top of page

VLASH PRENDI: DUKE KUJTUAR KENGȄTARIN E SHQUAR ISMET PEJA


                  

         - Me rastin e 87 vjetorit të lindjes së kengëtarit të shquar kosovar Ismet Peja -

            NGA VLASH PRENDI

            Ka qënë viti 2003, kur me një grup shokësh bëmë vizitën e parë pas luftës në trojet dardane, qëllimi i së cilës ishte promovimi i tre librave monografikë kushtuar jetës dhe aktivitetit meshtarak të martirit don Shtjefën Kurti. Kemi kaluar pa vështirësi doganën e Morinit dhe kemi hyrë në Rrafshin e Dukagjinit dikurë të djegur nga lufta, ndërsa sot mbuluar nga gjelbërimi. Pasi kemi konsumuar një kafe me imz. Mark Sopin dhe dr. Shan Zefin, nisemi drejt qytetit të lashtë të Gjakovës, ku na presin miqtë tanë të nderuar Engjëll Berisha dhe poeti i shquar Din Mehmeti. Ulemi në një lokal në qendër të qytetit për të konsumuar një kafe dhe nga larg ndjekim edhe një manifestim të rastësishëm që po organizohej me rastin e Ditës së Rinisë. Mes njerëzve të shumtë dallon figura të njohura të kulturës dhe artit, si dhe disa autoritete vendore si kryetari i këshillit komunal të athershëm z. Aqif Shehu, deputeti i Kuvendit të Kosovës z. Tomë Hajdari, poetët Din Mehmeti dhe Engjëll Berisha, Ipeshkvi i Kosovës Mark Sopi etj. Diku larg dallova këngëtarin e shquar kosovar Ismet Peja. Ishte plakur, lufta e kishte drobitur bilbilin e kengës kosovare, që shkriu jetën për t’i kënduar vendlindjes, Kosovës kreshnike dhe heronjëve të saj. Në Kosovë plagët e luftës kishin nisur të shërohen. Shtëpitë dhe objektet e djegura nuk dukeshin më, sepse populli patriot dhe punëtor i Kosovës po punonte me hov për të arritur kohën e humbur. Rrafshi i Dukagjinit, kjo fushë pjellore dhe e paanë, gjelbëronte. Pas luftës, djerrinat u kthyen në toka pjellore. Misri, jonxha dhe perimet jeshilonin kudo, vreshtat ishin të mbara. Qyteti i Gjakovës ndodhej në jugperëndim të Rrafshit të Dukagjinit. Kishte rreth 12000 banorë. Nëpër qytet kalonte lumi i Erenikut që i jepte Gjakovës një bukuri të rrallë. Pranë qytetit ndodheshin rrënojat e një qyteze antike ilire që mendohej të ishte qyteti antik Gabulea i cili datonte në shek. I – IV, pas lindjes së Krishtit. Në shek. XVII përmendej si qytet me 2000 shtëpi dhe 320 dyqane. Në Gjakovë ndodhen mjaft objekte kulturore dhe historike, një prej të cilave ishte dhe Qarshia e Gjakovës. Na thanë se edhe ky objekt gjatë luftës ishte djegur, por falë punës së palodhur të gjakovarëve u rindërtua duke ruajtur të njëjtën formë dhe arkitekturë si më parë. Vlerat e saj historike dhe kulturore ishin të papërsëritshme.

Janë kujtime të kohës së kalueme që nuk më shqiten nga kujtesa, por kujtimin më të bukur e kam ruajtur gjatë në kujtesë, pasi atë ditë takova për pak çaste kengëtarin e njohur në mbarë trojet shqipfolëse, një nga idhujt e mi sa i përket kengës popullore qytetare, Ismet Peja. Biseda me bacën Ismet rrjedh natyrshëm, pasi ai zotëronte një kulturë të gjërë dhe dije historike dhe muzikore. Ato pak minuta më foli për luftën, për muzikën popullore dhe të kultivuar kosovare, për bashkëpunimin muzikor mes vendit amë dhe Kosovës, për kolegët e tij kengëtarë e sidomos për të famshmin Qamili i Vogël, i cili thotë se e ka futur në rrugën e kengës.    


