Vlerësimi me çmimin e madh letrar


Irena Gjoni

Vlerësimi me çmimin e madh letrar "Azem Shkreli" i Hans-Joachim Lanksch në takimet ndërkombëtare "Azem Shkreli" të vitit 2018, është një nga gjërat më të rëndësishme që ky takim ka bërë në vite. Sepse prezenca dhe emri i këtij mjeshtri të fjalës, i bën më shumë nder kujtdo që e vlerëson, sesa vet Lanksch. Në atë ditë vlerësimi, ai tha: "Për mua çmimi "Azem Shkreli" është privilegj dhe një nder i veçantë, për disa arsye: e para Azemin e kam pasur mik. E kam takuar për herë të parë në vitin 1986 në Brezovicë dhe jam takuar çdo herë kur ka qenë në Gjermani..." Dhe për ironi të fatit, ikën të dy në maj, në këtë muaj lulesh. Gjurmët e tij, me prezencën e tij të para një viti në Pejë, duket sikur e ruanin madhështinë që nuk do të mund ta zbehë asgjë. E më dukej sikur i kërkoja Pejës këto ditë bashkë me ato të Azemit, tashmë duke "kuvenduar" të dy në një tjetër dimension. Sepse janë nga ato ikje që ikin për të mbetur më shumë dhe më ndritshëm me gjithçka lanë pas. Ne kemi për t'i ngelur gjithmonë borxhlinj Hans-Joachim Lanksch për t'i dhënë atë që meritonte sa frymonte në këtë jetë dhe për t'i larguar pak atë pezm që u përcoll përmes fjalës së tij një vit më parë. Megjithatë, ai vlerësim e bëri të ndihej mirë. Dhe një meritë që takimet ndërkombëtare të Pejës të bënin këtë vlerësim, ka edhe Ana Kove që kontribuoi me rekomandimin e saj që emri i Hans-Joachim Lanksch të vlerësohej dinjitetshëm nga Peja e Azem Shkrelit. Kjo rikujtesë e fb përmes kësaj fotoje të një viti më parë, bën që ta ndiej më afër prezencën e tij, tonet e buta të zërit në të folurën kristal të shqipes, si një mënyrë për të mos e pranuar ikjen...



0 views

Shkrimet e fundit