top of page

Viron KONA: Gëzuar ditëlindjen Delo Isufi!


Shpirti dhe zemra e bukur e pilotit, avokatit dhe poetit Delo Isufi 

 

Miqësia e ish-pilotëve shqiptarë ngjason me floririn, ajo nuk ndryshket asnjëherë    

            

                                      

Shkruan Viron KONA

                  

       Delo Isufi  mbushi 80 vjeç. Lindi më 15 korrik të vitit 1944 në fshatin Brataj të Vlorës. Atje mori mësimet e para, kurse në vitin 1962 filloi studimet e larta në Akademinë e Forcave Ushtarake Ajrore, Vlorë, ku u diplomua pilot gjuajtës – bombardues.

Deloja shkëlqeu duke pilotuar për rreth 30 vjet aeroplanët luftarakë reaktivë mbizanorë, duke përshkuar qiejt e Shqipërisë dhe  duke  merituar gradën e lartë ushtarake “Kolonel”. Punoi edhe si instruktor, e në vijim u emërua pedagog i Akademisë  për fluturimin, ku me pasionin dhe aftësitë e tij të veçanta përgatiti dhjetëra pilotë të rinj. Gjatë kohës si pilot, si instruktor dhe si pedagog, Deloja u shqua edhe për pasionin e tij për zotërimin e gjuhëve të huaja, duke përkthyer literaturë shkencore për aftësimin e mëtejshëm të pilotëve me aeroplanët modernë supersonikë. Një periudhë kohe ai u kualifikua edhe në Kinë.


                                           Delo Isufi, Avokat i Shtetit Shqiptar

 

          I etur për dije, Deloja vijoi studimet e larta edhe për Jurisprudencë dhe në vitin 1972 u diplomua jurist, duke qenë kështu shembull i oficerit të aviacionit luftarak shqiptar dhe një intelektual i pajisur me cilësi të larta kulturore e profesionale. Si gjithnjë kërkues ndaj vetes, ai ka treguar se energjitë e njeriut janë të jashtëzakonshme, kur ai i përkushtohet jetës, zhvillimeve dhe dinamikave të kohës, ndaj me këtë përkushtim si avokat, ai arriti deri Avokat i Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit dhe Avokat i Shtetit Shqiptar.  Prej vitit 1992 e në vazhdim, Delo Isufi punon me profesionin avokat.

 

                      Poezi që përmbajnë mall, ndjenja të bukura dhe përvojë          

 

         Ndërkaq, Delo Isufi zhvilloi prirjet dhe talentin e  tij poetik, duke ndezur aftësitë e tij krijuese, fillimisht duke botuar poezi të veçanta dhe më pas botoi disa vëllime poetike të bukura e mbresëlënëse, të dalluara për thellësinë e mendimit, bukurinë e ndjenjave  dhe të vargut, për sinqeritetin, figuracionin artistik dhe për mesazhet mbresëlënëse.

Poezitë e Delos janë realiste, të begatuara artistikisht me imagjinatën e tij krijuese, kurdoherë të lidhura ngushtësisht me atdheun dhe me njerëzit e punës e sakrificave, poezi të spërkatura me nektarin e jetës. Burimi i poezive të Delos rrjedh i pastër nga përjetimet e tij të fëmijërisë në fshatin Brataj,  nga krahina e Labërisë, nga qyteti i Vlorës, nga shkolla emblemë e  aviacionit shqiptar, nga repartet ushtarake të aviacionit në Kuçovë e Rinas, ku ai kreu detyra të rëndësishme ushtarake, por dhe formoi karakterin dhe personalitetin e tij si poet i ndjenjave të bukura dhe të ngrohta, si një poet i lirisë dhe i atdhetarizmit. Vëllimet e tij poetike vijuan varg njëri pas tjetrit, plot bukuri, freski dhe ngjyrime artistike: “Magjia e syve”(1998), ”Lulet e zemrës”(UEGEN,2003), ”Kur lahet hëna”(UEGEN,2006), ”Ëndërr e grisur”(UEGEN 2012), ”Tavolinë e rezervuar”(ADA 2016), ”Vajza e manaferrave”(ADA 2019), ”Eh, kjo muza!”(ADA 2023),  “Ndiej tek ikën” (Novelë UEGEN 2008), “Mjegulla e bardh”-Poezi indiane, shqipërime, (ADA 2021), ”Hëna loz me mua”, ADA 2023,   “Katër poema”,  (ADA 2023)....

