Vlerësime për romanin "Përmbytja"
- Feb 11
- 6 min read

Vlerësime për romanin "Përmbytja", Onufri 2024.
Është kënaqësi e veçantë për mua që jam këtu në emër të jurisë, për t’ia ndarë çmimin “Rexhai Surroi” për letërsi sivjet një vepre e cila ndodhet në kufirin midis kujtesës, mitit dhe realitetit. Bota ku ndërthuren lindja dhe vdekja, vizioni dhe përditshmëria, bestytnia dhe realiteti politik, na vjen përmes një rrëfimi jolinear, të ndërtuar nga njësi të shkurtra episodike, të orkestruara me kujdes. Kjo strukturë, jo vetëm e mban të gjallë ritmin e rrëfimit, por edhe e kthen leximin në një përvojë intensive. Autori nuk na jep një hero për ta ndjekur, por një qytet për ta dëgjuar. Ky qytet nuk është skenë por trup, i cili merr frymë përmes njerëzve të tij, dhe flet përmes plagëve të tyre. Fati i qytetit bëhet fat i secilit, dhe çdo zë individual tretet në një kor të përbashkët, si ujërat që derdhen në një shtrat të vetëm. Juria e ka vlerësuar këtë vepër për mënyrën se si letërsia shndërrohet në arkiv të shpirtit dhe në akt rezistence ndaj harresës. Romani na kujton se biografitë personale janë gjithmonë edhe histori kolektive, dhe si qytetet ashtu si njerëzit, vdesin vetëm atëherë kur nuk rrëfehen më. Çmimi “Rexhai Surroi” 2025 ndahet për romanin “Përmbytja” (Botimet Onufri) nga autori Granit Zela i cili tregon se biografitë individuale janë gjithmonë edhe arkiva kolektive dhe se rrëfimi është një akt kundër harresës.
Prof. Asoc. Blerta ISMAJLI, 22 dhjetor 2025
Ç’e bën një roman të mirë? Një përgjigje të mirë e gjen te vetë libri “Përmbytja”, (Onufri 2024), një citat në fq 129. “Dy gjëra shfaqen si thelbësore për romanin”, citohet aty të ketë thënë Carlos Fuentes, “përfytyrimi i pjekur artistik dhe gjuha”. Granit Zela e gëzon të drejtën e talentit që të thirret te ky citat: ai vetë i ka që të dy. “Përmbytja” është një vepër e mrekullueshme, unë s’di si ta quaj ndryshe, e cila do lexuar gjithsesi, për stilin novator, për ndërthurjen mjeshtërore që i bën epikës me njerëzoren, e për një gjuhë dinamike që di si të zgjojë e si ta mbajë vëmendjen e lexuesit që nga fillimi gjer në fund.
Shqiptar OSEKU

