
O Virus! Na solle gjëmën!
Botës mbarë i bëre nënën.
Fëmijëve u mbylle shkollë,
Pleqve u shtove kollë.
Punë nxirë, e tjerrë hollë,
Po merr njerëz, nuk mbledh mollë!
Rrimë mbyllur, por të ndarë,
Larg në rrugë, larg në arë.
Po presim me shpresë vrarë!
Kur do shuhet kjo dreq farë?
Rrimë ndarë, si beqarë,
Njëri-tjetrin duke parë.
Puthje s’ka mbi buzët çarë,
Fjala-fjalën tërheq zvarrë.
Politikës i mbylle gojën.
Gënjeshtrës i nxore bojën.
U the boll, - ndaloni lojën!
Vras pa plumb, u le gëzhojën!
O virus, ti bir kopili!
Nuk e dimë ku është filli.
S’ këndon cuca as bandilli,
Rrinë strukur si kërmilli.
Ik i ligu, shkon i miri
Si i shtrenjti dhe i liri.
S’bën derman thesar floriri,
As kurorë degë ulliri.
Shpejt do ikësh more dështak!
Se jetën na bëre farmak.
Hamë shumë e flemë pak,
S’dalim dot as në sokak.
Sa ka parë kjo bot e shkretë,
Kur njeriu erdhi në jetë.
Mos u ndani, mos rrini vetë!
Gjeni dashuri të vërtetë!
O virus, na bëre gjëmën!
S’shohim diell, harruam hënë!
Kadri Tarelli
Durrës më: 25, fillim pranvere, 2020.
Comments