top of page

Vladimir Muça: Disa refleksione mbi librin e Abdyl Ypit

  • Jan 26, 2025
  • 7 min read


BOTA SHPIRTËRORE DHE FILOZOFIA E HAFIZ ALI KORÇËS


(Disa refleksione mbi librin e Abdyl Ypit)


“Kongresi i Dibrës dhe Hafiz Ali Korça”, botimi i parë 1918 i ribotuar A.C.F.O.S 2024

 

Hafiz Ali Korça kjo figurë e ndritur e Rilindjes tonë kombëtare, sa ishte klerik në pikëpamje reformatore në fushën e teologjisë, po aq ishte edhe atdhetar patriot, përkthyes orientalist origjinal, por edhe një polemist politolog nga të parët e shoqërisë shqiptare.

Që në vitet 1920 Hafiz Ali Korça reformatorë, shpallte pikëpamjet e tije se: “Në gjuhë të Kuranit jo vetëm nënshtetasit e një shteti, por e gjithë bota janë vllazën, demokratë e jo aristokratë.” (cituar nga fjala e kryeministrit Edi Rama në Peshkopi).

Kam pas nderin të familjarizohem me nipin e Hafiz Ali Korçës, Ali Korça Junior. Kam qenë i privilegjuar të lexoj korpusin prej 12 vëllimesh dhe të futem në botën e pasur letrare, shoqërore, historike, teologjike të këtij kleriku intelektual poliedrit.

Ai është ndër mësuesit e parë të mësonjëtores shqipe të Korçës me një bashkëpunim të ngushtë me Pandeli Sotirin duke dhënë mësim pa pagesë.

Që në fillim u dallua si një publicist dhe përkthyes i kryeveprave fetare dhe artistike ku veçoj “Mevludin” dhe “Rubairat” e Omar Khajamit nga teksti origjinal.

Si polemist shoqëror dhe politolog në vitin 1924 botoi veprën “Bolzhevizma a çkatërrimi i njerëzimit”, vepër e cila u bë shënjuesja e parë shqiptare denoncuese e komunizmit. Kjo vepër u ribotua edhe në vitin 1944 pas së cilës erdhi edhe kalvari i dytë i persekutimeve nga diktatura e re e shtetit totalitar, si për vetë Hafiz Aliun edhe familjen e tij përmes pushkatimit të vëllait, internimeve.


Siç thoshte edhe vetë në shumë polemika ai ishte një klerik liberal gjë të cilën e manifestonte edhe në marrëdhënie me klerikët e feve të tjera.

Në një takim me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë në Korçë, Hafiz Ali Korça bën gjestin patriotik të bashkimit pa dallim feje duke ia marrë kamillafin priftit ortodoks e duke e vënë në kokën e tij dhe festen e hoxhës duke ia vënë në kokë priftit.

Këtë e manifeston edhe në Kongresin e Dibrës më 1909 në polemikën me një prift katolik duke i thënë: “Udhëroni vini në krye sarekun tim dhe unë të vë shapkën (kapelën) tënde, dhe ashtu të shëtisim nëpër sokakët e Durrësit” (Adbyl Ypi, Kongresi i Dibrës dhe Hafiz Ali Korça, faqe 43).

Sipas gazetës “Tomorri” më 1940 Hafiz Aliu nuk pranoi që të jetë pjesëmarrës në në dhënien e kurorës shqiptare Viktor Emanuelit duke u vënë në opozitë me regjimin pushtues fashist.

Në pikëpamjen teologjike ka qenë një ndër reformatorët e pakët në të mirë të shoqërisë shqiptare, ndaj krahas persekutimeve nga pushteti për pikëpamjet nacionaliste ai u përndoq dhe nga institucioni fetare anadollak i kohës si një reformist.

 Pothuaj në mjerim u largua nga kjo jetë me 7 janar 1957 duke lënë pas një pavdekësi letrare, kolanën prej 12 vëllimesh në botim special.

Nga ky erudit përfaqësues më i rafinuar i një besimi autentik të një islami shqiptar të ndriçuar do të mbetet ndër breza nga vëllimi i katërt poetik dhe ky katërvargësh:

Atdheu është kutia, feja xhevahiri

Rron e në kuti brenda ruhet floriri

Për të mbrojtur nderin na duhet kutia

Po s’pate atdheun, shkon feja inxhija

 

            Në kulturën e alfabetit shkronjor do mbetet qëndrimi i tij konseguent ndaj alfabetit latin, konceptet e tija mbi arsimin shkollor të evidentuar bukur e me autenticitet nga nxënësit e tij Abdyl Ypi, prefekt i Durrësit, me librin e vogël por me shumë vlera “Kongresi i Dibrës dhe Hafiz Ali Korça” botimi i parë në vitin 1918.

