top of page

Vladimir Muça: Një dialog i vështirë



    Maçoku Tutetkamon, kur pa Sonin hundështypur të gërhiste për shtatë palë qejfe në shtratin bashkëshortor të zotërisë Njeri, u bë aq inatçor, sa që kthetrat i'u zgjatën tej mase e filloi të gërricë komodinën e tualetit, muret, perdet e dritares. Xhelozia e kishte tërbuar.

     -Ç'është kjo punë, kështu të m'a punojë mua ky soj njeri!? Unë jam hyjnia më e lashtë në këtë tokë. Latinët jo më kot më quajtën me emrin më të bukur që mund të ketë në këtë botë: Felis Sylvetris Catus...

      Pale, pale, ai shkrimtari, që po s'më doli në shteg, e përjetësoi dhe në letërsi me atë tregimin e vogël si fytyra e Sonit" Monologu i një qeni". Kështu janë këta shkrimtarët e sotëm, nuk merreni me gjëra hyjnore, siç janë paraardhësit e mi në Egjiptin e lashtë: hyjni kaluar hyjnive.

      S'do le hak pa marrë dhe ndaj shkrimtarit, veç po s'erdhi me atë çantën e tij..! Me kthetrat e mprehta do ja bëj copë -copë librat; nam e nishan të mos i mbetet atij tregimi për qenin Soni. E ç'është ai tregim? Hiç, asgjë, zerofyl para historive të sojit tonë në mijëra e mijëra vjeçarë nga Egjipti, Kina, India.

      Ky hundështypur, i ardhur nga Kina, nuk e din se që në kohën e perandorit Shih Huang Ti, tregohen shumë e shumë historira, shumë më parë se të hynte në shtëpi soi i qenëve.

      Soi njeri, e futi këtë sharlatan në shtëpi mbasi i ikën në emigracion fëmijët, e që të më bënte mua shoqëri. Ky plangprishës si hakmarrës që është, u bë zot dhe i shtratit martesor të zotërisë.

      Maçoku Tytetkam u ngjit në krevat dhe me putrat me kthetra, filloi të gudulisë në fundbarkun e pshurur Sonin gjumash. Era e urinës ia thartoi hundët e mustaqet, filluan t'i mblidheshin kaçurrel.

    -Çohu o hundështypur, ke ngatërruar vend- fjetjeje! Pas dere e ke kuvlinë tënde. Më ndyve çarçafët e ndërruara në mëngjes nga zonja.

-M'u hiq sysh dac budalla..! Ik në vendin e sat'ëme! Zotëria më vuri të flija me nina- nana. Hahahoooo, hahahoooo, ç'më bëre të qesh.

    -Dëgjo Soni..! Ke marrë kot së koti nga ledhat e tepëruara, që atë ditë kur zotërisë i iku djali në emigracion. Të gënjen mendja se ke zënë vendin e djalit të shtëpisë..!

Vëre vath në vesh këtë që po të them: -njeriu besoi në përkëdhelitë e mjaullimës time që atë ditë kur lamë jetën e egër të pyllit dhe i'u afrua asaj kasolles primitive me kashtë.-

    Që atëhere njeriu ka qenë, është dhe do të jetë hija e hijes sime. Mundohu sa të duash more hundështypur, me lajka e me përkëdhelitë nuk më zëvendëson dot mua, sado që soi juaj i qenve është shtuar e në vend të vajzave e djemve, zonjat ju marrin për dore në shëtitje për të hequr stresin e vetmisë.

    Kot lodheni lart e poshtë, poshtë e lart, ndër ecejake mërzie. Më dëgjo mua: " Nuk del mëndafsh nga lëkura e qenit"! Këtë t'a thotë një maçok shtëpie me pushin e butë, dhuratë nga perëndia.

    Dhe në mardhëniet me njerinë, s'e ke vënë re ti? Ne jemi më melankolikë, jemi si telat e kitarës, që sa herë i prek, sado lehtë, me mjaullimën tonë lëshojmë tinguj melodie, që zbusin çdo shikim të egërsuar; ndërsa ti, Soni i dashur, kafshon edhe një fëmi të pafaj me sy egërsie.

    Kur ti shëtit si një bishtkali njerëzie, unë rri pranë sofatit, pres të zotët e shtëpisë, nipërit dhe mbesat me sytë e dëshirit; ndërsa ti kthehesh në një metaforë ndër pirueta rrugëve, në një gur kilometrazhi, në rrigëtimin e shpirtit duke gurëzuar pritjen nga mërgimi i zi.

    E tik- taku i trurit të shoqëruesit tënd, si një lavjerrës godet kohën e shkuar, kohën kur mbretërit e Egjiptit të lashtë në Bubartis, buzë Nilit, mua më konsideronin hyjni. Atëhere dhe Herodotos, që para katërqind e pesëdhejtë vjetësh para Krishtit, jo si shkrimtari që të thuri lavde ty, shkroi për festivalin e përvitshëm, që mbahej në nderim për mua në Bubartis; e ti pa pikë turpi krenohesh sot me ato sfilata qensh si Karnavalet e Korçës.