         Ismet Peja lindi në qytetin e lashtë të Gjakovës më 27 Prill të vitit 1937 në një familje të njohur qytetare. Talenti për muzikën dhe kengën qytetare lindën që në fëmijërinë e hershme, por në moshën 13 vjeçare nisi të merrej me kengën, të kendojë nëpër skena, aktivitete dhe evente të ndryshme dhe qe nga ajo kohë nuk u nda më prej saj. Siç ka pohuar shpesh, ishin kengëtarët e shquar Ymer Riza, Qamili i Vogël dhe Mazllam Mezini që e aktivizuan në shumë koncerte që jepnin aso kohe në mbarë Kosovën e më gjërë. Në fakt, kengën e kishin në gjak edhe si familje, sepse edhe babai i tij Musa Peja, kishte interpretuar më parë me Shoqërinë Kulturore dhe Artistike që kishte ngritur rapsodi i njohur Ymer Riza dhe ishte bërë mjaft i njohur si kengëtar. Djaloshi i vogël e ndiqte të atin nëpër koncerte dhe aktivitete artistike dhe jo rrallë edhe këndonin së bashku mbrëmjeve të vona aty pranë oxhakut. Kështu, që fëmijë nisi t’i kristalizohej zëri i bukur duke krijuar besim dhe shpresë se do të bëhej një kengëtar i shquar i muzikës qytetare gjakovare. Po në fakt, djaloshi i ri  nga Gjakova ishte në vitet e para të shkollës së mesme kur mori rrugën e bukur të kengës popullore. Ishte kompozitori i shquar kosovarë Lorenc Antoni që zbuloi talentin e ardhshëm, vazhduesin e denjë të kengës popullore, mjeshtrin e arjeve gjakovare, që do të interpretonte bindshëm me mijera kengë dhe zëri i tij melodioz do të dëgjohej kendshësh nga studio e Radio Prishtinës. Siç kujton vetë baca Ismet, atëherë pati interpretuar para kompozitorit të shquar kengën e njohur “Kendo o zogu i malit”, e cila sherbeu si prelud për t’u bërë pjesë e pandarë e Shoqërisë Kulturore dhe Artistike “Hajdar Dushi” të Gjakovës, mjaft e njohur për kohën. Por kengëtari i shquar Ismet Peja, kujton se është ngjitur në skenën e Pallatit të Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren që në moshën 7 vjeçare, kur ishte ende nxënës i arsimit fillorë, duke patur nderin të jetë një nga themeluesit e Shoqërisë Kulturore dhe Artistike “Agimi”, ku dha një kontribut të rendësishëm në interpretimin dhe përhapjen e kengës popullore kosovare në mbarë trojet shqiptare. Skenat e festivaleve, sallat e shfaqjeve, lokalet e dasmave jehonin nga zëri brilant dhe tepër melodioz i kengëtarit të njohur. Valët e Radio Prishtinës transmetonin thuajse çdo ditë kengë të tij, madje edhe nga dëgjuesit, kërkesat për transmetim dhe pershendetje ishin të shumta.

             Duke pare se shoqëritë kulturore dhe artistike luanin një rol të rendësishëm në edukimin patriotik dhe atdhetarë të masave, në vitet 1960, kengëtari i njohur Ismet Peja dha kontributin e tij me shumë vlera për formimin dhe funksionimin e Shoqërisë Kulturore dhe Artistike “Hajdar Dushi” të Gjakovës, drejtues i së cilës për shumë kohë ka qënë i mirënjohuri Zekri Çarkaxhiu. Kjo shoqëri kulturore dallohej për interpretime me nivel të lartë artistik, për krijimtari muzikore me vlera patriotike dhe atdhetare, tekstet e të cilave synonin të edukonin tek dëgjuesit dashurinë për atdheun dhe njeriun, ndjenjën e patriotizmit dhe urrejtjen për pushtuesin. Këtë mision fisnik i kishte venë vetes edhe mjeshtri i kengës popullore Ismet Peja, së bashku me shokët e tij, kengëtarët e njohur Qamili Muhaxhiri, Ymer Riza, Mazllom Mejzini, Bajrush Doda, Hashim Shala, Hadi Bajrami, Shkelzen Jetishi, të cilët përmes kengës deshironin të jepnin në çdo koncert mesazhin e lirisë, dashurisë, bashkëpunimit dhe unitetit mes vllezërve të një gjaku. Ndonse kanë kaluar 64 vjet nga formimi dhe funksionimi i kësaj shoqërie, endë kujtohen me respekt dhe mirënjohje aktivitetet e organizuara prej saj, koncertet madhështore që jepte në mbarë Kosovën dhe në skena të ndryshme në Shqipëri, Maqedoni dhe mbarë Europën, kujtohen me respekt dhe nostalgji kengëtarët dhe instrumentistët e talentuar që interpretonin ato kengë që sot kanë mbetur në kujtesën tonë dhe kendohen nga talentet e reja qe po lulëzojnë çdo ditë. E sigurisht, njëri prej tyre, në mos një prej më të rendësishmëve ishte edhe baca Ismet, që dha një kontribut tejet të rendësishëm, prej rreth 40 vitesh si kengëtar i kësaj shoqërie.