Më ka habitur fakti që krahas mohimit të vlerave atdhetare, kulturore, teologjike, në shtetin 45 vjeçar totalitar por edhe këto 34 vite nga institucionet shkencore është mbajtur një qëndrim mospërfillës ndaj këtij demiurg krejt i veçantë në histo-grafinë e kulturës shqiptare.

“Kongresi i Dibrës dhe Hafiz Ali Korça” i botuar që në vitin 1918 vjen në historinë e shkrimit shqip si një blem i vazhdimësisë të Kongresit të Manastirit. Ky libër me vlera të jashtëzakonshme historike na sjell figurën e teologut, përkthyesit të shumë gjuhëve, patriotin, atdhetarin e pashoq, bashkëpunëtorin më të ngushtë të At Gjergj Fishtës, konseguentin e alfabetit latin, Hafiz Ali Korçën.

At Fishta kur dëgjoi qëndrimin konseguent të Hafiz Aliut mbi alfabetin latin, sa që kundërshtarët i vunë nofkën “latinxhi”, sipas studiuesit Mark Gurakuqi, Fishta e thirri në qelën e tij duke punuar 6 muaj me Hafiz Aliun mbi alfabetin saqë në popull thuhej: “Çudi rrinë bashkë një prift dhe një hoxhë!...

Abdyl Ypi, ish nxënës i Hafiz Aliut dhe dëshmitar okular i Kongresit të Dibrës, i cili u mbajt më 23-29 korrik 1909 e botoi këtë libër si dokument mbushamendës mbi veprimtarinë e këshilluesit të këtij kongresi, rilindësin e paepur të çështjes kombëtare në përballje me qëndrimet dashakeqe xhonturke në vitin 1918 në kohën kur ishte prefekt i Durrësit.

Ndoshta i vogël, i botuar thjesht në ato vite të zymta të shtetit të ri shqiptar, ky libër me përmbajtjen e tij mbart vlera monumentale të një pjese të historisë sonë kombëtare nga më atraktivët siç ishte Kongresi i Dibrës.

Në këtë kongres morën pjesë fillimisht 340 delegatë nga 5 vilajetet shqiptare, nga ku u zgjodh një kongres me 45 antarë.

Ndër këto kongresistë spikaste me kulturën, elokuencën, polemikat e argumentuara kleriku shumë dimensional Hafiz Ali Korça i cili që në mbledhjen e parë u dallua për mprehtësinë e gjykimit, luftën pa kompromis, për gjuhën, shkollimin dhe lirinë e kombit.

Gazeta “Korça” më 26 shkurt 1910 shkruante: “Hafiz Aliu midis ulemasë së Shqipërisë është nga ata zotërinj që populli me atë po lavdërohet e po përgëzohet. Ky është më i funçmi e më më herojë, më kudzimtari që na mpron shkronjat kombëtar.” (Hafiz Ali Korça, Vepra 2, f.73)

Përmes një vizioni perëndimor atdhetar largpamës Abdyl Ypi na sjell figurën e dijetarit të madh, klerikut liberal, i cili gjatë gjithë jetës së tij duke sakrifikuar dhe gjendjen e familjes së tij kontribuoi për lirinë, pavarësinë dhe bashkimin e trojeve shqiptare në opozitë ngulmëtare me të gjithë dashakeqësit e çështjes kombëtare.

Në mbledhjen e dytë të Kongresit, në konceptin e tije demografik të kombit shqiptarë, në diskutimin e tij Hafiz Aliu definoi në: “Populli i Maqedonisë ka qenë gjithnjë shqiptarë, para zotërinj (duke iu drejtuar z. Elezoviç) jepni ç’ngjyrë të doni, por ne jemi shqipëtarë.” (Kongresi i Dibrës, f.15)

Ndërsa në mbledhjen e tretë të kongresit duke ngulmuar në alfabetin latin mes replikave me dumbabat e xhonturqve Hafiz Aliu nguli këmbë me një alfabet të mirëfilltë latin. Për këtë qëllim ai ngrit problemin e madh kombëtar të ngritjes së shumë shkollave, në çdo fshat ku të mësohet gjuha kombëtare.

