dhe shkencore për Gjirin e Gramës, Shtegun e Çezarit, Shpellën e Haxhi Alisë, Shpellën e Piratëve, Shkëmbin e Vajës, Pishën Flamur, Ullirin e Skënderbeut, Kroin e Nënës Mbretëreshë; Lagunat e Nartës, Orikumit, Karavastasë, Kune-Vainit; por edhe për urën e Mesit, urën e Vashës, urën e Katiut; rrugën Egnatia, rrugën e Arbërit.
Libri është i pajisur me fotografi, skica dhe ilustrime, që e bëjnë atë më të plotë, gjallërojnë atmosferën përshkruese, portretizojnë tipa dhe karaktere, dokumentojnë mjedise të caktuara dhe kohën e shkrimeve e përshtypjeve, duke e bërë gjithçka shkruhet më të zhdërvjelltë dhe më tërheqëse për lexuesin.
Duke qenë se jam gjeografe, kam përjetuar me emocion shumë skena dhe kam marrë njohuri kulturore nga ky libër, madje leximi i tij më ka zgjuar mall duke më sjellë në kujtesë ekspeditat gjeografike, që bënim kur ishim studentë të gjeografisë, së bashku me shoqet dhe shokët e mi, gjithnjë të orientuar e drejtuar nga pedagogë të shquar të Universitetit të Tiranës, profesorët e mirënjohur: Vasil Trojani, Perikli Qiriazi, Selman Sheme, Sabri Laçi, Gjovalin Gruda, Bilal Braçi, Eqerem Yzeiri etj., të cilët na udhëhiqnin me përkushtim në ekspeditat tona mësimore, duke na dhënë njohuri të gjera shkencore për pozitën gjeografike dhe relievin e Shqipërisë, për malet, vargmalet, kodrat, gropat, fushëgropat dhe luginat kryesore, për demografinë, për bimësinë, për klimën, për ishujt dhe gadishujt, për pasuritë minerare nëntokësore dhe pasuritë ujore, për liqenet, lumenjtë, lagunat, llojshmërinë e kafshëve dhe shpendëve, për detet Adriatik dhe Jon etj..
Duket se ky libër i ri i zonjës Hoti është fillim i një cikli librash me përshtypje nga udhëtimet e saj në të gjitha trojet shqiptare, ku, krahas atdheut mëmë, Shqipërisë, cikli do të vijojë me Kosovën, me trojet shqiptare në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi e Çamëri dhe, në vazhdim, edhe për mërgatën shqiptare që autorja ka vizituar, përfshi mërgatën në Norvegji, Suedi, por edhe në Itali, Greqi, etj. Duket se ideja e zonjës Hoti është me vlera, sa letrare dhe artistike, aq edhe informuese dhe atdhetare, si të dojë të nxisë dhe të mbajë ndezur zjarrin e dashurisë për kombin shqiptar, për vlerat e tij, që nga ilirët, arbërit dhe gjer në ditët tona.
Si recensente e këtij libri dhe si gjeografe, i shpreh mirënjohjen time të thellë kësaj gruaje fisnike, të ditur, të çiltër dhe humane, që i është përkushtuar tërësisht dashurisë për kombin, duke bërë atë që ajo di të bëjë më mirë, duke shkruar në prozë dhe në poezi, duke stilizuar dhe qepur veshje dhe kostume kombëtare, duke i dhuruar ato shpirtërisht, duke përcjellë kështu tek të gjithë ne lexuesit, vlera të vyera të një zemre të madhe dhe të një shpirti të bukur.
Bashkim Saliasi
Urime Amantja. Nderim për zonjën Emine dhe për ju që keni përshkruar bukur mbresat e zonjës Emine. RESPEKTE dhe urime për shkrime të tjera të bukura.
Ildije Xhemali
"Fjala e lirë " e z,Fatmir Terziu na sjell informacione të veçanta dhe të bukura! Shëndet dhe krijimtari zonjës Emine Hoti!
Urime Amantia! Nje shkrim i bukur per çiken e dardane Emine Hoti, "Marigoja shqiptare" ne Norvrgji. Libri duket se eshte fantastik ne lidhe dhe ne permbajtje. Ajo meriton shume, sepse ben shume per shqiptari dhe atdhetari. Mirenjohje dhe suksese!