             Ismet Peja me zërin e tij të embël, me ngjyrimin emocional dhe magjepsës, pati rrëmbyer zemrat e mijëra dëgjuesve në mbarë trojet shqiptare. Kur kendonte Ismet Peja në valet e Radio Prishtinës, t’a ngrinte zemrën peshë, të jepte më shumë force dhe besim për të luftuar për të ardhmen. Nisur nga repertori i tij qe numëron rreth 1000 interpretime në aktivitete dhe koncerte të ndryshme, nuk mund të lëmë pa permendur kengët që u bënë hit dhe dëgjoheshin me dëshirë  kurdoherë: “Nashta o shume uuu...”, “Fustani me pika”,  “Errësinë e pyllit”, “Ma mirë në pyll se n’qytet”, “Sarajeva shehër i bukur”, “Unë e qeli derën hej, unë e msheli derën”, “Gazel”, “Dal e dal po vjen behari”, “Kënga e Ymer Rizës”, “Ushton gryka e Kaçanikut”, “30 ditët e Ramazanit”, “Larg teje oj nanë”, “Moj Selvije”, “Këngë për Anton Çettën”, “Dy dele - 300 pare”, “Po të lutem shoku im”, “Seç po punojshin tre vllazën”, “Mori Shkodër - Shkodra jonë”, “Dedë Gjo Luli”, “Dashunija si rrufe”, “Robi plaket kur don vetë”, “Gjallë në dhe...”, “Kënga e pleqërisë”, “Moj Sanije bukurije”, “More djalë i Gemit”, “Një ditë të dielë” e mjaft të tjera që jetojnë në kasetat e Radio Prishtinës dhe memorjen e dëgjuesëve dhe artdashesve në mbarë trojet tona. Ismet Peja ishte kengëtar i muzikës së vjetër qytetare, prandaj është e kuptueshme se edhe tekstet e kengëve të tij kanë baza poullore dhe patriotike, tekstet e të cilave janë krijuar nga mjeshtrit më në zë të muzikës popullore të kohës, por ka kënduar edhe këngë nga folklori ynë popullor si këngë dasme, që i kishte mjaft për zemër, por me shumë pasion pati kenduar edhe kengët e Isuf Myzyrit, Mustafa Budinit, Muharrem Gurrës, dhe sidomos jaret e bukura shkodrane. Ishte i pasionuar pas kengëtarëve dhe kengës shkodrane, sidomos idhullit të tij Bik Ndoja, prandaj pas viteve 1990, pati bërë disa vizita, organizuar disa koncerte dhe hartuar disa projekte bashkëpunimi me miqtë e tij në këtë qytet.

           Mjeshtri i kengës popullore Ismet Peja tashmë kishte krijuar profilin e tij në kengën popullore qytetare, sepse falë afësive të tij, zërit të bukur që i kishte falur natyra, artit mjeshtrorë që zotëronte dhe elegancës e paraqitjes, të bënte për vete. Mjaftonte të degjoje tingujt e parë të muzikës në Radio Prishtina dhe menjëherë e identifikoje kengëtarin, megjithse kengën ndoshta e kendonin edhe shumë kengëtarë të tjerë. Dua të sjellë ndërmend për dëgjuesit kengën “Ma mirë n’pyll se n’qytet”, të cilën e kanë kënduar shumë kengëtarë, por baca Ismet e solli para degjuesit në një interpretim të ri, falë zërit të tij plot kolorit dhe me timbër të veçantë: "Ma mire n’pyll se n’qytet, / Ne atje sbashku do t’shkojmë, / Atje njeri s’na gerget / Të amel jetën t’a çojmë. / Kaperceva mal’n e Krastës / Të mire mbeç, o Elbasab, / Vuna kamën n’mal të Vashës / Pashë Sopotin e Vasjam… / Kur humb rrugën një njeri / Të gjithë brengat i mendon, / Shok i bahet nji bari / Hajde sonte n’kasollen tonë… / Bariu mikun e nderon / Edhe fyllit duke i ranë, / Zakone t’vjetra i tregon / Kështu gjyshnit na i kanë lane…, kjo ndodhte sepse kenga ishte bërë pjesë e jetës së tij, ishte produkt i intelektualitetit dhe kulturës së gjërë muzikore që zotëronte baca Ismet. Nëpërmjet kengës, Ismet Peja pati vlerësuar edhe figura të ndryshme partiotike dhe artistike që kanë dhënë një kontribut të rendësishëm për pavarësinë dhe zhvillimin e kombit tonë. Duhen përmendur këtu kengët për patriotët e shquar “Dedë Gjo’ Luli”, “Ushton gryka e Kaçanikut”, kushtuar patriotit Idriz Seferi, “Kengë për Ali Pashë Tepelenën”, “Kengë për Anton Çettën”, e sidomos kenga e bukur kushtuar Ymer Rizës, me të cilin këngëtari Ismet Peja bashkë me shokët e tij patën kontribuar në shoqërinë e tij kulturore dhe artistike për shumë vite me radhë. Ja disa vargje: M’ka marrë malli me ndigju’ / At plak tonin sevdali, / Zan’n e tij për me ndihmu’ / Tuj rrehë telat në sharki, / - O hajde,tuj rreh telat e sharkisë! / M’ka marrë malli me ndigju’ / Ymer Rizën o mjeshtrin tone, / I palodhun i pa pushu’ / Kangë e valles o tuj ia thonë, - O hajde, kangë e valles o tuj ia thonë! / M’ka marrë malli me ndigju’ / At za t’ambël të sharkisë, / Se unë bashkë me ty kam knu’ / Qysh në kohën e vogjlisë, - O hajde, qysh në kohën e vogjlisë…! Përmes kangës kengëtari i shquar nuk transmetonte vetëm artin e të kenduarit, artin e të krijuarit poetic përmes tekstit letrarë, por vlerësonte edhe punën e palodhur të personazhëve në shërbim të kombit.



