BEDUIN I VETES TIME
Më tretet shikimi në mirazh shkretëtire,
Stuhi e plehrave mendjen m'a kaplon;
Jeta rrethuar me fytyrë vdekjeje
Me dogma të reja, veshur me horror.
Të frymosh këtë jetë si me qenë lavdë
Kur qielli djerrsin ankthe zhgënjimi,
Mbi deve amëshimesh kërkon një famë,
Pa mbjellë e korrur në tokë gjësendi.
Apotheozë e jetës oazëve mbetur,
Kush m'a helmoi shpirtin në smog?...
Si gromca rëre jetën e planetit
E treti në acid, si në film horror.
Me "Dhjatën" e re çfletosen mirazhet,
Absurdi i jetës i bren si një mi,
Metastazat si rrënjë grami s'ndalen,
Po vret vetveten! Çpo bën o njeri?...
TESTAMENTI I BABAIT
E kërkuam ngado...
E kthyem përbys shtëpinë,
Të gjenim testamentin e trashëgimisë.
Në valixhen shekullore,
Mbyllur mirë,
Me një Sezam,
Gjetëm vetëm pasqyrën,
Ku babai shihte veten
Çdo ditë në të gdhirë.
VENDLINDJA
Këtu, në mërgimin e largët
Sa herë që mendoj atdheun
Ringjall veten,
Mbi te më thellë
Fus rrënjët e mia.
Zëri i zemrës si marathonomak
Kapërcen shtigjet,
Kalon përtej qenies time.
Kufijtë hapen në hapsira biometrike,
Notojnë mbi te si mbi një thesar.
Rroposem i tëri,
Lutem për hapsira të reja,
E kudo gjej
Një truall të lindjes arë.
Nga vëllimi pegasiane
Comments