      Me poezitë  dhe krijimet e tij më të bukura, Delo Isufi është bërë pjesë e festivaleve poetike botërore, të zhvilluara vitet e fundit në Indi, sikurse disa nga poezitë e tij janë përfshirë në antologjitë poetike periodike, që botohen në Andha Pradesh të Indisë dhe   në qytetin Boras të Suedisë. Deloja i thur himne poetike çasteve më pikante të jetës, portretizon në mënyrë poetike tipa dhe karaktere origjinalë, që nga bariu dhe baresha, që nga heronjtë, krijuesit dhe bijtë e shquar të popullit e deri tek akademikët e  politikanët, ndërkohë që në këto poezi rrezaton dukshëm kolori popullor, humori i  shëndetshëm lab, toleranca dhe ëmbëlsia e vargut. Ai shprehet se ndjenjat e sinqerta dashurore nuk shuhen asnjëherë, madje ato edhe në moshë të tretë e ruajnë të zjarrtë prushin, edhe aty ai është ende i ndezur, mjaft që të trazohet pakëz hiri dhe thëngjijtë flakërijnë.

      Deloja i ka kushtuar disa poezi ish-bashkëshortes së tij, Emirës, e cila fatkeqësisht u nda shpejt nga jeta, duke i krijuar atij një boshllëk të pazëvendësueshëm, teksa i ka lënë dy vajza të dashura, që, me familjet e tyre, i qëndrojnë pranë babait të tyre të mirë, të ditur, të guximshëm dhe të talentuar. Ne që e njohin më nga afër pilotin, avokatin dhe poetin Delo Isufi ndiejmë se poezitë e tij dashurore e marrin frymëzimin sidomos nga kujtimet e çmuara dhe të paharruara për Emirën e tij të vyer, shpirti i bukur i së cilës është i shkrirë në dashurinë e pashuar të poetit.



          Bashkëpunimi i poetit Delo Isufi me poetë dhe poetesha indiane

 

       Krahas vlerave si poet, Delo Isufi njihet edhe si përkthyes letrar në disa gjuhë të botës: anglisht, frëngjisht, rusisht… Një kulm i tij është përkthimi në gjuhën angleze dhe shqipe i rreth 50 poeteshave dhe poetëve indianë, të realizuar në librin e tij  ”Mjegulla e bardhë” (Botime ADA, Tiranë 2021), ku ai sjellë këtu në Shqipëri vlerat dhe mesazhet poetike të krijuesve indianë, të këtij vendi të madh të botës, me histori dhe pasuri ta jashtëzakonshme kulturore e shpirtërore. 

        Deloja ka qenë dy herë i ftuar në festivale poetike në Indi dhe të dy herët prezantimi i tij ka qenë dinjitoz. Tashmë, ai ka krijuar një urë lidhëse dhe bashkëpunimi mes krijuesve indianë dhe shqiptarë. Janë dhjetëra poetë dhe poetesha indiane, që këmbejnë krijimtarinë e tyre poetike me poetin tonë, bashkëbisedojnë dhe përcjellin mesazhe të ndërsjella mes tyre, sa letrare dhe kulturore, aq edhe humane. Duket se krijuesit indianë kanë dëshira të dukshme bashkëpunimi me krijues nga atdheu i Shqiptares së Madhe me famë botërore, nobelistes së Paqes, Nënë (Shën) Terezës, që prej tyre njihet zakonisht si Nënë Tereza e Kalkutës. Në Indi ajo jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj..          

 

          Sakrificat dhe vështirësitë i afrojnë më shumë njerëzit me njëri-tjetrin!

