Vjeshtë e kryqëzuar



Nga: Gëzim Loka

V jeshtë e tretë…Vjeshtë e berqetit dhe ëndrrave që hedhin shtat. Kështu i kam njohur vjeshtërat e rinisë sime të hershme, plot fruta dhe ëndërrime që hodhën shtat e morën rrugë…

Vjeshtë e tretë…Kështu më pëlqen ta quaj muajin Nëntor. Muajin që e ndiej gjer në kocka e gjer në shpirt, se dialogon me Unin tim më të thellë e më të fshehtë…

Vjeshta seç ka diçka të fshehtë e magjike, që të vjen nga thellësitë e qenies dhe të shkund nga monotonia e përditshmërisë. Është diçka e thellë, gjithëpërfshirëse, shkundëse e pushtuese, që të bën të ngjitesh në qiellin e shtatë e që andej të kundrosh botën dhe veten tënde në qendër të saj. Këtë privilegj ndjesor e filozifik mund të ta japë vetëm vjeshta.

Më pëlqen Vjeshta…Më pëlqejnë të tre muajt e kësaj Stine, po më shumë Nëntori. Më ka pëlqyer gjithmonë. se më duket sikur i përshtatet më shume edhe jetes sime, kakakterit tim. Shpesh është si një pranverë e vonuar, na ngroh pak, na fal ngjyrat që nuk i shijojmë dot në muajt e tjerë.

Na bën më të bukur, më të ndjeshëm, më ëndërrimtar. Na nxjerr me hir a me pahir nga guacka e egoizmit tonë, nga grackat e vetvetes…

Dielli i nëntorit të ngrohë paqësisht e të hyn gjer në kocka, gjer në shpirt. Çdo rreze e diellit nëntorian, të duket si një kungim gjaku e limfe, ku në thellësi përplasen e flirtojnë idetë dhe emocionet që lidhen me to.

Herë herë vjen si një dallgë deti që herë të ledhaton e herë të sëmbon ëmëbël, duke të ftuar të zhytesh në ujërat e ëmbëla të pasionit, ku pak nga pak vetvetja të shpaloset nën një dritë të re.

Herë- herë, vjen i tërbuar, të hedhë shumë shumë shi, të përmbyt, të shkul edhe pemët, të hedh edhe dëborë.

Mua më pëlqen, se i veshur me më shumë rroba, ndjej një ngrohtësi në trup dhe shetit më lirshëm në rrugët e qytetit, në lulishten që kam pranë…

Më pëlqen se kam më shumë kohë të rri pranë xhamit të dritares e te sodit natyrën, të shoh si fryn lehtë lehte era e rrëzon gjethet, si shtron ajo në tokë qilima ngjyra ngjyra, e ne njerezit…

Ne njerëzit nuk ia lexojmë dot trillet vjeshtës. As diellin, as shiun, as erën nuk e lexojmë… Notat e simfonisë së fshehtë humbasin në humnerën e një përditshmërie gri, pa jehonë…

Ah, ne njerëzit... në vjeshtë, ah, një ...Vjeshtë… Më pëlqen se rrënjët e mija janë nga fshati...ku kjo stinë quhet e Artë…

Puna dhe djersa matet me prodhimet, me hambaret…

Mollet e vjela, rrushi i kthyer në verë, geshtenjat e ziera, misri në hangarë, arat në qilarë, preshte në tokë, qepët kurorë, kadet me harme, qypet me turshi, trani dhe petkat, përgatitja për pastërma dhe zjarri në sobë që na mbidhte të gjithëve me shumë shumë dashuri, me një ngohtësi që nuk gjendet sot.Tani këto që them unë i gjen në çdo kohë dhe nuk është nevoja të presim Vjeshtën e Artë…

…PO DASHURINË…DASHURINË...RRETH SOBËS… A E KINI VALLË?!

Të gjitha këto mund t’i keni… po ata që ne i prodhojmë, i duam, i respektojmë, i vlerësojmë… apo janë thjeshtë fshatarë e u duam prodhimet e shumë pak për ta mendojmë?!

Kemi marrë rruget e ecim në asfalt, hipim në makina e avionë, jetojmë bukur e mirë, por një pjesë të zemrës e kemi lënë atje...në fshat e dikush më thotë se janë më mirë!...

Kohët kanë ndryshuar, po të dhënat e fundit tregojnë se të gjithë duhet të bëhemi pak fshatarë, se toka nuk mund të na ushqejë të gjithëve, po nuk e shfrytëzuam, po nuk e punuam, po nuk e deshëm ashtu si na do ajo...fukarallëk do ketë e sofra e varfër do jetë… e dashuria rreth vatrës do na mungojë…

Ja pse më pëlqen Vjeshta, se më sjell imazhin e fshatit dhe dashurinë për punën që është një kryevlerë njerëzore. Ja pse e dua Nëntorin, se me falë kujtime të bukura, mendime...sensacione pritje… Më shtojnë dashurinë për njerëzit, për Tokën mëmë, për vendin ku kam lindur, për bukuritë, dashuritë, që kam shijuar… Qofsh e artë për të gjithe e në çdo vatër, në çdo shtëpi veç gëzime e mirësi, shëndet e bukuri, zemra të gëzuara…

Qofsh e mbarë e dua të na falesh shëndet, ditë me diell, po edhe shiun e duam, se është bereqet, edhe dëbora le të urdhërojë se shpirtin e duam të bardhë, të pastër, edhe era le të fryjë, se na i davarit retë e shpirtit…

Vjeshtë e trete, sa shumë më vure në mendime, po ma shtove dashurinë për njerëzit, për ngjyrat, për bukurinë e shpirtit, që dua e që jam si ty...

Herë e qetë, herë dallgë, herë shi e diku pak dëbore...po një gjë e di mirë...Unë i dua të gjithë, e dua të ketë vetëm Vjeshtë të Artë për të gjithë...në shpirt e në hambarin e jetës që quhet ZEMËR.

Mirë se erdhe Nëntor, Vjeshtë e Artë! Mirë se erdhët o kujtime të bukura, që shkundeni bashkë me gjethet e pemëve në një tokë pasionesh të ndezura, në një tokë të premtuar, ku ka vend gjithmonë për shpirtbardhësi, fisnikëri e dashuri!...

Por, më falni, desh harrova…

Ah, këtu fillon pjesa e vështirë… Ankthi i verdhë gjurmon humbjen e iluzioneve…

Jo, nuk harrova, por më patën mbërthyer kujtimet e shkuara dhe nuk desha të them gjëra që më dhëmbin…

Më falni, desh harrova!…

Jo, nuk harrova, por nuk dua ti kthehem diçkaje që më dhemb, thellësisht më dhemb e më bën të vuaj!...

Pse nuk bie erë mollësh, ftonjsh, portokallesh e limonash kjo vjeshtë?! Çfarë ka ndodhur në vendin tim, që nuk bie erë mollë e dashuri njerëzore?

Bie erë kanabis, dhunë, egërsi, rendje drejt vendeve të huaja, e tokat e mija, traulli im është djerrë…

Vjeshtë e tretë, vjeshtë ëmbëlsishë

Të kryqëzuan barbarët e pashpirt,

Nuk vjen era mollë e bari trëndelinë,