top of page

Vladimir Muça: Disa vështrime kritike mbi librin “Pyeta Syrin e Kaltër”


MADHESHTIA E TE THJESHTES NATYRORE NE POEZI

(Disa vështrime kritike mbi librin “Pyeta Syrin e Kaltër” të Panajot Bolit, botim “Neraida”)

 Poeti Panajot Boli, me statusin e një natyralisti, në vëllimin “Pyeta Syrin e Kaltër”, përbashkon në një amalgamë poetike, Syrin e Kaltër, Bistricën, pyjet përreth, qiellin që pikon yje, hënën që nusëron e Jonin që drithëron valët bregut, si në një ekstazë dashurie. “I duheshin të gjitha këto impute artistike, për të gatuar poezinë e tij të bukur”, definon në parathënie të librit, poeti Iljaz Bobaj.

Në një habitat të tillë, përmes vlerave artistike që i fal kjo natyrë, poeti këngëzon në to, notat e jetës, haresë, të lumturisë, të mallit, por edhe të dhimbjeve, përmes një natyraliteti, i cili diktohet nga fryma e një shpirti të dëlirë.

Përmes madhështisë të së thjeshtës natyrore, poeti intercepton tek lexuesi dashuritë njerëzore, duke evidentuar vetveten poetike, si produkt i kësaj natyre, si një shembull i personalitetit krijues, me madhështinë e saj në artin shkrimor.

Poeti, me sukses i është larguar sindromit të manisë për të gjetur vetveten në krijimtarinë e autorëve të huaj, e cila sot vjen si një epidemi plazhiature. Arti elitar i të shkruarit në vehtveten e tij, ka një gjuhë të përbashkët artistike, por kurrësesi, në subjektivitet nuk mund të përputhet me arealin përjetues, nuk mund të gjenerojë bukurinë shpirtërore, një dramacitet lirik e shoqëror, pa amzën e vendlindjeve, të ndjesive më të pastërta njerëzore, pa patur si prototip, përjetësinë e kësaj bote, të shumë ndjesive, ndryshe, siç thotë Gorki: “do të kemi një fotografi e nuk do të bëjmë art”.

Me të drejtën time, poetin Panajot Boli, mund ta konsideroj, një nga interpretuesit e rrallë të elementeve artistikë të natyrës. Të vjelësh nga natyra, vlerat e saj artistike, është një art i natyralizuar, ku shpirti i poetit dhe natyra, aranzhohen në një produkt poetik. Natyra merr frymë njerëzore, duke u jetësuar në kumte njerëzorë. Nga shumia e poezive që përbëjnë këtë vëllim, tipike është poezia “Thëllim prilli” ku:

“ Për lulet e pjeshkës nuk do më zërë gjumi sonte,

Ju nxinë buzët nga të ftohtët e, nënës iu strukën në gji”.

dhe:

“ E di, gjumi s’do më zërë sonte, nuk është e lehtë, aspak,

Për ty, e dashur, e lulet e brishta të pjeshkës, kam merak”.

Siç vërehet edhe në këto dyvargjesh, por më e stilizuar në poezinë “Nuk erdhe dhe sot”, në poezinë e Panajotit, evidentohet një veçori: “rima e puthur”.

Një harmoni e bukur, e cila aranzhon polifoninë poetike të 16-rrokëshit naimjan ku:

“Kaltërsia u zbeh e valët heshtën papritur për çudi,

Një anije e bardhë po fanitej, larg, indiferente si ti”.

Metafora, në shuminë shprehëse të saj, në shumë poezi, vjen si një figurë e preferuar e shprehive poetike. Karakteri i kuptueshmërisë, pjelloria e mesazheve, e ideve, vjen si rezultat i një ndërveprimi të natyrës dhe personazhit autor, bashkëveprim të cilin e jep metafora. Emocionet e poetit, të shpërvjelura përmes metaforave dhe simboleve, përputhen me karakterin, qëllimin që kërkon të shprehë autori, në kuadër të rolit që ka arti poetik. Me të drejtë, autori ngulmon, që të çojë tek lexuesi një poezi të ndjerë, ku parësore nuk është “zonja rimë”, por mendimi dhe ndjesitë që mbart metafora polivalente.

Pothuaj të gjithë poetët shkruajnë për natyrën, por poeti Panajot Boli, ka një këndvështrim pakësa më origjinal, në mënyrën se si ai e “vjel” madhështinë e së thjeshtës natyrore. Përmes vlerave artistike të saj, poeti i jep frymë nga shpirti i tij, e jetëson natyrën, e kthen atë nga një objekt amorf, e bën të frymojë, të lulëzojë, të belbëzojë, të vallëzojë njësh me qeniet njerëzore, si në një valle dropollite, ku polifonia e fjalëve, orkestron të gjithë këtë mrekulli.

