Visar Zhiti shpallet “Anëtar Nderi” i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë


Visar Zhiti


Adnan Mehmeti

President i Shoqatës

New York, 6 nëntor 2020

Që nga dita e parë e krijimit, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë i ka ngjarë një familje të madhe dhe të gëzuar. Kemi ndier gëzimin e veprave të secilit anëtar dhe shumë herë kemi bërë dhe festa me ditëlindjet e këtyre veprave. Kemi ndjekur sukseset e njëri-tjetrit me emocionin e një familjari. Jemi njohur me veprat e atyre shkrimtarëve që nuk jetojnë më.

Pjesë e kësaj feste të përhershme në të cilën të vë krijimtaria e secilit që i flet brezave, jemi bërë vlerësuas të krijimtarisë së atyre autorëve shqiptarë që kanë kaluar me veprën e tyre kufijtë gjeografikë. Me këtë ndjesi të bukur kemi ndjekur edhe krijimtarinë e shkrimtarit Visar Zhiti. Ai tani jeton në atdheun tonë të dytë, në Amerikë, dhe ndajmë ajrin, krijimtarinë dhe dëshirat me anëtarët e Shoqatës.

Kryesia e Shoqatës e mirëpret dhe e shpall “Anëtar Nderi” poetin disident Visar Zhiti

Ne jemi duke jetuar në këtë pandemi që paralizoi gjithë botën, por si krijues vazhdojmë të krijojmë në mënyrë vetjake. Dëshira për të zhvilluar një ceremoni për këtë nder dhe për atë që ai ka bërë dhe bën për fjalën e bukur dhe të lirë shqipe në mbarë botën për dorëzimin e dekorimit “Anëtar Nderi, është mjaft e madhe. Është obligim i madh, por që nuk mund të realizohet për arsye të pandemisë.

Megjithatë, Visar Zhiti, ky vigan i madh i letrave shqipe, në vend të një takimi të përbashkët do të ndajë dashurinë me secilin anëtar të Shoqatës me krijimtarinë e tij të pasur letrare.

Në pamje të parë quhet nderi i madh për atë që e merr këtë dekoratë mirënjohjeje, por në rastin e këtij shkrimtari tepër të dinjitetshëm, është më se e qartë se është nderi ynë që e kemi mes nesh, që na bën të frymojmë me fjalën e tij të ngrohtë, të bukur, të vërtetë. Si të kishim një diell që mezi e presim që të gdhijë në një agim tjetër. Ai është nga ata poetë që kapërcejnë jo vetëm kufij vendesh, po edhe kufij kontinentesh.

E Amerika ku e shtrin aktivitetin e saj krijues edhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është Shtëpia e shkrimtarëve, ku vlerësohet fjala e tij e bukur, e ngrohtë, me një art tepër origjinal të rrëfimit. Ai quhet në kuptimin e plot të fjalës “Poeti i lirisë”, me një shpirt të butë e të gjerë.

E në cilin vend më shumë se në Amerikë që ka kurorën më të ndritshme të lirisë, mund të kuptohet, të besohet e të shpërndahet fjala e tij më mirë?

Për shkrimtarët shqiptaro-amerikanë ai është një zë i fuqishëm, një model i përkryer i artit që ka vetëm të ardhme që shpesh ngrihet mbi sakrificat e së kaluarës.

Nder përjetë penës së shkrimtarit Visar Zhiti!

Mirë se vjen në Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, i dashur Visar Zhiti!

Shënime biografike për Visar Zhiti

Visar Zhiti është një nga shkrimtarët më të njohur bashkëkohorë të letrave në gjuhën shqipe, që lëvron poezinë, prozën, esenë, po kështu edhe gazetarinë dhe përkthimin.

Është biri i një mësuesi, aktori e dramaturgu, Hekuran Zhiti, nga Tomorrica, atje ku lartësohet Olimpi i shqiptarëve. Babai i tij ishte dënuar si nacionalist, duke ia ndërprerë krijimtarinë e tij. Poezitë e tij, satirat, komeditë dhe dramat u botuan postume, mbas rënies së perandorisë komuniste.

Nëna e Visarit, Resmija, vinte nga një familja e madhe kolonjare, Fama ose Shahu, nacionalistësh, që u përndoq dhe u dënua nga regjimi komunist në Shqipëri, nga që kishte dhe të ikur në SHBA.

Visar Zhiti lindi dhe u rrit në Durrës, qytet buzë detit Adriatik. Gjimnazin e kreu në qytetin e Lushnjës, vend dhe internimesh, ku kishte dhe shumë familje nga Kosova.

Më pas u diplomua për Gjuhë dhe Letërsi në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës dhe nisi të botojë poezitë e para në shtypin letrar të kohës dhe dorëzojë për botim përmbledhjen “Rapsodia e jetës së trëndafilave”.