top of page

    Vladimir Muça: TIPARET E NEOREALIZMIT MODERN TË NJË ROMANI


   

(Vëzhgime kritike mbi romanin “Vetëvrasja mbi trëndafil” i Thanas Dinos, botim “Neraida”)

 

            Romani “Vetëvrasja mbi trëndafil”, i Thanas Dinos, të pështjellon mendimin e një drejtimi të ri letrar, i cili zanafillën tek ky autor, e ka që në vitet ’70, kur autori e identifikon veten në një “Fik deti”. Një realitetit midis një soc-surrealizmi (kështu e kam quajtur botën letrare të diktuar nga nomenklaturat e Partisë shtet) dhe një realizmi ekzistencial, paksa surreal, që po lindte, nga ai “fik deti”, në “drejtimin e ri letrar”, në artin shkrimor.

            Në këtë përballje estetikash, romani i Dinos, trajton problemet sociale e moralitike të dhjetë viteve të fundit të viteve ’80, si një arkëtip i një moderniteti bio-shqiptar.

Baza themelore e romanit është realiteti shqiptar, i trashëguar në hapësira kohore të ndryshme, ashtu sikundër Aristoteli, kur analizoi Homerin, definoi se “shkrimtari mund të trillojë gjatë procesit krijues, por çastet sinjifikative, situatat, ngjarjet, që autori i trillon, duhet të kenë për bazë realitetin e përjetuar”.

            Në këtë konceptualitet, autori, me mozaikën narrative, në një amalgamë romaneske, ka aranzhuar bukur artin tradicional, me artin modern. Nga intimiteti, Dino vjel ekstratin shoqërorë, në të përditëshmen shoqërore, vjel mitiken, legjendën, duke i jetësuar ato, çel gonxhet e melankolisë e të kujtesave, në soc-surrealizëm, ku liria në konceptin e gjërë social, është një ëndërr në vagulli. Gjithëçka e testuar metaforikisht, vjen si një grinatë e një kohe, të shplarë, ku njerëzit janë kthyer në robotikë, të një çelësi stërmadh, i humbur në mjegullat e kohës, larg një Gow-esti, në një horizont të errësuar, ku të vërtetat jetësore, përceptohen, përmes një realiteti ekzistencial, një substancialeje të dëshiruar, e cila konceptohet në kahjet e një neorealizmi.

Tiparet e një neorealizmi të tillë modern, në romanin “Vetëvrasja mbi trëndafil”, shpërshfaqet si në dykohë: e shkuara e viteve ’80 dhe e sotmja me kontaminimin e të shkuarës. Të dy kohët vijnë të fokusuara në hapësira tekstuale si të pakohë, si pjella të njëra-tjetrës, ku e djeshmja vjen me një fytyrë tjetër, por me të njejtën përmbajtje, në subjektivizmin e saj, si e sotme. Kjo prani e të djeshmes në alegorinë dhe nëntekstin e saj, si e sotme, shndërrohet në një tipar esencial në shoqëri, si një kontaminim shoqëror dhe moral.

Ky është themeli dhe kapriatat eseistike, mbi të cilat, shkrimtari Thanas Dino, ndërton drejtimin e ri letrar, sa të përvetshëm, aq edhe modern, jasht një lineariteti, me një mozaikë rrëfimore, ku çdo kapitull ka tonin e vet të ngjyrës, por në tërësinë e tyre, ato përbëjnë, një alternim tonesh, të ndërfutura, që marrin e japin nga njëri-tjetri, duke plotësuar karaktere, fizionomira prototipesh.