Poezia “Ndjesi trishtimi”, një poezi e thjeshtë me dy strofa, por që mbart, e transmeton tek lexuesi shumë ndjesi e, njëkohësisht e mëkon shpirtin njerëzor me shumë dashuri ku:

“Ky i paudhi trishtim, seç m’u shfaq si hije përpara,

Një gjethe e verdhë vjeshte, befas m’u ul në sup,

Larg fshihem, në humbëtirën e kuqe të perendimit,

Ai vjen nga prapa, kërkon një përqafim, pa turp”.

Dhe në poezinë “Psherëtinë dhe lumi”:

“Nuk më qetësoi prap fytyrëkaltra ime Bistricë,

Në zall, më shtroi gurë, e gurë të latuar më vuri jastëk”.

Duke u marrë më një natyrë të shumllojtë, Panajoti dallohet për disa veçori, të cilat vijnë si rezultat i një këndvështrimi stilistik, pa kornizat e një metrike klasike.

Si në poezinë “Gjethes” dhe në disa të tjera, poeti vjen pakësa rrebel, në stil dhe estetikë, duke neglizhuar rregullat standarte të metrikës. Edhe kur përdor rimën klasike, poeti nuk e ndan atë nga forma vetiake e vargut të bardhë, ku alternimi vjen i këndshëm, pa sforco, a,b; c,b, një veçori e vargëzimit, përmes një metrike disi rrebele, në shuminë e poezive. Në tërësinë e një vargëzimi të tillë, autori është treguar i kujdesshëm, në alternimin e vargut të bardhë dhe atij të rimuar, me tingëllima të këndëshme të strofës, sikundër në poezitë; “Hëna është aty”, “Ra heshtje perendimi”, “Të kundroj pak sytë e tu”, “Kënduan gjelat”, ku:

“Era si mace fërkohet pas xhamit të dritares,

Nuk ka sjellë asgjë dhe, sonte, rrijmë duarbosh,

Natën vonë, zbret dhe hëna e lëpin kanatat,

Pikla melankolie rigojnë nga sytë e saj verdhosh”.

Në këtë konceptim estetik, një tjetër veçori e poetit, e cila e dallon nga shumë krijues që unë kam analizuar, është konceptimi poetik i rimës së puthur.

Në këtë vëllim, si i përveçëm, autori vjen këndëshëm me një rimë të puthur, ku këngëzimi i vargut vjen natyrshëm, përmes një metrike të lirshme, si në harmoninë e një solfezhi shpirtëror, në poezitë: “Pranverë në sy të jeshilta”, “Me teknologjinë e alfabetit mors”, “Çast vetmije” etj, si një gjetje artistike, në përçimin e ndjesive njerëzore.

Në të gjithë këtë produkt poetik, ajo që të ngulitet, është aroma e ndjesive të larmishme, që në poezinë e parë “Zhgënjimi”, autori prezantohet si një zotërues i elementeve të folklorit në poezi. Diku si metaforë, diku si simbol e si parabolë, këto elemente të qëmtuara me kujdes, ndrisin si xinxife mes vargjeve, si një nocion i veçantë poetik.

Mes gjithë këtyre risive inovative, padyshim, që poetit, nga mungesa e një redaktori profesionist, e cila sot po bëhet si një epidemi e botimeve nga një pjesë e mirë e krijuesve, në punimin e ndonjë poezie, ka shpëtuar edhe ndonjë “ashkël” që gjithësesi nuk mund të ulin vlerat krijuese të autorit.

Siç vëren edhe poeti Iljaz Bobaj, në parathënie, me pak kujdes, nga një redaktor profesionist, disa poezive mund t’u shmangej përsëritja tematike, që poeti të mos binte në reminishencë me vetveten. Më shumë duhet punuar me vargun e lirë, në raportet ndjenjë- mendim. Në disa poezi me varg të lirë, mbisundon më shumë mendimi se sa ndjesia poetike, poezia reflektohet cerebrale. Në tërësinë e librit, këto vërejtje nuk ia ulin vlerat që evidentuam në këtë vëllim me poezi.

Poeti Panajot Boli, pothuaj në të gjithë këtë produkt poetik, duke qenë dhe një natyralist i vëmendshëm, është mbështetur dhe në sentencën e Italo Svevos, i cili definon se: “Besoj se jeta është shumë më origjinale se sa ajo që jam unë në gjendje të trilloj”.

Një natyralitet i tillë, si frymë poetike e një përjetimi, është edhe ky vëllim poetik, i cili përçon tek lexuesi, aromat e ndjesive të një natyraliteti.

Gusht 2024 Vladimir Muça

24 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page