    -Ore, mashtrues, mos më shit mua dokrra! Të njoh unë ty, mos më detyro t' i tregoj zotërisë. Ti hileqar që zure vendin në buxhakun e shtëpisë, o mashtrues i ndyrë. U nxitove të futeshe i pari në shtëpinë e njeriut, por më mirë i dyti dhe i sakti se sa i pari dhe më i nxituari. Mjaulli sa të duash sot, i pari në jetën shoqërore të njerëzisë jam unë...

    Mua s' më mësoi rehatia të kem mardhënie të mira me njerëzinë, por më mësuan vuajtjet e kaluara bashkë me të. Ti mjaullin gjer në mërzi, e sytë i mbyll në përkëdhelje. Unë "flas" më shumë me sy, se gjuha e syve është gjuha e një shpirti të dëlirë.

    -Kot më quajnë interesaxhi dhe inatçor. Unë kam zënë mend nga bashkëjetesa me njerëzinë, kam ushqyer besimin duke i ndenjur sa më pranë, duke i zhdukur dëmtuesit minj. Kush nuk mbjell fara të shëndetëshme besimi, pret një jetë të gjatë me dyer të hapura dyshimi.

    -More mashtrues, ti vetëm për gënjeshtra e mashtrime e ke mendjen. Që kur iu fute njeriut në shtëpi gjoja për të zënë minjtë, s'le pjatë e kusi pa lëpirë.

-Uaaa, kush flet! Ti që s'ke lënë kazan plehrash pa trazuar...

-Ore, maçok budalla, nuk e kupton se po të perëndon koha jote? Gënjeshtra të lëndon , por mashtrimi dhe inati që ti ke në gjakun tënd fisnor të shkatërron. Ne soi i qenve dallohemi për besnikëri ndaj njeriut.

    -Ç'të gënjen mendja, ore Soni budalla, e di ti se besnikëria nuk është sinonim i dashurisë?...

    -Unë di atë o maçok hileqar: se mbi ujërat e mashtrimit dhe të korrupsionit tënd, notojnë gjethet e vyshkura, ndërsa nën ujë notojnë peshkaqenët dhe jorkat vrasëse.

-Lere mashtrimin ti. Ju mashtroheni gjithë ditën me një copë kockë me njeri - tjetrin duke u grindur gjer në kacafytje, kur unë rri pranë zjarrit, dëgjoj të zotin e shtëpisë tek i thotë fëmijve se :- dashuria shumë herë është e verbër dhe e shurdhër, por ama asnjëherë nuk është memece.

    -Ajo dëshirë, që ti ke në mendjen tënde i dashur Soni, është si ato lulet e egra që çelin kudo, madje dhe në mes të rrënojave.

    -Jo...jo..! Kur t'i fërgëlloje nga të ftohtit e shkurtit, ato lule, që thua zotrote, mua më çelnin rrëzë vatrës së zjarrit, nën kujdesin e përkëdhelitë e njerëzve.

-Mirë, o mirë! Por besimin nga njerëzia unë e fitoj me luftën ndaj keqbërësve, në roje të zotit tim, duke mundur dhe vetveten. Të jap një këshilë: - Kurrë mos e sfido atë që lufton për të mirën e tjetrit.

   Si për t'a zbutur paksa këtë dialog të egër me njeri - tjetrin, e duke e ndjerë dhimbjen e kafshimeve viteve më parë nga Soni, në një grindje si e sotmja, maçoku Tutenkamon, me dredhinë që e karakterizonte iu përgjegj:

    -Ore miku im, për çfarë sfidash flet!? Ne që në lashtësi kemi bashkëjetuar në vëllazëri.

    Të parët tanë ishin ndër ata që i'u qasën njeriut, e bashkëjetuan me të, shumë më përpara të tjerëve.

    -Fillove nga mashtrimet ti! Sa herë më ke mashtruar? E gjithë jeta jote është mashtrim.

    -E vërtetë është që edhe të kam gënjyer e mashtruar, por ta dish se e kam bërë gjithnjë për të mirën e përbashkët. Gënjeshtra për të bërë një vepër të mirë ka vlerë po aq sa e vërteta.. Një ditë e dëgjova zotërinë t'u thoshte fëmijve se : - të shkosh pas të vërtetave do të thotë të rendësh pas njerëzve, që shkruajnë historinë në gur.-

    -E uuu edhe ti! Të vërtetat, të vërtetat! Po a e di se pas të vërtetave vjen dhe fundi, e kush e mendon fundin, s'mund të bëhet hero.

     Pas këtij debati mes dy kafshëve shtëpijake, në guzhinë u dëgjuan britmat dhe mallkimet e zonjës së shtëpisë për urinën në mbulesat e divaneve e qimet e rëna tufa- tufa nga sëmundja e leshmanozës, që kish prekur Sonin.

    Duke u zgërdhirë në mjaullimë, maçoku Tutetkamon u shtri sa gjatë e gjërë në mes të shtratit në një gjumë për shtatë palë qejfe. Soni me bisht ndër shalë, nga frika e kopaçes, doli me vrik nga dera dhe u bashkua me shoqërinë e re të qenve rrugaçë.

13 views0 comments

Komentarai


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page