            Në narrativën e romanit, autori, duke patur fatin të jetë një vrojtues i imtësirave artistike, nga jeta si publiçist, ka ditur të nxjerrë në pah, madhështinë e të thjeshtës në artin shkrimor. Ndaj dhe natyra në faqet e këtij romani, vjen me imputet e saja, në funksion të plotë artistik, përmes simboleve, anaforave, paralelizmave figurativë. Autori vjel nga natyra, në madhështinë e kësaj të thjeshte, imputet e domosdoshëm artistikë, duke i vënë ato në funksion të qëllimit dhe idesë, ku:”Si një bark gruaje kish dhënë histori dhe njerëz, kjo baltë e tij”

Në konceptimin estetik, Thanas Dino, siç duket, në ndërtimin e kapriatave narrative të romanit, ka pasur në vëmendje, Mihail Bahtin, i cili thekson: “romani modern është bërë kryeprotagonist i dramës së zhvillimit letrar të kohës së re, se ai shpreh, para së gjithash, tendencat e lindjes në botën e re, se ai është zhanrri i vetëm, që lind në botën e re, kështu që qenësisht është identik me të”. (“Çeshtje të romanit”, botim “Rilindja”, Prishtinë 1980, fq 10).

            Në këtë konceptim, romani modern, “Vetëvrasja mbi trëndafil”, nuk paraqitet në trajtë të plotë lineare, por në trajtë të dizintegruar. Kjo ndodh, jo vetëm në paraqitjen e ngjarjeve dhe situatave, por dhe në paraqitjen e shumisë së karaktereve, prototipeve të personazheve. Gjithëçka vjen si një mozaikë në azhornim, me situatat e kushtet jetësore të kohës. Me regresin e marrëdhënieve ekonomiko-shoqërore, kulturore, ndodh dhe regresi moral dhe shoqëror, ku idealizma dhe të vërtetat jetësore humbin në aktualitetet e kontaminuara.

            Një roman i tillë mozaik, në konceptimin estetik, me një strukrurë narrative, paksa rrebele, i shpenguar në hapësira të gjëra shoqërore, në pak hapësirë librare, i mundëson autorit, që në një trajtë të tillë, të shfaqë, jo vetëm realitete nga më të ndryshmet, por në përbashkësi, të na japë një tabllo komplekëse të shoqërisë. Këtu qëndron përparësia e narrativës moderne të romanit të Thanas Dinos, në fuqinë e nëntekstit, si zëdhënës i shprehive ideore të autorit. Kjo vjen dhe si një përparësi e evoluar në “drejtimin e ri letrar”, por dhe njëkohësisht si një vështirësi e fuqisë kreative të narrativës.

            Autori përmes skanerit të fichionit, të shkurtësisë, ka hedhur në platenë romaneske, ngjarje e fenomene, përmes një ekzistencializmi, sa real, aq dhe surreal për kohën që përjetoi, si mjeshtër i një estetike të re, paksa hespanike në shkurtësinë letrare.

            Autori e ka pasur te qartë estetikisht një sentencë të Mihail Butorit se: “...Stili nuk është vetëm mënyrë në të cilën zgjedh fjalët brenda një fjalie, por dhe mënyra me të cilën fjalitë ndjekin njëra-tjetrën, kapitujt dhe episodet”.(“Çeshtje të romanit”, Mihail Butor, “Rilindja” Prishtinë 1980, fq.267).

            Si roman modern, një nga kapriatat cungalmbajtëse në narracion, është veçoria estetike e dialogut, i cili vjen i rrjedhshëm në polifoninë e fjalëve, përmes një dramaciteti dialogues, e monologjeve, si një veçori e psiko-analizës filozofike të ngjarjeve e fenomeneve ku: “Të gëzohem nga mbajtja në duar e fatit të tjetrit, të bëhem i atillë që të më pëlqejë vuajtja që mund t’i shkaktoj atij”.Një demonstrim i tillë i dypersonalitetit, reflekton dyftyrësinë e nomenklaturave partiake e pushtetare, në raportet shtetar-pushtetar.