 

          Më 6 korrik 2024, nën kujdesin e njërës prej bijave të Delo Isufit, Majlinda Isufi Koçiaj, u mblodhën në një lokal në Tiranë, kolegë e miq të Delos, ish - pilotë të aviacionit luftarakë dhe civilë, për të nderuar kolegun dhe shokun e tyre të armës së aviacionit dhe të sakrificave me një certifikatë, ku vlerësohet në 80-vjetorin e lindjes së tij puna dhe përkushtimi në forcat ajrore shqiptare. Mes tyre ishte dhe kryetari i shoqatës së aviatorëve shqiptarë, gjeneral Astrit Jaupi, si dhe mjaft nga ish-aviatorët me emra dhe vepra të shquara në armën e aviacionit: Sybi Koçi, Bilal Sina, Nexhip Shena, Agim Matraku, Sokrat Shore, Myzafer Zaho, Petrit Liçaj, Refail Bulgareci, Ramadan Anija, Kristaq Burda; shokë të Delos: Xhelal Martini, Agim Haxhiaj, Ilir Goxheri, Viron Kona; nipi i Delos, Astrit Koçaj etj.

         Fjala e bukur dhe plot mendim e mbajtur nga gjeneral Astriti, për arritjet dhe vlerat profesionale, intelektuale dhe humane të Delos, ishte çelja e atij takimi-kokteji. Gjithçka që u tha nga gjenerali, u pasua nga vlerësimet e sinqerta që bënë thuajse të gjithë ish-aviatorët e pranishëm, me kujtimet, rrëfimet, batutat dhe humorin e këndshëm. Ishte një takim   mbresëlënës që na çonte natyrshëm  në kohën kur ata ish-pilotë, atëherë të rinj, me uniformat e bukura ushtarake të aviatorit, nisnin  fluturimet  e  tyre nga aerodromet e Akërnisë, të Pishë Poros, e më pas nga  aerodromet e Kuçovës, të Rinasit dhe të Gjadrit.  

       I përfytyroja ata ish-pilotë, kur ishin djem të rinj, energjikë dhe atdhetarë, të shkolluar, të përgatitur, të kualifikuar dhe me shpirt sakrifice dhe heroizmi.  Sa shumë kujtime, episode, ankthe, emocione  dhe ja, tashmë të ulur pranë e pranë, herë-herë të përhumbur në mendime, ata kujtojnë dhe përcjellin mbresat e tyre tek më të rinjtë... Teksa i shoh sot në moshë të thyer, të thinjur dhe aq miqësorë mes tyre, më shkon  mendja se janë punët e vështira dhe sakrificat që ata kanë kaluar e përballuar së bashku, të cilat  u kanë dhënë më shumë besim mes tyre, i kanë lidhur ata edhe më ngushtësisht me njërit – tjetrin. Miqësia e tyre ngjason me floririn, që asnjëherë nuk ndryshket. Ata kryen detyrat e kohës në shërbim të atdheut, teksa disa prej tyre dhanë edhe jetën në kryerjen e atyre detyrave, duke mbetur të pavdekshëm dhe të ndritshëm në panteonin e nderit.

                                                   Buqetë vlerash dhe urimesh

 

         Sot 80 vjeç, kolonel Delo Isufi, përfaqëson vlera të rralla ushtarake dhe të avokatisë, sikurse dhe vlera të krijimtarisë së tij poetike, të dashur dhe të kërkuar nga lexuesit. Jeta e Delos si pilot ka qenë përherë e ngjyer dhe e ndriçuar nga drita e yjeve dhe e hënës gjatë fluturimeve natën, e ndriçuar nga rrezet e diellit dhe ngjyrimet qiellore gjatë fluturimeve ditën, e mbrujtur kurdoherë me dashurinë për familjen e tij të shenjtë. Deloja është vazhdimisht i ledhatuar e i lumturuar nga vajzat, mbesat e nipërit, i përqafuar ngrohtësisht nga të gjithë njerëzit e dashur, kolegët dhe miqtë e tij të shumtë anë e mbanë vendit dhe globit.

          Jetë sa më të gjatë, plot shëndet dhe begati, miku dhe poeti ynë Delo Isufi!

          Poezia jote, qoftë gjithnjë plotë dritë e nektar, plotë vlerë dhe bukuri, siç është zemra dhe shpirti yt i bukur!

70 views1 comment

1 Comment


Guest
Jul 16, 2024

Urime për këtë shkrim të bukur, që i kushtohet mikut tonë Kolënelit aviator dhe "Poetit të dashurisë". Mirënjohje!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page