Mes replikave me bajraktarët e bejlerët Abdyl Ypi, si shkrimtar e zëdhënës i kongresit thirmon:

Ah o Zot i madh, gjuha e mëmës dhe zëri i bukur i babait po merret ndër këmbë. Ne shqiptarë kemi qenë, shqiptarë jemi, shqiptarë do të jemi. Ne gjuhën nuk e lemë të vdes.” (Po aty)

Duke folur në mbledhjen e katërt të kongresit Hafiz Ali Korça shpalosi konceptin e tij shumë-planësh në zhvillimin e mësimit dhe të dijeve, ku të këndohet fizikë e kimi, dituri natyre, matematikë, anatomi, filozofi, algjebër, etj. “Vetëm një dritë e një diturie të tillë përpara do na shpjerë si komb”. Nxënësit e dalë nga një shkollë e tillë të jenë të zotët e gjuhëve, shkrimeve të Evropës me qenë se ne jemi në kërthizë të saj, proklamonte Hafiz Aliu në diskutimin e tij. (Adbdyl Ypi Kongresi  Dibrës dhe Hafiz Ali Korça)

Në shënimet e tija postkongres shkrimtari Abdyl Ypi me të drejtë çfarë përjetoi shkruan:   “Nuk e lavdëroj se e kam pasur profesor, por duhet të them të vërtetën se zotëria e tij (Hafiz Ali Korça) VM, po të mos e kishte çelur çështjen e gjuhës amtare, askush nuk do të guxonte. Ai si gjuhën shqipe po ashtu mbrojti edhe mirësinë e medreseve me një logjikë të fortë, shpëtoi djemt shqiptarë nga Jemeni, qiti nga burgu shqiptarët që quheshin reaksionarë e tjerë.” (Kongresi i Dibrës f. 34)

Siç transmetonte në telegraf Ej-jup Sabriu i qendrës së përgjithshme të “Litikat Terakizisë” Hafiz Ali Korça: “i futi zjarr kongresit dhe kësisoj hodhi themelet e vetëqeverimit”.

Qëndrimi konseguent ndaj çështjes kombëtare, ndaj gjuhës, alfabetit latin, prerogativat e qarta mbi zhvillimin social-kulturor të kombit shqiptar, mospajtimi me dumbaistët xhonturq e vuri patriotin, atdhetarin e madh Hafiz Ali Korça, para persekutimeve.

Trajtimi persekutiv zu fill që pas kongresit duke linçuar familjarisht gjersa e detyruan të futet në teqenë e kunatit Dervish Ibrahimi. “Nuk ia hapte askush portën dhe nuk e qaste njeri nga lugetërit (bandat V.M)” (Po aty).

Linçimi arriti në atë shkallë saqë populli nga mosdija dhe propaganda dashakeqe se Hafiz Aliu ishte “latinxhi dhe kaurr i keq” askush nuk i fliste rrugës.

Një natë nëpër terr, me një karrocë u detyruar që të emigrojë në Selanik. As linçimi familjar, as lutjet e bejlerëve, mysafirëve që të hiqte dorë nga fryma e tij evropiane nuk e mposhtën dot teologun, shkrimtarin, përkthyesin oriental e të shumë gjuhëve Hafiz Aliun i cili me mençurinë e tij ju kundërvu përmes gazetave “Korça” dhe “Bashkimi” në ndriçimin e rrugëtimit atdhetar.

Në këto shkrime ai replikoi dhe me Myderiz efendiun: “Na të ngratët shqiptarë, vetëm me këto shkronja mundim të shpëtojmë këtë copë Shqipëri.” (Kongresi i Dibrës dhe Hafiz Ali Korça Abdyl Ypi f. 38)

Duke replikuar me të dërguarin xhonturk Talat i cili i thotë: “Shyqyr që të shpëtuam nga litari”, Hafiz Aliu i përgjgijet: “Unë edhe të vdes rreshtat e mija gjer në kijamet “Ah Shqipëri” do të thërrasin”.

Një qëndrim të tilë atdhetar të dijetarit poliedrit, teologu liberal e ka definuar bindshëm në kohën e pushtimit të Austro-Hugarisë Mosjo Krali duke perifrazuar: “Me një fjalë mund të them se Zoti Naim (Naim Frashëri)VM shkronjat i mbolli, Hafiz Aliu me shokët i ujiti, zaten vetë thoshte Naimi: Hafiz Aliu dot të bëhet shkrimtar e vjershëtor i nderuar” (Kongresi i Dibrës dhe Hafiz Ali Korça, f.42).

Duke u larguar nga kjo jetë në varfëri atë 7 janar 1954 duke na lënë siç thoshte Naim Frashëri një kolanë me 12 vëllim, një pasuri kombëtare, kujtesë historiko-letraro-shoqërore e punës për këto shkronja që gëzojmë sot.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page