            Mënyra e paraqitjes së këtij dramaciteti, si filozofi e jetës, e dialogut, në romanin modern, nuk është një shpikje e kohës së re. Kjo dukuri e ka zanafillën, që në veprat filozofike të Platonit: Pushteti, Gostia dhe shumë të tjera. Në trajtë dialogu, flitet për çeshtje e marrëdhënie të ndryshme jetësore. Në këto hulli, dialogu duhet të jetë sa më afër një realiteti ekzistencial, e të mos hedhë në skakierat letrare, devulgavitet. Thanas Dino, me përvojat e tij jetësore, i është shmangur me sukses dukurisë devulgative, duke e brumëzuar dialogun, me ekstrakte nga fjalë të urta të urtësisë popullore, duke e bërë të këndshëm dialogun, me këto “mballoma artistike”, siç i quan Umberto Eko, në librin “Fjalë për letërsinë”. Këtu e ka zanafillën edhe shmangia nga trajtat e thata diskursive, filozofimi narrativ gjatë prozadorisë.

Kapitulli i faqes 76, është ndërtuar aq bukur,  dialogu midis Natashës dhe Ylliut, sa dramatik, aq edhe elokuent, në shprehinë e të vërtetave. Ai vjen si më sinjifikativ, përfaqësuesi më tipik i një stili të trioruar, në triorin e një publiçistike të lakmuar. Autori në këtë dialog lakonik, luan bukur me kontraversin onomanistik, ku Tao Tao, vjen si një prototip i një paradigme, të së ardhmes shoqërore, një Tao Tao që i zuri vendin të vetvrarit (Mehmet Shehu).

Kapitulli “Kaldaja ndizet në qershor”, është përfaqësuesi më tipik i një grotesku dhe humori të thukët, mbrujtur me ekstrakte të folkut popullor, vjen si shembull i një narrative të re në përmbajtje dhe aq e mbështetur në themelet e traditës. Apo monologu psiko-analitik, në filozofinë e një jete të tillë, të kontaminuar ku: “Qytet i paparafytyrueshëm dot, edhe me vdekjen, kërkon të imitojë udhëheqjen e vet, mendoi një çast, por përnjëherë, e shtyn tej atë mendim, si ta nxirrte jashtë trurit”(Shkrimtari Ylli Nano). Mjafton ky pasazh, ku psiko-analiza e kontaminimit shoqëror, kur “qyteti gdhihet i dehur”, ku u arrit një stad shoqëror i spiunllëkut, ku letrat anonime, vijnë si gjenerues të rangjeve më të ulta shoqërore. Autori në nëntekst, i bën anamnezën shoqërisë, duke na dhënë recetën e psiko-terapisë.

            Autori përmes një humori të hollë, të një grotesku alla Ashek shqiptar, e bën të këndshëm rrëfimin, përmes të vërtetave të Cimbok Kallajxhiut, të Mbrezhanit dhe Kallajxhiut të Malëshovës, me bodec, piper e raki mareje.

Kjo e vërtetë e intriguar dhe përmes fichionit autorial, më solli ndërmend ushtarin e mirë Zhvejk, me një natyralizëm shqiptar, në dialogun e Nuri Neverit dhe Sefer Seferit, ku sekretari i Partisë i rekomandon: “Vurua vajat letrave, të ngjethen e të frymëzohen edhe ata, nga ai, si qan populli”, ku: “Brenda ditës, dhimbja e ka bërë zemrën e popullit me kallo, - kish thënë Sefer Seferi”.

            Trashëgimia e të vërtetave historiko-shoqërore, e alternuar bukur me fichionin autorial, nga brezi në brez, ku atë e bijë kanë një rrugëtim, vjen edhe si një përballje e të kundërtave, jo vetëm në lëmin shoqërorë, por edhe në atë shpirtërorë. Në këto kontekste, duke folur mbi “Romani dhe e vërteta”, Mihail Gllovijski, sintetizon se: “... e vërteta është element i strukturës së veprës letrare, dhe njëherësh faktor themelor, në relacionin me lexuesin, vetëdijen, bindjet, besimin e tij”.Mihail Gllovijski “Çeshtje të romanit” “Rilindja” Prishtinë 1980, fq.223.