“Ajo çka përbën dhe të pazakonshmen e menjëhershme të romanit “Përmbytja” është se personazhin klasik tradicional e zëvendëson qyteti. Ndonëse është autori i lindur në këtë qytet ai që rrëfen, prapëseprapë fati dhe ekzistenca e qytetit eklipson çdo protagonizëm mbizotërues personazhi: kryepersonazh është vetë qyteti me emrin Atjelinda. Është si historia e trupit dhe shpirtit të një organizmi që nuk mund të jetojnë dot ndaras. Kjo ndërmarrje në planin artistik dhe estetik e vështirëson shumë detyrën: të flasësh për fatin e një frymori kolektiv. Strukturimi i lëndës dhe thërmimi me njësi rrëfimore të shkurtra, episodike, të orkestruara harmonikisht rreth një mbijetesës itinerare ekzistenciale të shpirtit të qytetit, e bën tekstin e romanit, përpos kthjelltësisë së stilit, një festë leximi”.
Agron TUFA, nga parathënia
…Romani “Përmbytja” i shkrimtarit Granit Zela, është një rrëfim i shkathët, edhe pindarik, mund të them, për vendlindjen e tij, të parë dhe si një traumë, jo vetëm të tij, por kolektive. …Te romani, në tre pjesët e tij mua më kanë mbetur si mbresa të fuqishme tre përmbytjet. Përmbytja e parë ose pjesa e parë me titullin “Fëmijëria”, sipas meje, bën të ndjehet përmbytja e familjes, e një bote paragjykimesh dhe mitesh e malesh. E rrënjosur në traditat e saj, familja përpiqet të mbijetojë në një realitet ku lidhjet e ngushta dhe humanizmi vazhdimisht dobësohen duke u ndjerë të parëndësishme… Përmbytja e dytë ose pjesa e dytë me titullin “Uji”, është dhe dalja nga shtrati i familjes, ku përballja me shoqërinë dhe pasigurinë, me diktaturën duhet të ndjehet më gjerë, më drejtpërdrejtë… Mbytja, pra, e një qyteti nuk ishte thjesht zhdukja fizike e një hapësire të banuar, por një shkatërrim i kujtesës dhe i historisë. Përmbytja e tretë ose pjesa e tretë, “Jeta dhe vdekja”, rrëfen një përmbytje tjetër njerëzore mbi rrafshin e Kukësit, tani jo prej ujërave, por prej gjakut. në qendër është eksodi nga Kosova, traumë e kohës komuniste, para dhe pas saj, një pasqyrë e trishtë e dhunës ciklike... Simbolizmi i kërkuar dhe trajtimi i personazheve si ide më shumë se figura të plota, krijojnë një si poemë.
Visar ZHITI
“Si te romani i famshëm “Tristram Shandy” i Laurence Sterne-it, narratori na thotë se do të tregojë historinë X, në rastin konkret atë të përmbytjes së një qyteti, por e ndalon veprimin, duke treguar për lindjen e vet. Për faqe të tëra, ai që flet nuk është ai që sheh, duke e marrë lexuesin për dore në një botë të ndërtuar prej një gjuhe të harlisur dhe të magjepsur. Veçse kërkohet një lexues që e ndan realitetin magjik, që narratori e sheh para vetes, prej realizmit magjik, që narratori e shpik, tashmë një proces letrar, ku asnjë pjesëtar i komunitetit nuk i vë në dyshim ato që nuk i kap logjika normale njerëzore. Emrat, nganjëherë realë, evokojnë atë që njihet në përgjithësi, ndërsa emrat, përgjithësisht të shpikur, fiksionin, dhe së bashkë enën që pranon çdo gjë, mitologji, besime, ndjenja dashurie dhe urrejtjeje, bestytni, profeci, përditshmëri, politikë, anti-politikë, personazhe kalimtare dhe komunitet, dështime, humor etj., duke ofruar një roman plot ambicie”.
Gazmend KRASNIQI
" Atjelinda e Granit Zelës është në gjenin e vet, vendlindja e përmbytur nga liqeni i një hidrocentrali po aq sa edhe nga nostalgjia...Ndërkohë herë pas here thatësirat e stinëve zbulojnë gërmadhat e qytetit të vjetër, fantazmat e të cilit i vijnë përqark njerëzve të qytetit të ri, duke ua pamundësuar harresën, pajtimin dhe zbutjen e zemërimit me të cilin iu ngjitën shpatit të malit për në qytetin e ri, të themi nga nevoja a shtrëngesa praktike dhe aspak nga dashuria. Ata kishin marrë me vete gjithë imazhin e bagazhin fantastik e magjik të qytetit të vjetër me të cilat bashkëjetonin, parametrat psikologjikë e botëkuptues të të cilit përpiqeshin t’i trashëgonin, të transplantuar në dizajnet e qytetit të ri. Dhe ky fakt e bën jetën e tij një Anakondë".
Natasha LUSHAJ
Romani “Përmbytja” i Granit Zelës shkon përtej një rrëfimi apokaliptik dhe kthehet në një reflektim mbi fatin e qytetit, kujtesën historike, fuqinë e njeriut për t’u ringritur nga rrënojat. Një roman që sfidon lexuesin jo vetëm me narrativën e tij, por edhe me pyetjet filozofike që ngre për ekzistencën njerëzore. Rrëfimi nuk ndjek një linjë të zakonshme lineare, shpesh lëviz në trajektoren e kujtimeve dhe reflektimeve duke kriju një marrëdhënie të veçantë me lexuesin ndërsa e “zhytë” në një përvojë që është më shumë ndijore dhe simbolike sesa thjesht kronologjike. Qyteti shfaqet si një qenie e gjallë, me fatin e tij të ndërlidhur me atë të njerëzve që e popullojnë. Kjo e bën romanin të tingëllojë si një mit modern, ku qyteti nuk është vetëm një hapësirë fizike, por një entitet shpirtëror dhe historik.
Artur BAKU
Është një rrëfim gati autobiografik, i cili vendos në qendër qytetin personazh, Atjelindën, atë të renë dhe të vjetrën, njerëzit e saj me gjithë besëtytënitë e tyre, të shkuarën dhe të tashmen si dhe Luanin, rrëfimtarin, i cili e nis kallëzimin e tij duke e nisur me fëmijërinë dhe para lindjen e tij... Rënia e Atjelindës është e gjatë dhe shenjat paralajmëruese të tatëpjetës së saj janë të shumta; vetëvrasje, përmbytje, njerëz të huaj me mashtrime dhe gënjeshtra nëpër buzët e tyre që paralizojnë qytetin, të rinj dhe të reja të destinuar për t'u humbur, ndërtimi i Atjelindës së re, i kështjellave burgje dhe qindra haluçinacioneve të tjera njerëzore...
Në Atjelindë ndodh gjithçka dhe asgjë. Një vend i izoluar, ku banorët e saj në pamundësi të përjetimit të ndonjë ndodhie sajojnë thashetheme, ngjarje, nisin dhe jetojnë me besëtytënitë apo edhe të shkuarën. Këto besime, besëtytëni të tyre, me të cilat merret gjatë rrëfimtari ynë janë po ashtu një nga copëzat e tharmit të letërsisë gojore dhe folklorit shqiptar. Është interesante se të gjitha prurjet folklorike vendosen përkrah njëra-tjetrës në disa paragrafë të vetëm duke ndjekur një ritëm të vrullshëm, i cili të krijon idenë e një lumi, madje gjithë romani duket se lidhet nga një lumë nëntokësor që premton shpërthim të befshëm dhe përmbytjen e madhe.
Anxhela PASHAJ
“Romani “Përmbytja”, është një prozë që shpalos me një stil rrëfimi jo të zakontë mbështjelljen prej papirusi të një gjeneze që zë fill tek uni i perzonazhit kryesor dhe mbaron tek toka, mbi të cilën ai ka gjerbur të gjithë persiatjet e tij. Nëse do të ndodhte vërtet një përmbytje dhe njerëzimit do t’i duhej që t’i shpëtonin librat e shenjtë, “Përmbytja” mund të listohej si libri i shenjtë i rrëfimit, si një piskamë drithëruese që bart të gjitha përsiatjet, ritet, zakonet, magjitë, ritualet, regjimet, katrahurat e tyre, të një shpirti njerëzor që rreket të bind…Ky roman është pa asnjë mëdyshje ndër më të mirët të shkruar pas viteve 90-të”.
Shqiponja AXHAMI









Comments