         Jeta e tij iu përkushtua tërësisht kengës, muzikës, artit. Rreth shtatë dekada në skenë, qindra kengë të interpretuara në skena dhe festivale dhe vetëm në vitin 1986 mundi të nxjerrë një CD me kengët e tij më të mira në bashkëpunim me Shoqërinë Kulturore dhe Artistike “Hajdar Dushi”, ku kishte dhënë kontribut për shumë vite. Kenga i buronte nga shpirti, prandaj e këndonte me pasion dhe dashuri kudo ndodhej. Jo rrallë kendonte edhe në ambjente familjare, në festa, evente e dasma duke u shoqëruar gjithmonë nga djali i tij artist Visari. Ishte pikërisht ky artist që vendosi të ndjekë me guxim dhe vendosmëri rrugën e të atit duke e identifikuar veten përmes kengës dhe duke vazhduar me krenari traditën që i la gjyshi dhe babai, si bilbili i kengës popullore i familjes Peja. Visari tashmë është një kengëtar i njohur në mbarë trojet shqiptare dhe më gjërë, është artist dhe moderator i njohur, autor i programit mjaft të ndjekur në RTV21 “Qefe – qefe, kjo dynja”, tek i cili fton shpesh bardët dhe interpretuesit e pasionuar të muzikës popullore dhe folklorike, për të trajtuar probleme të ndryshme të jetës, artit dhe muzikës, pse jo edhe për të interpretuar. Ka realizuar mbi 15 klipe me kengë popullore duke ruajtur dhe transmetuar me besnikëri, vlerat artistike dhe muzikore të të pavdekshmit Ismet Peja, por duke derdhur edhe talentin e tij të padiskutueshëm. Vlen të theksohet se në vitin 2005, doli videoklipi i realizuar në duet së bashku me bacën Ismet. Një perlë e vërtetë, unifikim zërash dhe unitet i bukur intrpretimi artistik. Një nga kengët më të bukura që kanë kenduar vitet e fundit, është edhe kenga “Robi plaket kur don vetë”, përmes së cilës kengëtari Isme Peja përpiqet të mos e pranonte pleqërinë, sepse deshironte të jepte akoma nga shpirti tij krijues për popullin e tij të dashur: Moshë e bukur kjo rinia / Gjo ma t’mir bota se ka, / Mirëpo ja që vjen pleqria / Dhe ke borxhe për me la. / Lule m’lule tuj fluturue / Tuj bo qef tuj bo dashni, / Robi kurr se ka mendue / Se vjen mbrapa ni pleqni. / Namuzlie o sarahosha / Veç ni gjo osht e vërtetë, / Robi s’plaket kur vjen mosha / Robi plaket kur don vetë… Kjo kengë u bë hit, prandaj e dëgjoje kudo.

             Mjeshtri i madh i kengës popullore shqiptare Ismet Peja, ndërroi jetë më 23 nëntor 2020, në moshën 83 vjeçare, duke lënë në kujtesën tonë talentin dhë zërin e tij, numrin e pafund të kengëve dhe interpretimeve, vlerat e padiskutueshme njerëzore dhe intelektuale duke kultivuar tek brezat e ardhshëm dashurinë për atdheun, për njeriun, muzikën dhe artin dhe duke mbetur perjetësisht shembull i shkelqyer ndër breza, për të mos u harruar kurrë.

32 views1 comment

1件のコメント


Minush Hoxha
Minush Hoxha
5月04日

Ky ishte pyrgu i këndimit të bukur,por krah me këte ishte edhe Mazllom Myezini, Njazi Nikoliqi dhe Idriz Dhomi /i cili në fatkeqsi në vend pune vdiq shumë herët/. Këta bënin që për nga këndimi i bukur të qëndronin në lartësi me Shkodren, Korçen e Elbasanin


いいね!

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page