Kjo sentencë estete, më bind, se autori e ka ndjekur, kapitull pas kapitulli, në të vërtetat historiko-shoqërore, autorin, ku mes përballjeve, reflektohet në ardhmërinë e pasardhësve, prosperiteti dhe zhvillimi kombëtar.

            Në dialektikën e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, vetëm një përballje e tillë gjeneron zhvillim, aq më shumë, kur stigmatizohet, në përballjen me vetveten, definon autori në epilogun e romanit ku: “Viron Jarazi mundohej ta fshihte xhelozinë dhe karrierën e tij, por brenda, ajo e kafshonte si kone e vogël”.

            Nëpër kapitujt e romanit, gëlojnë një mori personazhesh të cilët plotësojnë njëri-tjetrin, duke na dhënë prototipin e njeriut të dogmatizuar, nga opiumi i sitemit totalitar. Shpifja, perversiteti, imoraliteti, janë indet patogjene, që po e gangrenizojnë këtë shoqëri njerëzore, gjer në atë shkallë, saqë Viron Jarazi, Sekretari i Organizatës së Partisë i gjimnazit, si një zhvejk shqiptar, u thotë mësuesve: “Unë jam Enver Hoxha i shkollës, organizata më ka zgjedhur mua, udhëheqës të sajin dhe tuajin”.

            Në këto kontekste, autori, arrin të eksplorojë, aspektet themelore dhe esenciale, të shoqërisë shqiptare në totalitarizëm, në një këndvështrim sa vertikal, aq edhe horizontal, ku ligji i unit, idolët, janë gjeneratorët e një regresi të tillë shoqëror. Në misionin e tij, shkrimtari, arrin të bëhet ndërgjegja e misionit që ka letërsia dhe artet, në zhvillimin e ndërgjegjes shoqërore. Në këtë mision, Thanas Dino, me prozën e tij, u ngjit më lart, dhe shpërvjel pasionet dhe kundërshtitë në planin shoqëror.

            Me kulturën dhe bagazhin e një publiçisti, e fituar dhe nga të qenurit gazetar, mes personazhesh të krijuara me nënkuptimoren emrore, autori ka hedhur në skakierën romaneske, shumë personazhe realë. Përmes një paraleleje të tillë, në fushën e artit shkrimor, Thanasi bën retrospektivën, me personazhet historikë, e zhvesh romanin nga lëvozhga e një grime ekzistencializmi surreal, duke shtuar dozat e një realizmi ekzistencial, ku dialogjet, monologjet, pasazhet poetike të jetësimit të personazheve, sjellin aromat e kumteve njerëzore.

            Gjithçka aranzhohet bukur, përmes shoqërisë,  përmes  një alegorie e grotesku të thukët, ku elementë të fjalëurtave popullore, ndrisin si xinxife ku: “Sa më shumë nata kalonte, aq më shumë përkundej dhe vuiste pylli”.apo, “Mos janë qerpikët e pishave që kërkojnë sy?!”.

Një ngarkesë e tillë me pasazhe poetike, fjalor të përzgjedhur, dialog dramatik e ekstra jetësorë, “mballomat” e mrekullueshme në vendin dhe sasinë e duhur, nga fondi i urtësisë popullore, e sjellin këtë roman tek lexuesi, shlodhës, me fichione që haperojnë nga kapitulli në kapitull.

Kjo polifoni e fjalëve, i jep rrëfimit vlera të veçanta, sintetizon gjithëçka, nga sentenca e Franc Kafkës se: “Lumturinë do ta gëzoja vetëm në rast se do të mundja të lartësoja botën te pastërtia, te e vërteta, te liria e pandryshueshme”.(Franc Kafka 1917)

Ndaj ky roman, vjen si një gjetje perfekte e kujtesave njerëzore, e emocioneve, e përjetimeve, anktheve jetësore, të cilat vijnë me statusin e një pasaporte individuale, mbartur si një kredo, e një anatemimi të kohës dhe bashkëkohësve.

Me këtë roman, autori arrin të bashkojë në një amalgamë, kodet e artit shkrimor dhe kodet e jetës.

2 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page